top of page

Vilma Bello: Trilogjia “Familja RosMaku”…


 

Analizë e vlerave letrare, gjuhësore e artistike në trilogjinë me përrallëza “Familja RosMaku” me autore dr. Shpresa Fundo Gjergji

 

 

Trilogjia “Familja RosMaku” përbëhet nga tri pjesë që ndjekin zhvillimin kronologjik dhe emocional të një familjeje rosakësh, duke filluar nga jeta e tyre në pellgun e artë, lindja e anëtarëve të rinj, edukimi dhe ndërveprimi i tyre me elementët e natyrës dhe shoqërisë. Veprat (3 librat) janë ndërtuar me një strukturë të qartë narrative, ku çdo pjesë përçon vlera të drejtpërdrejta për lexuesin fëmijë.

1. Përshtatshmëria për grupmoshën 3 - 8 vjeç

Librat u përgjigjen shumë mirë nevojave të fëmijëve të kësaj moshe:

- Teksti është i ndarë në fragmente të shkurtra, lehtësisht të përvetësueshme. Hera-herës, ka një përsëritje të leksikut tingullor (mak-mak, kuak-kuak), gjë që rrit kënaqësinë dhe përvetësimin gjuhësor;

- Temat që trajtohen janë të afërta me përvojën e përditshme të fëmijëve: familja, kujdesi, prindërimi, rritja, miqësia, vetëbesimi, zhurma, qetësia, rregullat, loja, paqja në komunitet, natyra etj.

 

2. Struktura narrative dhe kohezioni

 

Trilogjia ka një ndërtim të qëndrueshëm:


 

Pjesa 1 prezanton mjedisin, personazhet dhe themelon lidhjen emocionale me lexuesin.

Pjesa 2 fut konceptin e rritjes së familjes dhe të përkujdesjes prindërore.

Pjesa 3 trajton ndërveprimin me “të tjerët” jashtë familjes dhe harmoninë në bashkëjetesë.

 

Çdo pjesë përfundon me një ndjesi mbylljeje të natyrshme dhe një hapje të mundshme për vazhdim, duke respektuar ciklin emocional të fëmijës.

 

3. Vlera edukative dhe emocionale

 

a. Roli i familjes

 

Familja RosMaku përfaqëson një model të ngrohtë, të kujdesshëm dhe bashkëpunues. Nëna dhe babai rosak janë figura mbështetëse që edukojnë me dashuri dhe përkushtim.

Në librin e parë, baba Biku mëson rosakët të qëndrojnë bashkë dhe të mos ndahen.

Në librin e dytë, nëna Viku u mëson bijve të vegjël notin, por edhe besimin në vetvete.

Në librin e tretë, nëna Viku i mëson rosakët të pranojnë fqinjësinë e të jetojn në paqe.

 

b. Miqësia dhe bashkëjetesa me “të tjerë”

 

- Mia, vajza e vogël në Pjesën 1, dhe bretkosa Sprig në Pjesën 3, janë figura të “tjera” në raport me familjen. Mia përfaqëson miqësinë e pastër njerëzore, mirëkuptimin ndërmjet botës së njeriut dhe asaj shtazore;

- Sprig, si personazh më energjik dhe zhurmues, vendos në provë aftësinë e RosMakëve për të bashkëjetuar me diversitetin.

 

c. Zhvillimi i ndjenjave dhe empatisë

 

Fëmijët lexues përjetojnë ndjenja të ndryshme: gëzim, dashuri, frikë nga stuhia, mall, kërshëri, pakënaqësi ndaj zhurmës, ndjeshmëri për një motër të mundshme.

- Rosakët e vegjël kërkojnë me këmbëngulje një motër “si Mia”, duke reflektuar dëshirën për afeksion (mbase dhembshuri?) dhe familje më të zgjeruar.

 

4. Modelimi i sjelljeve pozitive

 

Trilogjia ofron modelim të qartë të sjelljeve të dëshirueshme:

- Respekti për prindërit dhe ndjekja e këshillave të tyre;

- Përkujdesja për më të vegjlit (Daku dhe Maku ndihmojnë Tika, Riki dhe Biki);

- Zgjidhja e konflikteve përmes këshillimit dhe mirëkuptimit (Sprig nuk përjashtohet, por mësohet të jetë pjesë e komunitetit);

- Respekti për rregullat (nëna i tërheq fëmijët në shtëpi kur bie nata).

 

5. Vlera gjuhësore dhe ndihmesa për zhvillimin e gjuhës

 

Teksti përmban elemente të favorshme për zhvillimin gjuhësor:

- Fjalë tingullore (onomatope) të përsëritura: mak-mak, kuak-kuak, ciu-ciu;

- Ritëm i qëndrueshëm që ndihmon në lexim të zëshëm;

- Fjalor i pasur ndjesor: përdoren terma si “me rreze të ngrohta”, “zemra mal”, “buzëqeshi”, etj., që zhvillojnë imagjinatën ndijimore të fëmijës;

- Disa vargje poetike të alternuara me prozë të thjeshtë krijojnë lehtësi dhe ritëm gjatë leximit.

