Zyba Hysa: PËR NJË DEBAT PUBLIK PËR SHKRIMTARËT DHE ARTISTËT SHQIPTARË
- 4 hours ago
- 5 min read

PËRGJIGJE TË PYETJEVE: "PËR NJË DEBAT PUBLIK PËR SHKRIMTARËT DHE ARTISTËT SHQIPTARË, MBI RIORGANIZIMIN E LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË...
PYETJA 1: A përbën riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve një domozdoshmëri historike për të garantuar lirinë krijuese, të drejtën e autorit dhe dinjitetin profesional të krijuesve shqiptarë?
- Përgjigjen e pyetjes së parë, do ta nisja me përgjigjjen e një tjetër pyetje: Të cilëve shkrimtarë dhe artistë bëhet fjalë?
Dihet, se në Lidhje, kanë marrë pjesë shkrimtarët dhe artistët e mbështetur nga politika, apo e thënë ndryshe, të Shqipërisë komuniste e pasuesve të saj, apo dhe të “Shqipërisë tjetër”, krijues që kanë egzistuar dhe egzistojnë, por që kanë qëndruar jashtë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si në diktaturë dhe pas viteve ‘90 e pse bëri sikur u shkri, fshehtas ka funksionuar edhe më mirë se në diktaturë, duke sponzorizuar tonelata letër e kartona me ngjyra ari për ish shkrimtarët e mbështetur financiarisht, propagadisht dhe mediatikisht, aq shumë, saqë na vinte pështirë të afroheshim, se ata, të priviligjuarit, na thyenin kokën me dekorata e ne, e pse vepra mund të kishte vlera, kthehej e pavlerë.
- Të riorganizosh një shoqatë, organizatë, lob, lidhje, parti… do të thotë ta ndërtosh mbi bazën e diçkaje që ka qenë organizuar dikur, por ka ardhur një kohë dhe nuk ka funksionuar më, por ka funksionuar në një formë, apo mënyrë tjetër, për të pritur një moment tjetër, për një riorganizim, për një arësye, apo tjetër, apo thjesht për të dhënë idelë e krijimit të diçkaje të re, ku do të përfitojnë, jovetëm ish anëtarët e saj, por edhe anëtarë tjerë të rinj, se egzistuesit tashmë janë bërë “dashamirës” dhe pranojnë konkurencën me këdo dhe do të jenë të barabartë, mes të barabartëve, se siç thotë pyetja, në rastin tonë “A përbën riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve një domozdoshmëri historike për të garantuar lirinë krijuese, të drejtën e autorit dhe dinjitetin profesional të krijuesve shqiptarë?” mendoj, se termave “domozdoshmëri historike” u ka dalë boja, se këtu në Shqipëri, historia është futur si uji në një shishe dhe ngado ta rrotullosh shishen, uji po mbrenda qëndron, ndaj mendoj, se “uji mbrenda shishes” është veç për të dhënë idenë, se ndonjë pikë ujë do njomë dhe të përjashtuarit e dikurshëm, apo ata të mosbesuarit e tanishëm, se këto grumbullime të mëdha, mbulojnë përfitimet e pakicës “elite”. Gjithsesi, unë i qëndroj parimit, që po nuk u provua, nuk paragjykohet, ndaj pse jo, ta provojmë, por deri më sot, bashkësi të tilla, kanë lartësuar elemente të veçantë që bëjnë pjesë formalisht, për të përftuar materialisht!
Pyetja 2: Si mund të ndërtohet një organizatë e re që të jetë realisht demokratike, pluraliste dhe transparente duke shmanguar çdo ndikim ideologjik, politik, krahinor, apo klanor?
- Flas nga përvoja ime, mos të na gënjejë mendja, që Lidhja do të jetë një organizatë jashtë ndikimeve politike, klanore e krahinore, mbase do jepet ideja, sa për ta rregjistruar, më pas do vazhdojë “uji mbrenda shishes” dhe kjo gjë më bën të ndjehem e zhgënjyer nga vetja që kam pranuar të bëhem pjesë e kësaj maskarade politike e klanore, por për hir të një xixë shprese, do të bëhem pjesë e kësaj organizate, por sapo të shikoj, se “uji qëndron aty ku ka qenë", do të largohem duke u ballafaquar sinqerisht dhe ndershmërisht me këdo!
Pyetja 3: Cili duhet të jetë roli i një lidhje moderne të krijuesve: thjesht një shoqatë simbolike, apo një institucion aktiv që negocion standarde profesionale, kontrata dinjitoze, politika botimi dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit?
Nëse Lidhja nuk do kryejë funksionin e saj e institucioni aktiv, në dobi të krijuesve, çfaqë mund të bëndte tjetër, apo më mirë të them, për çfarë do të shërbente ajo, vetëm si vend përurimesh dhe dekorimesh bajate?
