top of page

Albert HABAZAJ: PIKËPAMJE TË DISA STUDIUESVE TË NAIMIT MBI PERSONALITETINDHE VEPRAT E TIJ



 

Hyrje

Për jetën dhe veprën e Naimit janë shkruar shumë monografi, janë zhvilluar konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, kombëtare dhe ndërkombëtare. Naimi pati tri burime të kthjellëta, ku piu ujë frymëzimi: poezinë popullore, poezinë e Lindjes dhe atë të Perëndimit. I njihte mirë, por i tejkaloi revolucionarisht bejtexhinjtë. Ndërkohë në poezinë e tij vërehen ndjeshëm figurat letrare si personifikimi, simboli, epiteti, hiperbola, krahasimi dhe metafora me prejardhje folklorike, dhe pati sukses, sidomos me apostrofën. Ai jetoi e veproi në shekullin XIX kur vetë koha të orientonte për veprimtari letrare, diturore, politike e atdhetare me kontekst kombëtar, jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan e më gjerë. Ndoshta kjo hulli e lëvizjes kombëtare i pëlqente shumë poezitë e Naimit. Ai u ndikua nga folklori, por pa dyshim edhe vjershërimi i tij ka ndikuar në poezinë popullore. Sot e kësaj dite këndohen pjesë të teksteve të tij poetike në krahina si Kruja, Skrapari, Gramshi, Korça, Pogradeci, Manastiri, Krutja e Sipërme, Labëria, etj.

 

1. Burimet nga historia e letërsisë shqiptare

1.1. Faik Konica. Kujtojmë se Faik Konica ka dy qëndrime për Naimin, njërin pozitiv dhe tjetrin negativ, apo “tallës” siç e quan vetë Konica. E vlerëson shumë si atdhetar dhe shkruan për të: “...një dashës i thellë i Shqipërisë, i cili, si zgjonjës i Kombit, bëri shërbime të pavdekura edhe ka pakë shokë në historin’ e rilindjes s’onë.”[1]. Po aty, duke pasur koncepte të larta për vjershërimin, ai nënvizon se vjershësia është mjeshtëri e bukur, një art, se vjershësia është sheshi i cilësisë jo i sasisë, se shkrimi i vërtetë i kursen fjalët, se shkrimi i vërtetë i zgjedh fjalët, se shkrimi i vërtetë, në varg a në frazë ka muzikën e veçantë të tij. “Duhet me tingullin e tij t’i pëlqejë veshit”[2] - shkruan Konica. Ai i quan vjershërimet e Naimit “një lumë të paqëndruar fjalësh të shtypura në formë vjershe, pallavra, tototo-e-tatata, që zënë një vënt me rëndësi në historin’ e lëvizjes kombëtare. Janë dokumenta propagande politike të vlefshme dhe asgjë tjatër”[3].

1.2. Dritëro Agolli. Dritëroi e ka dashur dhe e ka vlerësuar shumë Naimin, dhe ka shkruar në linjën e Naimit në kohë të re me individualitetin e tij krijues të përkryer. Agolli i drejtohet Naimit e i thotë: “Punove mirë, usta!” Neve na kujton se Naimi është fëminia e poezisë sonë, se ai shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse. Dhe më tej Agolli thekson se N. Frashëri është i pari në poezinë shqipe që krijoi poemën sintezë, poemën pa personazhe e episode, si Bagëti e bujqësia dhe Bukurija.

Nuk ka sesi një shkrimtar dhe njeri i madh si Dritëroi, i cili gati e adhuronte Naimin, të shkruajë qysh herët edhe këto vërejte të pakontestueshme: “Krahas vargjeve të shkëlqyera, do të gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime që nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut” [4].

