top of page

Robert Martiko: ZOTI ËSHTË VETË DASHURIA

  • 2 hours ago
  • 2 min read


Formulimi “Zoti është vetë Dashuria” është një nga pohimet më të thella të mendimit filozofik dhe teologjik, sepse ai nuk e përkufizon Zotin përmes atributesh të jashtme, por e identifikon me vetë thelbin e dashurisë. Kjo domethënë se dashuria nuk është një cilësi që, ndër mjaft gjërash të tjera, Zoti e zotëron, por është vetë mënyra e qenies së Tij. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një identitet ontologjik, ku qenia dhe dashuria përputhen në mënyrë të pandashme.

Nga ky këndvështrim, dashuria nuk mund të reduktohet në ndjenjë kalimtare apo në një akt moral të rastësishëm. Ajo ngrihet në nivelin e një parimi themelor të ekzistencës së njeriut. Nëse Zoti është dashuria, atëherë dashuria bëhet struktura e brendshme e realitetit njerëzor, një forcë që jo vetëm lidh qeniet mes tyre, por edhe i themelon ato në vetë qenien e tyre. Kështu, çdo formë dashurie nuk është thjesht një përvojë subjektive, por një pjesëmarrje në një rend më të thellë ontologjik.

Ky koncept ka pasoja të drejtpërdrejta për mënyrën se si kuptohet njeriu. Ndryshon vetë fatin e tij. Nëse njeriu është një qenie që kërkon kuptim dhe realizim, atëherë dashuria nuk është një zgjedhje e rastësishme, por mënyra më e plotë për të ekzistuar. Të dashurosh nuk do të thotë vetëm të ndjesh apo të veprosh në mënyrë etike, por të hysh në një marrëdhënie që përkon me vetë thelbin e ekzistencës. Në këtë kuptim, dashuria bëhet akt ontologjik: njeriu realizon vetveten pikërisht në masën që arrin të dalë nga vetja dhe të hapet ndaj tjetrit.

Nga ana tjetër, ky identifikim i Zotit me dashurinë i jep një kuptim të ri edhe qëndrueshmërisë së saj. Dashuria nuk mbijeton sepse është më e fortë në kuptimin emocional apo psikologjik, por sepse buron nga një realitet që nuk është i nënshtruar kohës dhe ndryshimit. Ajo mund të jetë e heshtur, e ngadaltë, madje e padukshme, por pikërisht në këtë përmasë të saj qëndron forca. Pra, nuk varet nga rrethanat, por nga burimi i saj ontologjik.

Në këtë perspektivë, tensioni midis dhunës dhe dashurisë merr një kuptim më të thellë. Dhuna është e shpejtë, imponuese dhe e dukshme, por mbetet e lidhur me kalueshmërinë e botës. Dashuria, përkundrazi, nuk kërkon të sundojë, por të qëndrojë. Të mbetet. Dhe pikërisht ky “qëndrim”, kjo qëndrueshmëri e heshtur, e lidh atë me përjetësinë. Nëse Zoti është dashuria, atëherë dashuria nuk është vetëm një alternativë ndaj dhunës, por një mënyrë tjetër e të qenit, një mënyrë që në fund nuk mund të mposhtet.

Pra, të thuash se Zoti është vetë Dashuria do të thotë të pohosh se themeli i realitetit nuk është forca, as rastësia, por marrëdhënia, hapja dhe dhënia. Kjo e vendos dashurinë jo në periferi të jetës njerëzore, por në qendër të saj, si kriter i së vërtetës dhe si mënyra më e lartë e realizimit të qenies njerëzore.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page