top of page

Yllka Filipi: METAMORFOZA E PENËS SË GRUAS



Dr. Yllka FILIPI     

 

Ajo është më e çmuar se rubini, asgjë tjetër nuk mund të krahasohet me të. Jetëgjatësia rrjedh në dorën e saj të djathtë, në të majtën qëndrojnë pasuritë dhe nderi. Mënyrat e saj janë të pëlqyeshme dhe të gjitha rrugët e saj të çojnë në paqe. Ajo është pema e jetës së atyre që e njohën; dhe ata që e vlerësuan, shpejt do të bekohen. (Psalm 3:15-18)

 

     Ashtu si në ëndërr, nën një aureolë shtojzovallesh, veshur në të bardha, me leshërat e derdhura të një drite qiellore, kapur dorë për dore duke hedhur rreth e rreth vallen e metaforave, vijnë poeteshat që nga lashtësia, pa ndryshuar asnjë fije floku, përkundrazi, duke u bërë më të bukura, më të dhembshura, e pothuajse krejt të pavdekshme, njësoj si Perënditë. Në cilën fazë të evolucionit është sot pena femërore e zbritur si nga qiejt, drejt kësaj qasjeje?

   Po t’i referohemi personazheve femërore biblike, bota e gruas është dëshmi e forcës shpirtërore që ka tronditur botën sot e mijëra vjet. Ruth dhe Naomi, dy karaktere të jashtëzakonshme, simbol i vetësakrifikimit, dhe dashurisë njerëzore; gruaja që lutej Elizabeta, kushërira e Marisë, simbol i bindjes në Zot, fuqia e lutjes të së cilës luajti rolin e vet thelbësor në vendosjen e embrionit në mitër dhe ngjizjen e Shpëtimtarit të Njerëzimit, Jezus; Hannan, simbol i besimit shpirtëror në fuqinë supreme, një grua e fortë që la pas mësime të çmuara për jetën njerëzore. “Bija mbretërish ka në shpurën tënde, një mbretëreshë në të djathtën tënde qëndron, stolisur me ar Ofiri.” (Psalmet 45:10-11 )

    Në sintezën e civilizimit shoqëror, sipas Morgan që nga Greqia e Roma e Lashtë e deri tek qytetërimi Australio-Amerikan, është klasifikuar, evidentuar dhe vënë dukje progresi njerëzor që nga etapa e parë: 1-primitivizmi (savegery), 2- barbarizmi (barbarism/epokat e errëta) dhe deri tek  3-qytetërimi i vërtetë (civilization of urban society and agricultures). I bazuar mbi veprën e Morgan,  babait të sociologjisë amerikane, Frederick Engels 1* i përmblodhi këto 3-etapa të rëndësishme duke hedhur dritë mbi zhvillimin e familjes e rrjedhimisht mbi figurën e gruas, rolin e saj në familje, pronën private dhe shtetin. Johann Jakob Bachofen 2* dhe vepra e tij frymëzoi shumë kërkime dhe shkrime mbi këtë çështje, e megjithatë argumentet që solli nuk e mbështetën dot mjaftueshëm teorinë e tij. Në një kohë kur shoqëria patriarkale dominonte, nevoja për të përqasur aspektin femëror të Perëndeshave dhe qënies njerëzore u bë reale. Antropologu dhe

sociologu zviceran, i mirënjohur për mbrojtjen dhe përkrahjen e teorisë së matriarkatit në veprën e tij si edhe rolin e gruas në shoqëri në periudhën e antikitetit, solli në vëmendje Perëndeshat e hershme si Afërdita dhe Demetra, figura këto frymëzuese në kulturën e antikitetit. Sugjerimi i tij se shoqëria duhej emancipuar duke sjellë modelin e Perëndeshave femra të cilat duhej të zevendësoheshin me versionin e gruas tokësore ishte nevojë dhe ekzaltim. Ky vlerësim i lartë për figurën femërore dhe sidomos për gruan krijuese ka mbërritur po aq i fuqishëm edhe në ditët tona. Nëpërmjet perceptimit tejet origjinal, ato të ashtuquajturat, Poeteshat, Muzat, ose Perëndeshat e Bardha, sipas veprës së  Robert Graves 3* mbajnë një vend dinjitoz, midis Qiellit dhe Tokës, sikur duan të bashkojnë dorën që lutet për ndihmë të njeriut me dorën që i vjen në ndihmë, Zotit. Kjo vepër ka frymëzuar edhe një mori autorësh dhe librash të tjerë: Margaret

St.Clair, Philip Hose Farmer, Joan de Vinge, të magjepsur nga imazhi i Perëndeshave Tokësore.

