Aleko Likaj: Nata e Gjatë e Kukuvajkës
- Mar 15
- 19 min read

roman.
Pjesa e dytë
Në rrugicat e lagjes ''Kala'' kishte rënë në sy shfaqja e një njeriu të pazakontë. Ishte i veshur keq e që nuk dukej se i kalonte të dyzet vitet e tij. I heshtur dhe me shpatulla të varura e trupin pak kërrusur. Sytë i kishte të vegjël, pisë të zinj dhe zhbirues, sikur kërkonte të takonte dikë apo të mësonte diçka në atë lagje që ishte krejt e panjohur për të. Ecte ngadalë dhe këmbën e vendoste me kujdes mbi kalldrëm, a thua se shkelte mbi kristale. Mustaqet e holla i hapeshin si bishta miu në fund dhe portretit të fytyrës së tij pak të errët nuk i shtonte asnjë nur, që zakonisht kanë dhe rrezatojnë meshkujt në atë peridhë të moshës.
Plaka e Kapidanëve e dalloi e para dhe nuk i pëlqeu shfaqja e tij. Ishte i paparë dhe i panjohur në atë zonë, por edhe në qytet. Ajo nuk mbante mend që ta kishte ndeshur atë njeri, madje as në ditë pazari, kur banorët në mesjavë blinin e shisnin plaçka, veshje, bulmetra, mish a fruta, zarzavate të stinës. Ishte dita e tretë që endacaku shëtiste dhe vizitonte rrugët që gjarpëronin brenda mureve të kështjellës së vjetër turke, aty në qendër të qytetit.
Shkoi të hapte derën. Donte ta ndihmonte e ta pyeste se çfarë halli e kishte zënë, por silueta e tij e kapërceu kthesën që të nxirrte te Nosët dhe gruaja që donte ta ndihte nuk e pa më.
I foli nuses së djalit të madh, por tjetra nuk iu përgjigj në çast.
Uli poshtë një kanistër të madhe të thurrur me fije gjineshtre nga usta Mihali te Porta e Kalasë, të mbushur plot rroba të sapolara që do t’i nderte në oborrin e pasmë dhe tha e trembur me një zë që iu mek në gojë.
- Mos është ndonjë hafije nga ata të qeverisë që kërkon të zbulojë mësimin e fshehtë të shqipes nga çunat tanë?
Tjetra e pa e çuditur drejt e në sy.
- Të jetë e vërtetë? - pyeti, dhe u prish menjëherë në fytyrë, ku ndjehej shqetësimi dhe frika për mësues Tushin e katër djemtë e lagjes, që prej tri ditësh kishin rrifilluar mësimin e gjuhës shqipe në një prej shtëpive të Kapedanëve, dy dyer më poshtë Nosëve.
Tri orë më vonë i tha të birit, Vangjelit, që e kishte mbyllur dyqanin në qendër të qytetit, dhe ai shkoi drejt e te mësuesi.
Dhimitër Pina e dëgjoi me buzën në gaz.
Ngriti filxhanin e kafesë dhe i fryu lehtë lëngut të zi e të tejnxehur, i sapohedhur nga xhezveja.
- E kemi parë dhe e dimë. Është vërtetë një hafije. Hallin e ka te ne, te gjuha jonë e bukur shqipe. Kërkon që të na gjejq. Duan që të më dënojnë mua. Nuk ia falin dot Dajë Kostandinit për farën që mbolli. I tremben emrit të tij dhe simpatisë që ka ai në popull. Këtë herë kanë menduar se do të na godasin ne, – tha ngadalë.
Vangjeli që ishte tre vite më i madh se mësues Tushi, nuk e kishte mësuar dot ta shkruajë gjuhën shqipe. Peng e kishte. Ndaj menjëherë u shqetësua sapo gratë e shtëpisë, nëna dhe e shoqia, i kishin treguar për njeriun misterioz që nuk e kishin parë në rrugicat e kalasë. Iu kujtua se e njihte atë njeri nga përshkrimi që i bëri mësuesi. I kish rënë në sy.
E rrufiti edhe ai kafenë e ngrohtë.
- Bëni kujdes. Ruajuni nga njerëz të tillë dhe nga mëria e qeverisë së turkut.
