Baxhul Merkaj: Skënder Kamberi
- Apr 18
- 7 min read

Baxhul Merkaj
Piktori i Popullit, Skënder Kamberi, lindi në vitin 1939 në Vlorë.
Ka mbaruar Liceun Artistik e më pas Akademinë e Arteve në degën e Pikturës në vitin 1965. Ka punuar piktor, ku shumë punime të tij qëndrojnë në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative. Ka ekspozuar edhe në disa vende të botës, si në Kajro, Paris, Angli, Stamboll, Itali, Athinë e të tjera. Po kështu, ka hapur dy ekspozita në K.S.B.E., ku ka bërë dhe një “Apoteozë Paqeje”. Ka marrë titullin “Artist i Merituar” dhe më pas titullin e lartë “Piktor i Popullit”. Për një kohë ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Piktori i Popullit, Skënder Kamberi, që në fëmijërinë e tij dashuroi kaltërsinë e detit dhe dallgët e tij që përplaseshin në breg. Por, përherë i ka bërë përshtypje legjenda e Kalasë së Kaninës dhe malet e kreshpëruara që i rrinë Vlorës si kurorë e artë. E kam njohur piktorin që në fillesat e tij të punës piktorike, kur vazhdonte Liceun Artistik në Tiranë. Që në atë kohë vija re peizazhet e tij plot dritë, plot gjendje jetësore. Brenda tij jetonte një shpirt vullkanik, që përherë kërkonte shpërthim. Artisti Kamberi përherë ishte në kërkim të së bukurës. Këtë të bukur ai e kërkonte te shpirti i bukur i njeriut, te natyra e mrekullueshme e virgjër që e rrethonte. Përherë i kam ndjekur ekspozitat e hapura në Galerinë Kombëtare të Artit, të cilat janë pritur nga artdashësit me interes të madh. Skënder Kamberi është artist pa qibër, me një thjeshtësi të pakrahasueshme, që buron nga shpirti dhe kjo shfaqet në bisedat me miqtë, shokët, kolegët piktorë e skulptorë, aktorë e muzikantë. E kjo mirësi për njerëzit e bën atë të kandidojë për deputet në vendlindjen e tij, në Vlorë. Gatishmëria e tij për të përkrahur talentet e reja apo për të bërë mirësi brenda kufirit të tij është sublime; premtimi i tij është të përkrahë dhe të çojë më tej kulturën dhe artin në Vlorë. Këto ditë isha në studion e tij. Sapo hapa derën, pashë Skënderin të veshur me këmishë, tuta sportive e me penelin, mjetin e shtrenjtë të tij, në dorë.

– Të lutem, mos e ndërpre punën, – i thashë.
Ai, me atë buzëqeshjen karakteristike, me flokët kaçurrela të zinj që shpesh i binin mbi ballë, ndaloi dhe më përqafoi.
– Është kënaqësi që më erdhe…!
– Erdha se s’ndahem dot nga deti, se piktura jote është det i tërë, – i thashë.
Ky ishte një dialog zemrash dhe më tej zhvilluam një bashkëbisedim me Piktorin e Popullit, Skënder Kamberi. Studioja e vogël me punë të mëdha. Të befason koloriti i ngjyrave dhe mjeshtëria se si piktori luan me të: ngjyrën e kuqe, të kaltrën dhe të verdhën. Një harmoni që të bën për vete. Por, duke e pasur pranë, le të shpalosim për lexuesit bashkëbisedimin që zhvilluam me të.
– Duke qenë se ndodhemi në studio e përpara kemi disa tablo, përse bëjnë fjalë…?
– Në këtë tablo shohim një figurë, duke ngritur duart te simboli ynë që është flamuri.
– Përse perëndimet me të verdhë e me të kuqe…?
– Sepse dielli është në perëndim. Retë formojnë disa konfiguracione e unë, si artist, konfigurova shqiponjën. Ajo fluturon lart në qiell. Është një këngë e bukur, ku janë zona që e adhurojnë shqiponjën dhe thonë: “O shqiponjë që fluturon në qiell dhe vendi i varrit është po prapë në qiell…!” Kjo shqiponjë është në flamurin tonë, ku valëvitet, e ne sa shohim flamurin tonë në botë mallëngjehemi. Kur pashë flamurin tonë në Strasburg e aty flamuri ynë ishte i pari, u ngazëlleva. Por ne e kemi këtë privilegj, sepse shteti ynë fillon me germën A, Albania. Por kjo ndodh edhe te sportistët tanë, ku shpesh kalojnë emocione të tilla në çdo ndeshje ndërkombëtare, sepse pranë kanë flamurin tonë.