   Autorja Kara Kooney, në veprën e saj Kur Gratë Sundonin Botën,  risjell në kujtesë Nefertitin e Dinastisë 18 (1350-1295 B.C), si edhe Kleopatrën (69- 30 b.c), dy stereotipe, bukuritë e të cilave ishin të pavdekshme, por jo vetëm; ato zotëronin  një aftësi të jashtëzakonshme femërore për të deshifruar shprehjen e fytyrave të burrave. Egjyptianët e lashtë mjeshtërisht e përdorën  këto fuqi femërore për të shmangur gjakderdhjen dhe luftën në periudha krizash të mëdha, duke bërë të mundur të lënë pas një trashëgimi kulturore më shumë se 3.000 vjeçare.4*

   Në epokën e lashtë ilirike gratë janë konsideruar të fuqishme për të marrë përsipër transaksione të larta shtetërore njësoj si burrat. Dëshmitë me mbishkrime në pllaka  dylli e vërtetojnë më së miri një gjë të tillë. Shembulli më i mirë është Mbretëresha e Deteve, Teuta, (230 B.C) e cila udhëhoqi me dinjitet, forcë e mençuri shtetin, pas vdekjes së të shoqit, mbretit Agron. Ulje-ngritjet historike gjatë epokave të arta të lulëzimit apo të degradimit shoqëror kanë treguar se forca e gruas ka ditur të triumfojë. Pra, një tjetër këndvështrim shumë më largpamës ka sjellë historia duke hedhur poshtë përceptimin e ngushtë aristotelian sipas të cilit

“Gruaja është thjesht një vegël me shpirt:”5*

       Megjithë dritën që derdhet nga shekujt gjatë epokave të ndryshme të historisë për kontributin e jashtëzakonshëm të fuqisë shpirtërore të gruas për të qeverisur familjen, shoqërinë e shtetin, raporti matrio-patriarkat, ende mbetet i pabalancuar edhe në kohët moderne.

      Të privuara nga të drejtat mbi pronën, studimin, pjesëmarrjen në jetën shoqërore, privilegj ky i rezervuar vetëm për burrat, figura e gruas u denigrua në mesjetën e errët, e vazhdoi deri në fillim të shek.XIX në Francë 6*, ku i duhej ende të mbulonte kokën me shami, kur dilte në publik, ndërkohë që në disa krahina të Gjermanisë burri ende gëzonte të drejtën edhe ta shiste gruan. Në fillim të shekullit XX, gruaja nuk gëzonte të drejtën e votës jo vetëm në Evropë, por edhe në shumicën e shteteve të Amerikës. Gratë e martuara nuk kishin kontroll mbi fëmijët e tyre, ndërkohë që ende në ditët e sotme gruaja akoma privohet nga e drejta për të qenë e barabartë me burrin.

      Porse, vizioni i shekullit  dhe mijëvjeçarit të ri ka tjetër perspektivë për gruan. Udhëheqësja që revolucionarizoi këndvështrimin mbi figurën femërore, Betty Friedan evidenton se: Edhe pse Frojdi dhe bashkëkohësit e tij e konsideruan gruan inferiore,  (e tillë nga Zoti apo ndryshe, vullneti i natyrës), shkenca ende nuk e ka vërtetuar një pikëpamje të tillë deri më sot. Inferioriteti të cilin ne njohim ishte shkaktuar nga mungesa e mundësisë për t’u edukuar, si edhe të qenurit nënë, e kushtëzuar nga lindjet e rritja e fëmijëve. Sot, kur inteligjenca e gruas është provuar shkencërisht, kur aftësia për të  qenë  e barabartë me  burrin në çdo sferë të jetës, përveç forcës së muskujve, është demostruar botërisht,  teoria eksplicite se gruaja  është inferiore nga natyra, nuk është gjë tjetër, veçse hipokrizi.7*

     Por perspektiva dhe restrospektiva historike e artit të krijimit nëpërmjet fjalës, dëshmon se forca e gruas është e jashtëzakonshme. Pena krijuese dëshmon se fuqia e shpirtit të gruas kuron plagët e njerëzimit, ter lumenjtë e dhimbjes dhe i jep ngjyra botës, jeta bëhet më e paqtë, më e magjishme. Poetesha e antikitetit grek Sappho 8*, (e lindur më 610 B.C.) e mirënjohur për poezinë e saj të ndjerë dhe e quajtur shpesh Muza a Dhjetë, është vlerësuar për aftësinë e jashtëzakonshme të vargut të saj për të impresionuar lexuesit me butësinë e një ndjenjë të pastër e të gjallë të personalitetit të saj krijues. Si krijuese, vepra e saj shpalos një përspektivë unikale në ndjeshmërinë e botës shpirtërore dhe përvojën e gruas gjatë kohës kur ajo shkroi.