- Çengis quhet. Ka mbërritur para ca ditësh nga Janina. Atje ka shërbyer. - Mësuesi lëvizi nga vendi dhe pastaj u mbështet pas një karrigeje ku ndjehej akoma era e bredhit me drurin e së cilit ishte ndërtuar pak kohë më parë. - Këta të këtushmit kanë kohë që e dinë se vitin e kaluar ne fshehtas jashtë orës së mësimit mësuam edhe tre nxënës të tjerë. Këtë herë me sa duket i paskan bërë disa plane. Kanë sjellë Çengisin me mision që ka qenë drejtor policie. -Dhimitër Pina ndali një çast e u mbush me frymë. Uli zërin dhe e pa tjetrin drejt e në sy. - Edhe atje këtë punë ka bërë... E ndjek dhe e mallkon gjuhën tonë. E njeh dhe e flet mirë. Thonë se ka marrë edhe dekoratë nga qeveria për këtë punë.
Mësuesi qetësisht vuri dy pëllëmbët mbi tavolinë.
- E dinë vendin? E kanë zbuluar?
- Nuk besoj. Kanë rënë në erë. Kaq. Po kërkojnë...
Vangjeli fryu bulçitë e pastaj shfryu me trishtim.
- Sikur të ishte flamë kjo gjuha jonë... I tremb. E mallkojnë. E çkishtërojnë dhe tuten prej saj si djalli prej themianit. Po çfaj të ketë e t’u ketë bërë?
Ngiti supet dhe në heshtje pastaj e hodhi vështrimin pas supeve të tjetrit përballë, ku përtej xhamave të dritares vinte një dritë e vakët që dukej se do të fikej nga çasti në çast.
- Por ne do të vazhdojmë, - tha ngadalë mësuesi e me një zë që sillte e përçonte besim. - Këtë vit kemi marrë edhe dy djem nga Shpati, të cilët kanë zbritur të banojnë e të mësojnë te njerëzit e tyre këtu në qytet. Na i sollën miqtë tanë. Kemi edhe Mimin e Papajanëve dhe Lekën e Dumanëve. Duam që ta përhapim e të bëjmë dritë kudo mes nesh, shqipove. E kërkojmë se na shërben dhe na mban gjallë.
Tri ditë më vonë njeriu misterioz u shfaq sërish në rrugicat e lagjes “Kala”.
Një plak që rrinte ulur te sofati portës së Bibajave, goditi fort disa herë me shkop, kur tjetri nuk ish më shumë se dhjetë hapa pranë tij.
U koll e tha me zë të lartë:
- Po ma vononi kafenë. Ç'prisni? Sa duhet të pres?
Ndërkaq brenda në një odë te shtëpia përballë gjithçka ra në qetësi. Çunakët që ishin mbledhur rreth mësuesit, heshtën. Edhe Leka e ndali frymën. Kishte qenë radha e tij që të lexonte një tekst në gjuhën shqipe nga një libër që ishte shtypur dhe ishte sjellë fshehurazi nga jashtë. Mësuesi, Tushi i Pinës, u kishte thënë se ia kish dhënë vetë ish mësuesi i tij, Dajë Kostandini.
Por Çengisi ishte shfaqur edhe në orët e para të mbrëmjes. Nuk dihet nëse kishte ndonjë informacion, sepse tashmë mësimin e gjuhës shqipe prej dy ditësh nuk e bënin më sapo mbaronin mësimin te shkolla pranë kishës. Ndryshimin e orarit e vendosën kur mësuan se policia sekrete e qytetit ishte vënë në kërkim të tyre.
As atë vit dhe as një vit më vonë nuk u zbulua gjë. Dy prej fëmijëve e mbaruan atë, ndërsa kishin ardhur edhe katër nxënës të tjerë.
Çengisi nuk u pa më në qytet.
Ndofta e larguan sepse për qeverinë e policinë sekrete ai kishte dështuar
8
Por qeveria nuk do të rrinte duarkryq. Pas largimit të Çengisit kishin sjellë një tjetër polic të fshehtë. Burhan Konja quhej. Vinte pak më i trashë dhe sytë gjithmonë të skuqura e të mbushura me kapilarë gjaku, i kish të qitura si dy gogla dushku. Vetullat e trasha si qimet e furçës, gjysmë të përhime dalloheshin që larg e ngjasonin si strehë poshtë një balli të madh e të sheshtë me rrudha e njolla egzeme. Buzët e fryra e të shpërvjelura me tul, gjithmonë ishin të lyrosura, duke i dhënë fytyrës një portret pirati poshtë festes së madhe të kuqërremtë.
Këtë herë në qendër të punës së tij do të ishte dijetari elbasanas.
