Xhevat Mustafa: Një roman për një dashuri shqiptaro-italiane më 1943-1944

Para disa ditëve doli nga botimi dhe u shpërnda në disa librari në Tiranë romani i ri, i gjashti, nga shkrimtari Xhevat Mustafa, publicist i njohur edhe nga anagazhimi rreth 35 vjeçar me analiza, komente, opinione në shumicën e gazetave të Shqipërisë dhe prej rreth 28 vitesh në “BOTA SOT”, në Zyrih dhe në Prishtinë. Ky roman ka si subjekt një histori dashurie në vitet 1943-1944 mes një vajze 18-19 vjeçare nga fshati Rradhimë e Vlorës me robin italian, Marion, i cili gjeti strehim e mbrojtje në shtëpinë e saj për afro një vit e gjysmë. Gjatë kësaj kohe fjetën në divane apo krevate në dy dhoma ngjitur e që i ndante një mur i hollë...Shpesh herë kishin mbetur të vetëm në shtëpi... Në këto kushte ishte e pashmangshme që mes tyre të mos lindte joshja e tërheqja për lidhje zemrash dhe trupore...Tek Liria, në formën e një dashurie të sinqertë, tek Mario, më shumë si një mënyrë ngushëllimi e qetësimi shpirtëror, pas një periudhe ndarjeje të gjatë nga gruaja e djali, i porsa lindur, në Pulia, Bari të Italisë...Pas disa kontaktesh seksuale Liria kupton se ka mbetur shtatzënë...Kur këtë e kupton dhe detyrohet tia rrëfejë edhe të ëmës, ajo u sulet të dyve tejet e zemëruar dhe ashpër...Marios edhe me sopatë...Por, ia ndal dorën e bija...Meqenëse, pas vrasjes së burrit të saj dhe babait të Lirisë kishin mbetur të vetme, pa një mashkull në shtëpi e në kohë të vështirë lufte, e zonja e shtëpisë nuk e dëbon Marion. Për tiu shmangur përfoljeve dhe thashethemeve, sidomos nga disa gra llafazane të fshatit, ëmë e bijë ikin, pa mundur ta fshehin dramën e tyre, tek shtëpia e vëllait të saj dhe dajos së Lirisë, në një fshat jo fort larg.

Për tu kujdesur për shtëpinë, bagëtinë e pakët dhe disa shpezë, lënë Marion...Ky qëndron aty i vetëm deri një javë para lindjes së djalit nga Liria...I lajmëruar nga zonja e shtëpisë që të mos e gjejnë aty kur të kthehen së bashku me fëmijën pak javësh, Mario, me pengun që nuk do të arrijë ta shikojë qoftë edhe një herë të birin e dytë, gjen në Portin e Vlorës një anije që e çon në Portin e Barit...Fati i bashkon dy “mëkatarët” e një lidhjeje të fshehtë pas 50 vitesh, të mplakur, sidomos nga mosha, por jo nga kujtimet për njeri-tjetrin...Vazhdimin mund ta mësoni nga informacioni apo sinopsi për subjektin e romanit...
Linja e parë
Alessandro Barese dhe shoku i tij, Andrea, një mbrëmje të shtatorit 1994, shkojnë në një klub nate të Barit. Aty njihen me dy vajza nga Vlora, me Albanën dhe Ermirën, të punësuara si balerina apo striptiste. Ato janë sjellë aty nga Alfredi, një vlonjat mafioz, padron i shumë vajzave shqiptare që punonin në disa klube nate në Pulia. Alessandron e pret në dhomë Albana. Ajo është e gatshme të bëjë seks me atë....Por Alessandro e çudit me dëshirën për ta njohur... Kur Albana i tregon më shumë për origjinën dhe familjen e saj, Alessandro bindet që të mos e prekë me dorë atë vajzë. Rreth 50 vjet më parë, gjyshi i tij, Mario, kishte jetuar për rreth 18 muaj si rob lufte pikërisht në fshatin Burim, ku kishin pasur shtëpinë edhe gjyshja dhe prindërit e Albanës. Alessandro e paguan 200 mijë lireta dhe largohet. Po atë natë ai ia tregon këtë ngjarje babait të tij. Vendosin të bisedojnë me Marion, babain e Stefannos dhe gjyshin e Alessandros. Por, ndërsa po agonte dita e re, Mario pëson një infarkt. E shtrojnë urgjentisht në spital...Pas daljes nga spitali, një paradite Mario shkon për shëtitje në fermë dhe takohet me dy vajzat nga Vlora. Nga biseda me Albanën ai largohet në shtëpi i tronditur. Nxjerr nga kasaforta një dosje me letra dhe fotografi. Të nesërmen Mario i nxjerrë të gjitha letrat dhe fotografitë nga zarfi sekret 50 vjeçar dhe fillon t'u tregojë njerëzve të familjes ngjarje nga ajo kohë...
