BUJAR QESJA: Kur kujtesa bëhet fotografi
- Apr 4
- 5 min read

-Miqësi që nuk plaket - një brez, një histori
-Nga bankat e Institutit “Vojo Kushi” tek një takim pas 60-të vitesh
– Kujtesa e gjallë e pionierëve të sportit shqiptar
Nga BUJAR QESJA
Takim që flet më shumë se fjalët
Ka raste, kur jeta të vendos përballë dy ndjenjave të kundërta, dhimbjes dhe mirënjohjes. Një ndarje e dhimbshme të mbledh me njerëz, por pikërisht aty, në atë atmosferë të rënduar, shfaqet edhe diçka më e madhe, kujtesa e përbashkët, respekti i ndërsjellë dhe lidhjet që nuk i zhbën as koha.
Një drekë mortore për të përcjellë Luljeta Murati Petanin, por njëkohësisht edhe një ribashkim i rrallë, i një brezi që nuk është thjeshtë pjesë e historisë së sportit shqiptar, por themel i saj.
Në lokalin “Arvi”, mes heshtjes dhe respektit për të ndjerën, u gjendën përballë njëri tjetrit njerëz, që nuk u panë vetëm si të njohur, por si bashkudhëtarë të jetës. Anesti Petani, Floro Toto, Aleksandra Koçi, Petrika Konomi dhe mes tyre, gazetari që nuk resht së kërkuari historitë e njerëzve, Bujar Qesja.
Pas drekës, një fotografi. Një çast i thjeshtë në dukje. Por në të vërtetë, një moment që mbart peshën e dekadave. Në atë foto, nuk shihen vetëm pesë njerëz. Shihen vite të tëra përpjekjesh, sakrificash, arritjesh dhe mbi të gjitha, një miqësi që ka mbijetuar mbi 60-të vite.
Bankat e Institutit dhe fillimet e një kohe
Fillimi i viteve ’60-të. Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Shqipëria kishte nevojë për kuadro, për energji të reja, për njerëz që do të ndërtonin sportin nga themelet. Ata ishin të rinj. Me ëndrra, me pasion, me ndjenjë të fortë përgjegjësie. Nuk studionin vetëm për një profesion, por përgatiteshin për një mision.
Në korridoret e atij instituti, në palestrat e thjeshta, në fushat ku mungonin kushtet, por jo vullneti, lindi një brez që do të linte gjurmë.
Floro Toto emër që hapi rrugë
Floro Toto, emër që nuk ka nevojë për shumë shpjegime, për këdo që njeh historinë e sportit shqiptar. Gjigande e vërtetë. Nga studentet e para që dolën nga teknikumet sportive dhe hynë në institut. U bë pionieria e shumë “të parave”: gjimnastja e parë në unaza, në paralelen e shkallëzuar, në gjimnastikën artistike. Por nuk u ndal këtu.
Në vitin 1968, kur Shqipëria ishte ende vend i mbyllur dhe i rezervuar, Floro Toto guxoi të hidhej me parashutë nga 1000 metra lartësi, akt që bëri bujë në gjithë vendin. Më pas, trajnerja e parë e gjimnastikës, drejtuesja e parë e Federatës së Gjimnastikës dhe Notit. Kohë e tërë në shërbim të sportit, profil nga më pikantët dhe më cilësorët e sportit kombëtar.
Floro Toto nuk ishte vetëm sportiste. Është simbol i guximit dhe i hershmërisë së afirmimit, të nivelit cilësor të sportisteve femra në Shqipëri. Jetë që nuk ndoqi rrugë të shtruara, por krijoi shtigje të reja. Ndonëse në moshë relativisht të thyer, Flora Toto nuk ndalet. Ecën duke shëtitur, si provë e mosdorëzimit dhe tërheqjes.
Aleksandra Koçi forca dhe thjeshtësia e kampiones
E qetë, e përmbajtur, me atë hijeshinë që kanë njerëzit e mëdhenj, të cilët nuk kanë nevojë të flasin shumë për veten. Aleksandra Koçi, kampione në hedhjen e shtizës, përfaqëson tjetër dimension të këtij brezi, forcën e heshtur. Koçi i përket atyre sportisteve, që nuk kërkuan dritën e reflektorëve, por e fituan atë me punë dhe përkushtim.
Shembulli i saj, i dha zë dhe forcë sportit femëror shqiptar. Me një thjeshtësi që i shoqëron njerëzit e mëdhenj, e përmend kalimthi titullin e saj. Por historia e është shumë më e madhe. Është historia e një kohe, kur sporti kërkonte sakrificë, përkushtim dhe shumë pak kërkesa personale. Ushtroi detyrën e pedagoges së edukimit fizik në fakultetin e mjeksisë.
Anesti Petani jetë në shërbim të sportit