1.3. Ismail Kadare. Kadarejaka bërë parathënien [5] e vëllimit me poezi e pjesë të zgjedhura të Naimit, me 181 f., ku janë përfshirë 81 njësi poetike, botuar në nderim të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndër të tjera, thotë se nuk mund të lexosh Naimin pa menduar Shqipërinë dhe kjo është cilësiae parë e tij, madhështia dhe fati i tij. Vepra e tij e gjerë e plot dritë, që mund të quhet pa frikë universi naimjan, ka në qendër të vet pikërisht atdheun dhe lirinë; poema Histori e Skënderbeut e Naim Frashërit do të ishte për rilindësit tanë si një kalë lufte. E vlerëson që diti të fluturojë bukur mbi gjeografinë poetike të poezisë orientale dhe asaj romantike perëndimore. Duke folur për kufizimet e veprës së Naimit dhe të rilindësve të tjerë, është me rëndësi të kuptojmë ç’ka shkruan Kadare: “Në fund të fundit, duke thënë kufizimet e tyre netregojmë se i nderojmë ata, ashtu siç do të tregonim mosnderimin tonë duke mos i përmendur ato” [6].

1.4. Dhimitër Shuteriqi. Pasi vlerëson se romantizmi shqiptar i arriti kulmet e tij me De Radën e me Naimin, ndalet edhe tek stili e Naimit, që, sipas Shuteriqit, shquhet nga ato veti të lirizmit të tij. “I thjeshtë e i ngrohtë, ai e afron lexuesin menjëherë, e bën të ndiejë ëmbëlsinë e një shpirti të përgjëruar, tek i cili rri ndezur gjithmonë një flakë dashurie për njeriun, dashuri, që së pari, e ndien lexuesi vetë” [7]. E ç’mund t’i kërkosh më tepër një poeti, një shkrimtari të madh për arritjen e misionit të tij nga ç’ka nënvizon prof. Shuteriqi për poetin tonë kombëtar?! Studiuesi me të drejtë ka vërejtur se me Naimin filloi në Shqipëri një periudhë e re në historinë e letërsisë dhe kulturës. Vepra e tij është si një gur themeli. Naimi krijoi një vepër poetike të gjerë e në kaq gjini, vepër që pati një ndikim aq të rëndësishëm e të paprerë mbi brezat e poetëve dhe shkrimtarëve që erdhën pas vdekjes së tij. Ajo vepër hyri ashtu edhe në bazën e gjuhës letrare shqipe, duke mbetur, edhe nga kjo anë, një vepër madhore [8]. Pa u hapur shumë, mund të lavdërojmë punën e profesorit në studimin e origjinës së vjershës Fyelli, sepse e shpie më tej atë ç’ka shkruan prof. Çabej, se ajo “është inspiruar” [9] nga një vjershë e Rumiut. Shuteriqi e quan “një rikrijim që s’e ndan dot nga vjershat origjinale të Rumiut”[10]. Naimologu i parë serioz shqiptar, prof. Shuteriqi ka lënë në dorëshkrim një varg veprash të papërfunduara, ndër to Fjalorin e Naim Frashërit, që u botua kohët e fundit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