Linja e dytë
Shtator 1943. Mario dhe Antonio, dy ish ushtarë të Ushtrisë Italiane të kapitulluar, ecin drejt fshatit Burim. Mario është i plagosur. Trokasin në portën e shtëpisë së Kamber Tahirit. Ai u hap portën dhe i fut në shtëpi. Gratë e shtëpisë, Rukia dhe e bija, Liria, kujdesen shumë për t'i mjekuar plagën si dhe për ta ushqyer. Pas dy ditësh Mario fillon të përmirësohet. Ditën e tretë Kamberi e merr Antonion dhe e dërgon tek shtëpia e Kasem Nuredinit, një komshi i afërt...Marion e vendosin për të fjetur në dhomën ngjitur me të Lirisë. Krevatet e tyre i ndan vetëm një mur i hollë. Pasi e merr veten Mario fillon edhe të punojë në kopshtin e familjes bashkë me Kamberin ose edhe vetëm. Ai fillon ta vështrojë fshehurazi Lirinë, Por ajo është e dashuruar me Skënderin, partizan. Kur ishte mot i mirë vajzat e fshatit shkonin tek burimi për të mbushur ujë. Gjatë një ore laheshin tek gjiri i vogël, i rrethuar me shkëmbinj. Këtu vajzat zhvisheshin edhe krejt nudo. Një ditë i ndoqën edhe Antonio dhe Mario. Pa u vënë re nga vajzat, Mario u bëri disa fotografi... Një natë në fshat, në shtëpinë e Kamberit, vjen i plagosur rëndë, Skenderi, i dashuri i Lirisë. Pas disa orësh në fshat futen edhe ushtarë gjermanë. Kamberi e urdhëron Marion që të marrë Skenderin mbi supe dhe të niset drejt partizanëve. Ai vetë do të përpiqet t’i vonojë sa më shumë...Mario i bindet, e merr Skenderin dhe nis të largohet. Kamberi vritet nga gjermanët. Gjatë rrugës Marios i bëhet sikur dëgjon zërin e Silvias, sikur ajo i lutet që ta braktisë Skenderin dhe të mendojë për jetën e vet dhe për të dhe djalin. Mario përjeton një mëdyshje të fortë. Por, pas disa minutash ai e merr mbi krahë Skenderin dhe vazhdon rrugën. Arrijnë tek një repart partizan. Pas disa ditëve Skenderi vdes. Të nesërmen kufomën e tij e sjellin në fshat për ta varrosur. Kur shikon Skenderin e vrarë Liria dëshpërohet shumë...Mario përpiqet ta ngushëllojë sado pak...
Në anën tjetër të detit, në Bari, Silvia dhe djali jetojnë ditë shumë të vështira. Ferma është braktisur nga punëtorët dhe është shkretuar...Silvia ka shitur edhe disa nga orenditë e saj të florinjta për ushqime, me çmim më të ulët se para luftës...Djali, Stefanno, është i sëmurë. Në mbrëmje Silvia shkon në dyqanin e Paolos, që tregton artikuj ushqimorë. Ai nuk pranon më ta furnizojë pa e paguar në dorë. Silvia i lutet. Pronari i kërkon seks. Silvia nguron...Në atë çast i kujtohet djali i uritur që priste ushqime prej saj. Paolo e kupton gjendjen e Silvias...Kur fillon ta puthë dhe ta zhveshë, Silvia nuk ka forca ta kundërshtojë...
