top of page

ZONJA E QENVE



ZONJA E QENVE

Gjokë Dabaj


Në fshatin ku jam rritur, të gjitha familjet mbanin qen. Qentë shoqëronin tufat e bagëtivet në kullota dhe ne barinjtë u jepnim bukë nga trastat tona. Gjyshet dhe nënat na e jepnin me vete, bashkë me bukën tonë, edhe bukën e qenvet.

Në fshat kish edhe qen hekurash, që mbaheshin lidhur pothuajse gjithë kohën, por ushqeheshin në mënyrë të rregullt si edhe derrat.

Lloji i tretë i qenvet ishin zagarët. Çdo familje që kish një gjahtar, mbante e pakta dy zagarë. Kish aty-këtu edhe ndonjë qen rrugësh, por ata, kur bëheshin të pakëndshëm, zakonisht i vrisnin, që të mos e shëmtonin fshatin.

Kishim, pra, qen pothuaj çdo familje, por fshati ynë kurrsesi nuk mund të quhej “Fshati i qenvet”. As Shqipëria nuk mund të quhej “Vendi i qenvet”. As Evropa s’më duket se mund të quhej “Evropa e qenvet”, sado që kish brenda saj qenëri me shumicë.

…Sot m’u dha rasti të dëgjoj denoncimin e një zonje, të cilën, dua apo s’dua, jam i detyruar ta quaj “Zonja e qenvet”.

Ish një grua e bukur, e cila, si profesion, s’e di a të dytë a të parë, kish grumbullimin, ushqyerjen, rritjen dhe, me sa duket, edhe shpërndarjen e qenvet nëpër Evropë, ndër njerëzit që merreshin me të njëjtën punë. Njerëz, pa të cilët Evropa nuk mund të qëndronte e gjallë!

Zonja po ankohej (në njërin nga televizonet tanë), se dikush ia paskësh helmuar tufën e qenvet. Dikush nga lagjja, ndoshta i bezdisur prej lehjevet a kujisjevet, prej erës që lëshonte jashtëqitja e tyre ose thjeshtë prej mostolerancës, si puna ime. Ia kishin helmuar dhe qentë i kishin ngordhur.

Kjo “Zonjë e qenvet” i kalonte nëpër oborrin e saj rreth 100 qen në njësi të caktuara kohe. I ushqente, i pastronte, i lante me shampo dhe i përkëdhelte, duke i mbajtur në grykë, siç mbahen fëmijët e vegjël dhe siç u duk në disa prej fotografivet.

Kjo kish ndodhur e po ndodhte në një kohë kur në rrugët e Tiranës mund të numërohen më shumë se 100 sakatë e lypësa, mjeranë kokadhedalë, të ushqyerit e të cilëvet, në një ambient të përshtatshëm, nuk do të kushtonte më shumë se të ushqyerit e atyre 100 qenvet.

Por “Zonja e qenvet” kish zgjedhur të kujdesej për qentë. Është e drejta e saj. Por është edhe e drejta ime të shpreh mendimin tim. Këtë të drejtë nuk besoj të ma mohojë askush.

Si arriti të tjetërsohet njeriu kaq shëmtueshëm?! Të mbante ajo zonjë 100 dhi apo dhen dhe, krahas dhivet a dhenvet, edhe dy qen, askush nuk do të kish të drejtë ta qortonte atë zonjë. Por, të mbajë 100 qen e as edhe një qengj, kjo s’ka si të quhet pasion normal. Ky s’është pasion normal njerëzish normalë. Ky është pasion së prapthi njerëzish të edukuar së prapthi.

Madje, jo vetëm kaq, por për ushqyerjen e aq shumë qenve, duhet dikush tjetër të rrisë qengja, keca dhe viça. Rritni qengja, keca dhe viça, që “Zonja e qenvet” të ketë mish të mjaftueshëm për të ushqyer qentë e saj!

...S‘po di pse më shkoi mendja, pa dashur, te Bullgaria, e cila po e refuzon pranimin e Republikës së Maqedonisë Veriore në BE.

Më shkoi pastaj mendja te disa shtete evropianë, që nuk po duan ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës, në një kohë kur po ata shtete e njohin dhe mbajnë marrëdhënie dashamirëse me Republikën e Sërbisë, e cila e ka mbytur në gjak Kosovën.

Po kërkojnë të krijojnë turli “zajednicash” mes për mes Kosovës. Nuk po dua të fyej asnjeri, por: A nuk i ngjan kjo punë, punës së kësaj zonje?!

Më shkoi mendja te Irlanda e Veriut që dikur pat kërkuar shkëputjen nga Mbretëria e Bashkuar, për të cilën të gjithë e dinë që s’është Irlandë. S’e di: A vazhdon apo jo ajo kërkesë e irlandezëvet edhe sot, për të qenë Irlandë e jo Angli?!

Më shkoi mendja te baskët që patën luftuar për krijimin e shtetit të vet, por që Franca e Spanja nuk i lejuan.

Më shkoi mendja te pushtetmbajtësit në të quajturën Republikë Greke, të cilët, që 100 vjet nuk kanë hapur dhe nuk po hapin shkolla shqipe në ato pjesë të Shqipërisë, që Evropa (kjo Evropë!) ia pat dhuruar asaj në vitin 1913. Pse ia dhuroi Evropa Republikës Greke atë pjesë të Shqipërisë?! A për ta shpopulluar dhe shkombëtarizuar?!

Më shkoi mendja te Katalonja, së cilës Spanja nuk po do t’ia lejojë shkëputjen, në një kohë kur, po në këtë Evropë, ka shtete si San Marinoja.

Katalonjën s’e lënë të shkëputet nga Spanja, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë Veriore s’i pranojnë në BE, sikur shqiptarët dhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë Veriore të mos jenë banorë të Evropës.

I krahasova pavullnetshëm udhëheqësit e sotëm të shtetevet të këtij kontinenti me qentë e “Zonjës së qenvet”. M’u zu fryma!

qershor 2021

59 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page