1.5. Rexhep Qosja. Përpos sprovave të hershme, Qosja ka dy punime të rëndësishme për profilin e Naimit: Panteoni i rralluar dhe Porosia e madhe. Ndonëse jo botim i mirëfilltë kritik, edhe pse, siç u shprehëm, pati gjurmë të shkelura për një vështrim më sy më sy me veprën letrare të Poetit, punimet e shumta të kërkimit këmbëngulës të Qosjes për Naimin janë një bibliotekë më vete në funksion të Naimistikës. Akademiku merret me Poetin qysh me tekstin Historia e letërsisë shqipe. Romantizmi, veçanërisht në vëll. 3 (Prishtinë, 1986, kap. 10), në përmbledhjen Panteon i rralluar me studime, kritika, ese (Prishtinë, “Rilindja”, 1973, ribot.: Tiranë, Sh. B “Naim Frashëri”, 1988, f. 15-88), me monografinë Porosia e madhe, kushtuar veprës së Naim Frashërit, në tri ribotime (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1989; 504 f.; Prishtinë, “Rilindja”, 1990, 606 f.; Tiranë, Toena, 2000, 580 f.). Ndër të tjera mund të theksojmë se prof. Qosja ka përgatitur për shtyp veprën e Naimit dhe ka bërë parathënien e teksteve botuar në Prishtinë, në vitin 1978, sidomos ribot. 2 të plotësuar nga “Rilindja”, 1986, në 7 vëllime, nga të cilat, në vëll. 1: Ëndërrime, Bagëti e bujqësija, Dëshir' e vërtetë e shqipëtarëvet, Luletë e verësë, Dashuria, në 234 faqe; në vëll. 2: Vjersha për mësonjëtoret e para, Parajsa dhe fjalë fluturake, Fletore e bektashinjet, Shqipëria, Pellazgët-Shqipëtarët, në 194 f.; vëll. 3: Histori e Skënderbeut në 325 f.; vëll. 4: Qerbelaja, 291 f.; vëll.5: E këndimit çunavet këndonjëtoreja I, E këndimit çunavet këndonjëtoreja II, Istori e përgjithëshme për mësonjtoret të para dhe Istori e Shqipërisë, 240 f.; vëll. 6: Dituritë për mësonjëtoret të para, Gjithësia, Mësime, Katër stinët, Iliadhë e Omirit, Letërkëmbimi në 259 f. dhe në vëll. 7: Porosia e madhe: monografi mbi krijimtarinë e Naim Frashërit. Ky botim, që është përfshirë si vëllimi i shtatë në Vepra të Naim Frashërit, ka: në f. 7-14: Kronologjia e jetës, në f. 577-578: Bibliografia e veprave në gjuhën shqipe, në f. 579-593: Bibliografia kronologjike e shkrimeve mbi krijimtarinëe tij dhe në f. 595-601: Treguesi i emrave. Gjithashtu autori ka përgatitur për botim veprën e Naim Frashërin në 6 vëllime edhe në Tiranë, tek “Toena”, gjatë vitit 2007, ku përshihet poezia dhe proza, tekstet mësimore, letërkëmbimi në letërsi (letërsia epistolare), letërsia fetare bektashiane e tij, botuar në 1892 faqe. Vlen për t’u përmendur vëmendja që ai i ka kushtuar përmbledhjes me vjersha të shkruara në persisht: M(ehmed) Naim Frasari, Tahayyùlat, Mihran Matbaasu, Istanbul 1301 (1884); Naim Frashëri, vepra 1, zgjodhi e përgatiti për shtyp Rexhep Qosja, Prishtinë, 1978 (tok me Luletë e verësë dhe Bagëti e bujqësija.



