top of page

Visar Zhiti: AMBASADA PRANË DALLGËVE TË OQEANIT


 

- Diplomacia e kujtesës... në prag të festës së Kosovës -

 

Nga Visar Zhiti

 

 

 

Lisbona është e bukur dhe në dimër, madje të pëlqen të endesh dhe nëpër shi mbi florën e gurëve rrugëve të gjera, kërkon të shohësh sa më shumë, t’u ngjitesh kodrave me tramin e verdhë, të shkosh në Kështjellë, në Panteon, në muzeume, në librarinë më të vjetër në botë, të futesh në kisha, atje ku ka lindur Shën Antoni, të dalësh në anën tjetër të lumit të madh, të mahnitesh në muzg me shtatoren madhështore të Krishtit Mbret, të ngjitesh me ashensor brenda piedestalit, të dalësh në taracën lart e të shohësh qytetin e pafund, çatitë e kuqe, po brenda piedestalit të futesh në Kapelë, në shitoret, te kisha poshtë, të vazhdosh me autobuzin e linjës mbi urat e gjata dhe të duash të shohësh oqeanin.

Portugalia është vend mesdhetar nga dielli dhe kultura, por dhe oqeanik nga dallgët dhe fryma...

Por unë doja të shkoja patjetë në Ambasadën e Republikës së Kosovës, e ndjeja, ishte më shumë se dëshirë, jo vetëm sepse Shqipëria nuk ka ambasadë në Portugali. Nuk ishte kureshtja, as mungesa e ambasadës tjetër dhe unë kam punuar në diplomaci, por një thirrje si nga larg,  me mister dhe përmallim.

 

Po shkonim për atje, në Rostelo, hapësirave ku historia portugeze nuk e harron vetveten si perandori detare, pikërisht në Rua Gonçalo Velho Cabral dhe ndalim pranë një vile të bardhë. “Urdhëroni si në shtëpinë tuaj”, thonë malësorët tanë dhe kështu do të dëgjonim. Në anë të portës, mes blerimeve në mur, tabela e argjendë “Embaixada da Republica do Kosovo”, Flamuri blu me hartën e Kosovës si një gjethe e brishtë a si zemër me 6 yjet sipër. Doja t’i ledhatoja.

Ambasadorja, Dr. Edona Maloku, me bashkëshortin, Artor Berdyna, na pritën me përzemërsi si bashkatdhetarë e kolegë, me protokoll miqësor, na nxorën pije nga Kosova, na dhuruan Hyjneshën e Kosovës në fron, shumë interesante, pra emblema e një gruaje, jo shpata e pirgje, por simbol i mëmësisë dhe i pjellorisë së tokës, Dardania nuk mbart vetëm histori konflikti, por dhe burim jete dhe kulture të lashtë, po mendoja. Prandaj dhe Kosova ka në krye si presidente një grua dhe shumë gra i ka dërguar si ambasadore nëpër përfaqësitë e saj. Ndërkaq znj. Edona i jep Edës sime një medalion me qendisma të grave të traumatizuara nga lufta e fundit me serbet, që tronditën botën me genocidin, masakrat dhe përdhunimet, UÇK- po i përgjigjej luftës me luftë, por u detyrua NATO me SHBA në krye të ndërhynte ushtarakisht, e para luftë morale, që të pushonin dëbimet masive dhe të vendosej armëpushimi. Kosova u çlirua dhe shpallet Republikë.

Portugalia e njohu herët, që në 2008 Kosovën si shtet të pavaruar.

Teksa vizitojmë mjedisert e ambasadës, shohim piktura dhe relike, ambasadorja na tregon për mbresat e saj në ceremoninë e shkëmbit vjetor të urimeve Të Vitit të Ri me Presidentin e Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa në “Palacio Nacional da Ajuda”. Ajo me Artorin e saj ishin veshur me petkat kombëtare. Gjatë bisedimeve “i riafirmon perkushtimin e Kosovës në thellimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetin mik të Portugalisë dhe të përparimit të prioriteve të përbashkëta...”.

