top of page

VITI I ALFABETIT SHQIP...APO I GJUHËS SHQIPE?


VITI I ALFABETIT SHQIP...APO I GJUHËS SHQIPE?

NGA KRIST ZHARKALLIU 

  Megjithse jetoj më se gjashtëdhjetë vjet jashtë Atdheut,në një vend ku gjuha shqipe nuk është veçanërisht e pëlqyeshme, jam përpjekur ta respektoj  në të shkruarit  në mënyre rigoroze drejtshkrimin dhe rregullat e përcakruara nga vendimi për njësimin e gjuhës shqipe. Jo se nuk kam dashur të respektoj dialektet ekzistuese- në çdo vend ka dialekte por ka vetëm një gjuhë të shkruar dhe  tekstet shkollore janë  përshtatur njësoj në të gjitha vendet e botës. Kjo gjë u praktikua dhe në Shqipëri (akoma dhe në Kosovë) pas Kongresin për njësimin e gjuhës  zyrtare shqip, gjë që unë e përkraha që në fillim duke mbajtur qëndrim të kundërt nga disa intelektualë shqiparë të diasporës të cilët për qëllime politike e kritikuan dhe pretendonin se Shqipëria duhej të ishte dygjuhësore (gegënisht- e toskërisht) madje kishin arritur deri aty sa të akuzonin Tiranën se...Jugu kishte pushtuar Veriun..por kundërshtimit të tyre ndaj Gjuhës së njësuar (toskërisht thoshin) u a prrishi Kosova që menjëherë adoptoi Gjuhën e Njësuar (enveriste e quanin ithtarët e ndarjes Veri-Jug). Intelektualët e Kosovës - nga Ali Podrimja, Ali Hadri, Shkëlzen Raça dhe, kryesisht, Rexhep Qosja e shumë të tjerë (akoma dhe të Sinan Hasanit!)-librat e të cilëve ndodhen në bibliotekën time, adoptuan menjëherë dhe shkruanin në një gjuhë të kulluar të Shqipes së Njësuar. Intelektualët e Kosovës dhe të trevave të tjera arbërore treguan një pjekuri të admirueshme në drejtim të gjuhës. Akoma dhe gazetarët e gazetës Rilindja -që më vinte në Athinë- (Nga kjo gazetë peshkoja lajme të shkurtëra  për mgjarje të pa këndëshme  nga sjellja brutale e sërbomëdhenjve dhe shkrojta një sërë rrëfime satirike me titullin ‘’MOTIVE NGA KOSOVA’’ që  kanë mbetur pa u botuar,përveç disa pjesëve që u botuan në revistën e Lec Shllakut, Koha Jonë...por kjo s’ka rëndësi!) 

   Që atëhere gjuha shqipe mori hov të madh në të shkruar dhe sidomos për spastrimin e saj nga fjalë të huaja të panevojëshme dhe unë i mërguari dhe i izoluari nga trungu kombëtar, me atë pak shkollim që pata, u përpoqa të jem gjithnjë korrekt, brënda normave të caktuara nga gjigandët e Gjuhësisë Shqipe Eqrem Çabej, Amdrokli Kostallarin e shumë të tjerë. (Më vonë do të kisha fatin të takohesha dhe të kisha nj letërkëmbim me Aleks Budon, Alfred Uçin, Dritëro Agollin, Moikom Zeqon e shumë të  tjerë) Sidoqoftë dukej se gjuha shqipe e njësuar (standarte e quajnë tani! Pse?) ishte konsoliduar dhe me baza të forta kur të  gjithë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare që mbeten jashtë kufijve të të dy shteteve shqiptarë  shkruajnë Gjuhën e Njësuar. Por vitet e fundit po paraqitet një problem i ri, i paparashikuar: ‘’pasurimin’’ gjoja e fjalorit shqip me fjalë të huaja.Fjalë të  panevojëshëm që gjuha shqipe i ka më të bukura dhe më të kuptueshme për lexuesin e thjeshtë.