1.6. Jorgo Bulo. Nga specialistët e fushës, gjykohet se Jorgo Bulo ka realizuar punimin më të plotë për Naimin, monografinë: Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit (Tiranë, “Shkenca”, 1999 në 199 f.), ku spikat kritika e mirëfilltë shkencore dhe interpretimi i poezisë lirike të Naimit. Ai e quan Naimin poet i ringjalljes kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve dhe veprat e tij formuese të ndërgjegjes gjuhësore të kombit. Ndërkohë ai shquan “dy paralele poetike: Rumiu dhe Naim Frashëri” [11], duke shprehur praninë e frymës dhe të motive të poezisë persiane, veçanërisht të poetit të madh mistik Xhelaledin Rumiut (1207-1273). Ndikimi i Rumiut ndihet në shumë prej lirikave të filozofike të Naimit. Është vënë gishti mbi lirikën Fyelli të Naimit, që vjen si frymëzim, e dikujt mund t’i duket edhe si një sozì, e poezisë së njohur antologjike Kënga e kallamit, e përkthyer në shumë gjuhë të botës, në disa syresh me titullin Kënga e fyellit. Nuk është rasti të bëjmë ballafaqime tekstore e zbërthime, se i kanë bërë të tjerët më parë, por vlen të ravijëzojmë parashtresën në formë hipoteze të prof. Bulos për këto probleme që hasen. Sipas tij, janë një tip i caktuar krijimesh të Naimit, që ne do t’i quajmë “vjersha me subjekt anekdotik”, (të dyshueshme për karakterin e tyre origjinal) e që duhet t’i përkasin të njëjtit burim, Rumiut. Në këtë kontekst, ne e lexojmë profesor Bulon kështu: Sot, si duket dhe në plotësim të merakut të profesor Cipos, qysh më 1936, i kemi mjetet të dallojmë ç’ka marrë hua Naimi dhe ç’është bijë e frymëzimit të tij. Këto vërejtje nuk e ulin aspak emrin e madh të poetit tonë kombëtar, përkundrazi e pastrojnë atë nga mjegullnajat dhe profili i tij quhet më i kthjellët, më poetik, më kombëtar, më universal. Në dy veprat e tij Magjia dhe magjistarët e fjalës (Tiranë, “Dituria”, 1998, me 324 f.) dhe Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit (e sipërcituar), akademiku shqiptar e shikon Naimin si poet romantik, që u dha flatra në poezi përsiatjeve për lirinë e shpirtit njerëzor dhe meditimeve ekzistencialiste për jetën dhe vdekjen, për qenien edhe mosqenien dhe për dhembjen njerëzore. Lirizmi filozofik dhe lirizmi poetik i Naimit, sipas Bulos, përfshijnë tërësinë e krajatës njerëzore; ai synonte të rindërtonte njeriun dhe të shprehte kompleksitetin e shpirtit njerëzor, luftën e përjetshme që zhvillon brenda tij midis engjëjve të së mirës dhe demonëve të së keqes, duke poetizuar anën fisnike të natyrës njerëzore, tek e cila shihte forcën dhe madhështinë e Krijuesit. Poeti, mendimtari dhe edukatori i kombit, Naimi ynë, tashmë nuk është vetëm më kombëtari, por dhe më universali poet i letërsisë shqipe edhe në një vështrim tjetër. Në radhë të parë ai është një fenomen ndërkulturor. “I ndodhur në kryqëzimin e kulturave dhe të traditave poetike lindore dhe perëndimore, ai i treti në poezinë e tij këto tradita dhe nuk mbeti skllav i tyre, as vetëm poet i shprehjes gjuhësore shqipe, por edhe persishte, turqishte e greqishte” [12] -kumton prof. Bulo në Konferencën Shkencore “Naim Frashëri - 160-vjetori i lindjes”, që i zhvilloi punimet më 25 maj 2006 në Universitetin “Ismail Qemali” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Institutin e Gjuhësisë dhe i Letërsisë.

1.7. Shaban Sinani. Ndër studiuesit e sotëm shqiptarë më të njohur, prof. Sinani kujdeset ta shikojë shëmbëlltyrën poetike dhe atdhetare të Naimit kudo ku shfaqet, me synimin e vetëm që poetin tonë kombëtar të njohim në plotëri, jo me pjesë të zgjedhura. Sinani e cilëson Naimin si Rumi shqiptar, ndërkohë që ka rezerva për njohjen thellë të poetit tonë. Sipas tij, kemi ende një këndvështrim të paplotë dhe pothuaj vetëm për letërsinë që ai ka shkruar në gjuhën shqipe.

 

