ADRIANA MYRTAJ: Në do pyetesha, cila ka qenë pjesa më e bukur e jetës sime...
- 29 minutes ago
- 5 min read

ADRIANA MYRTAJ
...(nga "Kujtimet e Adrianës")
Në do pyetesha, cila ka qenë pjesa më e bukur e jetës sime, do përgjigjesha se është ajo pjesë kur na erdhi Erindi dhe Rena.
Të dy fëmijët janë të ngjashmit tanë, po janë të shumta gjërat e veçanta te secili. Të edukuar të jenë njerëz të mirë. E kanë së brendshmi mirësinë, duke na e lehtësuar “barrën” e edukimit ne prindërve. Kanë të dy shpirt të butë, janë seriozë e të përkushtuar për gjithçka të shtrenjtë ka jeta e secilit.
***
Ditën kur pata fëmijët, kuptova e pashë ndryshe, e pashë botën me sytë e nënës. Me sytë e nënës pashë dhe ia njoha botës dobësitë dhe defektet e saj.
Një shoqëri e ndërtuar jo me interesin më të mirë e më të lartë për fëmijët, i rëndon ndërgjegjes kolektive, është faji i përbashkët i yni.

Edhe dy fëmijët tanë, si të tjerë, provuan varfërinë, sakrifikuan për pamundësitë tona si prindër t’iu japim atyre edukimin më të mirë, ëndrrën dhe shpresën për ta realizuar. U bënë dëshmitarë të një sistemi shoqëror, krijuar prej brezave që prekën jetën para tyre, i paaftë për të administruar vendin, u ndodhën në mes ngjarjesh të mëdha historike, panë nga afër jo vetëm paaftësinë e paraardhësve, por edhe idetë e vjetëruara, lënien pas botës të brezit te ri që, në vend të lodhjes morale dhe etike duhej të përfitonte e trashëgonte të mira materiale dhe intelektuale krijuar nga brezat paraardhës. Brezi i fëmijëve tanë, megjithatë, u bë dëshmitar i rebelimit tonë si prindër ndaj çdo epjeje dhe perkulje, në emër të dinjitetit si qytetarë, por edhe të ardhmërisë së më të rinjve, fëmijëve, gjakut të eshtrës dhe shpirtit tonë!
Fëmijët e ne të lindurve midis viteve ’50 – ’60 u bënë dëshmitarë dhe aktorë të një përvoje tjetër (vetëm Zoti sheh dhe shkruan). Janë do dhe mbeten ura e tranzicionit në lidhjen e më së mirës krijuar në historinë e njerëzimit me një tjetër rend shoqëror, më të mirë dhe më të lartë, në të cilin shoqëria mendon dhe vepron me ndërgjegje më të lartë, me pjekurinë e përftuar prej përvojave në ekzistencë.
A do jetë e ardhmja e brezit të ri tjetër nga jona?
Edhe ne, si ata, hymë në jetë me ëndrra të mëdha, të cilat u deformuan rrugës nga presioni i qasjes njerëzore. A do jenë ata të aftë të rezistojnë presionit shoqëror dhe njerëzor dhe të mund të shkëputen nga graviteti i densitetit të presionit moral dhe shpirtëror? A do jenë të aftë të këputin hallkat e zinxhirit të fatit karmik të njeriut dhe të krijojnë për veten dhe fëmijët e tyre të tjera konsekuenca, pozitive për jetën në përgjithësi dhe ardhmërinë?
Fëmijët tanë, brezi i më të rinjve që prekin jetën prej njeriu në kohe tjeter, do duhet të jetojnë përvojën e jetës deri në fund dhe të bëjnë analizat e veta kur të jenë gati për to.
Kam besim, se fëmijët do kenë një jetë ndryshe, pa privimet e sakrificat tona e të prindërve tanë. Lutem dhe besoj, që jeta e fëmijëve të mi të jetë e mbushur me përpjekjet jo për ekzistencën, ushqim dhe strehë, por me punë për të hapur talentet brenda tyre e për të krijuar me to çdo ëndërr në të cilën janë dhe kanë. Lutem që ata të dy të shtohen, të kenë fëmijë, të ketë harmoni dhe dashuri në jetën e tyre. Lutem që bota të jetë në paqe, të mos e turbullojë gëzimin dhe lumturinë e më të rinjve...
...