Kosova jonë është shtet i ri, ka nevojë parësore njohjet, pra diplomacinë legjitimuese, që të forcojë praninë në çdo shtet njohës të BE-së. Shqipëria nuk ka ambasadë në Lisbonë, shkaqet nuk janë politike, por financiare dhe praktike, besoj. Rrjeti diplomatik shqiptar është i kufizuar, prandaj Shqipëria zgjedh, vendet fqinjë së pari, BE qendrore, Itali, Gjermani, Francë dhe SHBA patjetër, të parën.

Marrëdhëniet me Portugalinë janë miqësore, por jo intensive, mund të thonë specialistët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, diaspora shqiptare aty është e pakët ashtu si dhe shkëmbimet ekonomike dhe zakonisht mbulohet nga “përfaqësi jo rezidente”, nga ambasadat tona pranë si ajo në Madrit dhe tani në Paris.

Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë vetëm nota verbale, takime të nivelit të lartë e traktate, etj, etj, po mendoja, por ndjeshmëri popujsh, kulturore dhe vetëdije historike.

Kjo vizitë më vuri në mendime. Gëzueshëm. A duhet t’i them? Rrënjët e popullit të shqiptar janë më thella se mosha politike e tij.

Ambasadorja jonë e Prishtinës, përfaqësuesja e shtetit më të ri në Europë flet me qetësi e pa komplekse. Sigurisht që ajo i di, por mua më lindi dëshira të hedh disa shënime...

 

SHTET I RI, POPULL I LASHTË

 

Republika e Kosova është e re në hartën politike, por e vjetër në kujtesën e Evropës dhe të Amerikës. Gjysmë e Shqipërisë, që na dhimbet vazhdimisht shkëputja, por shtet i pavarur dhe serioz, që na bën krenar, me një popull të lashtë dardan. Pra ilirë, arbër më pas dhe tani shqiptarë. Shteti i Kosovës nuk fillon me aktet e njohjes ndërkombëtare, por me historinë kombëtare të përbashkët, me emra që i paraprijnë shteteve moderne.

Pra, me të drejtë do të duhet përdorur diplomacia kulturore, morale, diplomacia e mirëkuptimit. Dhe ajo e kujtesës.                                                                Bota Perëndimore Euroatlantike, civilizimi dhe gjithë ai zhvillim i mrekullueshëm mbështen në këto kolona kryesore:

- Në Antikitetin Helen, me artin dhe kulturën e tij, me lindjen e arsyes kritike dhe të demokracisë direkte.

- Në të Drejtën Romake, që i dha formë rendit juridik, shtetit dhe idesë se ligjit si normë universale.

- Në Shpirtin Kristian, që solli etikën e dinjitetit njerëzor dhe mëshirën, përgjegjësinë morale dhe idenë e personit.

Me Krishtin bota mori doktrinën e dashurisë.

Por ka qenë një rrugëtim i vështirë mijëvjeçarësh, me luftëra, pa mbarim, me pushtime e perandori, plaçiktje, zhdukje popujsh e gjuhësh, me skllevër dhe rrënoja, me biblioteka e strategë e konsuj e diplomaci, paqe e prishje paqeje, etj, etj. Janë djegur libra të mendimit të hershëm njerëzor, tragjedi të antikititet janë zhdukur nga sisteme e diktatura, është censuruar Homeri dhe është kryqëzuar Krishti, nërsa të krishterët janë përndjekur me shekuj.   

Shqiptarët si popull i lashtë dhe si shtet janë në këtë vorbull, që zjen si gjeneza.

Si fqnjë me grekërit kanë ndarë dhe fat të përbashkët me ta, legjenda e balada e gjuhë, edhe pse jane krejt të veçanta, i kanë dhënë dhe marrë njëri-tjetrit fjalë dhe heronj, arvanitasit u shquan në revolucionin grek për pavarësi, etj, etj.

