top of page

Vështrim vertikal mbi historinë e keqkuptuar të botës shqiptare


Dukagjin Hata

Dukagjin Hata: Vështrim vertikal mbi historinë e keqkuptuar të botës shqiptare

Rreth romanit “Kojrillat” të shkrimtarit të mirënjohur Fatmir Terziu

Pas një përvoje shkrimore të suksesshme, që nga poezitë, esetë, shkrimet kritike, si dhe disa romane, Fatmir Terziu vjen me romanin "Korillat", një sagë narrative ku ndërthuren kohët dhe paradigma parabolike kthehet në një vektor të sendërtimit estetik të një historie të keqkuptuar deri në shurdhëri ndaj gjithçkaje që flet me zërin e së vërtetës.

Romani "Kojrillat" është një rrëfim vertikal midis mitit dhe historisë, ku simbolika e një realiteti të transfiguruar i shërben autorit për të depërtuar në thelbin ekzistencial të etnopsikikës kolektive të botës shqiptare.

Romani "Kojrillat", pason romanet "Grykësit" dhe "Bunari" si dhe dhjetëra botime të tjera studimore në prozë dhe poezi të autorit Terziu dhe përbën një kulm të shkrimtarit, një depërtim në një materje të ngjeshur historike, me anë të gjetjeve fiksative dhe simbolikave që shkojnë nga absurdi në fantazmagori. Ngjarjet vendosën në vitin 1933, në një sfond misterioz dhe rrëfejnë për vrasjen enigmatike, në Krishtlindjet e vitit 1932, të shqiptares Madam Zeinep Vlora, e cila gjendet e helmuar në këmbët e Monumentit Cenotaph në Ëhitehall. Për të vijuar më tej, Terziu na jep në roman peizazhin gri të shoqërisë shqiptare në vitet e komunizmit, me anë të një narracioni vertikal, me kolorit gjuhësor dhe stilsitik befasues.

Dokumentet e marra në arkivat angleze janë vetëm një impuls që e shtyjnë autorin drejt zhytjes thellësive të panjohura, duke i mundësuar autorit një zhbirilim në skutat e pavetëdijes kolektive të një kombi, që në 100 vjet histori të dokumetuar shteti, ka pasur aq shumë armiq, por më shumë se prej tyre është dëmtuar nga keppërdorimi i vetvetes.


Në thelb, romani "Kojrillat" është një libër ku autori e vështron vertikalisht botën shqiptare, kryesisht me anë të simboleve, që bëhen interprete të realitetit dhe ëndrrës që ai kërkon të na përcjellë. Janë shenja të shumta, me përmasa e trajta të ndryshme, por me një ndërlidhje të fshehtë mes tyre, duke formuar një pikë komunikimi, që i shtyn drejt një shkuptimësimi të ri.

Kojrilla, kthehet në Të Ujtën, të tejdukshmen e legjendës, një simboli identifikues i botës shqiptare, por që shkuptimësohet pas çdo faqeje, një Zonjë e ujërave që rrjedhin, siç rrjedh koha shqiptare, paradigma e jetës, iluzioni, ëndrra, zhgënjimi, koha dhe hapësira jonë etnike.

Ajo që e bën të veçantë, gati unikal rrëfimin e autorit Fatmir Terziu në këtë roman është stili i tij befasues, ku fragmentarja në formë mozaiku plotëson të tërën, të plotën dhe ku fluturimet e kojrillave bartin e rikrijojnë metaforikisht kohën e bëmave shqiptare në botën londineze.

Romanin "Kojrillat" i shkrimtarit të njohur, Dr. Fatmir Terziu, është një depërtim në thagmën historike të kohës shqiptare, pa hyrë në anale historike, duke e vështruar realitetin nga pika më e lartë e horizontit depërtues, që është pika e një narracioni të shpenguar, pa kahje dhe paragjykime.

Terziu nuk iu jep pyetje këtyre përgjigjeve, por lexuesi, në një farë mënyre po. Pasi detyra e lexuesit është të reflektojë, të bëhet pjesë e rrugës së shkrimtarit, ta vazhdojë përfytyrimin dhe ëndrrën aty ku shkrimtari e ndërpret.

“Kojrillat” është një roman që sjell një prurje të re në prozën e gjatë shqiptare, për shkak të magjisë së dokumentit autentik dhe të trillit befasues të ngritura në estetikë të mirëfilltë, me anë të një narracioni tërheqës.

Shkrimtari Fatmir Terziu duket se është një kërkues realist në psikologjinë dhe shpirtin shqiptar, me një stil të ngjeshur e konciz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe depërtimi psikologjik e psikanalitik, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ai na sjell në këtë libër më shumë se një shqetësim për fatin historik të një populli të ndaluar.

Një ankth ekzistecial endet në këtë roman, ku përzihet e shkrihen në një vektor estetik tragjizmi dhe poetika e përkujdesit njerëzor, mizoria e barbaria e armiqve tradicionalë dhe kulti i dashurisë së botës shqiptare.

Ajo që e bën të dallueshme krijimtarinë e Terziut, si dhe në këtë roman të tij, është vokali shumëgjyrësh përshkrues dhe meditativ, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të freskëta, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Aventura e tij shkrimore është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes autentike, vetvetes poetike. Njëherësh është një udhëtim në thelbin e vetë kohës shqiptare. Shkrimtari konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, si vetë jeta e saj dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.

Krijimtaria e Terziut dallohet për stilin e ngjeshur, poetikën e rrëfimit, fuqinë e përshkrimit dhe gjallërinë e mjediseve të përshkruara. Historia me realitetet e deformuara, ëndrrat dhe zhgënjimet janë “Kutia e Pandorës” së tij.

Kur mbaron së lexuari faqen e fundit, ndjen se je zhytur në një errësirë të ëmbël, pas së cilës vjen drita, kthjellimi, zgjimi, reflektimi, shkëputesh nga ëndrra dhe ndjen një nevojë urgjente për të pirë të paktën një cigare, teksa ndjek trajektoren e tymit dhe mendimet të fluturojnë në gjithë këtë vektor gjurmësh që të kanë mbetur në kujtesë nga leximi i romanit.

Dhe nuk mund ti përballosh dilemat dhe pikëpyetjet që të zgjohen në mënyrë të beftë: Përse ky fat na ndjekur pas ne shqiptarëve, në zmeër të Europës, në shpirt të botës londineze? Përse këto ereni na kanë pëndjekur e na përndjekin tash tre mijë vjet? Ku kemi gabuar? Apo kanë gabuar të tjerët ndaj nesh? Kur do të ndreqet ky devijim i rëndë, në përmasat e një apokalipsi historic për botën shqiptare?

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page