Po në këtë fshat, ushtarët gjermanë kërkonin edhe familje çifute. Edhe kushëriri i parë i Kamber Tahirit, me shtëpi në lagjen e sipërme, Hajro Aliu, kishte marrë një familje çifute, Beniamin Aralin me gruan dhe një vajzë rreth 5 vjeçare. Të tre vishen si fshatarë...Forcat gjermane vijnë për kontroll në këtë shtëpi. I gjejnë familjet e Kamberit e të Beniaminit duke ngrënë mëngjes. Të shtatë njerëzit e dy familjeve tmerrohen dhe hutohen. Hajro e prezanton Beniaminin, si vëllain e tij, me të cilin jetojnë në një shtëpi...Kur Komandanti u kërkon dokumentet. Kamberi dhe familja e tij i kishin pasaportat shqiptare, ndërsa familja hebreje, jo. Kamberi i përgjigjet se dokumentet u janë djegur të shtatë vetëve, së bashku me shumë veshje dhe plaçka të tjera të shtëpisë. I tregon edhe gjurmët e flakëve...Komandanti nuk i beson plotësisht. Ai urdhëron të vihet në pozicion pushkatimi familja e Beniaminit. Shpejt Kamberi e gjen zgjidhjen me një veprim, që çudit edhe gjermanët. Merr njerëzit e familjes së tij dhe radhiten edhe ata në dy anët e familjes çifute, për t’i pushkatuar të shtatë, duke i thënë se “jemi të shtatë një gjak e një familje”. Komandanti gjerman nguron dhe bie në mendime. I kujtohen gruaja dhe dy fëmijët e tij në Frankfurt. E trondit sidomos pyetja: Po sikur trupat sovjetike të futen në Frankfurt dhe të veprojnë kështu edhe me familjen e tij? Pas një mëdyshjeje, ai e anulon vendimin për pushkatim dhe largohet... Pas disa javësh, një natë, Mario, pas një dileme vendos të ngrihet dhe të shkojë tek dera e Lirisë. Dera është e mbyllur me çelës dhe shul, ashtu siç e porosiste vajzën çdo natë nëna e saj. Liria i ndjenë hapat e Marios dhe zhurmën e lehtë tek dera. Ngrihet nga krevati i saj dhe shkon tek dera. Përjeton një mëdyshje të fortë, me dorën tek doreza. Në fund vendos ta hapë derën... Pas rreth 8 javësh Liria kupton se është shtatzënë. Plaka kupton gjithçka dhe Liria nuk mund t'ia fshehë. Nënë Rukia zemërohet shumë dhe vrapon të marrë sëpatën për të qëlluar Marion. Ai ka ikur disa minuta më parë drejt detit, për t’u mbytur. Pas pak edhe Liria shkon me hapa të shpejtë drejt detit, për t’u mbytur edhe ajo, duke u hedhur nga shkëmbi. Kur Liria është gati të hidhet e ndalojnë duart e nënë Rukies...
Epilogu
Pasi Mario ka përfunduar së treguari të gjithë janë emocionuar shumë. - Besoj se e ke kuptuar shumë mirë, Alessandro: Albana është mbesa ime, ashtu siç je edhe ti, nipi im! Si i tillë, nuk mund ta lë jashtë testamentit... Mendoj se më takon që të shkoj në Vlorë për ta njohur dhe takuar. Mund të vini me mua edhe ti e babai...Albanën nuk do ta marrim me vete. Sipas mediave, në atë qytet mafia është e fortë...Nisemi nga e hëna e ardhshme...me fuoristradën tënde e me traget...
