Fatmir Terziu: Një poezi që mbetet emblemë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 minutes ago
- 3 min read

Një poezi që mbetet emblemë
Prof. Dr. Fatmir Terziu
E veçanta për poezinë „Kumrije“ (Më 17 Shkurt 2008) e poetit Sabri Hamiti, është një shenjë më vete e gjithë shenjësimit metaforik. Ky shenjësim metaforik, më shumë se sa një figurë letrare, përbën thelbin mbi metodën poetike të poetit me emër në tërësinë e gjerë krijuese.
Poezia „Kumrije“ (Më 17 Shkurt 2008), e Sabri Hamitit, dhe jo vetëm ajo, është një fenomen i vetmuar në letërsinë shqiptare. Me këtë përcaktim nuk nënkuptoj thjesht tipologjinë „vetmi“, as dhe nëntekstin vetveten poetike, por as dhe izolimin e poetit nga tërësia krijuese poetike. Sabri Hamiti, vetë ai, pra poeti, nga vetë karakteri i tij nuk do ta pranonte një gjë të tillë. Ai është tërësor, gjithëgjendës, aktiv, publik, politik, social, poetik në tërësinë e angazhimit të tij. Kështu është dhe binjakja e tij vetë Poezia. Gjëthëgjendshëm, Sabri hamiti, si në poezi ashtu dhe në këtë veçori tipologjike rrëfen se nuk është thjesht vetvetja, por tërësia dhe bashkësia që ka shumë figuracion, shumë filozofi, mesazh por dhe aq shumë miq letrarë dhe njerëz me të njëjtat mendime apriori ose të këndbashkueshme. Sabri Hamiti në fakt me poezinë e tij, me këtë gjithëgjendje shoqërore dhe krijuese, është dhe mbetet thelbi dhe nxitësi i secilës prej përpjekjeve të bashkësisë krijuese për një komunitet letrar të denjë për ta merituar bashkësinë letrare.
Megjithatë, duke lexuar tekstet e tij, poezitë gjatë viteve, dhe veçanërisht poezinë kushtuar 17 Shkurtit, në tërësinë e tyre, të mbledhura në veprën e tij të vlerësuar, është e qartë se poezia e tij është e mëvetësishme.
Është shumë e vështirë të gjesh ndonjë afërsi dhe pikënisje për poetikën e tij, si në kohët moderne ashtu edhe në dekadat e vjetra të letërsisë shqiptare në këtë kontekst filozofik. Është pothuajse e pamundur të përmendësh ndikuesit dhe frymëzuesit e tij. Në thelb, kjo është poezi që i reziston çdo përkufizimi. Mund të flitet për të në mënyrë shumë më apofatike, duke filluar me atë që nuk është si e tillë.
Sabri Hamiti flet në formën dëshirore, lutëse por dhe urdhërore, që kapërcen nëntekstin dhe konteksin në vetën e parë, flet për gjërat dhe njerëzit që do, flet për gruan që do dhe që është pranë tij, flet për nipër e mbesa, për fëmijët e tij, flet për miqtë e tij, flet për ngjarjet, të vogla e të mëdha, që i ndodhin çdo ditë, por kjo nuk është e ashtuquajtura poezi rrëfyese, kaq tipike për mjediset në të cilat gatuhet, piqet dhe del e shëndetshme kjo perlë poetike. Kjo nuk është poezi me një sens autobiografik në vetën e parë. Ajo është diçka tjetër. Ai vëzhgon dhe përshkruan tërësinë, situatën, natyrën, ngjarjen, por kjo nuk është poezi përshkruese. Ai tregon gjëra, por kjo nuk është poezi narrative:
„Vendos
Dy flamuj në ballkon
mate mardhën e ajrit
ngricën e yjeve në qiell“
(Hamiti, Sabri: „Kumrije“ (Më 17 Shkurt 2008)
Kjo është poezi plot me kthesa dhe kthesa të papritura, me një artikulim krejtësisht të pazakontë, jokonvencional të fjalëve dhe imazheve, por në asnjë mënyrë, kjo nuk është poezi surreale:
„Grua
Çdish trikon kuq e zi
e shih sa ka mbetur
ngrohtësi tek zemra,“
(Hamiti, Sabri: „Kumrije“ (Më 17 Shkurt 2008)
Sikurse shihet, shtylla kurrizore e kësaj poezie, boshti i ndërtimit të saj, është një metodë unike, thjesht kriterizues-mesazhiere e rregullimit, zhvillimit dhe ndërtimit të materialit filozofik në poezi, dhe është absolutisht e tija, personale, e pagjendshme diku, dhe e njohshme si e stilit alla -Sabri Hamiti. Që nga fillimi, që nga poezitë e tij më të hershme.
Në këtë poezi, nuk ka module të pavarura që përbëjnë tekstin, nuk ka fije narrative, nuk ka fraza aforistike që mund të ndahen dhe kreditohen lehtësisht:
„Përtyp
dalëngadalë kujtimet
dhe shihe nipin Ulisin
a mund të ëndërroj!“
(Hamiti, Sabri: „Kumrije“ (Më 17 Shkurt 2008)
Poezia është një roman më vete në këtë rrjedhë. Si e tillë, ajo ndërtohet nëpërmjet akumulimit, grumbullimit të fjalëve, imazheve dhe situatave, dhe elementët funksionojnë vetëm në ndërlidhjen e tyre, ku emri, kujtimet, miti dhe ëndërrat janë një pikë e përbashkët lartësuese në një rrjet tensionesh. Është një rrjet tensionesh në të cilin thekset ndryshojnë vazhdimisht, dhe në këtë kuptim është gjithmonë pulsues, kurrë përfundimtar, duke ndryshuar në varësi të mënyrës se si e shikon, dhe në këtë mënyrë ky rrjet tensioni, ky mesazh lirik e tipologjik, është jashtëzakonisht i ngjashëm me një organizëm të gjallë. Është thjesht një shkollë më vete që ndoshta pakkush e sheh tek definiti, por që ka penën dhe firmën e një poeti si Sabri Hamiti. Por le të përfundojmë, duke shkuar pikërisht në temë: Kjo është një poezi që mbetet emblemë!
_________________________________________________________________
Poezia në konsideratë:
Sabri Hamiti: „Kumrije“
(Më 17 Shkurt 2008)
Grua
Çdish trikon kuq e zi
e shih sa ka mbetur
ngrohtësi tek zemra;
Vendos
Dy flamuj në ballkon
mate mardhën e ajrit
ngricën e yjeve në qiell;
Përtyp
dalëngadalë kujtimet
dhe shihe nipin Ulisin
a mund të ëndërroj!“
Comments