Jam përpjekur tu jem fëmijeve te mi shoqe, pa e humbur vëmendjen e edukimit kur rriteshin e kishin nevojë për mua. Erindi nuk qante lehtazi kur ishte fëmijë, nuk është gjë që e ka mësuar prej nesh, përkundrazi i kemi inkurajuar ata të tregojnë për jetën e tyre, për vështirësitë që kanë.
Në iu qahet, le të qajnë. Lotët nuk janë dobësi, por janë “lopata” që nxjerrin jashtë emocionet e forta dhe pastrojnë së brendshmi. As Faruku nuk ka hezituar t’u lexojë apo tregojë përralla fëmijëve para gjumit, as të ulet në shesh me ta dhe luajë bashkë me ta.
Erindi dhe Rena e kanë parë të atin shumë herë të përlotur. Rena e mban mend të atin të përlotet kur ajo mori çmimin e vitit për posterin më të mirë në shkollën e mesme në Fieldgate-Mississauga, apo kur fotografitë e saj u vlerësuan më të mirat në konkurimin mes shkollave te mesme te Torontos. Asnjëherë lotët nuk e kanë ulur Farukun në sy të fëmijëve. Përkundrazi, është vendosur kodi i reciprocitetit në sinqeritet.
Kushtet ekonomike, përgjegjësitë e shumta mbi mua, dashuria për familjen dhe mirëqenien e saj kanë qenë shtysat dhe nxitjet e brendshme gjatë jetës si të martuar.
***
Mësova si të vë në punë aftësitë e 'talentet e mia' për të mirën e familjes dhe në interes të unitetit dhe harmonisë midis nesh. Jeta më dha tjetër sy për të kuptuar nevojat që pati familja dhe për të gjetur zgjidhje për to. Mësova të jem e organizuar mendërisht e fizikisht, në funksion të dobisë për të katër ne. Fëmijët mësuan të më besojnë, të më kuptojnë, të “përshtaten” me mua si nënë.
Të parën gjë që mësuan prej meje ishte sinqeriteti i gëzimit dhe dashurisë që gjendet midis nesh në familje. Si një skuadër engjëjsh ardhur për punëra të mira, të gëzojnë njëri tjetrin dhe shijojnë ëmbëlsinë e jetës me dashurinë për njeri tjetrin dhe të tjerët që hyjnë në të.
***
Mendoj se, ashtu si dikur unë fëmijë, ku besimi për prindërit ishte absolut, ashtu edhe fëmijët e mi, më besuan çdo herë, në çfarëdo që iu kërkova të bënin. Përpikmëria më ndihmoi për të pasur jetën time nën kontroll. Ata vetë mësuan të kujdesen për veten duke lehtësuar pjesën time prej nëne.
Për këtë iu mbetem mirënjohëse fëmijëve të mi. Mirënjohëse bashkëshortit, Faruk Myrtaj!
Kjo nuk do të thotë, se nuk jemi përpjekur që të rregullojmë dhe përmirësojmë marrëdhëniet midis nesh në familje. Bota ku jemi ndikon, krijon probleme, ndaj duhet mësuar dhe përpjekur që bota brenda se ciles jemi 'të mbahet larg' familjes.
Familja është i vetmi vend i shenjtë ku akoma ruhet e mirëmbahet vetëdija e pastër me të cilën vijmë - dashuria e vërtetë dhe e pa interes, e pa kushtëzuar me kushte, e pafund në dimensionin e saj universal.
Principi është, se secili brenda familjes ka të drejtën të respektohet prej të tjerëve pavarësisht moshës, interesave, preferencave, shijeve individuale. Nëse individi nuk e gjen këtë përkrahje e shkallë Lirie në familje, ku tjetër do mund të provojë se liria është e shenjtë, se ajo nuk dëmton, por veç krijon hapësirë për fluturime në qiej të lartë jashtë dhe larg zhurmës dhe pluhurit të botës...









Një kujtim i shkruar me zemër. Fjalë të buta. Të sinqerta. Në to rriten fëmijët, rritet familja, rritet shpresa. Adriana Myrtaj e sjell amësinë si dritë të qetë mbi jetën.
Një rrëfim i thjeshtë. Por shumë i thellë.