top of page

Visar Zhiti: FLETORJA E PAPËS SË RI



 

PAQJA E ÇARMATOSUR QË ÇARMATOS…

- Fjalët e para dhe ditët e para të Papës Leoni XIV –

Përgatiti Visar Zhiti

FLETORJA E PAPËS SË RI

 

Papa i ri, Leo XIV, kur u shfaq në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit për të përshëndetur popullin e mbledhur në sheshin më të bukur të botës katolike, pas shpalljes së tij si Papë, me veshjen tradicionale papale dhe qëndrimi i përulur, ­çaste solemne dhe historike, - fjalë e parë që tha ishte: paqe. Ajo që duhet botës dhe njerëzimit, çdo qenieje të gjallë.

Vazhdon jehona e fjalës së tij dhe e takimeve të para. Më bëri përshtypje ajo që lexova në gazetën më të madhe italiane, “Corriere della Sera”. Gjëja e parë që godet nuk është fakti, - historikisht i rëndësishëm, -  që është i pari papë që zgjidhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. As që zgjodhi një emër të vjetër në dukje, i largët në kohë, në realitet tregues: Luan, emri i papës së parë që pajtoi me Rerurm Novarum krishtërimin me modernitetin. As ngulmimi te fjala “paqe” la pax Christina, e domosdoshme për të ngritur ura, etj, E para gjë që na goditi nga Robeert Francis Prevost ishte fletorja. Kurrë ndonjë papë nuk kishte lexuar ndonjëherë nga lozha një tekst të shkruar në fletë, që i shihte herë pas here. Dhe s’ishte prej vështirësisë së gjuhës, ai flet shkëlqyer jo vetëm italisht e anglisht e spanjisht, latinisht, etj. Fletorja i shërbeu për të qenë saktë…

Unë shtoj se dhe është e shkruar ajo që do të duhet të bëjmë, prandaj dhe mund ta themi, qartë dhe me përgjegjësi.

Gjithçka është e shkruar

       

CILA PAQE?



Ai lexoi me qetësi e përulësi:

“Le të jemi ndërtues të paqes, duke refuzuar dhunën dhe duke përqafuar përulësinë si rrugën drejt pajtimit. Kërkoj një paqe të çarmatosur, çarmatosëse…”

Janë fjalë që mbajnë peshën e shekujve dhe ëndrrën jo vetëm të krishterimit, por të popujve, të kulturës perëndimore, që drejtësia dhe liritë të mos vijnë më nga shpatat, nga lufta e bombat, por nga paqja dhe puna, krahët e hapur të dashurisë, që besimi të jetë më i fortë se frika.

Paqja “e çarmatosur” është e lirë prej kërcënimeve, të saj dhe kundër saj, është pa helmeta e parzmorë si njeriu i zhveshur. Ndërsa paqja “çarmatosëse” është dhe një thirrje e madhe morale, mund t’u drejtohet kujdo, kombeve dhe pakteve të tyre: hiqni dorë nga armatimet, nga logjika e kërcënimit, nga ekonomia e vdekjes.

Dy fjalë: i çarmatosur dhe çarmatosës. E gjithë strategjia  dhe kultura morale që do të duhej…

 

LUANËT ME KRYQ

 

Ka çaste në histori kur dhe një njeri i vetëm del përballë shkatërrimit dhe thotë: “Jo.” Dhe këtë “jo” nuk e thotë me armë, as me ushtri, por me fjalë, me besim, me fytyrën e tij të kthyer nga qielli dhe me dorën që mban një kryq të thjeshtë.

Kështu ndodhi në vitin 452, kur Papa Leoni i Madh doli përpara Atilës, “kamxhikut të Zotit”, barbarit që digjte qytet pas qyteti dhe kishte mbërritur në portat e Romës. I papajisur me asnjë lloj mbrojtjeje, Papa mbajti vetëm fuqinë e fjalës dhe autoritetin e një besimi që nuk druhej. Dhe Atila u tërhoq.