      Por, ulje-ngritjet mbi figurën e Perëndeshave tokësore, kanë origjinë më të hershme. Nëse do t’i referohemi antikitetit, perandori romak dhe filozofi i stoicizmit Marcus Porcius Cato (234-149 B.C), në retorikën e tij ai ka vënë në dukje se i trembej forcës shpirtërore të gruas. Shkrimtari i parë i prozës latine, pas një proteste masive të grave në kërkim të të drejtave të mohuara, bërtiti fort: “Nëse ato fitojnë tani, çfarë force mund t’i ndalë më tej? Sapo të barazohen me burrat , menjëherë do të bëhen superiore. 9* Polidimensionaliteti i figurës femërore në art e letërsi, ka sjellë një mbivendosje kuantike të shtresave e impulseve letrare të përcaktuara nga rrjedha e shekujve. Grimcat shpirtërore të çdo krijueseje grua të mbivendosura në sistemin kohor që rrjedha e shekujve ka formësuar sipas ndryshueshmërisë së gjendjeve është e ngjashme me valët dhe frekuencat e rrezatimit shpirtëror, asociuar kjo me gjatësinë e një vektori universal, dashurisë për krijimin, si mbi/krijesa e lindur për të krijuar jetën. Një thërrmijë e vetme e shpirtit të gruas mban mbi supe potencialin 3-dimensional të valëve që harmonizohen me energjinë më të lartë dhe një konstante të origjinës së lashtë të rishkallëzuar në një dimension të paarritshëm nga i gjalli. Rrahja e zemrës së gruas“ …më e çmuar se margaritarët, vlera e saj” (Fjalët e urta 31:10-31)

      Madje deri në shekullin e XIX  studiuesit burra në Evropë nuk  e konceptonin dot lidhjen e gruas me letërsinë, e pavarësisht se statuja e  më hershme e një gruaje me një libër në prehër,  (rreth 2112-2004 B.C), dëshmon simbiozën grua-letërsi, pena mashkullore lidhur me këtë çështje ishte e paqartë. Autorja më e hershme e njohur deri tani, poetesha novatore Enheduanna, e bija e mbretit Sargon të Akadit, ishte (prijësja shpirtërore), priftëresha e lartë e Nannnas, nga Mesopotamia e largët. Nisur nga një perspektivë tejet personale,  çka e bën veprën e saj unike, Enheduanna (3400-2000 B.C), shkroi “Himn për Inanna.”*10, himni më shumë se një mijëvjeçar, përpara Homerit, mbi 3-pllaka balte, (* Yale Babilonian Collection),  me shkrimin kuneiform, (sistemi më i vjetër i shkrimit). Vepra e  përbërë nga 3- pjesë, daton  në periudhën e vjetër të   Babilonisë, (rreth 1750 B.C). Edhe pse Enheduanna, renditet, si e para shkrimtare në historinë e njerëzimit e cila shkroi e kompozoi rreth 42-hymne për  Perënditë,  ende derdhet mjegull mbi autorësinë e saj. Poema  “Hymn për Inanna.”, e  cila u rizbulua nga arkeologët britanikë  më 1927, shpalos një buqetë lavdërimesh për Perëndeshën e Dashurisë, Luftës, e Pjellorisë. Enheduanna e mbrojti të drejtën e autorësisë së saj me ngulm e ndër të tjera autorja i lutet Perëndeshës të kontribojë mbi rolin, fuqinë dhe rëndësinë e gruas në shoqërinë patriarkale. Enheduanna e konsideron aktin e krijimit të një vepre letrare me aktin e lindjes dhe sjelljes në jetë të një fëmije. (Zonjë e të gjitha esencave, dritë e plotë/… unë  linda, oh, e madhërishmja Zonjë,/ këtë  Këngë Për Ty.)

     Një pjesë e korteksit inspirues që del vetëm nga dora dhe pena e gruas, tashmë i aktivizuar prej aftësive ripërtëritëse të trupit dhe shpirtit femëror, ndez dritën e të menduarit dhe imagjinatës si dy procese të afërta dhe rrjedhimisht të ngjashme. Lev Simkhovich Vygotsky vë në dukje se në origjinën strukturore dhe funksionimin e aspektit integral të të menduarit, veçanërisht atij krijues, është shpjeguar se procesi i të menduarit përfshin edhe parashikimin, pra ngjarje të parashikuar. Vygotski besonte se aftësia njohëse e trurit njerëzor nuk është e përcaktuar nga faktorët biologjikë, por ajo merrte formë, skalitej e forcohej nëpërmjet procesit të bashkëveprimit të kulturës dhe mjedisit shoqëror të individit. 11* Pra, kur themi individ nënkuptojmë jo vetëm burrin, por paralelisht e denjësisht edhe gruan.

