top of page

BUJAR QESJA: Ervin Baku njeriu që e kthen sfidën në energji

  • Mar 11
  • 2 min read

-Kur karakteri bëhet forcë

- Gazetari që e kthen jetën në kurajë

-Zëri që nuk lodhet

Urim për 56-të vjetorin e lindjes

Nga BUJAR QESJA

Ka disa njerëz, që nuk maten me vitet që mbajnë mbi supe, por me dritën që lënë pas në rrugëtimin e tyre. Ervin Baku është një prej këtyre.

Sot, në këtë 56-të vjetor, nuk është vetëm një ditëlindje që festohet. Është stacion i bukur në një rrugë të gjatë përkushtimi, pasioni dhe besimi tek profesioni i gazetarit. Një rrugë që ai e ka përshkuar me dinjitet, me këmbëngulje dhe me një stoicizëm që të bën ta respektosh pa kushte.

Ervini është nga ata njerëz, që nuk e njohin dorëzimin. Në çdo etapë të jetës, ka zgjedhur të ecë përpara me kokën lart, me një energji që të habit dhe me një optimizëm që të jep forcë edhe ty që e ke përballë. E ka bërë sfidën aleate dhe jo pengesë. E ka kthyer përditshmërinë, në betejë të bukur dhe profesionin në pasion të palodhur.

Në mikrofonin e sportit, në analizat, komentet dhe komunikimin me publikun, ndihet qartë dashuria e madhe për gazetarinë. Emisioni i tij sportiv në Radio Tirana, është hapësirë ku dëgjohet jo vetëm zëri i gazetarit, por edhe shpirti i një njeriu, që e jeton sportin dhe informacionin me sinqeritet e përgjegjësi.

Por Ervin Baku, nuk është vetëm profesionisti. Është mbi të gjitha njeriu i miqësisë. I hapur, i afrueshëm, i ngrohtë. Nga ata njerëz, që të presin gjithmonë me buzëqeshje, me shaka të mençur dhe me humorin e veçantë, që e bën bisedën më të lehtë dhe më njerëzore.

Miqtë e tij janë të shumtë, sepse ai vetë, di të jetë mik i mirë. Mik që nuk harron. Mik që nuk largohet në ditë të vështira. Mik që di të ndajë gëzimin dhe të japë kurajo. Në shoqërinë e tij gjithmonë ndihesh mirë, sepse e ka atë dhunti të rrallë, për të afruar njerëzit dhe për t’i bërë bashkë.

Në jetën e tij, ka edhe një kapitull të veçantë përvoje profesionale jashtë vendit, kur nga Brukseli përcillte informacione dhe analiza për mediat shqiptare. Një përvojë që jo vetëm e pasuroi si gazetar, por edhe e bëri zërin e tij, pjesë të një hapësire më të gjerë informimi.

Por mbi të gjitha, Ervini është njeri i familjes. Dy fëmijët janë krenaria dhe forca e tij e përditshme. Tek ata sheh vazhdimësinë, shpresën dhe gëzimin më të madh të jetës.

Sot, në këtë përvjetor të bukur, miqtë dhe kolegët nuk i urojnë thjeshtë edhe shumë vite jetë. Ata i urojnë të vazhdojë të mbetet ai që është, i fortë në karakter, i palodhur në profesion, i gjallë në shpirt dhe i dashur në shoqëri.

Të vazhdosh të ecësh përpara, me të njëjtin vullnet që të ka karakterizuar gjithmonë.Të vazhdosh të mbetesh, zë i sinqertë i gazetarisë sportive.Të vazhdosh të mbash ndezur, energjinë që të bën të veçantë.

Gëzuar 56-të vjetorin, i dashur Ervin!U bëfshin vitet e tua, gjithmonë më të bukura se njëra tjetra dhe rruga jote, qoftë gjithmonë e mbushur me miqësi, respekt dhe realizime.

Sepse njerëzit si ti, nuk e ndalin hapin. Ata vetëm vazhdojnë përpara, me dinjitet, me buzëqeshje dhe me besim tek jeta.

Bujar Qesja

Durrës: 10 mars 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page