E kishin mësuar. Një fshatar nga një periferi e largët, i vënë nën torturë, kishte nxjerrë emrin e Kostandinit.
- Me të dëgjuar e kam. Kështu ma kanë thënë atje në katundin ku banoj unë, - u kish thënë ai hafijeve dhe njerëzve të policisë.
Tri javë më parë ishte takuar me shefin për shërbimet sekrete të trupave ushtarake në Rumeli, Mustafa Hilmi Pashën. Ato ditë ishte thirrur me urgjencë në Shtabin Qendror për Selanikun në ''Zyber Kafe'', pranë rrugës ''Ipsilantou'' që gjallonte zakonisht nga zejtarët e dyqanet ku shitej e punohej gjithçka, por edhe nga kundërmimi i erërave të qebapeve e qofteve me mish të pjekur.
Oficeri i lartë turk i kish thënë se duhej të ndalohej me çdo kusht veprimtaria e Kostandin Kristoforidhit, si iluminist, dijetar, përkthyes dhe hartues i teksteve të mësimit të gjuhës shqipe.
- Është dhe studiuesi i gjuhës shqipe më në zë sot për sot në ato treva. Veprimtar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit dhe i kulturës shqiptare në përgjithësi. Gjithashtu, duhet të mbahet nën kontroll edhe shkolla e lagjes “Kala'' dhe mësimi i fshehtë i gjuhës shqipe, - kish urdhëruar ushtaraku.
Sipas tij, kjo ishte provuar, por kërkohej të gjendej momenti që të goditej duke shfrytëzuar ligjin për ndalimin e mësimit të saj.
Burhan Konja kishte mbajtur shënim në bllokun e tij, se ''Kostandini kishte botuar më 1867 Abetaren gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit. Ndërsa më 1882 botoi Gramatikën e gjuhës shqipe sipas dialektit toskë. Bashkë me disa bashkatdhetarë të tjerë ka marrë pjesë në Komisionin për alfabetin e për arsimin më 1867 në Stamboll dhe i vazhdoi më pas përpjekjet e përbashkëta për alfabetin. Është përpjekur me Hasan Tahsinin e të tjerë të përparonte shkollën shqipe''.
Në fund gjenerali turk kishte ngritur gishtin tregues para fytyrës së inspektorit, duke i thënë:
- Kemi njoftime se në këtë periudhë ai po punon në fshehtësi për një fjalor “Fjalori i gjuhës shqipe”, në mos gaboj. Informacionet që vijnë e konsiderojnë si vepra më e rëndësishme e tij për gjuhën shqipe. - Burhan Konja në qëndrim ushtarak para njeriut më të rëndësishëm të shërbimeve sekrete nuk lëvizi asnjë nerv në fytyrë. - Mos kujto se qeveria jonë nuk ka dijeni për gjithë veprimtarinë e këtij njeriu tepër të rrezikshëm. Kemi kohë që e ndjekim nga larg. Bëjmë sikur nuk shohim. Kaq. - Gjenerali mblodhi buzët dhe lëvizi mustaqet. Kaloi gishtat e dorës së majtë mbi to dhe i vuri dorën mbi supin e djathtë vartësit të tij. Kroi zërin dhe tha: - Dhe tani më dëgjo me vëmendje. Ai njeri e ka mbushur tashmë kupën. Duhet që ta thyejë kokën ai qafir. Ndaj kërkojmë nga ti në fshehtësi që ta realizosh këtë mision. Ëëëë? Ne nuk do të dimë gjë dhe nuk do të mbajmë asnjë përgjegjësi. Ashtu siç bëmë me Valiun e Libanit. Të kuptohet që kjo e tëra është veçse një nisiativë jotja, personale
Tjetri përplasi ushtarakisht çizmet fort në dysheme.
Në sallë u ndje kumbimi i tyre.
- I shërbej perandorisë sonë të lavdishme e Sulltanit tonë të plotfuqishëm dhe mëshirëmadh.
- Do të kesh edhe ndihmën e patrikanës dhe kishës greke të asaj zone. Papa Kozmai, kështu më duket se e quajnë, i ka marrë porositë këto ditë nga drejtuesit e tij.
Burhanit iu duk se shkrepëtinë sytë e gjeneralit në atë çast para fytyrës së tij që duhej të ishte krejt pa formë.
- Siurdhëron, – tha me një zë të ngjirur që u tret menjëherë në atë hapësirë të asaj salle të madhe e të mobiluar si për një ushtarak të lartë.