    Duke folur për ligjin e realitetit emocional të imagjinatës, manifestimi kryesor i të cilit, shfaqet si derivat i proceseve njohëse, ndijimit dhe perceptimit për të gjetur një emërues të përbashkët midis dy realiteteteve, atij shpirtëror (aktivizimi i materialit energjik dhe shpirtëror të qënies (imazhi imagjinar, riprodhimi i formave, zgjimi i ndjeshmërisë, dhembshurisë), me realitetin e jashtëm, (tentimi, motivimi në gjetjen e forcës së brendshme dhe format e saj për të ndryshuar ose përshtatur imazhin e imagjinuar me jetën reale), na orientojnë drejt manifestimit të një përpjekjeje reflektive mbi krijimin ose rikrijimin e një rezultati përfundimtar, (nëse ka), ose fare pa rezultat, si përpjekjet boshe në pikturimin e ëndrrave utopike, nënndërgjegja e përpunimit të shumëllojshmërisë së informacionit në një formë imagjinare apo e fantazisë së pavullnetshme (halucinative), si efekte hipnotike nga një produkt mbi vetëdijen e ndryshuar. Një pjesë e konsiderueshme e procesit krijues përfshin aktivitetin e orientuar të imagjinatës arbitrare ku krijuesi është plotësisht i vetëdijshëm për motivet dhe qëllimet e krijimit të vullnetshëm të imazheve, pra një fantazi në “gjendje zgjuar” e krijuesit/krijueses artistit/-es, (si t’i teket), me karakter riprodhues e riformësues mbi besimin në mundësinë e realizimit të imazheve a situatave të krijuara si aftësia që ndërlidh kushtet strukturore, kulturore dhe historike në një sekondë të vetme, ku pulson shpirti. Procesi i krijimit si një inisiativë shpirtërore për të shpërbërë, hidrolizuar produktin imagjinar individual i cili kalon nëpërmjet një filtrimi racional në vrazhdësinë e realitetit duke e transformuar lëndën bio- molekularo- emotive të shpirtit të thyer, në zëvendësim, eleminin ose copëtim nukleofilik të mjedisit ku gjallon gruaja si krijuese, rezulton në një reaksion purifikues (katarsis) të bashkësisë njerëzore në lojën virtuale 3-dimensionale (autori/lexues/vepër).

    Pushteti femëror në artin e fjalës si tendencë për t’i shpëtuar rrethit postmodern të  vdekjes apo përkohësisë synon një  kah të vetëm, shenjëzimin e trajektores së  jetës.  Këtë  gjë e fakton ekzistenca semiotike si narrativë e fjalës, nëse i referohemi Fointanille.12* Dekodifikimi i alkimisë së penës së gruas si pjesë organike e qenësisë, biologjikisht e brishtë dhe e dhembshur,  nuk është një maratonë në kthim. Dora që  përkedhel stuhitë e fashit zjarret  në netët   bartolemeane, mjeshtërisht ripërtërin lakonizmin e të gjithë  postulateve filozofike të njerëzimit, diklishetizon duke rrokur  dimensione te reja receptive, pa pasur asnjëherë nevojë të trillojë lashtësitë e ekzistencës së saj si krijuese në vetvete. Në rrjedhën e arkeo-paleologjisë së historisë së kombeve, gruaja  ka qenë, është dhe do të jetë krijimi, në formën e tij më të lartë.