      Të zë tmerri kur lexon artikujt dhe shkrimet e gazetarëve të sotëm të Tiranës. Gazetarë ‘’me emër’’ mbushin artikujt e tyre me fjalë të huaja -marrëzisht- dhe të panevojëshëm që të duken se duan të na tregojnë se na qënkan të ‘’kulturuar’’ dhe kanë mësuar dhe gjuhë  të huaja...dhe lexuesi i thjeshtë duhet të vrasë mëndjen se çfarë duan të thonë me ato fjalë bombastike të huaja!  Prandaj kur lexova për Vitin e Alfabetit, mendova: mos duhet shtuar dhe Viti i Gjuhës së Pastër Shqipe? Vitet e fundit pëlqehet shumë përdorimi i disa fjalëve të huaja thua se nuk mund të zëvëndësohen nga shqipja. Nuk flas këtu për komentuesit e ndryshëm që nuk respektojnë asgjë gjuhësore sidomos në mungesë të plotë të shkronjave ‘’Ç’’ dhe ‘’Ë’’  si të panevojëshme- dihet se kompjuterat nuk i kanë në testjerë por mund të krijohen  me ndërhyrjen e një specialistit (Të njëjtin problem kisha dhe unë në fillim por më erdhi në ndihmë specialisti Indrit Ashiku, djali i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Abdurahim Ashikut) dhe alfabeti shqip hyri për bukuri në kompjuter. Por kjo pak rëndësi ka për ata që nuk respektojnë alfabetin...por si t’u themi gazetarëve që përdorin vënd e pavend fjalë të huaja? Kohët e fundit lexojmë në gazetat e Tiranës: U dakordësuan! Ç’do të thotë kjo? Nuk u pëlqen fjala shqipe  Marrëveshje? Pajtim? Jo, thonë...’’U dakordësuan!!!’’ Nuk mund ta mirrni me mënd se sa keq më godet në vesh kjo si dhe ajo u...surprizuan!! Nuk u habitën? Nuk u pëlqen kjo fjalë shqipe?Pse? Mund të dëgjosh një plakë malore të thotë se na qënka e...surprizuar? Ose kur thonë u presuan! Dhe shumë xhevahirë të tilla... Thonë zyrtarisht: negociata, negociojmë..Pse? Kemi fjalët e bukura shqiptare ‘’bisedojmë’’ akoma dhe ‘’kuvendojmë’’ këtë të fundit përdoret dhe nga të huajt, kryesisht nga grekët dhe shqiptarëve nuk u pëlqen duan të...negociojnë!.. Më bën përshtypje një gjë:  gazetat e sotme- nuk flasim për portalet e internetit këtu se ato i ka marrë lumi- që botohen dhe qarkullojnë në Tiranë nuk kanë një farë korrektori në redaksi? Më kujtohet kur punoja në një shtypshkronjë në Athinë- aso kohe shkruanim në linotipi (nuk e di se si quhet shqip) dhe sapo radhisnim fjalët e një artikullit ose shkrimit e kalonte me hollësi redaktori dhe kjo punë- të radhisje shkronjat në shtypshkronjë nuk ishte aspak e lehtë- dhe hiqte fjalët ose shkronjat e panevojëshme, ose shtonte shkronja dhe të gjitha kët bëheshin me dorë dhe aspak me lehtësi. Në këtë mënyrë më thirrën të korrigjoja dhe romanin e Kadaresë që ishte përkthyer keq nga frëngjishtja dhe emrat e  heronjve të romanit ishin deformuar krejt! Por kjo, atëhere, kur nuk ishte shpikur kompjuteri  që të mos bëjmë fjalë për internetin. Ç’i pengon këto gazeta të spastrojnë shkrimet e tyre nga gabimet dhe fjalët e huaja të panevojëshme për shqipen e sotme? Një tjetër dukuri (nuk themi fenoment!) është keqpërdorimi i apostrofit...Nuk  e dinë këta  njerëz se apostrofi përdoret për të pyetur? ‘’ç’bën? Ç’kërkon? Ç’shikon? E të tjera dhe jo kur themi: ‘’Çrregullime, çështje, çpopullim çoriontim’’ e të tjera e të tjera. Por ...më duket se godas në derë të gabuar. Megjithatë shpresoj se Akademia e Shqipërisë do të mirret pak dhe me gjuhën gjatë këtij vitit ‘’Të Alfabetit shqip’’ ndonse besoj se përkujdesja ndaj gjuhës nuk bëhet me fushatë vjetore por vazhimisht duke mos lejuar  bastardimin (këtu përdor dhe unë një fjalë të huaj në vend të fjalës shqipe) ‘’keq përzjerjes së gjuhës me fjalë të huaja’’... Zhvillimi i gjuhës, spastrimi i saj dhe mirëpërdorimi i rregullave drejtshkrimore(jo ortografi, jo gërmë) gjuhësore është i vazhdueshëm dhe i domosdoshëm për mirëvajtjen e kombit dhe të popullit shqiptar.

                 KRISTO ZHARKALLI, Athinë 27 janar 2024.

20 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page