BUJAR QESJA: Ushtaraku i përkushtuar dhe njeriu i mirë Lutfi Shehu
- Mar 8
- 3 min read

Ushtaraku i përkushtuar dhe njeriu i mirë Lutfi Shehu
-Me rastin e 89-të vjetorit të lindjes
Nga BUJAR QESJA
Në këtë fillim pranvere, më 7 mars 2026, nga njerëzit e respektuar në Durrës, feston një përvjetor të bukur të jetës. Ushtaraku i lartë, deri në gradën Kolonel, Lutfi Shehu, mbush 89-të vite jetë.
Është përvjetor që nuk shënon vetëm kalimin e viteve, por mbi të gjitha një jetë të mbushur me përkushtim, ndershmëri dhe shërbim ndaj Atdheut dhe shoqërisë.
Lutfi Shehu vjen nga një trevë e njohur, për karaktere të forta dhe njerëz të mençur. Nga Kolonja, krahinë që ka nxjerrë shumë figura të respektuara në jetën shqiptare. Aty mori frymën e parë të jetës dhe aty u formua karakteri i tij i qetë, i drejtë dhe i vendosur.
Formimin ushtarak, e kurorëzoi me studimet e larta për artileri bregdetare në qytetin e Riga të Letonisë (ish Bashkimi Sovjetik). Një shkollë e fortë, që i dha dijen dhe disiplinën profesionale, për t’i shërbyer me dinjitet vendit të tij.
Gjatë karrierës ushtarake, Lutfi Shehu mbajti detyra të rëndësishme në rrethin e Durrësit, duke kulmuar për një dekadë në funksionin e shefit të Mbrojtjes Civile pranë Komitetit Ekzekutiv të kp rrethit. Në atë detyrë, u njoh si drejtues serioz, i përkushtuar dhe i respektuar nga kolegët dhe qytetarët.

Por jeta e tij, nuk është vetëm ajo e uniformës. Lutfi Shehu është edhe një dashamirës i historisë dhe traditës, duke dhënë ndihmesë si autor i librit për “Historikun e krahinës dhe qytetit të Leskovikut”, dëshmi e lidhjes së fortë që ruan me vendlindjen dhe rrënjët e tij.
Në këtë ditë të shënuar, gëzimi është i madh për miqtë dhe bashkëkrahinorët e tij kolonjare. Jam i bindur se këtë 89-të vjetor, e përjetojnë me emocion të veçantë edhe miqtë e tij të vjetër, shkrimtari i njohur Shpendi Topollaj dhe pediatri me përvojë Taqo Gjergo, që ndajnë me të kujtime dhe miqësi të hershme.
Por një rreth i ngrohtë miqsh, e rrethon çdo ditë edhe në qytetin e Durrësit. Aty ku jeta qytetare ka ritmin e saj të veçantë dhe ku miqësia matet me bisedat e mëngjesit, me kujtimet dhe me humorin e mirë. Në tavolinën e kafesë së përditshme, pranë tij gjenden shpesh miqtë Astrit Tahiri, Fatbardh Dedja, Bashkim Meçe, Asti Panteqi, Pirro Qerimi dhe Robert Bali. Ky rreth miqsh e vlerësojnë Lutfiun, për urtësinë dhe karakterin e tij të qetë.
Edhe pse i lindur në Kolonjë, Durrësi e ka përqafuar Lutfi Shehun si një qytetar të vetin. Respekti që ka fituar ndër vite, e ka bërë atë një figurë të dashur dhe të nderuar në shoqërinë durrsake. Është anëtar aktiv i Shoqatës Durrësi, i Organizatës së Veteranëve etj. Qytetarët e këtij, qyteti e duan dhe e respektojnë, sikur të ishte lindur mes tyre. Sepse njerëzit nuk çmohen nga vjen, por se si akomodohesh në realitetin e përditshëm.
Në këtë ditë të bekuar tw lindjes të afërmit, miqtë, shokët dhe të gjithë ata që të njohin, kanë një dëshirë të përbashkët. Të jesh mirë me shëndet, me buzëqeshjen e qetë, të kalosh ditë të kënaqshme dhe me gëzim familjar, ashtu siç e meriton një jetë e jetuar me ndershmëri dhe krenari.
Urojmë të vazhdoni të jeni mes nesh edhe për shumë vite të tjera, me urtësinë dhe me kujtimet e vyera që mbani në zemër.
Gëzuar 89-të vjetorin e lindjes Lutfi Shehu!
Bujar Qesja
Durrës: 7 mars 2026








Comments