ZHAN-BATIST MOLIERI



Nga Xhelal Zejneli

Zhan-Batist Pokëlen (Jean-Baptiste Poquelin, Paris, 15 janar 1622 – Paris, 17 shkurt 1673) është komediograf francez, aktor dhe drejtues teatri. Është një nga komediografët më të mëdhenj të Francës dhe të letërsisë botërore. Shkroi komedi, farsa, tragjikomedi dhe komedi-balet. I takon epikës së klasicizmit. Pseudonimin Molier vetë ia vuri vetes. Lindi në një familje tapiceri të kamur të mbretit. Kreu drejtësinë. Hoqi dorë nga karriera e juristit dhe u bë aktor. Në Paris e themeloi shoqërinë teatrore “Teatri i lavdishëm” (L’Illustre Théâtre) për të cilin i përshtaste komeditë italiane. Me këtë teatër dymbëdhjetë vjet i përshkoi provincat e Francës. Në fillim shkruan farsa. Komeditë e para i ka në vargje. Ka shkruar një mori pjesësh në prozë dhe në vargje. Është përfaqësues i klasicizmit. E qesëndisi shoqërinë e atëhershme, paragjykimet e shtresave, çoroditjen e shtresës fisnike dhe makutërinë e borgjezisë. S’i iku dot as dënimit të dyfytyrësisë së klerit katolik. Molieri, komedinë italiane të intrigës e zhvilloi në komedi shoqërore dhe në komedi të zakoneve me prapavijë tragjikomike në të cilat madhësia e komikes arrin përmasat e tragjikes.

Në vitin 1660 e mori teatrin mbretëror në Paris. Në të, bie në sy ndikimi i komedisë erudite (commedia erudita), i komedisë së artit (commedia dell’arte) si dhe ndikimi i komediografëve antikë romakë, si për shembull i Plauti (Titus Maccius Plautus, 254/251 – 184 para K.).

Në vitin 1643 Molieri i ri filloi ta mbajë pseudonimin e tij dhe përfundimisht ia ktheu shpinën karrierës së butlerit dhe dekoruesit të oborrit. Pas fëmijërisë dhe rinisë, të kaluar në Paris Molieri qëndroi një kohë të gjatë në Francën jugore dhe perëndimore. Aty u zhvillua gjeniu i tij komik. Në vitin 1658 u kthye në Paris. Një viti më vonë korri sukses të madh me komedinë “Preciozet qesharake”. Ky sukses shënon edhe fillimin e famës së tij. Është e para pjesë e rëndësishme e tij. Deri atëherë kishte shkruar vetëm disa farsa pa ndonjë vlerë të madhe. Pas këtij triumfi filloi në të vërtetë periudha krijuese e Molierit. Me trupën teatrore u vu nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të oborrit dhe realisht u bë komediograf mbretëror.

Molieri ishte shkrimtar, regjisor dhe aktor. Ky mjeshtër i madh i të qeshurit, mbase më i madhi në tërë letërsinë botërore, vdiste duke tallur sëmundjen, mjekët, marrëzitë njerëzore madje edhe vdekjen. Më 17 shkurt 1673, para se perdja para tij të lëshohej për së fundi herë, atij ende i kishte mbetur forca e gjeniut të tij të jashtëzakonshëm që edhe me pamjen e zbehtë dhe me ngërçet e fytyrës, në grahmat e fundit, të çonte të qeshësh pa u përmbajtur.

* * *

Lindi në Paris më 15 janar 1622. Ishte bir i Zhan Pokëlenit (Jean Poqueilin, 1595-1669) dhe i Mari Krese (Marie Cressé, 1601-1632). Nëna i vdiq kur ai ishte dhjetë vjeç. Pas vdekjes të së ëmës jetoi me të atin mbi “Pavillon des singes”,në rrugën “Saint-Honoré” në pjesën e pasur të Parisit. Babi i tij ishte dekorues i oborrit dhe e kishte titullin e batlerit mbretëror. Molieri adhuronte letërsinë dhe shkrimin. Është e mundur që arsimimin ta ketë filluar në shkollat fillore të Parisit. Studioi drejtësinë në kolegjin prestigjioz jezuit Collège de Clermont, aktualisht “Liceu Luigji i Madh” (Lycée Louis-le-Grand). Këtë shkollë e frekuentonin djemtë e aristokratëve. Ndoqi edhe mësimet e filozofit, priftit katolik, astronomit dhe matematikanit francez Pjerë Gasendi (Pierre Gassendi, 1592-1655) i cili ishte udhëheqës i një grupi intelektualësh të Parisit, me mendim të lirë.

