Fatmir Terziu: E zogjtë u stacionuan në sy
- 49 minutes ago
- 3 min read

E zogjtë u stacionuan në sy
Tregim
Nezir S. nuk kishte frikë nga vdekja. Ajo i dukej si një kthim i vonuar. Një tren që nuk e kishte humbur, as kur ngiste mallrat nga Elbasani në Gur të Kuq, as kur … eh, e kishte kuptuar se që e kishte shtyrë vetë për vite me radhë. Tani, kur ora kishte ardhur, gjithçka dukej e rregullt, e sistemuar, pothuajse e butë. Vdekja nuk ishte më një rrëzim, por një procedurë, një formular i plotësuar me kujdes, një zë i regjistruar që nuk i përkiste më plotësisht atij. Ai ecte ngadalë nëpër qytet, si dikush që nuk kishte më nevojë të nxitonte për asgjë. Rrugët ishin të pastra, të qeta, tepër të përsosura për të qenë të vërteta. Halat e pishave buzë Kalasë nuk bënin zhurmë, pemët nuk merrnin frymë, dhe ajri, ah ajri nuk mbante asgjë me vete. Asnjë aromë, asnjë kujtim të fshehur. Vetëm një boshllëk i lehtë, i përpunuar me kujdes nga teknologjia.
Ai u ndal pranë një pishe dhe mbylli sytë. U përpoq të kujtonte aromën. Por kujtesa ishte bërë si një fotografi e zbehur, e saktë në formë, e vdekur në ndjesi.
“Si ia shpjegoja dikur djalit…” murmuriti, dhe fjalët i mbetën pezull.
Ai e ndjeu papritur se e gjithë jeta e tij kishte qenë një përpjekje për të paralajmëruar, për të thënë, ndaluni, për të treguar se rruga që ndiqnin nuk kishte kthim. Por askush nuk kishte dëgjuar, dhe tani, kur gjithçka ishte bërë e përkryer, gjithçka ishte edhe e humbur. Qielli sipër tij ishte i qepur, ai e dinte këtë, nuk ishte më qiell, por një riparim, një korrigjim i dëshpëruar i një gabimi shumë të madh për t’u pranuar.
Ai ngriti kokën dhe për një çast i dukej sikur po shihte përtej tij, si dikur në majë të lokomativave, por tani nuk kishte më asgjë për të zbuluar, vetëm boshllëk, vetëm vetmi që zgjerohej në të gjitha drejtimet.
“Universi është bërë nga vetmia,” i erdhi mendimi si një jehonë e letrës që kishte shkruar, dhe në atë çast ai e ndjeu këtë si peshë. Letra për babanë kishte qenë e lehtë, fjalët kishin ardhur vetë, si një rrëfim i vonuar që nuk priste më përgjigje, por letra për të birin kishte qenë një udhëtim i gjatë përmes vetes.
Ai nuk kishte ditur si t’i fliste një njeriu që jetonte përtej Tokës, një djali që kishte lindur pa aroma, pa bletë, pa kopsht, një djali që nuk e njihte tokën si prekje, por si koordinatë, dhe megjithatë ai kishte shkruar për vetminë, sepse vetëm ajo ishte e njëjtë kudo. Ai kishte menduar gjatë, eh, si ndryshon vetmia kur hapësira zgjerohet? A bëhet më e hollë, më e lehtë, apo thjesht më e pafund?
Dikur vetmia kishte pasur kufij, mund ta mbaje në dhomë, në një rrugë, në një qytet, mund ta zbusje, por tani ajo ishte bërë si kozmosi, pa qendër, pa skaj, dhe ai, një njeri i vjetër, nuk kishte më forcë të jetonte në një dimension kaq të madh. Kur arriti te Zyra, nuk ndjeu asgjë të veçantë, as frikë, as lehtësim, vetëm një qetësi të hollë, si një perde që bie pa zhurmë. Vajza e priti me të njëjtën buzëqeshje të butë, kishte diçka të papërpunuar tek ajo, diçka që nuk ishte standardizuar ende.
Kur ajo e përqafoi, ai u shtang për një çast. Ishte një prekje e vërtetë, e rrallë sa një relike.
“Ai do të vijë,” tha ai më shumë për veten sesa për të.
“Po,” u përgjigj ajo me një siguri që nuk kërkonte prova.
Jashtë, mbrëmja kishte filluar të zbriste, drita fosforeshente e qytetit ndizte konturet e gjërave, por nuk u jepte shpirt, njerëzit kalonin pranë njëri-tjetrit si projeksione të buta, të përsosura dhe të padukshme në thelb. Nezir S. u ndal për herë të fundit, ai nuk e dinte nëse ishte lodhur apo thjesht kishte arritur. I ngriti sytë dhe atëherë ndodhi diçka e çuditshme. Në hapësirën e shikimit të tij, në atë kufi të brishtë mes reales dhe kujtesës, filluan të shfaqen zogj, si formë e plotë, si prani, si një lëvizje e lehtë, një rrahje krahësh që nuk bënte zë. Ata nuk fluturonin, ata u ndalën, u stacionuan në sytë e tij, dhe për një çast të gjatë, shumë të gjatë, ai nuk pa më qytetin, as qiellin e qepur, as kapsulën që e priste, ai pa vetëm fluturimin që kishte humbur dhe ndjeu, ndoshta për herë të fundit, se diçka ishte ende gjallë brenda tij. Pastaj gjithçka u bë e qetë, si një fjalë që nuk ka më nevojë të thuhet. E zogjtë u stacionuan në sy…








Comments