Bilall MALIQI
- May 19
- 3 min read

(Fadil H. Curri “Ti je frymëmarrja e jetës sime” Sh.b. “Lena” Prishtinë, 2026).
Në letërsinë shqipe dhe në atë botërore, kemi poetë që i kanë dedikuar dhe shkruar përmbledhje poetike gruas, qoftë si bashkëshorte, e dashur, nënë, apo si një simbol universal i dashurisë dhe frymëzimit. Dhe secili në mënyrën e vet ka paraqitur fuqinë shpirtërore të derdhur në vargje poetike gruas, bashkudhëtare e jetës, e ato vargje, poetëve u dalin si një vrull nga brendia shpirtërore e tyre, si :Dritëro Agolli (poezi për Sadijen), Xhevahir Spahiu, Agim Doçi, Robert Browning (Britani), Nazim Hikmet (Turqi), etj.
Kur jemi te kjo tematikë atëherë ndalemi te libri më i ri, poemë për gruan, me titull “Ti je frymëmarrja e jetës sime” i poetit Fadil H. Curri, i cili libër ka një simbolikë, gjashtëdhjetë vjetori i lindjes së poetit dhe dyzetë vjetori i martesës së tyre.
Nëpër vargje

Së lexuari të kësaj poeme, para nesh na del një përpjekje e sinqertë e autorit që gjithë ato ndjesi të mbledhura brenda vetes, brenda brendisë së shpirtit të tij t’i derdh në letër, t’i shkrij në poezi, e kush e meriton më shumë t’i përkushtohet një poemë e tillë përveç protagonistes së poemës, zonjës Maliqe, gruas së poetit, i cili vijëzon një jetë të tërë të mbushur me gëzime, me bashkëjetesë e me krijim të një familjeje të shëndoshë me të gjitha tiparet që duhet t’i ketë.
Poemën e ka ndarë në tre cikle, mbase ka mund të jetë si një tërësi, pasi që motivi është i njëjtë dhe gjithçka sillet rreth dashurisë, bashkëjetesës dhe sfidave që i kanë pasur gjatë jetës. Poema përbëhet prej 167 vargjeve të ilustruara me fjalë të zgjedhura të cilat i ka mbarështruar nëpër shiritin jetësor e deri më tani.
Poeti gjatë ndërtimit të poemës ka dalë nga regjimi i strofave, sepse diku strofat janë katrena , diku treshe dhe pesëvargjëshe (kuintet). Vargjet janë të lira, diku –diku kemi të pranishme rimën, diku del nga rima, varësisht momentit dhe gjendjes emocionale të poetit. Vargjet janë të drejtpërdrejta pa ndonjë gjysmëhermetizëm e lëre më hermetizëm, prandaj së lexuari, lexuesi bëhet pjesë e ndodhive poetike të poemës:
“Malli im ishte i pashuar,
E mendoja vetëm për ty,
Bashkë jetën për ta ndërtuar,
Që të kishim, ne të dy”
Këto vargje kanë një sinqeritet dhe një thjeshtësi shumë të bukur. Ideja e "një çatie" përfaqëson plotësisht dëshirën për të qenë bashkë dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, me batica e zbatica, me të mira e të këqia, prandaj poeti tregon sinqeritetin dhe dashurinë e zjarrosur që ka për gruan e tij. Në këto vargje vërehen këto figura stilistike: metafora (Malli im ishte i pashuar), simboli (Vetëm një çati), inversion, hiperbolla etj.
Ose
“Grua ishe lule e pranverës
Pa ty bota kurrë s’kishte kuptim,
Sot edhe pse jemi në një moshë
Fëmijët, nipat edhe mbesat
Në karahariorin tonë gjejnë ngrohtësinë”
Këto vargje janë ndjenjë që feston dashurinë e qëndrueshme dhe frytet e saj, vargje të ngrohta dhe me mirënjohje! Pra edhe në moshën e pleqërisë, poeti vlerëson rrugëtimin e përbashkët të jetës dhe familjen e bukur që kanë ndërtuar. Edhe në këto vargje poeti ka përdorur këto figura: metaforën, hiperbollën, antitezën dhe enumeracionin.
Poeti vazhdon t’ja pëershkruaj poetikisht gruas rrugëtimin e dashurisë me fjalë të ngrohta dhe plot dashuri:
“Fjalët tuaja janë të ëmbla
Ashtu si dielli plot shkëlqim,
E themi ne me gjithë zemër
Do të vlejnë për mua dhe fëmijët
Sa të jetë jeta deri në amshim”
Kjo strofë pesëvargëshe (kuintet) rrjedh shumë natyrshëm. Kalimi nga imazhi i ngrohtë i diellit te premtimi i madh i amshimit krijon një mbyllje madhështore. Këtu shprehen ndjenjat më fisnike njerëzore nëpërmjet poezisë. Pra këtu kemi një dialog shpirtëror të vargëzuar me ndjesi dhe mallëngjim. Edhe në këtë strofë figurat stilistike janë:krahasimi, metafora, hiperbola e sinektoda.
Mesazhi
Brenda vargjeve poetike të kësaj poeme jo edhe të gjatë, kemi mesazhin e qartë se si duhet të kemi një dashuri të çiltër, dashuri shpirti e zemre, si duhet të trajtohet bashkudhëtari apo njeriu më i afërt i zemrës, me atë që e ndan të mirën e të keqen, gëzimet dhe hidhërimet, pra me një fjalë, mesazh për një bashkëjetesë me harmoni dhe dashuri.
Pjesë e librit janë edhe dy përkushtime poetike, nipit të tij, Etnikut dhe Andetit, tok me ilustrimet dhe fotoalbumet familjare për t’u ndërlidhur mirë lënda poetike me fotografitë e paraqitura në libër.
Libri në fjalë e ka vlerën e vet (mbase ka vend edhe për ndonjë ribotim me plotësime e zgjerim të poemës) jo vetëm se ju ka kushtuar një gruaje, një nëne e një gjyshe, por se poeti ka zbrazur gjithë ndjesinë herë të kontrolluar e herë të pakontrolluar, dhe si të tillë ka bërë këtë poemë për ta nderuar dhe për ta përjetësuar gruan e tij, meqenëse ne kalojmë në amshim e librat ngelin në raftet e bibliotekave dhe pasardhësit do ta kujtojnë si gjyshin poet, po ashtu edhe gjyshen si protagonste e këtij libri.








Comments