top of page

Prof. Dr. Begzad Baliu: TOPONIMIA E GOLLOBORDËS SI SISTEM SHUMËSHTRESOR GJUHËSOR

  • 3 hours ago
  • 2 min read

 

Në vend të hyrjes

Dy dekada më parë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, kam mbrojtur tezën e doktoratës me titull Onomastika e Gallapit. Ishte një komision i përbërë nga anëtarë të formuar në shkolla pak a shumë të ndryshme: një onomasticient, një leksikolog dhe një studiues i marrëdhënieve gjuhësore shqiptaro-maqedonase, të gjithë të formuar në shkollën e Profesor Idriz Ajetit në Prishtinë, si dhe një romanist e ballkanolog i shkollës së Zagrebit. Më ishte besuar tema e doktoratës Onomastika e krahinës etnografike të Gallapit, zonë e Kosovës juglindore, prej rreth 112 fshatrash, por si projekt nuk dallonte shumë nga projektet e kësaj natyre për onomastikën e Hashanisë, onomastikën e Drenicës, onomastikën e Shalës së Bajgorës, onomastikën e Rugovës etj., që ishin krahina shumë më të vogla, prej 15–20 fshatrash, apo më të mëdha, por asnjëra në përmasën e krahinës së Gallapit, e cila shtrihej nga 70 deri në 112 fshatra.

Ajo që ishte shqetësuese për mua ishte e dyfishtë: mundësia për të mbledhur mikrotoponiminë në kufi dhe në zonën e Medvegjës, brenda Serbisë, të cilën megjithatë e tejkalova, duke kontaktuar banorët e asaj ane të shpërngulur në brendësi të Kosovës; si dhe vetë projekti, për të cilin mentori dhe disa anëtarë të komisionit insistonin që të përfshinte përshkrimin etnografik të Krahinës së Gallapit, strukturën gramatikore (kryesisht fjalëformuese) të toponimisë dhe mikrotoponimisë, aspektet dhe shtresat gjuhësore të kësaj toponimie (kryesisht shqipe, sllave, orientale dhe ndonjë tjetër), një kapitull për aspektet krahasuese dhe moshën ndërgjuhësore të toponimeve të zgjedhura, si dhe një fjalor sa më të pasur të kësaj toponimie, por gjithsesi të përzgjedhur nga mikrotoponimia. Ky projekt, për mua, nënkuptonte një pamje historiko-gjuhësore të toponimisë, sado që dy nga kapitujt studimorë të tij quheshin kapituj etimologjikë.

Nën ndikimin e njërit prej profesorëve të komisionit tim, Shefki Sejdiut, dhe mësimeve të tij, bëra mjaft përpjekje që doktoratën ta hapja me një kapitull nga fusha e etnolinguistikës dhe analizën, sintezën e komentet t’i shtrija edhe mbi metodën e sociolinguistikës (si një përpjekje për të tejkaluar dialektologjinë klasike), mbi metodën e semiologjisë, semiotikës dhe deri diku të kognitivistikës, por pa sukses; prandaj doktoratën e mbrojta pa i realizuar synimet e mia, pa i përfshirë metodat gjuhësore, të cilat i kisha nxënë prej vitesh në ligjëratat e Profesor Shefki Sejdiut, dhe ja tani ishte radha që t’i dëshmoja në praktikë. Sigurisht, kjo është edhe arsyeja pse, pas disa vitesh, unë botova vetëm pjesën e parë të saj, por jo edhe pjesën e dytë a të tretë, ndonëse ndërkohë kisha botuar disa dhjetëra vëllime, duke e parë onomastikën në rrafshe dhe metoda të ndryshme.

Vepra e Profesor Fatmir Terziut Toponimia e Gollobordës: Diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës (2023) e ka nxitur interesimin tim pikërisht për arsyet e sipërthëna. Madje, ajo plotësonte jo vetëm egon time të dikurshme, për të thënë të lënë në gjysmë para dy dekadash, por edhe një mundësi tjetër që projektit tim Onomastika e Gallapit t’i kthehem edhe një herë, duke plotësuar vëllimin e dytë dhe të tretë; por, para se ta bëj këtë, vendosa t’i kushtohem gjerësisht pikërisht këtij vëllimi të mikut tim, Fatmir Terziu.  


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page