Prof Dr Eshref Ymeri: Krahasime dhe paradokse
- 1 hour ago
- 2 min read

Shtatë minoritetet në Republikën e Dardanisë përbëjnë 6,8% të popullsisë. Si ka mundësi që kjo përqindje minoritetesh të përfaqësohet nga 20 deputetë në Kuvend? Po të bëjmë një llogaritje matematikore, sipas rregullit të treshit, na rezulton se 20 deputetët e minoriteteve duhej të përfaqësonin 16,6% të popullsisë së Republikës së Dardanisë. Ky është një paradoks i paimagjinueshëm. Kjo do të thotë se Serbia fashiste vuçiçiane, përmes 20 deputetëve, të pazgjedhur me votën e drejtpërdrejtë të popullit për në Kuvendin e Republikës së Dardanisë, nuk e lë të funksionojë shtetin ligjor dardan. Sepse vazhdon të mbahet në fuqi Pakoja kriminale e Ahtisaarit, e cila ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si dorë e zgjatur e shovinizmit tradicional europian për interesat e Serbisë fashiste. Për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, në Republikën e Dardanisë nuk u gjetën dhe nuk po gjenden politikanë-burra trima, për të marrë me kohë një vendim historik, për hedhjen në pirgun e mbeturinave të Pakos-paçavure Ahtisaari, duke e mbështetur edhe me një referendum mbarëpopullor. Derisa ajo Pako kriminale nuk është flakur në gropën e mbeturinave, punën e Kuvendit të Republikës së Dardanisë do të vazhdojë ta sabotojë Serbia fashiste me 20 deputetët e saj, në bashkëpunim me opozitën e tradhtisë thaçiste.
Ky është paradoksi i parë. Paradoksi i dytë vihet re në numrin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Dardanisë. Sipas të dhënave statistikore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të datës 09 mars 2026, numri i popullsisë në Republikën e Dardanisë kap shifrën prej 1 774 255 banorë, të cilët përfaqësohen në Kuvend nga 120 deputetë. Tani le të bëjmë një krahasim:
Sipas të dhënave statistikore të Organizatës së Kombeve të Bashkuar të datës 09 mars 2026, numri i popullsisë së Izraelit kap shifrën prej 9 647 689 banorë, të cilët përfaqësohen në Kuvend nga 120 deputetë. Le ta vazhdojmë krahasimin edhe në vijim.
Republika e Dardanisë, e cila ka një popullsi prej më shumë se 5,4 herë më të vogël sesa Izraeli, ka të njëjtin numër deputetësh.
Sipas të dhënave statistikore të Organizatës së Kombeve të Bashkuar të datës 09 mars 2026, numri i popullsisë në Republikën e Shqipërisë kap shifrën prej 2 876 591, të cilët përfaqësohen në Kuvend nga 140 deputetë.
Tani le të bëjmë një tjetër krahasim, nga i cili rezulton se Republika e Shqipërisë, e cila ka një popullsi prej 3,35 herë më të vogël sesa popullsia e Izraelit, ka 140 deputetë.
Këto janë fakte shumë më tepër skandaloze, sesa t’i përfytyrosh, për grabitjen e paturpshme që deputetët parazitarë i bëjnë popullit, duke i rrjepur shtatë lëkurë në Republikën e Dardanisë dhe në Republikën e Shqipërisë. Vetvetiu lind pyetja:
A ka elita intelektuale në këto dy vende, elita intlektuale me vetëdije të lartë kombëtare? A ka intelektualë universitarë dhe rini universitare me vetëdije të lartë kombëtare? A ka intelektualë me vetëdije të lartë kombëtare nga fusha e drejtësisë, si avokatë, gjykatës dhe prokurorë me vetëdije të lartë kombëtare, të cilët duhej të ngrinin zërin e tyre të fuqishëm në mjetet e informimit masiv, për të demaskuar publikisht këtë maskaradë dhe të kërkonin me këmbëngulje ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që numri i deputetëve të jetë në raport të drejtë me numrin faktik të popullsisë që jeton brenda vendit?
Kaliforni, 09 Mars 2026









Një analizë e mprehtë. Pyetje të forta. Shifra që flasin vetë.
Prof. Dr. Eshref Ymeri vë përballë logjikën me paradoksin.
Një shkrim që nxit mendim.
Dhe kërkon përgjigje.