VDEKJA E BURRIT


Miho Gjini "Mjeshtër i Madh"

VDEKJA E BURRIT

Novelë e jetuar Kushtuar MARTIRIT TË DEMOKRACISË Dino Martiko


Pjesa e parë


Në territorin e rrethuar me tela me gjemba mbrëmja ra e gjithëpushtetshme me errësirën e saj rrëqethëse. Frymëmarrja në "Kampin e Riedukimit" të të burgosurve u fashit dhe të pesë kapanonet e gjata prej pupuliti i zaptoi si zakonisht një heshtje e zymtë. Dëgjoheshin vetëm mërmërimat e kusurembëdhenjëve që ishin armiqësuar me pushtetin e partinë drejtuese të vendit, si edhe zhurma gërvishtëse që vinte nga hinka e altoparlantit. Ai që lexoi po me zë të ngjirur paragrafin e armiqësisë me Kinën Komuniste, nga vepra e nëntë e Udhëheqësit, kishte harruar hapur "grykën e hinkës". Tani në këtë orë të vonë ngjante si një turjelë që të shponte mishin pa pushim e të dëbonte gjumin. Po, sikundër u morr vesh dy orë më mbrapa, në të tilla raste pritej ndonjë komunikim shtesë nga Komanda e Burgut. Dhe, me të vërtetë, pa iu mbyllur qepallat e syve të ngujuarve atje brenda, si në stallat e kafshëve, zhurma gërvishtëse erdhi e u bë më e fortë dhe andej nga mesnata, u lexuan 10 emra të burgosurish, të cilëve u jepej njëzetë minuta kohe të mblidhnin teshat personale, bashkë me ushqimet që u kishin mbetur në torbë e të prisnin para komandës. Qe edhe emri i tij. Dinua u kollit pa e bërë të gjatë përgatitjen. Doktor Dragua u kishte thënë atyre të komandës se të burgosurit i funksiononte vetëm gjysma e mushkërive, diçka me prejardhje nga vuajtjet në dënimet e mëparshme, dhe se tani, e dëmtonte gjithmonë e më shumë tymi i zi mbushur me helme, që villte pa pushim oxhaku i Rafinerisë së Përpunimit të Naftës në Ballsh, fare afër burgut. Pa pasur kohë të mendonin më shumë, të dhjetë të burgosurit, u gjendën para komandës, mbi tarracën e së cilës dukej karakolli, trekëmbëshi i mitralozit dhe trupi i ushtarit i pështjellë me mushama e kokore ruse në kokë. Edhe ata të dhjetë ishin të veshur me kapota të murrme ushtarësh, të lyera sidokudo me një kafe blanga -blanga, që mbulonte lerën e vjetër. Kapteri tepër energjik Tare Qafoku, që mezi i dukej qafa, i bërë shumë i njohur në jetën e të burgosurve, hyri brenda rrethimit me një listë në dorë dhe lexoi emrat e "deleve të zeza" një për një dhe, po ashtu, i kaloi të dhjetë, në ndarjen e dytë, ku priste autoburgu, me "gojën e shqyer". Kapteri bëri shenjë me gishtin tregues që të hipnin njeri pas tjetrit dhe pastaj mbylli derën e trashë prej hekuri në ngjyrë të zezë, me një kërcëllitje lemeritëse të llozit që rrëshqiti me forcë nëpër unazat e trasha prej çeliku.

