Avni Halimi: Ekstrakti politik i “Melankolisë së bukur”
- 12 hours ago
- 5 min read

Dekadat e para të shekullit të shtatëmbëdhjetë, krijuesit, artistët dhe shtresat e tjera që përbënin elitën e një kombi, në disa shtete perëndimore promovuan heqjen dorë nga Zoti, nga ajo qenie e padukshme. Pra, nuk e flakën besimin, por hoqën dorë nga të besuarit në mrekullitë e Zotit misterioz. Besimin e tyre e orientuan kah Natyra. Koncepti i të besuarit mbështetej në mrekullitë dhe në fenomenet e ndryshme natyrore. Natyra ishte ajo që krijonte dhe që kishte fuqinë e shkatërrimit të çdo gjëje. Logjikisht, edhe lutjet, përgjërimet e faljet i dedikoheshin vetëm natyrës. Çdo gjë funksiononte në raport me të. Krijonin për natyrën, ndërsa në krijimtarinë e tyre zinte vend vetëm natyra.
Në tërë atë korpus ndjenjash e shqetësimesh që posedon njeriu filloi të mbisundonte dhembja. Njerëzit nisën ta kultivonin dhembshurinë. Kësaj i dhanë emrin “Melankolia e bukur”. Të nxitur nga kjo ndjenjë, u ngrit tradita e përkujdesit ndaj natyrës së shenjtë, përkujdes që manifestohej përmes krijimit të pamjeve sa më idilike natyrore, të peizazheve të gjalla. Zuri fill kultura e ngritjes së parqeve në oborret e shtëpive dhe të vilave mbretërore, ndërkohë që stili barok i arkitekturës mëtonte të ishte në harmoni të plotë me këto peizazhe të kopshteve e të parqeve. Pra, truri dhe dora e njeriut viheshin në funksion të madhërimit të asaj që fal natyra. “Natyra të falë Natyrës i falemi” ishte motoja e shtresave elitare të asokohshme. Këtë ndjenjë natyraliste e hasim në art, në letërsi, në muzikë, në arkitekturë etj.
Për dy shekuj rresht dominoi “Melankolia e bukur”, derisa njerëzit u këndellën dhe vërejtën se ky angazhim shpirtëror po krijonte edhe një shtresë tjetër të shoqërisë: shtresën neverike, shtresën rebele, që rebelohej jo vetëm kundër natyrës, por edhe kundër pushtetit që e madhëronte natyrën. Natyra për dikë ishte nënë e për dikë njerkë dhe, në harmoni me këtë “ligj natyror”, funksiononte edhe pushteti. Natyra falte molla të shëndosha e të krimbura. Mollat e mira viheshin me kujdes në arka e sanduqe, ndërsa të krimburat hidheshin në pleh, në ndonjë vend të shkretë. Konform këtij “ligji natyror”, raca e shëndoshë dhe e bukur rehatohej në pallate e oborre, ndërsa të shëmtuarit, të sëmurit e ata të krahut të punës sistemoheshin në periferi, në krahun tjetër të bregut, të prroit, të lumit. Kështu po formësohej racizmi, ndërkohë që këtu diku zunë rrënjë rezervatet dhe getot, të cilat u trashëguan deri në ditët e sotme.
Por ka dallim në qëllime. Qëllimi i sajimit të rezervateve e të getove të para shprehte një diferencim nga e shëmtuara, nga e sëmura, nga e ashpra, dhe në të tilla kushte shoqëria ndahej në “pushtet të natyrshëm” dhe “të pushtuar të natyrshëm”. Më vonë, kur do të kërkohej Zoti i çdo gjëje, pra edhe Zoti i Natyrës, do të nisnin revoltat, rebelimet e revolucionet kundër sajimit, gënjeshtrës e manipulimit. Atëherë shpëtimi do të kërkohej në një Zot që do të ishte i të gjithëve, në një Zot para të cilit do të përuleshin të gjithë, edhe njeriu, edhe druri, edhe guri, edhe uji.
Gjurmët e këtij manipulimi, gjurmët e këtij truku politik, nuk u çrrënjosën kurrë. Manipulimi në emër të “bukurisë natyrore” nuk pushoi as sot e kësaj dite. Tani “bukuritë natyrore” përdoren si mjet përkufizues që definon një realitet. Është fajtor Vardari që, si element natyror, paska mundësuar ndarjen e trishtë të Shkupit. Apo fajtor janë varrezat e Kajros që janë populluar me më së paku dy milionë njerëz “problematikë”. Është fajtor mali që lejon të zbresin në qytet “malokë” e analfabetë, “njerëz të pagdhendur”. Pra, elementet natyrore përdoren për ta spostuar fajin te një “fajtor” pa baba e pa nënë.