2. Këndvështrime të studiuesve të huaj për Naimin

2.1. Seyed Ahmad Hoseini Alast për hijeshinë poetike të Naimit. Si një dijetar i kthjellët i kohës së re, profesori iranian Hoseini Alast e shikon profilin e Naimit miqësisht dhe me vërtetësi shkencore. Kulturologu i njohur na kujton se Irani ishte vendlindja e poezisë dhe e poetëve të mëdhenj, si Rudaki, Firdeusi, Hafizi, Sadiu, Moulana, Khajami, Atari, Naser Khosro, Bideli, Nazimi Ganxhaviu etj. Sipas tij, poezitë e poetëve të mëdhenj iranianë ishin kaq tërheqëse dhe të pasura dhe me përmbajtje kuptimplote e muzikalitet të këndshëm, saqë magjepsin poetët, letrarët dhe intelektualët e shkencave në Lindje dhe në perëndim të rruzullit tokësor. Studiuesi S. A. Hoseini Alast shkruan: “Pasioni dhe dashuria e poetëve dhe e njerëzve të mëdhenj të kulturës dhe letërsisë si Dante, Gëte, Monteskie, Naim Frashëri, Frazi Mostar, Ikbal Lahori etj., është dëshmi e këtij pretendimi” [13] Më tej, duke trajtuar bashkëveprimin qytetërues dhe shkëmbimin kulturor me Iranin e madh në kohën e Perandorisë Osmane, përmend Muhamed Naim Frashërin si tablo dhe simbol të fushëpamjes së këtij bashkëveprimi. Sipas studiuesit, Naimi përvetësoi me kaq mjeshtëri gjuhën dhe letërsinë perse, saqë sot, pas afro një shekulli e gjysmë magjeps lexuesit e tij, si ata iranianë, ashtu edhe ata shqiptarë. Studiuesi iranian e quan Naimin tonë poet të fuqishëm dhe, si duket, për kontributet e Naimit në iranologji, e cilëson mendimtar iranian dhe persishtfolës. Jo vetëm me hartimin e gramatikës së gjuhës së re perse u imponoi të gjithëve dominimin e mjeshtërisë së tij. Vepra Ëndërrime është dëshmia më e madhe e fuqisë dhe aftësisësë tij në letërsinë perse”. Quajmë shumë të rëndësishme qartësinë me të cilën S.A. Hoseini Alast shkruan: “Naim Frashëri në krijimin e poezive perse nuk ishte imitues, por as edhe amator, por një poet i thellë dhe i zoti dhe një letrar i gjithanshëm i fushës së gjuhës dhe letërsisë perse. Kjo specifikë dhe aftësi e tij bëhet shkas që një lexues i gjuhës perse të mendojë që autori i këtyre poezive është një poet dhe një letrar i madh iranian” [14].

3. Çfarë shkruan Robert Elsie për Naimin?

Vepra e kryerilindësit shqiptar ka tërhequr dhe vëmendjen e studiuesve perëndimorë. Studiuesi kanadez, Robert Elsie, pasi pohon se Naimi konsiderohet sot si poeti kombëtar i Shqipërisë, bën një udhëtim të shkurtër retrospektiv në fëmijërinë e autorit, bazat e shkollimit, formimin e tij arsimor dhe kulturor, ku nuhat dhe traditat shpirtërore të Orientit, me të cilat u gatua në vogëli, në teqenë e bektashinjve të vendlindjes, ndërtuar qysh në vitin 1781 nga Tahir Skënderasi (Nasibi Tahir Babai) në Frashër të Përmetit. Në gjimnazin “Zosimea” të Janinës “mori bazat e shkollimit klasik sipas sistemeve perëndimore” [15]. Në këtë gjimnaz prestigjioz e me emër, i krahasueshëm me një universitet për kohën, Naimi studioi greqishten e vjetër e të re, frëngjishten, italishten, si dhe gjuhët orientale privatisht. Sipas studimit të Elsie-t, kuptojmë se me kalimine viteve, frashërlliu e ndjeu veten më të afruar e të lidhur me fenë e tij panteiste bektashiane, me poetët klasikë persianë e me epokën e iluminizmit frëng. Arsimimi në Janinë e bëri atë shembull të shkëlqyer të një intelektuali osman të fundshekullit XIX të familjarizuar njësoj me të dy kulturat, me atë perëndimore e me atë orientale. Na duket se në kërkimet e tij studimore, Elsie i mëshon më tepër vëmendje kulturës fetare të poetit tonë të shquar, se sa botës poetike të tij, në lirikat romantike, ku qëndis me ngjyra shpirti vargje për natyrën e bukur shqiptare, për dhimbjet, hidhërimet, shqetësimet e gëzimet personale, familjare a sociale. Elsie na paraqet një jetëshkrim të mjaftueshëm, thekson tiparet e Naimit, si panteizmin e universalitetin, ku veçon sektin e fshehtë panteist bektashi, i cili mishërohej dukshëm në qenien dhe shpirtin e frashërlliut tonë si një besim liberal, si një fe e re, me rrënjë edhe në Kuranin e myslimanëve, edhe në Biblën e të krishterëve, dëshirë, që e gjejmë edhe në mesazhet që na vijnë nga vargjet e poezisë popullore “Dy këmbat mbajnë një urë/ të shkojnë turq e kaurë[16]. Naimi njihet botërisht për bindjet e tij bektashiane, të cilat i përsiati mirë në Fletoren e bektashinjtë (Bukuresht, 1896), ku përsëri ravijëzohen dallueshëm ngjyrat e forta kombëtare. Një tjetër vepër e kësaj natyre është Qerbelaja (Bukuresht, 1898) njëpoemë epike fetare shiite, me karakter narrativ, pa ndonjë hero ose personazh kryesor, me temë krejtësisht fetare, ngritur me njëzet e pesë këngë, që flet për betejën e përgjakshme të Qerbelasë, në vitin 680 të erës sonë, ku u vra Huseini, nip i profetit Muhamed.

