BUJAR QESJA: Si tri valë të një deti
- Apr 16
- 4 min read

-Tre miq, tre rrugë dhe një Durrës që i bashkon
Nga BUJAR QESJA
Ka fotografi, që nuk janë vetëm çaste të ngrira në kohë. Janë histori. Janë kujtesë. Janë jetë e përbashkët, që rrjedh në një kuadër të vetëm, si një lumë që bashkon burime të ndryshme, por që në fund merr një emër të përbashkët, Durrësi.
Në këtë foto treshe, nuk shohim vetëm tre burra. Shohim tri rrugë jete, që janë kryqëzuar në të njëjtin qytet, tri përvoja që kanë kaluar përmes sfidave, sakrificave dhe arritjeve, tri karaktere që janë formuar nga një kohë që kërkonte forcë, dinjitet dhe përkushtim. Dhe mbi të gjitha, shohim një miqësi të natyrshme, të pashfaqur me zhurmë, por të ndërtuar mbi vite dhe respekt të ndërsjellë.
Durrësi nuk mbetet vendlindja, apo vendbanimi i tyre. Është edhe boshti rreth të cilit janë rrotulluar jetët e tyre. Është arsyeja, pse ata janë bashkë në këtë foto. Jo rastësisht, por si vazhdimësi e një lidhjeje të hershme dhe të pandërprerë.
Në këtë treshe, çdo fytyrë flet më shumë, se sa një histori personale. Është një kapitull i qytetit vetë. Njëri mbart mbi supe, jetë që nisi me pengesa të padrejta, me plagën e persekucionit që i preku familjen, por që nuk mundi t’i shuante talentin dhe dëshirën për të ecur përpara.
I rritur mes vështirësish Niko Lito, nuk e humbi asnjëherë lidhjen me artin dhe sportin. Kishte dhunti të rrallë për interpretim, zë që mbushte sallat dhe një prani që rivalizonte profesionistët. Recitimet e tij, nuk mbetën vetëm interpretim, por ndjesi, ishin shpirt. Por jeta nuk i dha rrugën e lehtë. U detyrua të punojë si tornitor në Bazën Mekanike të Hekurudhave, ndërkohë që zemra i rrihte për dijen, skenën dhe futbollin.