- Sigurisht, duhet të jetë urë lidhëse mes krijuesve dhe shtetit dhe tregut kulturor, se shumë shkruhen dhe shpejt shuhen e pse egzistojnë vlera të mëdha në veprat e autorëve, nuk depërtohet dot, as në treg, as në zhvillimin kulturor të vendit. Rëndohen panairet me letërsi politike dhe botërore, ndërsa letërsia origjinale shqiptare, mbeti si një lule fillim marsi, që sapo çel, e zë mardha e thahet në pamundësinë e autorëve për ta ribotuar dhe shpërndarë tek lexuesi.
Pyetja 4: Në një kohë, kur ekonomia kreative është sektor strategjik në shumë vende, pse në Shqipëri mungon një strukturë e unifikuar që të artikulojë kërkesat e shkrimtarëve dhe artistëve përballë shtetit dhe tregut kulturor?
- Sigurisht! Krijuesit shqiptarë, shumica, përbëjnë shtresën më të varfër të shoqërisë, se puna krijuese, nuk u lejon kohë të bëjnë njëkohësisht edhe botimin, apo krijimin e ekspozitave, paraqitjen e këngëve... e njëkohësisht të menaxhojnë shitjet, të cilat, për fat të keq, në shumicën e rasteve, ato nuk lejohen të publikohen nëpër media televizive, të cilët lënë hapësira kujtdo, vetëm krijuesve të mirfilltë u bëjnë "blog"!
Shpresoj që në të ardhmen të menaxhohen në mënyrë të ndershme (aqsa munden) që të mos ketë krijues me vlera të mëdha artistike të zhytur në mocalin e varfërisë!
Pyetja 5: A nuk është koha që krijuesit shqiptarë të kenë një zë të përbashkët institucional për të ndikuar në politikat kulturore kombëtare dhe për të promovuar në mënyrë më të organizuar letërsinë dhe artet tona mbrenda dhe jashtë vendit?
- Koha ka qenë gjithmonë, por sigurisht për shkrimtarët, muzikantët, piktorët … e përkëdhelur, ndërsa pjesa më e madhe e krijuesve, s’ka pas ardhur koha, ata përfaqësojnë “Shqipërinë tjetër” atë Shqipëri të para 1944 dhe ajo pjesë krijuese që nuk mund të bëhej pjesë, të cilët shkruajnë në vetmi, letërsi e mirfilltë origjinale shqipe, me shpresë, se një ditë do kenë një vend siç e meritojnë në oazën e bukur të letërsisë dhe arteve origjinale shqiptare!
Pyetja 6. A jeni dakord që të thirret një Kuvend i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, mbi baza statutore, transparente dhe gjithëpërfshirëse, gjatë këtij muaji, me qëllim riorganizimin dhe riaktivizimin e saj si shoqatë funksionale në shërbim të krijuesve shqiptarë?
- Sapo dëgjoj fjalën “KUVEND” më dalin parasyshë “kuvendet” që kam marrë pjesë pa ftesë, thjesht për të dhënë ndonjë mendim dhe për të parë rezultatet e kuvendeve. Po kështu, kam qenë edhe në një kongres për Gjuhën shqipe, në Durrës, që e kam ndjerë veten tmerrësisht keq! Njeriu mund të ketë dëshira, por nuk mund të ketë aftësi, se në vend të bëhet diçka e mirë, dështojnë e për çudi e quajnë fitore, vetëm e vetëm, se flasin disa të pëlqyer, bëjnë foto dhe mbushin rrjetet sociale… apo kuvendet që bëhen me stil komunist, caktohen për të folur ca kryetarë shoqatash, sigurisht u bëjnë ndere njëri - tjetrit dhe kur vjen radha të flasin studiues, 3 minuta u lënë në dispozicion dhe asgjë nuk kuvendohet, me pretendimin, se do të botohet libri…. por kurrë nuk harrohen fotot, drekat e zgjedhura, mendiat e rrjetet sociale. Nëse ai kuvend mblidhet pasi gjithçka është vendosur më parë, më mirë ndërrojani emrin, nga kuvend, në mbledhje sektori, apo brigade, si në kohën e kooperativës.
Unë dëshiroj dhe besoj, se nismëtarët janë njerëz me dije dhe kulturë e do dinë, sesi të drejtojnë një kuvend intelektualësh të veshur me dije dhe art! Me gjithë zemër uroj që dicka e arritë të bëhet, se askush nuk ka dëm nga gjërat e mira, nga gjërat e ndjera, nga gjërat e bëra nga krijuesit, të cilët përfaqësojnë frymën e perëndisë për të sjellë me shkrim, në telajo, në pentagram... idetë që dalin si rezultat i domozdoshmërisë së kohës, për ngazëllimin, edukimin dhe ndricimin e së ardhmes së popullit tonë jetim!!
Shënim:
Në këto përgjigje kam folur çiltërsisht dhe realisht, nëse do isha pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptare, dëshiroja të shikoja diçka ndryshe nga çfarë është vepruar deri tani!
Me respekt për shkrimtarët dhe artistët e kombit shqiptar, të cilët janë vlerë që nuk u dihet vlera!








Comments