Perandoria romake njeh perandorë me origjinë ilire. Ata vërtet punuan për Romën si romakë, se Iliria e pushtuar ishte pjesë e saj dhe perandoria, dihet, kujdesej që të çonte kudo njëlloj dhe “Egnatian” e saj dhe “Colesseu-n”, rrugë, ujësjellës dhe amfiteatër.

Konstandini i Madh, shekulli IV pas Krishtit, është figurë kyçe e antikitetit të vonë, ai bëri kalimin nga bota pagane romake në botën e krishterë. Me Ediktin e Milanos (313) legalizoi krishtërimin dhe vendosi themelet e Perandorisë Bizantine.    

Nga ishte Konstandini i Madh? Lindi në Naissusi-n antik, Nishi i sotëm, në Serbi, por atëhere ende nuk kishin ardhur sllavët në Ballkan. Babai i tij, Konsyanci Klor, oficer i lartë romak, ishte me origjinë ilirike edhe nëna, Helena, po ashtu. Këto janë të njohura dhe gjenden në enciklopeditë më serioze të botës. Ai, pra, që i ndryshoi përgjithmonë fytyrën shpirtërore Evropës, ishte dardan, nga Kosova e sotme. Është i mjaftë ky fakt që Ballkanin, konkretisht Kosovën historike, ta heqin nga rrethinat e qytetërimit, por ta shohin dhe në qendër. Diplomacia shqiptare e Prishtinës kështu nuk shpik një identitet, po e rikujton atë.

Dua të tregoj se, kur punoja në Romë, ambasada e Serbisë çdo vit përkujtonte Konstandinin e Madh, “i dalë nga toka Serbe” me veprimtari të ndryshme, kuvende, etj, ndërsa ambasadat tona, e Shqipërisë dhe më pas e Kosovës, nuk bënin asgjë, vetëm lexonin ftesat e asaj, të Serbisë dhe diskutonin të merrnin pjesë apo jo. Por nuk duhet diskutuar që shqiptarët duhet të thërrasin Konstandinin e Madh, në akademi e konferenca e përvjetorë, në diplomaci, etj, si të tjerët që lidhen me të, në mos më shumë.

Edhe Portugalia është e krishterë.

 

ILIRIA QË FLET NE LISBONË

 

Një tjetër urë e thellë lidhëse mes këtyre hapësirave është Shën Jeronimi, përkthyesi i Biblës, mendja që i dha fjalën latinishtes së shenjtë. (Vulgata). Ai tashmë është dhe shenjti i përkthyesve.                                                                      Në Lisbonë një nga monumentet më madhështore të Portugalisë dhe Europës mban emrin e tij, Manastiri i Jerónimos-it. E vizituam dhe na mahniti, vezullonte nga mermeri.

Po edhe Shën Jeronimi është ilir. Nëse Konstadnini i Madh krijoi politikën e lirë të krishtërimit, Shën Jeronimi bëri tekstin e ndërgjegjes së krishterë.   

Guri flet. Arkitektura lutet. Doja të shkruaja poezi... Dhe emri i një shenjti ilir jeton në zemër të Portugalisë, në brigjet atlantikase.

Vetë Ambasada e Prishtinës në Lisbonë më duket si një rikthim i asaj kujtese, të shpërndarë gjithandej.

 

SKËNDERBEU

DHE EUROPA E PËRBASHKËT

 

Gjergji ynë shfaqet si një figurë e ndritur europiane, si mbrojtës i kufirit lindor të krishtërimit, kalorës i qëndresës, që për Portugalinë detare në epokën e zbulimeve përbënte një simbol.