 

6. Vlerat estetike dhe gjuhësore në “Familja RosMaku”

 

A. Rima dhe ritmika si strukturë e brendshme, vlerë artistike e shtuar për këtë fabul për fëmijë.

 

Një nga veçoritë më të spikatura të trilogjisë “Familja RosMaku” është përdorimi i natyrshëm i vargut të rimuar për të ndërtuar fabulën. Kjo zgjedhje nuk është thjesht formale, por ka funksion të shumëfishtë:

- E bën tekstin të këndshëm për lexim të zëshëm, një formë shumë e rëndësishme në letërsinë për fëmijët e moshës parashkollore dhe fillore; 

- Ndihmon në kujtesën afatshkurtër dhe afatgjatë, duke i dhënë fëmijës mundësi të rikthehet vetvetiu në frazat e dëgjuara më parë; 

- Krijon ritmin emocional të tregimit, që shkon paralel me zhvillimin e ndjenjave të personazheve dhe tensionin dramatik të skenave.

"Nën shiun që trokiste me trak/ Me nënën u ngrohën e qeshën/ 

Të lumtur me Bikun babain rosak/ Familjen bashkuar e deshën."

 

Kjo strofë jo vetëm që rrjedh natyrshëm, por edhe shkallëzon emocionalisht nga shqetësimi te ngrohtësia e familjes, përmes ritmit.

 

B. Gjuha në funksion të fabulës

 

Gjuha që përdor autorja, është e pastër, e qartë dhe figurative, me një qëllim të qartë:

të komunikojë emocion, veprim dhe humor përmes konkretizimit ndijor.

 

- Fjalët si "pushverdhë", "bishtin po e tund", "pllaquritej në breg", "zemra mal", etj., i japin trupëzim personazheve dhe i bëjnë të prekshëm;

- Fjalitë janë të shkurtra, të ndërtuara për t’u lexuar me lehtësi nga fëmijët ose për t’u lexuar nga të rriturit në formë dialogu me ta.

 

Në pjesën ku nëna Viku mëson rosakun e vogël:

“Zhyte kokën lehtë, ushqimin e gjen vetë, mos u hidh përpjetë.” – kjo është gjuhë urdhërore e butë, edukative dhe, njëkohësisht, lozonjare.

 

C. Njësitë frazeologjike dhe pasuria e gjuhës

 

Edhe pse e thjeshtë, gjuha përmban njësi frazeologjike e shprehje të ngulitura që ushqejnë pasurinë gjuhësore të fëmijëve:

 

"Me zemër e duar të arta", "Me diellin në shpirt", "Zemrën mal e kishte", "Me shpirt urtësie nëne" etj.

 

Këto njësi mbartin vlera kulturore dhe emocionale, duke pasuruar gjuhën e brendshme të lexuesit të vogël dhe duke futur në fjalorin e tij fraza të ndërtuara me ngarkesë kuptimore.

 

D. Roli argëtues i strukturës poetike

 

Poezia, përmes rimës dhe ritmit, nuk shërben vetëm për të treguar, por për të argëtuar, gjallëruar dhe bërë të paharrueshme skenat:

 

- Përshkrimi i Sprig-ut, bretkosës që këndon e çirret, i jep librit tone komike;

- Shprehjet tingullore si "kuak-kuak", "mak-mak", "fllap e gëlltiti", "këlltuq-pëlltuq", krijojnë lidhje të menjëhershme emocionale, gazmore dhe imagjinative;

- Strofa të tëra mund të përdoren si këngë të lexueshme me zë, çka e bën librin më shumë se letërsi, një përvojë e gjallë interaktive.

 

7. Ndikimi estetik në ndërtimin e shijes letrare

 

Duhet theksuar se veprat (tre librat me përrallëza) mbajnë një tonalitet të butë estetik që e ndihmon fëmijën të mësohet me ndjeshmërinë, bukurinë e gjuhës dhe harmoninë e strukturës.

Përmes kësaj ndërtese të qëndrueshme ritmike, me frazeologji të pasur dhe gjuhë të ngrohtë, fëmija:

 

1. Zhvillon ndjeshmëri ndaj strukturës së bukur të gjuhës.

2. Ndahet gradualisht nga gjuhët e thjeshta të përditshmërisë dhe hyn në botën estetike të letërsisë.

3. Përvetëson vlera përmes argëtimit, jo përmes moralizimit të drejtpërdrejtë.

 

8. Tematika të përshtatshme për fëmijë

 

Trilogjia prek në mënyrë të natyrshme temat që lidhen me:

 

- Pranimin e ndryshimit (lindja e anëtarëve të rinj të familjes);

- Rritja dhe zhvillimi personal (mësimi i notit, përgjegjësia);

- Shëndeti emocional (frika nga stuhia, gëzimi i takimit, përmallimi);

- Ruajtja e komunitetit dhe e mjedisit si hapësirë për të gjithë.

 

Si përfundim:

 

“Familja RosMaku” është një trilogi që përmbush standardet thelbësore të letërsisë për fëmijë. Ajo ndërton një botë të kuptueshme, të afërt dhe të dashur për fëmijët, duke integruar:

 

- elemente të edukimit emocional; 

- modelim të sjelljeve shoqërore;

- kujdes për strukturën dhe ritmin;

- zhvillim të ndjeshmërisë gjuhësore.

 

Në tërësinë e saj, kjo vepër është një kontribut cilësor dhe origjinal në letërsinë shqiptare për fëmijë, që mund të qëndrojë denjësisht edhe në përkthime dhe konkurrime ndërkombëtare.

Mund të thuhet, gjithashtu, se natyra e vargëzuar e trilogjisë, një veçanti e “Familja RosMaku”, nuk është thjesht zbukurim stilistik, por element strukturor që e bën veprën të komunikueshme, të këndshme dhe edukative në mënyrë të natyrshme për fëmijët.

Nga Dr. Doc. Vilma Bello, Pedagoge, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page