Kështu mesnata i gjeti përsëri të shtrirë në karrocerinë e Autoburgut. Dinua nuk arrinte dot të dallonte mirë fytyrat e të tjerëve, por kjo ishte diçka që në ato çaste nuk i duhej. U kollit edhe një herë me duart para gojës dhe pastaj mbështeti kokën mbi trastën e atyre pak ushqimeve që i kishte sjellë herën e fundit Sofia, e shoqja e moshuar, me shëndet të drobitur, që e vizitonte në Ballsh një herë në dy javë. Ajo e bekuar grua i kishte sjellur edhe kostumin gri këmishën e bardhë dhe kollaren. Përse? Ai e dinte , pra edhe e kërkonte, pështjellur me njëfarë mushamai të hollë, E palosi me kujdes dhe e vendosi afer kokës. Dinua e kishte thënë fjalën e tij disa herë dhe tani priste me qetësi të plotë, pa u penduaar kurrë, duke mbetur deri në fund i njëjtë, në një botë delikate e qëniesh perverse... Ndjeu se makina e burgut rrëshqiti më të poshtë, mbi një rrugë çaklli, derisa zhurma e rafinerisë u vagëllua dhe gomat kishin prekur asfaltin e një rruge më të hairit, për ti drejtuar drejt një vendi të panjohur. Ajo që erdhi më pas, ishte një topitje e trurit që sillte një gjumë të detyruar, ku brinjët e njeriut mpihen. Fytyra e doktorit malazez Dragos dhe e Andon Shetit, ish gjeneralit të burgosur nga Vunoi, pa u shkëputur nga mëndja e tij, u tretën edhe ato në errësirën e panjohur, deri sa në të gdhirë u duk një rreze drite e vagëlluar pas shumë orësh udhëtim, nga kuadrati i shufrave të hekurta të dritares së vetme që kishte ajo lloj karakatine me hekura të vjetruara, në trajtën e burgut lëvizës...