Në vitin 1631 Zhan Pokëleni bleu prej mbretit Luigji XIII pozitën “shërbyes i rëndomtë i mbretit dhe tapicier” (valet de chambre ordinaire et tapissier du Roi). Më 1641 të njëjtën pozitë e mori edhe i biri. Titulli kërkonte vetëm tre muaj punë dhe një shpenzim fillestar prej 1200 livrash. Të hyrat vjetore nga kjo punë arrinin një shumë prej 300 mijë livrash. Duke punuar në këtë mjedis ai mund të lidhte një numër të konsiderueshëm kontratash fitimprurëse.

Aty kah viti 1642 Zhan Pokëleni mësoi për avokat province, mbase në Orlean. Por nuk ka shënime ta ketë kryer shkollimin. Deri atëherë, Molieri e ndiqte planin e babait. Në Collège de Clermont shoqërohej me fisnikërinë dhe dukej sikur karriera e tij ishte paracaktuar në zyrë.

* * *

Tani do të fillojë veprimtaria e tij në teatër. Në vitin 1643, në moshën 21-vjeçare, Molieri lë shtresën sociale të vet dhe përcaktohet për karrierë në skenë. Me t’u larguar nga i ati, lidhet me aktoren e shquar Madlenë Bezhar (Madeleine Béjart, 1618-1672), me të cilën më 1643 themeloi Illustre Théâtre (Teatri i Lavdishëm). Më vonë këtij teatri iu bashkëngjitën edhe vëllai dhe motra e Madlenës. Në vitin 1645 grupi i ri teatror bankrotoi. Për shkak të aftësive për aktrim dhe njohurive juridike, Molieri u bë udhëheqës i grupit. Për marrjen me qira të teatrit, grupi u zhyt në borxhe. Teatri ndodhej në fushën e sportit jeu de paume, një sport i ngjashëm me tenisin. Pronarit të teatrit i kishin një borxh prej 2000 livrash. Për shkak të borxhit Molieri u arrestua. Nuk dihet saktë se kush i lau borxhet: babai i tij apo dashnori i njërës prej aktoreve të grupit. Sidoqoftë, pas njëzet e katër orëve arresti me burg, u lirua dhe iu kthye grupit të aktorëve. Tani filloi ta përdorë pseudonimin “Molier”. Supozohet se ka qenë i frymëzuar nga një fshat i vogël me të njëjtin emër në Midë – emërtim kolokvial për Francën jugore, afër vendbanimit Le Vigan. Është e mundur ta ketë ndërruar emrin për ta mbrojtur babanë nga turpi se ka në familje aktor.

Nën sundimin e mbretit të Francës Luigjit XIV (Louis XIV, 1638-1671) shteti më nuk i nënçmonte aktorët si dikur. Megjithëkëtë, vazhdoi të ndalonte varrosjen e tyre ditën.

Shënim: Luigji XIV sundoi në vitet 1643-1715. E quanin Luigji i Madh (Louis le Grand) ose Mbreti i Diellit (Le Roi Soleil).

* * *

Pas arrestimit, ai dhe Madlena, me grupin e ri teatror e filluan turneun nëpër provincën e Francës. Atje luante role dhe filloi të shkruajë farsa e komedi intrigash sipas mënyrës italiane. Kjo zgjati 12-13 vjet. Në fillim të këtyre viteve u angazhua në trupën e Sharl Dyfrenit (Charles Dufresne, 1611-1684). Më vonë e themeloi trupën e vet. Duke korrur sukses me trupën, Molieri siguroi sponsorimin e dukës së Orleanit, Filipit I (Philippe I, d’Orléans, 1640-1701, vëlla i Luigjit XIV). Nga ajo kohë janë ruajtur disa shfaqje. Më të rëndësishme janë “Çamarroku ose çdo gjë në kohën e vet” (L’Étourdi, ou le Contretemps) dhe “Doktori i dashuruar” (Le Docteur amoureux). Në to Molieri u largua nga ndikimi i madh i improvizimit italian të commedia dell’arte* dhe tregoi prirjen e vet për qesëndisje.

Shënim: Në epokën e renesancës shumë komedi u shkruan sipas modeleve klasike të cilat respektoheshin me përpikëri. Kjo formë e komedisë diturake dhe tradicionale e quajtur comedia erudita, nuk i përgjigjej më shoqërisë së ndryshuar dhe njerëzve me pikëpamje krejt të tjera. Si kundërshti e komedisë së tillë dhe bazuar në teatrin popullortë zhvilluar, zhvillohet në Itali commedia dell’arte e cila shtrihet në shekujt XVI-XVIII. Ky lloj komedie ndikoi edhe te Molieri, Shekspi