Skënderbeu ishte aleat i ngushtë i Alfonsit V të Aragonës, mbretit të Napolit, që kishte lidhje martesore dhe politike  me dinastinë portugeze të Avis-it, ashtu vepronte Europa e atëhershme, me aleanca oborresh mbretërore. Portugalia e njeh Skënderbeun përmes diplomacisë dhe kronikave iberike të shek. XV-XVI si “Principe da Albania”, “Defensor da Cristandade”. Ai u bë pjesë e këtij imagjinari kalorsiak europian, miti i një princi luftëtar që mbron qytetërimin.

Në Portugali Skenderbeu njihet kryesisht në rrethe akademike.

Edhe nëse nuk është pjesë e diskursit publik të përditshëm, ai mbetet simbol i Evropës së përbashkët, që u mbrojt përmes sakrificës, por dhe me gjak arbëror.

Ambasada e Kosovës në Lisbonë ka se ç’tregon për Skënderbeun jo si legjenda e një kombi, por si hero evropian, ku takohen historitë tona, pra dhe e Portugalisë.

 

NËNË TEREZA VJEN DHE SI SHTATORE

 

Donim të shikonim statujën e Shenjtes tone në Lisbonë. Do të ishte si një takim mes shqiptarësh. Dhe në mbrëmje ambasadore Edona dhe i shoqi, Artori, bashkë me Edën time dhe mua, shkuam në Marvile, në Parque das Naçóes.

Nënë Tereza e bronztë na priste me një fëmijë ndër krahë. Ndoshta ishte një nga ata të luftës së Kosovës, mbase fëmijë i Ukrainës a i Gazës. Në krahërorin e Nënë Terezës dukej se po shikonte një ëndërr paqeje.  

Nënë Tereza ka ardhur në Portugali si themeluese e “Missinaries of Carity”, ka qendruar në Lisbonë dhe në Fatima në Santuarin madhështor. ku në muzeun e tij  është dhe plumbi me të cilin qëlluan në atentat Papa Vojtilën, që besonte se Madona e Fatimas ia devijoi drejtimin... Nënë Tereza aty dha porosi për dashurinë mes njerëzve dhe fuqinë e lutjes. Së fundmi ajo erdhi në Lisbonë si shtatore nga Kosova, dhuratë popullit portugez. Është vepër e skulptorit shqiptar Butrint Morina. Në ceremoninë zyrtare të përurimit ishte Presidentaja e Kosovës dhe Kryetari i Bashkisë së Lisbonës, lexoj. Është dhe një rrugë me emrin e Nënë Terezës.

A e dinë në Portugali që prindërit e saj janë nga Kosova?

 

 

 

 

ULIKSI DHE AKTORI NGA KOSOVA

 

Lisbonës i pëlqen fort miti i Uliksit. Qyteti e njeh veten si vend ndalese i tij në aventurën e udhëtimeve të largëta dhe të kthimit më së fundi në Itakën metaforike të tij. Sipas tyre dhe Lisbonë vjen nga emri Uliks. ((Olissipo – latinisht, qyteti i Uliksit. Olissipona - me kalimin e shekujve u bë: Lissipona, Lisboa/ Lisbona).

Po Uliksi më i bukur në kinematë e Europës ësht:e ai i aktorit kosovar, Bekim Fehmiu. Edhe sot shikohet me ëndje. Ambasadat shqiptare mund ta shfaqin kudo...  

Dhe Kosova e tij ashtu si e gjithë Shqipëria janë bashkë në rrugën e kthimit për në shtëpi, në familjen e përbashkët Europiane, ku Portugalia ka shumë rëndësi dhe si një urë mes Europës, Afrikës dhe Amerikës Latine.

Roli paqësor i Portugalisë në BE shquhet, shteti me peshë morale më të madhe se ajo ekonomike. Portugalia flet me durim dhe kujtesë. Kanë se ç’të mësojë lidershipi shqiptar prej tyre.

