Çaush KULLAFI: Pardesy-ja
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 3 min read

Pardesy-ja
Shkruan Çaush KULLAFI
(Fituesi i Kamza Lexon)
Viti 1979, në Librazhd dhe në gjithë Shqipërinë , ishte koha kur mblidhej fjala e rrallë, toponimet dhe pasuritë e gjuhës sonë. Isha i ri, i përkushtuar dhe i pasionuar për gjuhën shqipe. Shkruaja deri në orët e vona të natës, pa ndjerë lodhje. Mbushja blloqe të tëra me fjalë e shënime dhe i dorëzoja me kujdes te specialistët e gjuhës në Librazhd.
Një ditë, më thërret shkrimtari dhe njëkohësisht profesori im, Çelik Petriti. Më komunikon që Komiteti Ekzekutiv kishte vendosur që unë të përfaqësoja rrethin e Librazhdit në Simpoziumin Kombëtar të Gjuhës Shqipe në Tiranë. U shtanga, mu duk sikur po bënte ndonjë nga ato shakatë e tij të zakonshme të sepse profesor Çeliku kishte një shpirt plot humor, por këtë herë ishte serioz. Ishte një çast që s’do ta harroj kurrë.
Teksa po pinim një çaj në pastiçerinë e vetme të Librazhdit, sytë më lëviznin mes fytyrës së profesorit dhe veshjes sime të thjeshtë. Ndërsa ai fliste për problematikat e drejtuesve në qytet, që shpesh i kritikonte, , unë mendoja me vete: A jam unë i denjë të përfaqësoj rrethin tim? Si do më shohin atje në Tiranë me këto rroba modeste?
Profesori pa shumë fjalë më tha: "Nesër në mëngjes nisesh me tren për në Tiranë." Dhe më dha edhe udhëzimet e nevojshme. Ushqimi dhe fjetja për tri ditë do të mbuloheshin nga shteti. U ndava prej tij me emocion dhe vendosa të shkoj ta takoj dajën tim, Ramiz Shuli, hekurkthyes në ndërmarrjen e ndërtimit. Ai u gëzua shumë dhe më tha me krenari: "Je djalë i mençur!"
Diskutuam për veshjen. Pantallonat mi kishte dërguar xhaxhai që ishte në ambasadën tonë në Varshavë të Polonisë, më duhej të vishja diçka, dhe daja pa u menduar menduar gjatë, ai më dha jelekun e tij. Më duhej edhe një çantë, pasi kisha shumë letra me vete. Çantën i'a marr Fatmir Roçit stomatologut të fshatit.
Të nesërmen në mëngjes, në orën 5 pa pesë, u nisa për në stacion me profesor Çelikun. Ishte një mëngjes i ftohtë. Pasi bleva biletën , u ulëm në një stol brenda në stacion sa të vinte treni. Zhurma e ekspresit të kafesë më jepte një lloj ngrohtësie shpirtërore. Profesori, pa thënë thënë gjë , hoqi pardesynë e tij dhe ma dha: “Vishe, është ftohtë. Kur të kthehesh, ma sjell.” U ndjeva në siklet. Ai, burrë i gjatë dhe i hijshëm, më jepte pardesynë e tij — por nuk kundërshtova. E vesha dhe ndjeva një lloj mbrojtjeje e ngrohtësie që më shoqëroi gjithë rrugën.

Hipa në tren. Unë zura vend pranë dritares. Ishte një nga ato udhëtime që s’harrohen. Shihja luginat, fshatrat, qytetet që rrëshqisnin para syve të mi. Kur treni u nis, pashë profesorin që më përshëndeti me të dyja duart lart, për një çast m’u duk si një shqiponjë.
Udhëtimi ishte i bukur. Një djalë korçar luante kitarë dhe meloditë më mbajtën shoqëri deri në Tiranë. Në stacionin e Tiranës gjithçka më dukej gjigante, edhe pse nuk ishte hera e parë që shkoja. Si pikë referimi kisha 15-katëshin, që në atë kohë ishte ndërtesa më e lartë e Tiranës.
Shkova në Institutin e Gjuhësisë. Më udhëzuan të ngjitesha në katin e dytë. Në një nga zyrat gjysmë të hapura, pashë një burrë të përqendruar me një laps në dorë. As që e vuri re se dikush kishte hyrë. Më vonë mësova se ai ishte Prof. Mahir Domi, një ndër figurat më të mëdha të gjuhës shqipe.
Fjeta tri netë në hotel “Arbana” (sot Drejtoria e Përgjithshme e Policisë). Për tri ditë morëm pjesë në seminare dhe diskutime me studiues e profesorë të njohur.
Pas përfundimit të simpoziumit, u ktheva në Librazhd. I kërkova nënës time të më lante pardesynë, që t’ia ktheja profesorit. Të nesërmen, shkova në shtëpinë e tij njëkatëshe, ndërtuar nga shteti. Profesori më pyeti se si i'a kisha kaluar në Tiranë, dhe pastaj, kur ia zgjata pardesynë, më tha me buzëqeshje: “Mos ma sill më, t’a gëzosh!”
Ai gjest më preku shumë. Pardesytë asokohe kushtonin, ishin simbol dinjiteti. E mbajta gjatë atë pardesy. Edhe pse ajo sot nuk ekziston më fizikisht, për mua është sikur e kam ende të veshur.
Ajo pardesy më sjell gjithmonë ndër mend fisnikërinë dhe përkushtimin e profesorit tim, Çelik Petriti. Në pamje të parë, mund të duket si një gjë e vogël. Por në thellësinë e qenies sime, ka mbetur si një nga veprat më të bukura dhe më të mëdha që kam përjetuar ndonjëherë.
Comments