 “Takimi i Papa Leoni i Madh me Atilën” – Rafael (1513–1514)
 “Takimi i Papa Leoni i Madh me Atilën” – Rafael (1513–1514)

Kjo freskë monumentale ndodhet në Stanza di Eliodoro në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Piktori i shquar i Rilindjes, Rafaeli, paraqet momentin kur Papa Leoni, i shoqëruar nga Shën Pjetri dhe Shën Pali që shfaqen në qiell me shpata të tërhequra, përballet me Atilën dhe ushtrinë e tij. Afresku

Kjo ndodhi, në kufijtë e historisë dhe legjendës, nuk është vetëm një faqe e lavdishme e Kishës. Është një metaforë universale për atë që ne, njerëzit, e harrojmë gjithnjë: se forca e brendshme, kur është e mbështetur në drejtësi dhe në dashuri, ka më shumë peshë se çdo shpatë.

Sot, bota është sërish nën kërcënimin e Atilëve modernë. Ata nuk vijnë më me ushtarë e shigjeta e kuaj, por me urrejtje të organizuar, me teknologji që ndan, me ideologji që zhveshin njeriun nga dinjiteti, me heshtje përballë vuajtjes. Dhe sërish, para këtyre hijenave të kohës sonë, del një Papë i ri – Robert Francis Prevost, një burrë i heshtur, një bari i butë që vjen nga zemra e Amerikës dhe rrugët e Perusë, ku ka shërbyer mes të varfërve.

Zgjedhja e tij si Papë në këto kohë të turbullta është një përgjigje e heshtur, por e fuqishme: nuk është shtrëngata ajo që flet, por qetësia. Nuk janë zhurmat ato që drejtojnë botën, paratë, forca, dukja, etj, por mendimi, idealet, fjalët e brendshme shpirt:ere. Dhe Papa Roberti nuk ka nevojë të bërtasë. Që në fjalimin e tij të parë ai s’premtoi revolucione, por prani dhe dëgjim, shërbim dhe mirëkuptim, si të donte të na thoshte se Roma e sotme nuk është një qytet për t’u mbrojtur me mure, por një ndërgjegje për t’u ruajtur me dashuri.

Në botë ka luftë, Rusia me Ukrainën. Në Izrael me palestinëzet, etj, Kërcënime ka, urrejtje ka, armatime gjithnjë e më shumë. Dhe djaj t;e armatosur.

Nëse Papa Leoni ndali Atilën me ndërhyrjen qiellore të Shën Pjetrit dhe Shën Palit, Papa Roberti do të duhet të ndalë Atilat e sotshëm, të dukshëm dhe të padukshëm, me engjëj të tjerë: urtësisë së shenjtë, përulësisë njerezore.

Ai përfaqëson Kishën, që nuk mbron fronin, por plagën. Një udhëheqës që nuk nderohet për atë që zotëron, por për atë që ndan. Një burrë që e ka ndërtuar jetën e tij mbi fjalët e Krishtit: “Mos kini frikë.”.

Selia e Shenjtë me Papa Françeskun, kujtojnë vëshguesit, me SHBA me Trumpin President, por dhe me Biden, - president katolik, nuk kishte mirëkuptimin e duhur, pra marrëdhënie të nderura, një papë amerikan duhet të ndryshojë gjendjen. Presidenti Trump ka acaruar Europën, në Papë në zemër të Europës do të dijë të ndërhyjë. Dhe ai ka përvojën e varfërisë sociale në Peru, të emigracionit në familjen e tij, di Afrikën, Azinë dhe Kinën që gjakon superfuqinë, jo vetëm ekonomike, etj, etj.  

Papa Leoni ndaj Atilës kishte në anën e tij mrekullinë. Papa Roberti ka në anën e tij kohën – këtë kohë që ka nevojë për udhëheqje pa detyrime, për shpresë pa iluzione, por me besim. Papa që ndalon me kryq shpatat dhe të keqen…

Dhe sapo ka ardhur një i ri…

 

DHE PSE PAPA LEONI XIV?