Nga leximi i tekstit, shprehemi se Elsie e trajton me interes Naimin dhe mendojmë se e njeh mirë veprën e tij, të cilën e përmend me saktësi, duke respektuar kriterin kronologjik. Në këndvështrimin e tij, na paraqet panoramën e njohur letrare e diturore të naimiadës. Na duket se studiuesi i ka mëshuar më shumë letërsisë fetare të autorit, sesa asaj së mirëfilltës artistike. Diku Elsie shprehet: “Rëndësia e Naim Frashërit si poet i Rilindjes e madje si “poet kombëtar” qëndron jo aq në talentin e shprehjes letrare e as në nivelin artistik të poezisë së tij, sesa në mesazhet sociopolitike, filozofike e fetare që përcjell, të cilat synonin para së gjithash vetëdijen kombëtare dhe, duke ndjekur traditën bektashiane, të arrihej një kapërcim i ndarjeve fetare brenda vendit.” [17]. E respektojmë trajtimin që i bën Elsie si fetar në besimin e tij, por në rrafshin e letërsisë artistike do të na interesonte më tepër trajtimi deri në detaj i letërsisë naimiane, për të cilën ne e nderojmë. Nga që studiuesi përmend vetëm telegrafisht: “Ndër botimet në gjuhë të huaj,...[tri pikat janë tonat se vazhdon teksti, por nuk ka interes për ç’ka do të shprehim, A. H, M. M] Tahayyulat, Kostandinopojë 1884 (Ëndërrime), një përmbledhje 200 faqesh me poezi persiane; ... ”. Kaq. Të thuash që Elsie nuk e ka njohur këtë vepër të Naimit, nuk shkon, sepse pas 1971-shit të Tiranës dhe 1972-shit të Prishtinës, pati herë pas here botime, duke arritur tek botimet e “Toenës”, 2007, të “Naimit” 2012, me 143 faqe, shqipëruar dhe shpjeguar nga Vexhi Buharaja, me një hyrje të botuesit Naim Zoto, plotësuar me studime nga Faik Konica, akademik Jorgo Bulo e prof. dr. Shaban Sinani (nga f. 85-143). Ndoshta Elsie-t nuk i intereson të operojë imtësisht për të shkruar mbi talentin poetik të Naimit, që te Ëndërrime, siç thonë dhe studiuesit bashkëkohorë të letërsisë shqipe, Naimi arrin majat letrare. Si duket, ai është mbështetur në studimin monografik të prof. Shuteriqit, i cili dhe ai e citon vëllimin me lirika të Naimit në persisht me titullin jo të saktë Ëndërrimet, dhe jo siç e ka titulluar autori Ëndërrime=Tehajjulat.

