
Pemët
Fatmir Terziu
Ai është një pemë,
Ajo është hija e tij.
Pa arsye nuk zbehen.
Nga qukapiku pema merr ndonjë rrënkim,
që nuk i sjell hijes asnjë përfitim.
Në fund të fundit, është një pemë Ai,
Ajo është hija e tij.
Hija thjesht është një kopje e tij,
pa ngjyra, pa larushi.
Pranvera është stina e preferuar e pemës,
siç e dini arsyen e veçantë të vetë jetës.
Është fiksuar në një vend të vërtetë,
me mundësinë të lëvizë majtas dhe djathtas,
në sinorin e tij që i jep jetë.
I pëlqen drita e përditshme e shoqërisë së saj,
i mungon Ajo thuajse çdo natë.
Në fund të fundit është një pemë Ai,
Ajo ka mbetur thjesht hija e tij.
Netëve në një pikë treten,
pa arsye nuk zbehen.
Për ta është shkruar që herët,
qëkur Toka u zgjua nga pemët.
Ndaj pemët qëndruan,
poezi sikurse dihet,
që Ajo tokë i shkruan
për pyjet.
Zemra
Fatmir Terziu
Të pata
thënë
e
kam
një Shtëpi të Kuqe
dedikuar
për
Ty
qëkur ti u bëre muzë
për këta dy sy.
Çmenduri
Kur
Dashuria
nuk është
Çmenduri
Ajo
nuk është
Dashuri.
Pasqyrë
E juaja
poezi
është
kompletuar,
një e pastër
pasqyrë,
patjetër
nga
e juaja
vepër.