Mustafa Hilmi Pasha mblodhi gishtërinjtë e dorës së majtë grusht dhe i vendosi ngadalë para buzëve të tij të fryra. U kollit lehtë.
Sytë nuk ia ndau vartësit të tij.
- Do të jetë edhe ai pjesë e operacionit. Por ky nuk do të jetë i vetëm që do të kesh në krah. Në Elbasan ndodhet edhe një farë Loni, Leonidha e quajnë. Është nga të krishterët, grekë të Pontit në Odesë dhe njeri i lidhur me kishën atje. Njihen me Kostandinin, kur ky ka qenë e ka punuar disa vite si përkthyes në atë vend. Para pak kohësh është ngulur me ndihmën tonë në atë qytet dhe bën tregti me manifaturat, mëndafshrat. Thjesht është njeriu ynë dhe na ka premtuar se do të punojë për ne sa herë. Edhe këtë do ta keni në dispozicion. Mendoj se ky do të jetë edhe asi nën mëngë. Do t’ju japë informacione të vlefshme për Kostandinin. Na ka përcjellë deri tani dy apo tre, por pastaj ka heshtur. Zgjojeni nga gjumi. Shfrytëzojeni. Çengisi nuk e bëri mirë detyrën e tij. Kaq.
Burhan Konja sërish përplasi këmbët fort ushtarakisht dhe u përkul para eprorit të tij. Kur drejtoi trupin, dalloi dorën e majtë të gjeneralit që bënte shenjë se bisedës i kish ardhur fundi dhe se ai duhej të largohej nga ajo dhomë për të kryer një mision...
9
Dëshira ishte e madhe. Selvitë ishin përtej. Të heshtura e gati misterioze. Diçka që lidhej me kishën, por edhe varrezat nga pas. Herë dukeshin të frikshme e herë gjallonin nga kori i laraskave që ishin tërësisht të pushtetshme mbi to. Ai ëndërronte të ngjitej atje. Majat e tyre, ndërsa i flladiste një erë e lehtë në mëngjes e mbasditeve, i dallonte që nga shtëpia e tij në një rrugicë në anën e kundërt me kishën. Ishte më ndryshe kur shfaqej e shkonte në oborr të saj për në shkollë, por edhe për të lozur kaqolas me shokët, duke hedhur si zare kokrrat e tyre që era i shkundte vazhdimisht.
Askush nga nxënësit e shkollës së lagjes “Kala'' nuk i kishte shpëtuar tundimit të selvive. Ato dukeshin të larta, të hijshme e madhështore për botën e një fëmije. Gjatë verës, shumë nga moshatarët dhe djemtë e lagjes që dallonin për shkathtësinë e tyre ngjiteshin atje, ndërsa të tjerët i vështronin poshtë. Mihali i Papajanëve, tre vjet më i madh se Leka, selvitë i kishte si shtëpinë e dytë të tij. Atje do ta gjeje hipur pranë majave në pranverë e deri në vjeshtë. Aty gjendeshin shumë nga foletë e laraskave dhe brenda tyre kishte plot koqeve. Disa herë i kishte zbritur ato poshtë për t’ua treguar kurreshtarëve që qëndronin rreth selvive, sa herë ai merrte guximin të tregonte aftësitë e tij. Kishin qenë edhe dy të tjerë më të mëdhenj se Mihali që ngjiteshin dy vite më parë te selvitë, por ata, pasi kishin mbaruar shkollën, kishin zënë punë si çirakë te zejtarët e qytetit. Djali i vogël i Papajanëve hipte se kujdesej shumë për zogjtë dhe të vegjëlit që ende nuk merrnin dot fluturim. U çonte ndonjë gjë për të ngrënë në foletë e tyre. I pastronte.
Ky ishte meraku dhe pasioni.
Leka nuk ishte si Mihali. Vinte i ndrojtur dhe i heshtur. I pëlqente të dëgjonte nga të mëdhenjtë, të lexonte e të mësonte, por edhe të mendonte sa herë që zinte një qoshe të dhomës së tij, ku i ati, Papa Jovani, i kishte gjetur një tryezë e një stol të bërë me dru bredhi nga një shpatarak, mik i familjes.
Vendosi që në fund të shkollës të shkonte në njërën nga majat e tyre. Por për këtë nuk do të ishte aspak e lehtë për Lekën. Kjo do të thoshte se do t’i duhej të priste ende. Të rritej dhe pak e të forcohej edhe disa muaj, se vinte i pakët nga shëndeti. Ishte i hollë dhe me fizik të papërgatitur.