Sipas Elsie-t: “Me rëndësi të madhe për të njohur sektin panteist të fshehtë bektashi është Fletore e Bektashinjet... Frashëri besonte se besimi liberal bektashí, me të cilin ai qe lidhur që në fëmini në Frashër, një ditë do të mbisundonte si fe e re Shqipërisë. Përderisa ky besim i kishte rrënjët edhe në Kuranin mysliman, edhe në Biblën e krishterë, ai mund të përforconte unitetin midis njerëzve me fe të ndryshme. Më tej studiuesi sqaron se fletorja përmban një paraqitje hyrëse të fesë bektashiane dhe dhjetë vjersha fetare që japin një tablo të rrallë për besimin e këtij sekti, i cili në shek. XIX luajti një rol të rëndësishëm për mbijetesën e kulturës shqiptare, sidomos me përhapjen fshehurazi të librave shqip. Një studiues i huaj, si R. Elsie, aq më tepër gjeografikisht shumë i largët me vendin tonë të vockël, të bën ta admirosh vetëm për shprehjen aq të vyer për ne, sikur të ishte shqiptar. Po citojmë dëshirën dhe porosinë e tij për poemën Bagëti e bujqësija, “vargjet e së cilës çdo fëmijë shkolle në Shqipëri i di ose duhet t’i dijë përmendsh”[18].

 

Përfundime

Naim Frashëri është autor i gjithsej njëzet e dy veprave; katër në turqishte, një në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqipe. Janë bërë disa konferenca shkencore në Shqipëri kushtuar Naimit. Edhe në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë është zhvilluar një konferencë shkencore më 25 maj 2006 në nderim të 160 vjetorit të lindjes së poetit tonë kombëtar. Ndërsa Simpoziumi Ndërkombëtar “Analizimi i mendimeve të Naim Frashërit” në Teheran këtë 5 mars 2018 i jep një frymëmarrje më të gjerë, një vizion të ri ndërkombëtar, falë veprimtarisë së figurës së atdhetarit dhe bilbilit të shqipes, si fjalë çelës e forcimit të dialogut kulturor mes Iranit dhe Shqipërisë. Sikurse ne që e shijojmë hijshëm estetikën e fjalëve të reja që krijoi Naimi, edhe iranianët ndihen të nderuar dhe kanë të drejtë të krenohen me të jo vetëm për botimin e tekstit Gramatikë e persishtes me një metodë të re, (Kavâid-i fârisiyye dar tarz-i nevîn), Kostandinopojë, 1871, me 64 f., por shpirtërisht me faktin që Naimi ynë fluturimin e parë poetik e nisi persisht me “Tahayyulat” (“Ëndërrime”), Kostandinopojë, 1884, me 66 f. [200 faqe]. Po ai përktheu turqisht librin e parë të Iliadës së Homerit Ilyada, Kostandinopojë, 1886; shkroi e botoi në greqisht poemën “Ho alêthês pothos tôn skypetarôn” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve), Bukuresht, 1886, ku nëpërmjet gjuhës poetike, u parashtronte qëllimet e lëvizjes kombëtare grekëve e sidomos shqiptarëve të jugut, shumë nga të cilët në atë kohë për arsye shkollimi mund të lexonin vetëm në greqishte.

Duhet të pranojmë se në përmbledhjen lirike Luletë e verësë, Naimi u këndon bukurive të fshatit shqiptar në 23 vjersha me kumbim të plotë. Këtu filozofia panteiste e edukatës së tij bektashiane dhe ndikimi i fuqishëm i klasikëve persianë harmonizohen bukur me idealizmin atdhetar - një letërsi artistike kjo në shërbim të qëllimeve të identitetit kombëtar. Ndër vjersha të tilla janë: Jeta, Koh’ e shkuarë, Fyelli, Zëmëra, Të vdekuritë, Bilbili, Gjuha jonë, Perëndia, apo vjersha Shpreh, aq tipike për prirjen e re filozofike të letërsisë shqiptare që solli Naimi.