Gjimnast, drejtues, organizator. Nga njerëzit që e ndërtoi sportin durrsak jo vetëm në fushë, por edhe në strukturë. Si drejtor i shkollës sportive “Bernardina Qerraxhia” dhe si sekretar i klubeve “Lokomotiva” dhe “Teuta” në vitet e tranzicionit, mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha në kohë ndryshimesh të forta.
Petani nuk është vetëm figurë publike. Është edhe një mik, koleg, shok, një bashkëstudent, një njeri që ka ndarë jetën me të tjerët. Mënyra e komunikimit, urtësia, modestia, sinqeriteti dhe përkushtimi, mbeten ndër cilësitë më prekëse të këtij kuadri të njohur të fizkulturës dhe sporteve të Durrësit.
Petrika Konomi kampion që nxjerr kampionë
Nga Korça, me një shpirt të madh sportiv. Petrika Konomi gjimnast cilësor. Më tej shembulli i trajnerit, që e gjen suksesin tek të tjerët. Kampion vetë, por mbi të gjitha krijues kampionësh. Trajner i “Skënderbeut” dhe i ekipit kombëtar të gjimnastikës, Konomi ka nxjerrë emra që kanë bërë histori, si binjakët Valter dhe Adriatik Meta.
Përfaqëson atë brez që nuk e mbajti dijen për vete, por e shpërndau me bujari. Në vite drejtoi edhe klubin e futbollit “Skëndërbeu” të Korçës. Fis i njohur në Korçë dhe vetë Petrika, gëzon vend të nderuar në qytetarinë korçare.
Bujar Qesja kronisti i kujtesës
Në mes të tyre qëndron gazetari. Jo si një i jashtëm, por si pjesë e këtij rrëfimi. Është ura mes së shkuarës dhe së tashmes. Pa njerëz si ai, shumë ngjarje do të mbeteshin të pathëna.
Gazetari Qesja, nuk e sheh sportin vetëm si rezultat, por si histori njerëzore. Prania e tij nuk është rastësi. Është vazhdimësi i një misioni. Të ndjekë, të dokumentojë, të mos lejojë që këto figura, të mbeten vetëm kujtime të pa shkruara. Sepse historia, nëse nuk shkruhet, rrezikon të humbasë.
Kjo fotografi është edhe rezultat i këtij misioni, të mos harrohet.
Një moment, një foto, një jetë e tërë
Le ta shohim për një çast më gjatë këtë fotografi. Pesë figura të vendosura pranë njëri tjetrit. Veshje të thjeshta, fytyra të qeta, buzëqeshje të lehta. Në sfond, një ditë e zakonshme durrsake.
Por nëse ndalesh pak më shumë, sheh diçka tjetër. Vrojton dinjitetin e viteve, peshën e përvojës, dhe mbi të gjitha, një afërsi që nuk është e sajuar për fotografinë, por e ndërtuar gjatë jetës. Sytë e tyre nuk shohin vetëm objektivin, por njëri tjetrin si dikur.
Brezi që ndërtoi sportin
Në një kohë si kjo e sotmja, ku marrëdhëniet shpesh janë të shpejta dhe të brishta, miqësia e të pestëve është një mësim. 60-të vite nuk janë pak. Janë jetë të tëra. Janë familje të ndërtuara, rrugë të ndryshme, sfida të shumta. Por pavarësisht gjithçkaje, është ruajtur një lidhje, që sot duket thuajse e rrallë. Kjo është ndoshta vlera më e madhe e kësaj fotografie.
Jeta ikën. Njerëzit largohen. Siç u largua edhe Luljeta Murati Petani, duke lënë pas dhimbje dhe kujtime. Por ajo çka mbetet, janë gjurmët që lënë njerëzit dhe lidhjet që ndërtojnë. Kjo fotografi është kështu.
Dëshmi i një brezi që i dha shumë këtij vendi. Një brez që ndërtoi sportin shqiptar me pasion, sakrificë dhe ndershmëri. Dhe mbi të gjitha, një brez që dinte të ishte bashkë, jo vetëm në rini, por gjatë gjithë jetës.
Në fund, ndoshta kjo është ajo që ka më shumë vlerë. Të mbetesh i lidhur me njerëzit, që kanë qenë pjesë e fillimit tënd.
Sepse koha kalon, por miqësia e vërtetë… mbetet.
Bujar Qesja
Durrës: 4 prill 2026
Hotel “Arvi”, 2 prill 2026








Comments