- Nuk është aq kollaj që të ngjitesh në ato maja. Pa bërë stërvitje, -u thoshte me krenari sa herë i vogli i Papajanëve duke ua treguar me gisht të tjerëve selvitë e kishës. -Duhet të jesh dhe të bëhesh si ketër, sepse degët janë të ngjeshura e pak hapësirë ke që të sulmosh deri atje lart.
Ky ishte për pemët përfytyrimi i nxënësve të shkollës dhe i gjithë fëmijëve të lagjes ''Kala'', sipas rrëfimeve të atyre që ishin ngjitur deri atje lart në majat e tyre.
Por dy muaj më vonë ndodhi krejt e pabesueshmja.
Mjeshtri i ngjitjes, siç e quanin që të gjithë Mihalin e Papajanëve, befasisht u shkëput e ra nga maja e njërës prej tyre dhe u gjet i gjakosur poshtë në oborr. Ata që shkuan menjëherë pranë tij, mësuesi, Tushi i Pinës dhe një shërbyes i kishës, së bashku me dy nxënës që nuk ishin larguar ende nga shkolla, por që kishin ndejtur për të parë Mihalin, ndërsa i ngjitej pemës halore atë pasdite të vrejtur nëntori, nxituan që ta ngrinin djalin e lagjes ''Kala''.
E gjetën të ngjyer mbi një pllanë gjaku, por që jepte shenja jete. E çuan menjëherë në shtëpinë tij, që nuk ishte larg nga oborri i kishës, më shumë se pesëdhjetë hapa dhe dërguan që të lajmëronin doktor Kristaqin që banonte aty brenda lagjes, pranë portës së kalasë. Doktor e thërrisnin. Kristaqi në fakt ishte një berber që bënte xherahun e synetet në lagjet myslimane të qytetit, por që merrte përsipër të shëronte edhe plagët me alkool, raki e pluhur fasuleje.
Kur mbërriti në shtëpinë e thjeshtë njëkatëshe të Papajanëve, djali kish ikur nga kjo botë.
Pa plasur zija në shtëpinë e tyre u zbras aty e gjithë lagjja. Ishin mbledhur i madh dhe i vogël, e kishin zënë vend në oborrin e mbushur me pemë e portokalle. Kishte edhe nga mëhallat e tjera të qytetit, të krishterë e myslimanë, deri poshtë në Shkumbin. Të gjithë si një trup të lidhur shpirtërisht.
U erdhi keq për Mihalin dhe babanë e tyre, Simonin, një burrë babaxhan, lëkurëbërës dhe që e donte dhe e respektonte i gjithë qyteti. Ndihmonte fukaranë.
Leka ishte aty së bashku me Sifin e Haxhimimëve, të trembur dhe të hidhëruar nga ikja e Mihalit.
Mbrëmja ende nuk kishte zbritur dhe era, si e marrë, fërshëllente jashtë mureve të larta të shtëpisë. Kishte nisur që në mesditë, por pas pak kish shfryrë bulçitë, sikur donte të paralajmëronte për fatkeqësinë. Mihali nuk kish dashur që t’ia dinte. Donte që të rregullonte disa fole që mund të rrezikoheshin nga era. Një ditë më parë i kishte parë të lëvizura nga vendi e nga këndet e degëve ku ishin të vendosura prej kohësh aty. Në fillim nuk besoi se era mund ta shkulte edhe atë, ndaj nxitoi dhe u ngjit me këmbë e duar si fishnjar lart në pemën e krahut të majtë. Pastaj....Ndofta....
Dikush nga burrat tha aty si ishte ajo shkaku që e kish shkulur, rrëzuar dhe flakur që andej si një leckë Mihalin e shkretë nga maja e selvisë.
Që në fund të shkurtit djali filloi të stërvitej. Pas mësimeve dy a tri herë në javë shkonte deri te fusha e sportit pranë ca bahçeve, pak më poshtë se qendra e qytetit. Bënte vrap.
Kur erdhi prilli filloi të ngjitej në pemët e oborrit të shtëpisë së tij. E ëma që dilte herë pas here në sallon e në verandën e shtëpisë, vinte dorën si strehë mbi vetulla dhe çuditej me këtë zakon të ri të birit të saj.
- Ç'farë bën kështu, o bir? Ç'është ky zakon i ri? Mbete gjithë ditën lart nëpër pemë.