 

      *

 

Mësoj se Ambasada e Republikës së Kosovës në Lisbonë nuk është vetëm adresë, por hapësirë veprimtarish: takime diplomatike, ngjarje kulturore, kontakte akademike, përkujtime simbolike, mbi të gjitha ndërmjetëse në marrëdhëniet ekonomike, në arsim dhe shëndetësi, etj, në mbështetjen diplomatike mes Kosov:es dhe Portugalisë..  

Diaspora e shqiptarëve këtu është e pakët, por e ndjeshme. Ne takuam një djalë të ri, Kristi Ndrio, asisten diplomatik, me nënën e tij mjeke dhe një shoqe të saj poete, Erida Gjini, që kishte përkthyer në shqip një roman të shkrimtarit më të madh të gjallë portuges, ndër më të mëdhenjtë në letërsinë bashkëkohore, Lobo Antunes, plot me vizione kaleidoskopike të Portugalisë moderne.

Sa mirë që kemi ambasadën e Kosovës, - na thanë,- vemi aty shpesh, na mbledh...

Ambasadorja Dr. Edona Maloku-Bërdyna është një intelektuale e njohur, PhD në Psikologji dhe Shkencat Sociale, është diplomuar shkëlqyer në Universitetin Leiden në Holandë, ka Master, donin ta mbanin në Hollandë në Universitet, por jo, u kthye të shërbente në Kosovën e saj, ku dhe i vëllai, Inxhinier Labinoti bashkë me babanë ishin në rreshtat heroikë të UÇK-së. Edona emërohet zv/ministre në Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion, është akademike dhe pedagoge, vlerësuar me çmime. Ajo është Kosova e pasluftës, e ëndrrës euroatlantike të popullit të saj.

 

 

 

DHE OQEANI NË FUND

 

Shkuam të vizitonim Oqeanin. E kisha soditur nga dritaret e avionit atë pafundësi ankthëruese, që e bën planetin Tokë të duket blu dhe aq i bukur nga lartësitë e universit.                                                                             Brigjet e Atlantikut i kisha shkelur nga Amerika,  nga Gjiri i New Yorkut e nga Bostoni, por jo nga Europa.

Shtangëm. Dallgë të mëdha në Cascais vinin drejt nesh. Shkulmet si mermere të gjalla hovnin lart dhe binin duke u thërrmuar mahnitshëm.

Dallgë të tjera u turreshin shkëmbinjve si kope të bardha kuajsh dhe kërcenin shkëmbinjve dhe pastaj ujana e tyre rridhte si të ishte e kornizuar si vepër e Dalisë.  

Shkuam më sipër te “Boca do Inferno” dhe aty oqenai me ato nofulla shkëmbore këndonte durimin, kështu m’u duk. Dhe s’kishte të mbaruar dialogu mes ujit dhe gurit...                                                                                      Ndoshta prej pranisë së ambasadores dhe bashkëshortit të saj, Maloku-Berdyna, ndjeva Kosovë, vendin që përball dallgët. Po edhe vetë është dallgë që lëvrin dhe kërkon hapësirë e nuk ndalet.

Dhe po mendoja se s’është ky konflikti i vetëm: dallga me shkëmbin, një romantizëm sublim i pambaruar. Mbase dallgët rendin të godasin shkëmbin me etje përqafimesh, do bregun, kufirin, arritjen, Dallga dallgë dhe shkembi shkemb, të duhemi…  

Edhe pse Gojë e Ferrit (Boca do Inferno), pashë dritë: dritën e vrullit dhe të përballjes dhe të vazhdimit. Kështu dhe historinë mund ta lexosh më mirë, edhe të Kosovës, jo si tragjedi e pafund, por dhe si etikë e qendresës, diplomaci e kujtesës e mësim se si të jetosh mes dallgëve pa humbur, duke dashur…

Ne do të iknim, oqeani me brigjet do të vazhdonin po ashtu, të gjëmonin madhërishëm. Po mbyllej një ditë, një udhëtim dhe një ese. Me mundësi vazhdimesh të gjithanëshme...

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page