Akademiku Ali Aliu shtron pyetjen: “Pse vazhdon të shkëlqejë ylli poetik i Naimit, më i madhi në qiellin tonë letrar?” - dhe po kësaj pyetje ai ia jep vetë përgjigjen: “Naim Frashëri mbeti i tillë se gjenialisht e ndjeu qartë aspiratën historike, ndjeu nevojën e shpirtit e të mendjes kombëtare, hetoi zjarrin gjysmë të ndezur të shtresuar gjatë shekujve, ndjeu dhe preku atë që është vizion dhe ëndërr shekullore e përbashkët e shqiptarëve, prandaj vepra e tij vazhdon të ushtrojë ndikim të dorës së parë mbi botën shpirtërore të shqiptarëve.” (Ali Aliu, Refleksione letrare, f. 10). Kohët shkojnë e rrjedhin vitet, por në tërësi, vepra e Naim Frashërit është brerorja kuptimore, morale dhe estetike e letërsisë së madhe të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, e cila është nëna biologjike, artistike dhe estetike e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Paradigma e studiuesit iranian S.A. Hoseini Alast se Naim Frashëri në krijimin e poezive perse nuk ishte imitues, as amator, por një poet i thellë dhe i zoti dhe një letrar i gjithanshëm i fushës së gjuhës dhe letërsisë perse, na bën të mendojmë më gjerë, më me dashuri e vërtetësi, pa dyshuar ku dhe kur s’duhet, por së vërtetës t’i gjejmë rrënjët dhe të dimë t’i tregojmë dhe intrepretojmë.

Nderim për mençurinë e mendimit të nderimtarëve iranianë, Organizatën e kulturës dhe komunikimit në Iran, Universitetin “Tarbiat Modares”, Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Sekretarinë e Simpoziumit Ndërkombëtar “Naim Frashëri”, Teheran (Iran), për vlerësimin e Naim Frashërit tonë, që u tret si qiriri jo vetëm për Atdheun e tij, por edhe për fqinjësi të mirë, edhe për “mbrothësi”, përparim e mirësi midis popujve tanë me miqësi të vjetër!

 

Shënimet

1. Konica, Faik: Vepra, Tiranë, Konica, 2007, f. 159, shih dhe: Dielli, 28 korrik 1937.

2. Konica, Faik: vep. cit., f. 156.

3. Po aty, f. 154.

4. Agolli, Dritëro: Arti dhe koha. Artikuj kritikë, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1980, f. 6 (shkrim i botuar më parë te : “Nëntori”, nr. 5, 1971, f. 3-5; shih dhe: Naimi 1, antologji poetike, Tiranë, Argeta-LMG, 1996, f. 8.

5. Kadare, Ismail: “Parathënie në Naim Frashëri, poezi, 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1978, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1977, III-XVII.

6. Kadare, Ismail: vep. cit., X.

7. Shuteriqi, Dhimitër S.: Naim Frashëri. (Jeta dhe vepra), Tiranë, “8 Nëntori”, 1982, f. 223.

8. Shuteriqi, Dhimitër S.: Naim Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura, Vëll. I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë: 1980, f. 67.

9.Çabej, Eqrem: Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, Tiranë, 1996, f. 48.

10. Shuteriqi, Dhimitër, Naim Frashëri - Jeta dhe vepra, ... f. 85.

11. Seminari XVIII Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqipe, përmbledhje e ligjëratave, referimeve, kumtesave dhe diskutimeve. Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Tiranë 19-31.08.1996, Tiranë, Toena, 1996 f. 375.

12. Bulo, Jorgo: Poet i ringjalljes kombëtare dhe kulturore të shqiptare, “Perla”, 2006, nr. 2 (41), f. 27.

13. Seyed Ahmad Hosseini Alast, Naim Frashëri dhe hijeshitë poetike, “Perla”, 2009, nr. 2 (78), f. 6.

14. Seyed Ahmad Hosseini Alast, vep. e cit., f. 8.

15. Elsie, Robert, Histori e Letërsisë shqiptare, Tiranë-Pejë, “Dukagjini”, 1997, f. 174.

16. Regjistruar në fshatin Kallarat (Lumi i Vlorës), nga bartësi Llambro Hysaj, dtl.1952, me arsim të lartë (arkivi vetjak, Albert Habazaj).

17. Elsie, Robert, vep. e cit., f. 175.

18. Po aty, f. 176.

 

Përktheu në persisht: Medrit MUSTAFARAJ

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page