Por ajo nuk e merrte me mend planin e fshehtë të Lekës të saj.
Sapo fillonte vera në fundjava, Leksin do ta gjeje në zallin e Shkumbinit. Bënte not dhe forconte krahët.
Kjo zgjati deri në mesin e verës, kur korriku kish zënë e të piqte si në një furrë të vërtetë.
Pa dalë mirë ai, djali vendosi të vinte në jetë planin e tij.
U nis një mëngjes me Sifin dhe Cacin, djalin e mësues Kostandinit dhe u propozoi që të shkonin nga kisha. Ishin shokë të mirë të tre. U tha se e kishte marrë edhe malli për shkollën, por nuk u tregoi planin e fshehtë që e mbante prej disa kohësh brenda vetes së tij. Shpirtin dhe zemrën gjithë atë kohë e kishte aty. Në oborr gjetën dhe Todin e Nosëve. Pasi i ranë përqark edhe shkollës, filluan një lojë me kaqola nën hijen e selvive. Mirëpo rasti e solli që Caci gjeti përdhe një zog të vogël laraske e të parritur mirë, që nuk mund të fluturonte dot. Fëmijët u mblodhën dhe kuptuan se ai kishte dalë e kish rënë nga foleja. U erdhi keq.
Leksi mendoi se ky ishte rasti. I gjetur si me porosi.
U tha të tjerëve:
- Ky zog duhet të kthehet në folenë e tij. E kërkon nëna.
Fëmijët panë njëri-tjetrin në sy. Ngritën supet si për të thënë se nuk dinin si të bënin me atë.
Todi kroi zërin e tha:
- Po atje lart nuk mund të ngjitet njeri. Është mallkim. Kështu më ka thënë babai. Iku Mihali....
Ngriti kokën përpjetë e tregoi majat, si për të thënë se ato tashmë do të ishin krejtësisht të papushtueshme dhe se atje nuk mund të ngjitej më asnjë njeri.
Leka lëvizi nga vendi e bëri të tregonte diçka me duar. U kthye nga pema sikur donte ta maste me sy, e u tha shokëve:
- E ngjis unë. Do ta çoj në fole.
Të tjerët e panë drejt e në sy.
Sifi tundi kokën në shenjë mohuese.
- Jo, se do të rrëzohesh si Mihali. Nuk kemi çfarë t’i themi pastaj Papa Jovanit.
Por guximtari vuri buzën në gaz. E kish pritur këtë ditë. Kishte thurrur edhe ëndrra e dëshira me fantazi fëminore. Zgjati duart të merrte zogun e vogël gjysmë të zhveshur që ende nuk e mbante dot ekuilibrin e tij.
Dhe u ngjit sipër si një fishnjar.
Një tufë laraskash të trembura ikën fluturim duke lëshuar klithma paniku. Trupi i hollë rrëshqiste, futej e kalonte midis degësh të selvisë, sikur të ishte një shpend i vërtetë. Mbahej pas trungut dhe këmbët i shtrëngonte fort duke i ngulur gishtërinjtë aty për të mos rrëshqitur. Gjeti një fole mbi supin e tij të majtë dhe u afrua ngadalë. Hodhi vështrimin aty dhe dalloi dy zogj të tjerë të vegjël që menjëherë ngritën kokën përpjetë dhe hapën sqepat për ushqim duke pandehur se u kishte mbërritur e ëma.
Leka mendoi se do të ishin pjesë e familjes së zogut që gjeti poshtë në tokë. E nxori nga gjiri dhe e vendosi ngadalë në fole ku cicërinin të tjerët. I pa me dashuri dhe vazhdoi të ngjitej përsëri më lart.
Ktheu sytë poshtë dhe kuptoi se ndodhej ende në gjysmën e pemës...
10
Oficeri i sapoardhur kishte thirrur menjëherë në zyrë komandantin e ushtrisë dhe Papa Kozmanë, një grek nga Qiproja, dhe kishin mallkuar gjuhën shqipe me kryq e lutje në gjuhën osmane.
Tani armiku i tij do të ishte Kristoforidhi. Një pseudonim letrar që Kostandini e përdorte para se të kthehej në Shqipëri me familjen e tij. Mbase që atëherë ku shërbente për një shoqëri biblike e përkthente për ata.
Hartoi plane dhe vendosi që nuk do ta ndiqte vetë. Nuk donte që të përsëriste e të bënte më gabimet që bëri paraardhësi i tij, Çengisi. Ai tashmë e kishte lejen. I duhej të studionte dhe organizonte vrasjen e mësuesit dhe babait të gjuhës shqipe.