     Për sa i përket penës femërore në letërsisë shqiptare vlen të konsiderojmë  shek. XIX-XX, 13* e të përmendim Kristina Xhentile Mandalas (1856-1919) e cila mblodhi e  botoi përralla  arbëreshe. Gjithashtu, në Kalabri, rezulton një përmbledhje modeste me vjersha arbërisht nën titullin “Canti’ e cila daton në vitin 1917, me autore Maria Antonia Braile. Në qarqet letrare të diasporës arbëreshe spikatën  motrat Qiriazi, Sevasti Qiriazi-Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970) që ngritën shkollën e parë shqipe të vashave, hartuan tekste shkollore, nxorën revistën “Ylli i mëngjesit” në SHBA. Por  talenti letrar që spikati e bëri emër në letërsinë shqiptare, ishte ai i Musine Kokalarit (1917-1983). Zëri unik u dëgjua gjerësisht në letrat shqipe me veprat: “Sa u tunt bota” (1944) dhe “Rreth vatrës” (1944).  Ndërkohë dorëshkrimi “Kolla e vdekjes” dëshmon panoramën më të dhimbshme të  jetës dhe pozitës së rëndë të gruas në shoqërinë patriarkale shqiptare të asaj kohe.  (… ) një zë i ngjirur që duhej të kishte thirrur dikur, pa lindur ende, po, po, atë të shkaktonte në shpirt, thirrjen. Mjerimin pasqyronte duke ngjarë edhe vetë e mjerë…e drejtpërdrejtë, si ngjarjet në rrugë, (...) rrëfime që kanë terr dhe uri… 14*   

 

    Pena e krijueseve si ekzistencë e artit femëror,  ka trandur themelet e rrepta të patriarkalizmit e dominancës mashkullore duke u shpërfaqur  si kronotop kohor e hapësinor Bakhtian për t’u bërë domosdoshmërisht zëri masiv i qenies që bie nga kohërat e vjetra të njerëzimit që shfaqën nevojën e vazhdueshme mbi  risemantizimin e simbolikës së fronit të shenjtë të letërsisë jo vetëm shqiptare, por  mbarë botërore,  ku duhet të ulet denjësisht edhe  kryesema -grua.

   Natyrshëm vjen aftësia për të eksploruar ekstazën e mahnitshme të procesit krijues nëpërmjet penës së gruas së kohërave moderne, por vetë koha le ta bëjë hapin e parë. Aty, ku mendimi ekzaltohet dhe truri pulson në ujërat e kthjellëta të gjendjes fjollë që derdh e bashkon të gjithë lumenjtë në detet dhe oqeanet e fuqisë krijuese të gjithanshme femërore, vetëm aty shfaqet shpresa  e rrjedhës së kanalizimit të energjisë kinetike drejt artit të fjalës që ka forcën të lejë gjurmë.

   Bota shpirtërore e gruas, ashtu siç Zoti deshi dhe e krijoi, shpalos gjithë udhëtimet historike të protagonisteve, të cilat guxuan të sillnin ndryshimin e madh në shoqërinë e çdo kohe, imazhe këto që janë pasqyruar me simbole dhe tipografi të larmishme figurative, pasi në vetvete gruaja është e vërteta (Wendy Brown). Nga cilido shkëmb e çdo lartësi nga ku i ka hedhur jeta perëndeshat e penës, kanë rënë për t’u ngritur, janë vrarë e nuk kanë vdekur, kanë krijuar epokë. Duke i krijuar Zotit, pa e ditur, mundësinë  “të kënaqet me bukurinë e paprishshme të një shpirti të bukur dhe të qetë.”  (1Pjetrit 3:4) 

 

 

________________________________________________________________________

 

 

1. Engels, Friedrich, 1884, The Origin of the Family, Private Property, and the State,

Pathfinder Press, p.27,36,381.

2. E. Bachofen, Johann Jakob, [1861], Mother Right: A Study ofthe Religious

and Juridical Aspects of Gynecocracy in the Ancient World. (English Translation

of Das Mutterrecht). Edwin Mellen, 2006

3. Robert Graves The White Goddess: A Historical Grammar of Poetic Myth,

Publication Date: 1966

4. Kara Kooney, When Women Ruled the World, National Geografic, Washington D.C, p.317-379 (përkth. i autores)

5. Padia, Chandrakala, Platoni, Aristoteli, Rusoi dhe Hegeli mbi gratë: një

kritikë, The Indian Journal of Political Science 55.1 (1994): 27–36.

7. Betty Friedan, The Feminine Mystique, 50 years, W.W.Norton  & Company, New York, London,1974, p.130

10. Becky Little, The Early Known Author, Washington D.C.https://www.history.com articles,  Feb.22.2023

11. Kruthi Pedapati, (August 1, 2022), Piagetian and Vygotskian Concepts of

Cognitive Development: A Review, (PDF). I. J.of M H, 9 (3).

12. Jasques Fontanille, Les Spaces subjectifs, introduction à la sémiotique de l'observateur, Hachette, Paris, 1989, p.348

13. Nasho Jorgaqi, Zërat e Parë Femërorë të Letërsisë Shqipe, Tema, Tiranë, 27 maj 2018

15.Visar Zhiti, La Mia Vita Universitaria, e Musine Kokalarit, Viella, Romë, 2016 (parathënia))

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page