Vullnet Mato: SHENJTORJA JETËSORE
- Aug 19, 2025
- 2 min read

Bukuroshja që më lindi në vjeshtën e tretë,
e më ushqeu me gjakun e bardhë të gjirit,
më dha edhe bardhësinë e shpirtit të vet
dhe më ruajti, si dritën e bardhë të syrit.
Qëkur nëna nisi, të më krijonte në mitër,
duke lidhur rruazat, qelizë pas qelize,
lidhi njëherësh dhe shpirtin e saj me timin,
për të gjithë kohën e përbashkët jetike.
Ajo më mbajti në gjoks, plot dy vjet në sisë,
të më mbushte zemrën me dashuri të madhe.
Më deshi si djalin e parë të shtëpisë,
ndonëse i dha vatrës, gjashtë djem radhe.
Kur gjarpri më goditi me pickim të shpejt,
Nëna thithi helmin e tmerrshëm me gojë,
pranoi, pa mëdyshje, vdekjen e vet,
nga vdekja e sigurt të më shpëtojë.
Edhe kur gjashtë vjeç, më mori lumi
në gjeratoren e thellë, m’u rrezikua jeta,
nëna u hodh, e më rrëmbeu nga uji,
siç vërsulet shqiponja, me kthetrat e veta.
Nëna më mësoi, t’i kushtohem punës,
me atë pasion, që më ngjiti në emër,
mos të gëzoja, kur dikush vuante dhunën,
dhimbjen e tjetrit, ta ndjeja në zemër;
Të urreja çdo lloj tundimi, për të vjedhur,
se gishtat zgjatur i kishin thonjtë te burgu,
të mos përvetësoja, sendet e gjetur,
se mbetej pa gjumë, ai që i kish humbur.
Mos të vrisja zogj, që këndonin pemëve,
mos të shkelja gjallesat, ndanë udhe,
se dhe ata kanë shpirtra, si të njerëzve
dhe i qajnë nënat, me lot e me kuje.
Edhe kur arrita të bëhesha burrë,
dhe shkova të punoj largësive në jetë,
kam pasur kurdoherë, si tatuazh në lëkurë,
kujdesin e merakun e nënës së shtrenjtë.
Kur më përcillte, s’më kish thjeshtë djalë,
për engjëllin qiellor, të ardhur nga retë.
Ajo mallin për mua, s’e shprehte me fjalë,
por pikonte nga sytë, xhevahirë të nxehtë.
Nëna ka qenë për mua, dashuria e parë,
e atë ndjenjë, asnjë tjetër s’ma lëkundi.
Ndonëse mungon e s’e shoh më të gjallë,
nëna do mbetet edhe dashuria ime e fundit.
Sepse gjithë mirësitë që më dhuroi nëna,
i pata hajmali, nga ajo shenjtore në jetë.
Ndaj Shën-mamanë nuk e ndaj nga zemra,
derisa të shkoj pranë saj, edhe vetë...










Një poezi madhështore! Sensacion do ta quaja për mbresat e forta.Fillimisht mendova se ndikoi te unë nga që e njihja nga afër familjen e poetit, ( nëna e tij, kish punuar bashk me nënën time në stallën e derrave të Metoqit,) por jo, kur e lexova për së dyti, u binda se Vullnetie gjeti floririn që ka këruar gjithë jetën në minierën e poezisë. Nga kjo poezi, mësova pse Agimi për vërtetësinë e çdo rëfimi betohej: «Për kokën e nënës sime!»Vasil Klironomi