– Peizazhi, një copë tokë si ishull i vogël, ç’tregon?
– Ky peizazh flet për një pikë të çuditshme, por që, ta krahasojmë me shumë vende, ngjan si iriq. Ka një pamje panoramike tërheqëse, ka një qetësi sublime. Është një pikë shumë e bukur ku ka lepuj të butë, me pisha fantastike rreth e përqark. Është një liqen ku në mesjetë ka qenë një pikë e adhurueshme, sa disa figura të shquara të kristianizmit i kanë varret aty.
– Zvërneci…?
– Po…! Zvërneci, ku matanë është deti që lidhet me Sazanin dhe atje më tej kalon në stere, ku është Triporti. Kam parë disa kolona që flasin për një qytet të shembur e që tashmë qëndron nën ujë. Aty ka qenë dikur Aulona. Aulona është ngritur që nga antikiteti pasi është shembur Apolonia. E tashmë ku është sot, skela e Vlorës.
– Tablo e Orikumit…?
– Është një impresion mëngjesi në gjirin e mrekullueshëm të Orikumit, ndërsa këtu më tej pyjet e virgjër të Divjakës. Ndërsa kjo tabloja tjetër, “Një ditë martesore në Vlorë”: nusja ka zbritur nga karroca. Dy kuaj të bardhë, dy anije të bardha dhe deti i kaltër. Edhe më tej vazhdojnë tablotë: Dukati me malet përreth, ku lidhen me Tragjasin e Orikumin.
– Përse të ngacmon ngjyra e kuqe?
– E kuqja ka disa kuptime, siç është ngjyra e gjakut, gjaku i rinisë, i flamurit tonë. Është gjaku në kuptimin optik, ku të ngacmon syrin. Janë ngjyra komplemetare, ashtu si bluja, e kuqja, e verdha. Janë ngjyra që të kënaqin.
– A të ka pëlqyer abstraksioni?
– Edhe në kohën e diktaturës e kam ngacmuar abstraksionin si fillim i një pikture dhe më tej në vazhdim e sundon realizmi. Kjo punë që shikon është abstrakte, surrealiste.
– Përse e ngacmon deti Skënder Kamberin?
– Është Vlora ime. Është një nga qytetet që ka shumë bëma, është kockë e fortë dhe kundër atyre që nuk na duan si shqiptarë. Vlora është epike, heroike. Vlora është para krishterimit, edhe më pas, edhe sot rrezaton dritë e krenari…!
– Duke pasur një përvojë të gjatë pune, t’u kthehemi ditëve të para të zanafillës tuaj në rrugën e artit. Si lindi piktura te artisti Skënder Kamberi…?
– Që në moshë të vogël kam qenë në shtëpinë e pionierit, ku shfaqja dashurinë e pasionin për pikturën, ku në një konkurs fëmijësh mora çmim të tretë. Më pas vazhdova Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve për pikturë, ku e përfundova në vitin 1965.
– Çfarë ngacmimesh pate që fillove pikturën…?
– Babai më tha: Do të bëhesh marangoz. Por, kur fitova konkursin në Tiranë, më tha: Mos thuaj që do të vete për pikturë, se s’i kuptojnë këto gjëra sot në Vlorë; njerëzit duan marangozë ose mekanikë.
– Fill pas studimeve të larta në vitin 1966, u paraqitët në ekspozitën kombëtare me tablonë “Partizani i plagosur”. Si u prit ky punim…?
– Kjo tablo u prit jashtëzakonisht mirë në pamjen artistike dhe mendimin zyrtar. I dhanë çmim të tretë dhe e kthyen, sepse ajo na paskësh pasur ndjenjën miqësore, dashurore e quhej eksituese.
Duhej që figura t’i zgurdullojë sytë sipas standardeve të pseudorealizmit socialist dhe kjo u quajt “Pjeta”. Për këtë më hoqën çmimin. Pastaj u ekspozua pasi më detyruan që t’i bëja korrigjimet dhe kjo bëri që të cilësohej si vepra më e mirë pas 25 vjet çlirim.
– Kur more titullin e lartë “Piktor i Popullit”, çfarë ndjesish provove…?
– Titullin e kam marrë bashkë me gruan time.
– Përse me gruan?