Mario, Steffano, Alessandro, Antonio shkojnë me traget dhe fuoristradë në Vlorë, për t’u njohur me Ilirin... Kur arrijnë para portës, zbresin dhe vështrojnë përreth. Fshati ka ndryshuar fare pak. Portën ua hap Iliri. Në fytyrën e tij katër italianët vënë re menjëherë ngjashmërinë atë e bir...Liria, e mplakur, tronditet kur shikon Marion...Pas një meditimi në vetvete për vuajtjet e të ëmës e të vetat, Iliri, më në fund, i mëshiron dhe fal të dy “fajtorët” ndaj tij...Ndërsa Iliri ishte në mendime, Mario i zgjat dorën. Iliri vështron nga e ëma, për të marrë mendimin e saj, por ajo ka ulur kokën dhe qan...Gruaja e tij e nxit Ilirin që t’i përgjigjet dorës së zgjatur të të atit. Atë e bir përqafohen. Kjo përjetohet me gëzim nga të gjithë, shqiptarë e italianë. Atë natë në shtëpinë e Ilirit shtrohet një darkë e pasur me ushqime e pije...,që zgjat deri natën vonë...Në mëngjesin e ditës së re miqtë italianë nisen me traget për në Bari. Po atë mbrëmje, në vilën e familjes Barese, u shtrua një darkë festive, ku ishin ehe Albana e Ermira, tashmë si vajza të shtëpisë...Mario piu më shumë se dy gota me verë të kuqe... Në mëngjes, kur e prek në sup që të ngrihej, Silvia lemeriset kur kupton se ai kishte vdekur në gjumë. Varrimi u shty për 5 ditë, deri sa të vinte Iliri me familjen nga Vlora. E ëma nuk kishte dëshirë dhe gjunjë të shkonte. Por, më në fund Iliri e bind. Ata shkojnë në Bari dhe marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të Marios... Liria, Iliri me të shoqen, vijnë edhe pas 6 muajsh në dasmën e Albanës me Fabrizion, një shok i ngushtë i Alessandros. Mes dasmës, çifti u jep gjithë të pranishmëve lajmin se Albana ishte shtatzënë në fund të muajit të katërt, me djalë dhe se ata kanë vendosur t’i vënë emrin Mario.
“Shigjeta”, qesh e ngjesh nga Silvia...
Fragment nga romani “Muri mes dy zemrave”
Dita ishte me mot të mirë dhe me një erë të lehtë e të freskët, që, si në të shumtën e ditëve të vitit, vinte nga deti...Dielli po ngjitej pa u ndalur e pa u lodhur përtej kodrave nga ana e Lindjes...Nga jashtë dritareve vinin cicërima zogjsh si dhe shpendësh deti! Nga oborret aroma lulesh dhe gjethesh. Nga arat, erë dheu të njomë e plehu bagëtish të porsa hedhur tokave të punuara... Mario dhe Silvia po pinin kafe në kuzhinë. Beata, pasi u kishte sjellë kafetë, po pastronte me një peshqirë të lagur lavamanin dhe sobën.
Mario, i ngritur atë mëngjes me humor, për ta ngacmuar, si shpesh herë, i tha të shoqes: – U mplake dhe nuk mësove t'i bësh kafetë si Beata!
– Ti nuk pëlqen asgjë nga duart e mia! – iu përgjigj e shoqja flakë për flakë, pa asnjë fije xhelozi ndaj Beatës.
– E ke gabim, zemra ime! – iu përgjigj Mario, po me shaka e me një kompliment çarmatosësh. Përkëdheljet e duarve të tua nuk mund t'i arrijë asnjë femër tjetër.
– Qenke ngritur me humor sot! – iu përgjigj Silvia e përkëdhelur nga komplimenti dhe duke u zgjatur për ta puthur .
– Përse o Zot, bëre mplakje dhe vdekje...? – tha Mario, duke iu qarë më shumë vetes në tokë se sa Perëndisë në qiell.
– Perëndia i di mirë punët e tij, por ti ke kohë që ke harruar edhe kishën... – i kujtoi dhe e qortoi Silvia.
Mario buzëqeshi lehtë, por jo si i zënë mat prej saj. Në vetvete i dha të drejtë. Nuk ishte besimtar i fortë e i rregullt. Me justifikimet e problemeve me shëndetin, sidomos me zemrën, kishte më shumë se një vit pa shkuar në kishë. As për pashkë e krishtlindje...
– Shkojmë të dielën! – pranoi ai.