Tregtarit Leonidha Traguli i shkoi në dyqan dhe i dha të njohur, si për t’i kujtuar lidhjet e vjetra me shërbimin sekret turk e Gjeneral Mustafa Hilmi Pashën. Por tjetri tundi kokën mendueshëm. Sheshoi një top basme mbi banak. U mbush me frymë. Pastaj e lëshoi atë së bashku me një gërhimë me zë të prishur që të kujtonte njeriun astmatik.
- M’i bëj selam gjeneralit. Kam shumë respekt për atë. E respektoj, veçanërisht dhe shtetin turk, – tha ngadalë e qetësisht duke i rrumbullakosur fjalët një nga një. - Të lutem, i dërgo fjalë dhe i thuaj se usta Loni nuk është mirë me shëndet, dhe nuk është më për këto punë. Kam një sëmundje të keqe dhe po gatitem dalngadalë që të nisem për në botën e përtejme. Edhe tregtia për mua në këtë vend ka marrë fund. Dy vite nuk ia vlejtën. Në fundjavë do të mbyll dyqanin e do të kthehem me ndihmën e Kostandinit atje ku më ka rënë koka, për ta bërë gjumin nën dhe.
Burhan Konja mblodhi buzët e iku turivarur nga dyqani i tregtarit nga Odesa.
- Dhelpër plakë dhe maskara, – shau me mllef nëpër dhëmbë oficeri. - Do të të ndjek këmba-këmbës dhe do të të syrgjynos në vërë të ariut. Mos më thënçin Burhan Konja.
Kërkoi që të rekrutonte të tjerë. Mundësisht të ishin nga njerëzit e afërt të kishës, pasi Kostandini ishte edhe një besimtar i mirë. U takua disa herë me Papa Kozmanë për ta pleqëruar punën më mirë. Rekomandimet e gjurmuesve që do t’i viheshin pas mësuesit do t’i përcaktonte vetë njeriu i kishës. Halli ishte i përbashkët. Ai i gjuhës shqipe.
Të dy i tmerronte, shtetin dhe kishën.
Por puna ia donte që të mos binin në sy. Por edhe Papa Kozmai nuk donte që të vinte e të ngulej aty, duke u shfaqur vazhdimisht në polici dhe se kjo mund të krijonte probleme midis besimtarëve të kishës ortodokse. Edhe Burhani nuk parapëlqente të dukej andej nga ku drejtonte kishën dhe besimin fetar të krishterëve të qytetit, si shërbëtor i Perëndisë, njeriu i ardhur nga Qiproja e largët. Ndaj e vizitonte në shtëpi.
Zoica, e zonja e shtëpisë, i rezervoi që në fillim një pritje Burhanit, që njeriut të shërbimit sekret i tërhoqi vëmendjen. Më pas si vajzë greke, e lindur dhe e rritur në Stamboll, në gjuhën e tij, e la pa fjalë me sjelljen dhe erudicionin e saj.
Kaq u desh për oficerin. Gati e harroi misionin. Filloi të shkonte më shpesh te Zoica, edhe kur Papa Kozmai nuk mund të vinte dot në shtëpinë e tij, për shkak të detyrimeve e shërbesave fetare në kishën e madhe të qytetit.
Nuk kishin fëmijë, por ai besonte se me ndihmën e Perëndisë do ta fitonte atë. Do ta kishte dhuratë.
Por një ditë e gjeti një mundësi. I ndërpreu ato dhe nxitimthi iku e u shfaq në derën e shtëpisë së tij. E brente dyshimi për turkun.
Ajo nuk iu hap, edhe pse ai qëndroi aty mbi një orë duke trokitur dhe duke kërkuar përgjigje nga brenda.
Zoica i tha pastaj se nuk e kishte dëgjuar dhe se kishte qenë e pamundur atë mëngjes, dhe ishte shtrirë të flinte. Prifti pa dritaren e hapur dhe ndjeu se në krevatin e tij bashkëshortor ishte shtrirë një njeri tjetër me gruan që kishte marrë atje në Stambollin e largët. E pyeti pastaj se ku e kishte çuar jaranin, por ajo e tronditur i tha se ç'ishin ajo fjalë dhe ç'ishte ai dyshim?
- Jam grua fort e ndershme dhe bashkë na ka lidhur Perëndia. I kemi bërë një premtim se do të rrijmë besnikë njëri-tjetrit deri sa vdekja të na ndajë.