– Po këtë titull e kam marrë me gruan, se ajo rriste fëmijët, kur unë punoja ditë e natë në studio. Haja e pija ku të desha unë e punoja deri në tre të natës. Një herë më tha: Përse mërzitesh? Artistët e tjerë nuk kanë vuajtur…? Ja dhe Bethoveni, Moxarti. Unë isha në avion, po vija nga Stambolli, kur e mora vesh për titullin “Piktor i Popullit”.
– Një fushë të gjerë krijimtarie. Cilat nga punët e tua do të veçoje…?
– Punimin “Vajzë e Valëve”, e cila është për qytetërimin dhe për lotët e mërgimit, ku jam frymëzuar nga një këngë nga Himara. Punimi tjetër që do të veçoja është “Partizani i plagosur” ose “Ndihma e shokut”, “Buka e duarve tona”, “Vëllezërit Frashëri në Vjenë”, “Zenel Gjoleka në grykë të Kuçit”, si dhe një sërë portretesh si “Kapedan Sali Vranishti”, “Hodo Zeqiri”, si dhe punimet për “Kongresin e Përmetit”, figurat e Sami Frashërit, Naim Frashërit, Dora d’Istria, Vaso Pasha…!
– Si janë pritur punimet e tua jashtë vendit?
– Jam paraqitur te publiku europian dhe botëror, si në Kajro, Paris, Athinë, Stamboll, Itali. Nga kritikët dhe pedagogët e këtyre vendeve jam pritur mjaft mirë, ku rezultati u duk, se punimet u blenë menjëherë, sepse piktura blihet, nuk shitet. Kam hapur ekspozita, dy të tilla në Selinë e Europës në K.S.B.E., ku kam bërë dhe një “Apoteozë Paqeje”.
– Kur e keni ndjerë veten të lumtur?
– Artisti është bashkësukses; po pati sukses, ka lumturi.
– Ç’është e bukura për artistin Skënder Kamberi dhe ku e shikon ai atë…?
– Në jetë, në natyrë, në botën shpirtërore, në të parë dhe në zemër. Në mendime ndahen dy gjëra: e shëmtuara dhe e bukura. Unë shoh në Shqipëri sot më shumë të shëmtuara; dikur kishte të bukura dhe të shëmtuara. Është futur edhe bota e artit në të shëmtuarat e jetës, por duhet thënë se arti merret me të bukurën. Unë do të merrem gjithmonë me të bukurën.
– Ç’është dashuria dhe kë dashuron më shumë…?
– Unë dashuroj pikturën, të parën, dhe kur u fejova me gruan i thashë se ti je e dyta…?
– Ju jeni në moshë jo të re, jeni i martuar, keni fëmijë. Ç’kujtoni nga ditët e para të dashurisë suaj, gjë e cila ju çoi në një familje të konsoliduar?
– Rinia ka dashuri. Kur ulesha natën vonë për të pikturuar, fotografinë e gruas e kisha pranë. E mbaja me vete, se ajo ishte në fshatin Kuç të Vlorës dhe unë rrallë veja atje. Që kur u fejuam, por edhe më pas, foton e saj e kisha përherë në xhep. E kisha idhull dhe e kam. Çdo femër e bukur që vinte në studion time as që më ngacmonte, veç gruas sime.
– Ju keni fëmijë, katër vajza dhe një djalë. Ç’mendime keni për ata, për jetën e tyre…?
– Unë nuk u kam ndërhyrë fëmijëve. Ata kanë shkuar dhe kanë ndjekur ato shkolla që kanë pasur dëshirë, si njëra për gjuhë të huaj, tjetra për pikturë, një arkitekte, një muzikante e kështu me radhë.
– A e keni ndjerë ndonjëherë veten ngushtë…?
– Një herë në krijimtari. Jam nxënës para çdo krijimi tim. Vështirësi ekonomike kam pasur; janë ngushtësitë e kapitalizmit të pamëshirshëm. Kam të drejtë të them që në një të ardhme globi do t’i takojë njerëzimit shoqëror.
– Sikur ta fillonit jetën nga fillimi, ç’do të ndryshonit?
– Mendoj se nuk do të bëja ndonjë ndryshim. Gjithçka që kam bërë më është dukur e bukur.
– Cili është idhulli juaj…?
– Natyrisht universi, piktorët, shkrimtarët e mëdhenj, gjallërimtarët, muzikantët, si Verdi e të tjerë.
– Çfarë parapëlqen, muzikën apo sportin…?
– Përveç pikturës, muzikën dhe librin…!
– Si reagon ndaj atyre që bëhen xhelozë ndaj teje…?
– Ua kthej me dashuri dhe mirësjellje.








Comments