top of page

Avni Halimi: Kultura e përjashtimit si sistem

  • Mar 9
  • 3 min read

Në çdo shoqëri që aspiron zhvillim dhe emancipim kulturor, krijuesit, artistët, shkrimtarët, muzikantët, mendimtarët, mbajnë peshën e frymës së një kombi. Ata janë bartësit e ndjeshmërisë, të mendimit kritik dhe të imagjinatës kolektive. Por në shoqërinë shqiptare, kjo frymë shpesh përçahet nga brenda. Krijuesi nuk e sheh më krijuesin tjetër si aleat, si bashkëudhëtar në kërkimin për kuptim dhe shpirt, por si kërcënim.

Ky kërcënim nuk luftohet me art më të mirë, as me mendim më të thellë, por me mosnjohje, heshtje, përbuzje e sharje. Kjo është një nga sëmundjet më të rënda të kulturës sonë bashkëkohore: krijuesi nuk i shtyn të tjerët lart, por i tërheq poshtë. Nuk e ngre bashkëkohësin, por përpiqet ta zhbëjë, ta errësojë, ta nxjerrë nga rrethi i vëmendjes. Ai nuk dëshiron ta ndajë dritën, por ta sundojë i vetëm terrin.

Kjo sjellje nuk buron nga dallime estetike, nga polemika idesh apo nga një rivalitet krijues i shëndetshëm. Ajo buron nga një mekanizëm psikologjik i rrënjosur thellë në ndërgjegjen tonë kolektive: frika nga tjetri si talent, frika nga tjetri si mundësi, frika nga drita e tjetrit që rrezikon të zbulojë errësirën tënde.

Në vend që të gëzohen për lindjen e një zëri të ri, shumë krijues ndihen të kërcënuar. Në vend që të mbështesin një vepër të guximshme, zgjedhin ta injorojnë ose ta përbaltin, për të ruajtur pozitën e tyre të vetëimagjinuar si “të pazëvendësueshëm”. Kështu, krijimtaria pushon së qeni akt shpirtëror dhe shndërrohet në manovër për mbijetesë narcisiste. Kjo nuk është më art, por frikë e organizuar.

Në këtë realitet, mediokriteti nuk është thjesht mungesë talenti; ai shndërrohet në ideologji, në pushtet, në sistem vetëmbrojtës. Mediokriteti nuk e duron cilësinë, sepse cilësia është pasqyrë. Dhe çdo pasqyrë e thotë të vërtetën. Prandaj reagimi nuk është përmirësimi, por rrënimi i asaj që është më mirë.

Institucionet kulturore, akademitë, mediat, çmimet, festivalet, shpesh bëhen bashkëfajtore në këtë logjikë përjashtuese. Vepra nuk vlerësohet për thellësinë, bukurinë apo risinë, por për emrin, afërsinë dhe lojalitetin ndaj klaneve që dominojnë hapësirën publike. Në këtë mjedis, krijuesi nuk është i lirë të jetë i ndryshëm. Të qenit i veçantë kthehet në faj.

Si pasojë, shumë artistë të mirë, shumë shkrimtarë të heshtur dhe zëra të ndershëm mbeten në margjinë, ndërsa në qendër triumfon farsa, zhurma dhe arroganca. Krijuesi humb shpirtin e madh dhe e zëvendëson me egërsi të vogla. Humb vizionin dhe jeton me strategji mbijetese. Pa e kuptuar, bëhet armik i vetvetes, sepse duke e rrëzuar tjetrin, rrëzon edhe mundësinë për një kulturë të gjallë.

Krijuesi që nuk e duron lirinë e tjetrit për të krijuar, në thelb, nuk është krijues. Ai është një ego në krizë, një dështim i maskuar si lavdi, një hije që urren çdo dritë që nuk e prodhon vetë.

Kjo gjendje nuk tregon mungesë talenti por mungesë karakteri krijues: paaftësinë për ta pranuar tjetrin si të barabartë dhe për ta respektuar si bashkëudhëtar. Kjo mungesë na ka dënuar me një klimë të helmuar, ku krijuesi nuk e mbështet krijuesin, por e përgojon, e hesht dhe përpiqet ta shkatërrojë. Një kulturë e tillë bëhet e ngushtë, e zymtë dhe pa dritë.

Nëse duam të çlirohemi nga kjo plagë, duhet të rikthejmë solidaritetin krijues. Të lexojmë njëri-tjetrin me ndershmëri. Të flasim për njëri-tjetrin pa frikë. Të duartrokasim vlerën edhe kur nuk na përket. Të kritikojmë dobësinë edhe kur është e jona. Vetëm kështu krijimtaria mund të kthehet nga një betejë mbijetese në festë të shpirtit të lirë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page