Vullnet Mato: NDOSHTA JAM SHENJTOR...
- 1 day ago
- 1 min read

Një karvan me vëllezër e motra,
shkuan në qiell e më lanë vetëm...
Barku i nënës, ku m’u krijua bota,
u shua i gjithë e më shkretoi jetën.
Do kisha ikur, para shumë vitesh,
por nga tri vdekje, kam shpëtuar.
Koha shpesh, më ka kërkuar ikjen,
mbase fuqia hyjnore, më ka ndaluar.
Më i madhi vëllezërve, po jetoj,
nga shteti, zakonisht i harruar.
Së fundi kam filluar të mendoj,
ndoshta zoti, më ka shenjtëruar!...
Se kam disa shenja të çuditshme:
Shkoj në mëngjes, në një kafene,
tryezat pa njerëz, nëpër karrige,
pas vajtjes sime, zhurmon lokali atje.
Habitem pronari, më ndal te pragu,
më thotë: Eja shpesh, o zotëri,
Kafen e ke falas, nga banaku,
se ti po na sjell mbarësi!...
Ndodh, disa shitës të tregut,
më kthejnë resto, gjysmë çmimin.
Nuk i njoh, mbetem i mekur,
pse ma bëjnë mua favorizimin?
Ka shembuj të tjerë më shumë:
sëmundjet s’guxojnë të më prekin.
S’mund të flejë, moshatar si unë,
fle, sikur po më tundin djepin.
Jam 90 vjeç, nuk ndal krijimin,
kam këmbët shtylla e kokën plot.
Mos vallë i duhem ende njerëzimit,
që zoti më lë, kaq gjatë mbi tokë?...
Shpesh herë për zotin mendoj,
ndoshta i duhem shenjtor, për poezi,
që kohën e ikjes, ma ndaloj?...
Ta besoj, mos ta besoj, s’di sesi!?...








Comments