top of page

Zgrip


Zgrip

Nga Fatmir Terziu


Në ëndrrat e mia ti je një vend i veçantë,

i lashtë, i magjishëm, i dashur, i zjarrtë,

dhe vetëm magjia e diellit kur perëndon

mbi trupin tënd më dëshmon flakët.


Njerëzit e mi. Të tutë banorë

të gjithë fëmijët janë në prush

bërtasin, ikin, zhurmojnë,

askush nuk i dëgjon, askush.


Natën ndodh sikur jam një Sodom

duke u djegur vetvetiu nga gjykimi,

engjëjt janë vizitorë, që vijnë dhe shkojnë

më ushqejnë zjarrin si shenjë mallkimi.


Të gjitha gratë e e këtij vendi bërtasin,

shemben gjokse nënash të thinjura përditë

vajzat me ëndrra të këqija vikasin,

edhe ëndrrat kanë mbetur në zgrip.


Të gjithë burrat e këtij vendi qeshin,

në mbeturina kërcet dominoja e vogël,

halleve nuk duan t'ua vënë veshin

dëfrehen si ushtarë në lojën lodër.


Natën zogjtë e e këtij vendi çirren,

ndaj njerëzit mbajnë qirinj të ndezur

mes zjarreve në sy lutjet thirren

të shpëtojnë këtë vend të vdekur.


Ata luten për kokën, për satanain, të vdekurin,

lutje për shenjtorët që u pushtuan zyrat,

e brejnë me dhëmbë edhe hekurin,

por e verdha ua ka mbuluar fytyrat.


Ai tashmë është një vend i brishtë,

vuajtjet kanë mbetur të shkruara në letër

në mëshirë të këtij fati të trishtë

boja e shenjtorëve vetëm ndërron emër.


Ndaj pritet të vijë bariu i premtuar nga lart,

në këtë vend ku është përmbysur tryeza,

se këta shenjtorë duan ta fshijnë në hartë

duke i përzënë banorët si të ishin delet e zeza.

21 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page