MESAZHE TË TIJ:

E tha vetë:

Mendova të marr emrin e Leone XIV per arsye të ndryshme, por veçanërisht sepe Papa Leone XIII në Enciklikën  Rerur Novarum përballoi çështje sociale në kontekstin e revolucionit të parë industrial. Dhe sot kisha u ofron të gjithëve trashëgiminë e saj të doktrines sociale për t’ju përgjigjur një tjetër revolucioni industrial, zhvillimin të Inteligjencës Artificiale, që përfshijnë sfida të reja për mbrojtjen e dinjitetit human, te drejtësisë dhe punës.

Që në ditët e para të pontifikatit të tij, Papa Leone XIV ka dhënë mesazhe të fuqishme që përçojnë shpresë dhe përkushtim, drejtësi sociale, dialog dhe paqe në një botë të trazuar. Tirrjet e tij janë:                                                                  

1- Për ndërtimin e urave: Në fjalimin e tij të parë publik më 8 maj 2025 theksoi rëndësinë e paqes, unitetit dhe dialogut, duke i bërë thirrje Kishës të jetë më e afërt me të vuajturit dhe të angazhohet në misionin e saj ungjillëzues .  

2- Mbrojtja e dinjitetit njerëzor dhe të punës përballë sfidave të revolucionit digjital dhe Inteligjencës Artificiale, etj.    

3- Papa Leone XIV ashtu si Papa Françeskut ka theksuar rëndësinë e kujdesit për më të dobëtit dhe promovimin e një dialogu të guximshëm me botën moderne.     

4- Papa i ri ka theksuar nevojën për mikpritje ndaj emigrantëve dhe përkujdesje për mjedisin… etj,

 

TË SHKOSH TE IKONA E SHQIPTARËVE 


 Papa Leoni XIV në Genazzano, ikona Zoja e Këshillimt të Mirë, Pajtorja e Shqiptarëve.

Dalja e parë jashtë Romës e Papa Leonit XIV në ditën e dytë si papë ishte në Genazzano në Kishen e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqipërisë.

Është figura e Zojës që iku nga Shkodra në kohët e errta të pushtimit otoman dhe u vendos në afërsi të Romës. Shkodra e Zojës dhe Zoja e Shkodres.

Papa Leone XIV, më parë kardinali amerikan Robert Prevost, është anëtar i Urdhrit të Shën Augustinit. Sanktuari i Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano është një vend i shenjtë i rëndësishëm për këtë urdhër, pra ishte dhe një kthim në rrënjët e tij shpirtërore.  Ikona e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës, ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët dhe për besimtarët katolikë në mbarë botën. Sipas traditës, kjo ikonë mbërriti mrekullisht nga Shkodra në Genazzano në vitin 1467, gjatë pushtimit osman. Vizita e Papës në këtë vend të shenjtë është një nderim për këtë trashëgimi të përbashkët shpirtërore.

Papa Leo XIV përshëndeti besimtarët, të gjithë që kishin dalë për ta pritur e parë e takuar, duke shprehur gëzimin që pati duke iu lutur Nënës së Këshillit të Mirë, “një dhuratë kaq e madhe” për popullin e Genazzanos, që sjell edhe një përgjegjësi të madhe: “Ashtu si një nënë nuk i braktis kurrë fëmijët e saj, edhe ju duhet t’i jeni besnikë nënës suaj”.

Papa përshëndeti të rinjtë, dhe ata që janë të rinj në zemër –

Më në fund, përpara se të largohej nga Shenjtërorja, ai bekoi të pranishmit. Por duke qenë një ikonë shqiptare ajo ku ai u lut, na duket se vetë Shqipëria, ajo e vjetra, e përjetëshmja, pra dhe e ardhmja, e priti atë dhe e uroi. Është dhe kështu…

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page