I zoti i shtëpisë uli kokën e nuk i tha më asgjë asaj me të cilën ishin betuar se do të shkonin së bashku deri në varr.
Tri ditë më vonë e nisi Zoicën tek e motra në Janinë, pasi kishte mësuar se ajo ishte e sëmurë dhe dergjej prej dy javësh në shtrat. Të nesërmen i nisi një letër Burhanit me një korrier të kishës, duke i shkruar se e kishte gjetur njeriun e duhur që do t’i bënte punën aq të dëshëruar dhe se e priste në mesditë në shtëpinë e tij.
Burhani nuk vonoi. U vesh dhe u parfumos si një djalë i ri dhe i pashëm që mezi pret të shkojë në takim, ku e kanë ftuar dhe e presin si një dashnor të përvëluar.
S'kishte mësuar ende për ikjen e beftë të së dashurës së tij.
Ishin pa u parë që nga ai çast, kur u hodh nga dritarja e i shpëtoi burrit të saj, i sigurtë tashmë se ai nuk dinte gjë për marrëdhëniet me greken e bukur të Stambollit të lidhur në një betim.
Ishte i marrosur pas Zoicës. Mendoi e nuk dyshoi se do ta gjente aty.
Në kohën e caktuar u shfaq në derë. Portën ia hapi vetë Papa Kozmai. E priti me nderime dhe e ftoi që të futej brenda.
- Zoica ka përgatitur një gliko të mirë për ty, – i foli duke treguar që të ulej në një minder me shilte të mëdha arabie.
Turku vuri pëllëmbën e tij të djathtë mbi zemrër dhe me një përkulje të lehtë të kokës e falënderoi për pritjen.
- Ndjehem si në shtëpinë time, mik.
Papa Kozmai e ndoqi tre hapa nga pas, deri sa tjetri zuri vend dhe i tha pastaj se duhej të hiqte rroben e shërbesës.
- Ime shoqe është duke përgatitur ëmëlsirën në kuzhinë. Na bën mirë përpara se të ulemi e të kuvendojmë për punët tona të rëndësishme.
Burhani u rehatua menjëherë duke pritur që t’i shfaqej ajo që ia kishte copëtuar zemrën, si të ishte një djalosh i ri. Në Selanik ku shërbente dy muaj më parë kishte lënë të shoqen me një vajzë të vogël, për të cilën mendonte se mund t’i strehonte përkohësisht në qytet, aq sa të përfundonte edhe operacionin sekret, për të cilin ishte ngarkuar nga qeveria.
Dëgjoi zërin e Papa Kozmait që i thirri Zoicës:
- Luaji duart, dil e na qeras. Zoti Burhan mezi po të pret.
Tjetri u ndje i lumtur. Iu duk se hyri në një tjetër botë dëshirash.
Por dëshira dhe ëndrrat nuk janë gjithmonë pranë. Ashtu si në përhumbje iu shfaq para syve befasisht një njeri i egërsuar me një sëpatë të ngritur sipër kokës së tij. Dëgjoi një klithmë të zgjatur e disa fjalë greqisht, por pa kuptuar më se çfarë donte të thoshte britma. Dhe në çast ndjeu diçka të fortë e të mprehtë që e goditi në kokë dhe i çau kafkën. Gjakun që rrodhi si lumë i pandërprerë nuk e pa më.
U këput si një trung.
Jashtë në kalldrëm u dëgjuan rrotat e dy karrocave që tërhiqnin mallin e tregtarit të basmave. Leonidha Traguli kishte mbyllur dyqanin në mes të pazarit dhe ishte vënë në rrugë për tʼu kthyer andej nga kishte ardhur. Donte që të mbyllte sytë përgjithmonë në dheun e vet.
Ngjarja në shtëpinë e Papa Kozmait mori dhenë.
U hap menjëherë në qytet.
Policia morri viktimën, por priftin e gjeti të çmendur te çirrej, thërriste dhe pëlliste si një gomar:
- Hiii, aaaaaaa. Hiiiiiiii. Aaaaaaaaaaaaaaaaaaa.
Pas Burhan Konjës nuk u shfaq më hafije tjetër nga shteti.
U duk se gjuha shqipe gjeti pak qetësi dhe se Kostandini e nxënësi i tij, Tushi i Pinës, i shpëtuan paq egërsisë së qarqeve antigjuhë në qytet.








Comments