Nëse dikur shtresimet e shoqërisë përdoreshin për t’i dhënë formë skemave piramidale që sajoheshin përmes miratimeve të detyrueshme të “fakteve” se ishte vullnet i Natyrës që shtresat e poshtme të qëndronin sa më afër ferrit, ndërsa të lartat më afër Zotit e parajsës, sot këto shtresime, duke e ruajtur këtë simbolikë, përdoren fund e krye për qëllime politike. Natyrisht, në shtetet-kombe këto shtresime krijohen për shkak të problemeve sociale. Atje dallojnë punët në krahasim me shtresimet në shoqëritë multietnike.
Pse njëra anë, ajo që shtrihet në të djathtë të Lumit Vardar, lulëzon, ndërsa ana e majtë ka pamje të trishtueshme? Fotot e hershme dëshmojnë se Shkupi shtrihej kryesisht në të majtë të Vardarit, ndërsa faktografia tregon se deri në vitet tetëdhjetë ishte kryeqyteti me më shumë shqiptarë në botë. Tërmeti i vitit 1963, si fatkeqësi natyrore, pa dyshim e përshpejtoi një projekt që synonte ngritjen e një qyteti të ri, duke u përkujdesur njëkohësisht për ruajtjen e gërmadhave të qytetit të shkatërruar. Dhembje për qytetin e dërmuar, dhembje për popullatën e rraskapitur. Nën politikën e kësaj dhembjeje nisi realizimi i projekteve nacionale të strukturave komuniste maqedonase. Ky projekt vazhdoi deri në ditët e sotme dhe, me gjasë, do të vazhdojë ende. Të gjitha ndërtimet, objektet e rëndësishme shoqërore, qendrat rekreative, sportive, shëndetësore e tregtare u përqendruan në të djathtë të Vardarit.
Shteti shprehte “mirësi” edhe për anën e majtë të Vardarit: edhe aty mund të ndërtohej, madje pa ndërprerë. Por prapavija politike ishte e qartë. Sikur të mos ishte projekt nacional maqedonas, a do të kishim sot një lagje si Gazi Baba? A do të kishim një lagje si Serava, apo një lagje si Dizhoni, Vizbegu, që me zhargon përçmues quhen “pyje të pashkelura të xhunglës urbane”? Sot këto “pyje” mbeten të pashkelura edhe për organet e rendit e të sigurisë. Nëpër këto lagje shkelin vetëm shqiptarët dhe, meqë organet e kontrollit nuk kanë qasje të lehtë, kjo apriori shpallet si provë se aty “lulëzon” nëntoka kriminele.
Ky është synimi i “shpirtgjerësisë” së një populli shumicë që mëton të vendosë monopol mbi të mirat e shtetit. Në rrethana multietnike zhvillohen gara politike për eliminime etnike. Etnia shumicë, përveçse investon për të mirën e vet, investon edhe për degradimin, deklasimin dhe eliminimin e etnisë tjetër konkurrente. Investimet e huaja, kapitali shtetëror dhe pasuria e vendit përqendrohen në “anën e sigurt”, në zonën urbane, në krahun përtej “xhunglës urbane”.
Kjo është një nga të vërtetat që shpjegon pse një krah i Shkupit, ai ku banojnë shqiptarët, sot paraqitet si metaforë e mjerimit urban, e primitivizmit klanor e e “padëgjueshmërisë malokiane”. E megjithatë, aty bëhet jetë; aty jetojnë njerëz fisnikë, bujarë e të ndërgjegjshëm. Në këtë krah të Lumit Vardar është grumbulluar aq shumë llum urban sa vetëm ndonjë tërmet fatal, thonë me ironi të hidhur, mund t’i shpëtojë nga ngulfatja.
Në këto “zona të errëta” ëndërrohet edhe për tërmet. Por ëndërruesit janë të ndarë më dysh: njëra palë ëndërron tërmetin mbi këto lagje për t’ua shkurtuar hallet e përditshme; pala tjetër e ëndërron mbi pjesën e urbanizuar të qytetit, për të eliminuar divergjencat sociale e urbane.
Ekziston vetëm një dallim: divergjencat mund të zyrtarizohen, të përkrahen e të avancohen, ndërsa ëndrrat duhet të ngulfaten dhe rrëfimi i tyre të ndalohet rreptësisht. Sepse, po u rrëfyen vjen ujku e ta ha gjumin!









Comments