– Mos ke ndërmend të rrëfehesh plotësisht e sinqerisht? – e pyeti ajo, po me humor! – Për mëkatet e mia jam rrëfyer disa herë dhe kam marrë faljen e Zotit... – iu përgjigj Mario.
Silvia e vështroi me mosbesim përzier me ironi. Këtë e shprehu edhe me një buzëqeshje..
– Ia ke rrëfyer me të vërtetë të gjitha mëkatet? – e qëlloi të shoqin me një shigjetë tjetër.
– Po t'ia rrëfeja të gjitha do ta kisha të sigurt ferrin... – iu përgjigj ai, duke i shkelur syrin. Prandaj, kam shumë shpresë se do të jem me ty në parajsë...
– Edhe në parajsë nuk do të më ndahesh ti? – u ankua ajo.
– As unë nuk mund të rri pa ty, as ti nuk mund të bësh pa mua... – i dhuroi ai një ndjenjë të fortë kënaqësie...Sapo më shkrepi ndërmend një shprehje mbi dashurinë. Ti më njeh mirë...Nuk jam as poet e as gazetar, por një ish xhenier dhe agronom...Por, në të rrallë, më vjen si dallgë, stuhi apo rrufe në ditë me diell, ndonjë mendim me vlerë...Sipas meje, "doktor në psikologji dhe psiko-analizë", dashuria ka tri faza. Atë të parë, fizike nga 20- 40 vjeç. Të dytën, atë shpirtërore, me shpirt e zemër, 40- 60 vjeç. Të tretën, që po përjetojmë edhe ne të dy, atë të përkujdesjes reciproke, 60 e deri në fund të jetës...
–Nuk besoj që ky mendim të jetë i yti. Me siguri e ke lexuar në ndonjë libër apo film! - ia kishte dobësuar jo pak kënaqësinë e autorësisë, Silvia...
Pastaj, pa qejf mbetje, duke e puthur në ballë, ai i zgjati dorën, për t’u ngritur.
Silvia nuk e kundërshtoi, edhe pse nuk kishte dëshirë të fortë. Më saktë, si shpesh herë gjatë vjeshtës, me afrimin e ditëve me shi, ndiente dhembje të këmbëve...
Pasi dolën nga porta, ata nisën të ecnin mes parcelës të vreshtave afër shtëpisë. Iu kënaqën sytë dhe zemrat që kishte prodhim të bollshëm rrushi. Mario shprehu kënaqësi kur vuri re se gjithçka ishte si jo më mirë. Edhe Silvia nuk po ngopej duke vështruar e duke thithur ajër frutash të freskëta e gati për vjelje, gjethesh të gjelbëruara, toke, qielli të kthjellët, ere të lehtë..., dhuratë nga deti...
– Një shëtitje në këtë orë më bën mirë më shumë se sa të gjitha ilaçet e doktorëve! – e prishi heshtjen e zgjatur si rrallë herë mes tyre, Mario. Sidomos, kur ndodhem si tani, mes parcelave dhe degëve me gjethe portokajsh, limonësh, rrushi, ullinjsh..., ndjehem si me krahë e thith ajër me gjithë mushkëritë...
Për dy-tre minuta ecën me duart në qafë e në heshtje...
– Më dhembin fort këmbët sot... – e theu heshtjen Silvia.
– E kuptova, dëshiron të kthehemi shpejt... – i tha Mario. Por, nuk do të kthehemi pa u takuar me ato dy vajzat nga Vlora.
– Edhe pas 50 vitesh ke akoma nostalgji të madhe për Vlorën...? – e provokoi e shoqja, në dijeni se gjatë dy viteve në Shqipëri, edhe i shoqi, si plot ushtarë të tjerë, nuk kishte bërë murgun...Aq më tepër, kur ai i kishte treguar me gojën e vet, se në qytetet e mëdha të Shqipërisë ishin hapur edhe shtëpi publike, me prostituta nga Italia...
– Nuk mund të harroj sa të jem gjallë se një familje e varfër më shpëtoi jetën nga gjermanët dhe më ushqeu, në një kohë kur kishin fare pak ushqime edhe për veten... – foli Mario, me sinqeritet dhe mirënjohje.








Comments