Megjithatë, jeta di të bëjë kthesa të papritura, për ata që nuk dorëzohen. Shërbimi ushtarak u kthye në një mundësi, futbolli në një urë lidhëse dhe mbështetja e njerëzve të duhur i hapi rrugën studimeve. Niko Lito u bë inxhinier mekanik. Punoi aty ku e nisi, në Hekurrudhë dhe më tej në ndërmarrjen e serave. Shërbeu në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe paralelisht, nuk e la kurrë sportin, duke u angazhuar edhe si trajner i të rinjve.
Më pas emigrimi. Një kapitull i ri në Itali, ku profesionalizmi dhe përvoja e ngritën deri në nivele të larta, drejtimi teknik në një industri moderne. Përvoja e gjatë në profesion dhe aftësitë, e bëjnë Niko Liton të caktohet drejtor teknik në uzinën e prodhimit të Avionëve Boeing në Grottaglia, qytet dhe komunë në provincën e Tarantos në jug të Italisë. Tani është në pension dhe jeton ndërmjet Durrësit dhe Italisë Jetë që u nis me pengesa, por po shkon me krenari dhe arritje. Shembull i qartë ky, se forca e karakterit mund të mposhtë çdo padrejtësi.
Në të njëjtën kohë pranë tij, qëndron një figurë që përfaqëson pastërtinë e futbollit durrsak të viteve të arta. Mbrojtës i lindur, i prerë për fushën, me prani që jepte siguri dhe besim. Agim Çela, është pjesë i atij brezi që e bëri “Lokomotivën” e Durrësit një emër të respektuar, një skuadër që nuk ishte vetëm ekip, por krenari qyteti. Në ato vite, futbolli nuk ishte vetëm sport, por edhe emocion kolektiv, ishte identitet.
Agi Çela, luajti përkrah emrave që përmenden me respekt, në një kohë kur stadiumet gumëzhinin dhe çdo ndeshje, ishte betejë e bukur sportive. Si qendërmbrojtës i lirë, kishte detyrën e rëndë të mbante ekuilibrin e ekipit, të ndërpriste sulmet dhe të ndërtonte besim nga prapavija. Dhe këtë e bëri me personalitet.
Por jeta nuk mbaron me sportin. Agim Çela, mbeti po aq i lidhur me qytetin edhe jashtë fushës, duke ndërtuar një aktivitet të njohur, që është pjesë e kujtesës së përditshme të durrsakëve. Vend ku njerëzit jo vetëm shijojnë një produkt, por edhe ndajnë biseda, kujtime dhe buzëqeshje. Xhelateri Çela ka nam në të gjithë vendin dhe jo vetëm. Agim Çela i mbetet besnik natyrës së tij, i thjeshtë, i hapur dhe gjithmonë pranë njerëzve.
Dhe në këtë treshe, nuk mund të mungojë pena. Fjala e shkruar. Kujtesa e dokumentuar. Një njeri që e ka kthyer jetën e qytetit në kronikë, që ka ruajtur historinë e sportit, të njerëzve, të ngjarjeve. Një gazetar që nuk është thjeshtë vëzhgues, por pjesë e asaj që shkruan. Bujar Qesja nuk ka ndjekur vetëm ndeshje apo veprimtari qytetare, por ka ndërtuar arkivë shpirtërore të Durrësit.
Nëpërmjet shkrimeve të Bujar Qesjes, shumë figura nuk janë harruar, shumë histori janë ruajtur, shumë kujtime janë kthyer në pasuri kolektive. Qesja është nga ata njerëz, që e bëjnë qytetin të vetëdijshëm për veten, që i japin zë së kaluarës dhe e lidhin atë me të tashmen.
Këta tre burra, Niko Lito, Agim Çela dhe Bujar Qesja, megjithëse me rrugë të ndryshme, njëri mes artit dhe teknikës, tjetri në fushën e blertë dhe jetën qytetare, dhe i treti në botën e gazetarisë, kanë një bosht të përbashkët. Kanë përkushtimin ndaj Durrësit dhe njerëzve të tij.
Nuk mbetën të suksesshëm në fushat e tyre. Janë njerëz që kanë dhënë nga vetja. Që kanë ndikuar në jetën e komunitetit, që kanë lënë gjurmë të ndershme. Janë pjesë e përditshmërisë dhe aktivë, deri në mos lodhje.
Kjo foto nuk është vetëm një kujtim. Është një simbol. Një dëshmi se si jeta, pavarësisht rrugëve të ndryshme, i bashkon njerëzit që kanë themel të përbashkët, dashurinë për vendin e tyre.
Në fytyrat e Niko Litos, Agim Çelës dhe Bujar Qesjes, lexon qetësinë e njerëzve që kanë bërë paqe me jetën, që kanë kaluar stuhi dhe kanë dalë më të fortë. Lexon miqësinë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Lexon Durrësin, atë të vërtetin, të jetuarin, të përditshmin.
Tre figura në një kuadër. Tre histori në një rrëfim. Tre jetë që, në fund të fundit, janë një, profilet e një qyteti, që i ka formuar dhe ata e kanë nderuar me punën, talentin dhe karakterin e tyre.
Dhe ndoshta kjo, është bukuria më e madhe e kësaj fotografie. Nuk tregon vetëm cilët janë ata, por çfarë përfaqësojnë. Një brez që nuk harrohet. Një qytet që jeton përmes tyre.
Niko Lito, Agim Çela, Bujar Qesja! Dhe jeta vazhdon.








Comments