Xhavit Gasa: DIKU NË NJË GUR
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 1 min read

Xhavit Gasa: DIKU NË NJË GUR
Krejt zogjtë kanë marrë udhë arratie
kënga e tyre është kthyer në ofshama.
Shetitjet në pyje kanë hyrë në kujtime
Foletë kanë mbetur bosh pa vezë te kashta.
Tek tyk dëgjohet një korb i zi, i trishtë
Ligjëron me krakërimë si në të qarë
Në pragje dhe sheshe prej kohësh ka qetësi
Nga tjegullat e thyera duket trau i lashtë
Portat ndryshken nga shiu me pikëlimë
Në oborre nuk ka asnjë hap që të ecë.
Dhe dallandyshet harruan kohën për kthim
Një myk i zi ua ka mbuluar folenë.
Pemët me fruta kanë mbetur në kopshtije
si ca gra që dalin drejt arës pa u krehur.
Janë mbuluar me ferra, pemë e kopshtije
Këngët e shakatë memece kanë mbetur
Nuk ka lojëra çapkënçe të fëmijëve në udhë
Tek-tuk sheh ca çifte pleqsh kapur dorë për dore
Vetëm dielli bën udhën nga agimi në muzg
Me ligjin e lashtë të galaktikës planetore
Kemi mall për pragjet me dhimbje mbuluar
Aty ku viset janë në heshtje dhe trishtim.
Diku në një gur shpresa duket se rri zgjuar
Të vijë në ato vatra stërgjyshore një rizgjim.









Comments