2

Vijoi një kohë e ndërmjetme e ngrirë, që të shurdhonte me qetësinë e saj. Në errësirë, të dënuarit në "Burgun Lëvizës" nuk kishin mundësi të shihnin njeri-tjetrin, edhe kur diku rastiste të hynte ndonjë fashë drite e zbehtë gjatë rrugëtimit të papritur në atë troshitje të gjatë përgjumëse. Të ndëshkuarit e "kundërrrymës" nuk kishin idenë se sa mund të vijonin të udhëtonin në atë gjendje, kur autoburgu ndaloi papritur dhe shoi motorin. Llozi i derës së jashtme kërcëlliti ethshëm dhe porsa u hap dera, vrundulli i erës së ftohtë të vendit verior hyri brenda karrocerisë duke shkaktuar rrëqethjen e mishit nga një i ftohtë i hidhur, i ndier deri në kockë. -Delni jashtë tash, ju "Delet e Zeza"! Njani pas tjatrit. Me vërtik. Me trajcat n'duer ene fillë ke i Madhi i Katunit! E nji k'tuna qi i'u shkelën kamët, u rrafshin dhamët! Hahahahhaha... Të dhjetë të dënuarit zbritën nga karroceria njeri pas tjetrit. Dinua pati aq kohë sa të hidhte një sy në vendin ku i kishin sjellë. Ishin dy ngrehina të ndërtuara rishtazi, pothuajse me ngut, buzë një kallamishteje lumi, baltovina e oborrit , sa gjysma e atij të Ballshit dhe kloni që e ndante me botën e lirë dhe me fushën e pafundme që shtrihej më përtej. Pa asnjë pemë. Kapteri, me atë gjuhë të rëndë , si në kohën e Gjon Buzukut, dha urdhër të vinin pas tij, nga ngrehina e komandës, e cila ndodhej midis të dyja ngrehinave, me ndarje të dyfishta telash me gjemba e karakollë, nga ku dukeshin rojet në këmbë, si njolla të zeza, me kallashnikovët në gjokset e tyre. Dinua vetëm tani mundi të shihte fytyrat e mjeruara të personave me të cilët kishte udhëtuar. Pati përshtypjen se nuk i kishte parë kurrë ndonëse kishin qenë në të njëjtin burg. U kollit me dorën para gojës e pas njëfarë vërshëllime që nuk dihej sesi si u formua e u trazua me erën, ndjeu dhimbje të fortë brenda kafazit të ligështuar të kraharorit. Pastaj drejtoi menjëherë shtatin. Miku i vuajtjeve, doktor Dragua, i cili njihte më mirë nga të gjithë gjendjen e tij shëndetësore, i kishte thënë se kishte vënë në dijeni komandën e Burgut të Ballshit për acarimin e sëmundjes së mushkërive, që ishte shtuar befas pas infraktit të parë që pësoi! Kishte shtuar se i sëmuri kishte nevojë për antibiotikë në kohën më urgjente. Gjatë udhëtimit nëpër natë Dinos fare pak i shkoi ndër mend se mund ta dërgonin në Spitalin e Burgut të Tiranës, diçka që u vërtetua porsa pa veten diku në Veriun e ashpër ku vërshëllenin erëra të ftohta... Rreth një orë më pas i erdhi radha të gjendej përpara tryezës së një zyrtari me syze të trasha xhami miopie, ku i duhej të regjistronte sendet personale: orën që i kishte dhuruar vjehërri në Korfuz, stilolapsin "Parker" që i kishte blerë Sofia, bashkëshortja e tij, fill me hapjen e Bankës në Sarandë, portofolin me fare pak të holla që e pati me vete ditën e arrestimit të dytë: në të vërtetë ishte i katërti, me ato dy arrestimet e përkohshme të italianëve në Sarandë. Mandejë dorëzoi lidhëset e këpucëve, dy kg. sheqer, si edhe tasin e lugën e aluminit, të cilat kapteri i shtyu me neveri, që i burgosuri t'i mbante në dorën e tij. "Po kostumin ç'a e dashka pas vedi, ky njeri i krekosur, sikur të vinte në ndonjë dasmë e jo nji'ktuna qi ta grrijnë mushkonjat, dy pashë hapa n'afri t'shën kollit!?".E pa me vrejtje! Kapteri kontrolloi menjëherë mbulesën e kostumit, xhepat një e nga një dhe, sapo u bind se nuk kishte kurfarë sendi tjetër me rezik, i tregoi me gisht derën tjetër prej druri. Dinua drejtoi trupin sikur të mos kishte ndodhur asgjë me rëndësi e pas katër-pesë hapash, u ndodh përpara dy oficerëve në mosha të ndryshme, njeri prej të cilëve, më i moshuari, mbante mustaqe të dendura, syze optike me skelet të zi në një fytyrë si prej eshke, ndërsa tjetri, më i riu, me vështrimin e një kapadaiu riosh, me faqet e skuqura si të një vajze, dukej sikur lëshonte xixa prej syve të tij të ndritshëm. Mbi tryezë qe pirgu i dosjeve të tyre. Ai që duhej të qe komandanti i Burgut, i hodhi një sy, nga këmbët te koka e i bëri përshtypje eleganca e këtij njeriu me pamje fisnike, si ata të filmave perëndimorë, veçse i tretur në trup e në fytyrë, me po ato flokë të rralluara, që prej disa vitesh i kishin mbushur kryet me borën e tyre të fundit. Oficeri kokoroç, që sapo kishte shfletuar edhe fletët e para të dosjes së tij, disa herë me të trashë se të tjerat, diçka i tha Komandantit të Burgut, pas pëllëmbëve të duarve të tij me ca gishtërinj të gjatë e të hollë... -Kush jeni? -Unë jam ai i dosjes që keni përpara - tha Dinua me një pamje që nuk tregonte aspak brendësinë e tij të thellë, që vuante. Jo vetëm në të tilla raste: me persona që e shihnin me urrejtje e mendjelehtësi por, përgjithësisht, edhe duke qenë i rrethuar me beton e hekura të rënda, privues të lirisë, Dinua nuk dukej tu jepte shumë rëndësi gjërave shtrënguese që i gjëndeshin përreth. -Agjenti grek Dino Martiko -tha me përbuzje oficeri me gishtërinjtë e hollë, që duhej të qe personi famëkeq i Sigurimit të Burgut. Fjalët i shoqëroi duke ngritur lart me të dyja duart një dosje voluminoze. -Me duket se nuk kam ardhur përsëri në Hetuesi, që të pohojë për të qindtën herë se i mbushni dosjet tuaja me gënjeshtra, -tha prerazi Dinua me një mllef të brendshëm që i ishte krijuar ndër vite, tek iu formua në ballin e pastër një tik nervozizmi... -Mjaft i poshtër! -bërtiti oficeri që duhej të ishte Komandanti. Ju anmiqtë, asnjiherë nuk e pranoni shitjen tuej ke i hueji, qi don si e si me na ba vorrin, po u'a qesim prej dhamësh! Por ul kryet e qepe buçen! Pranej t'kan çu knej, me na shitë pordhë?! Nuk pyet për taksiratin tonë qi u majmë, u ushqejmë e u edukojmë në Kampin tonë të Riedukimit, me u ndreq si njerëz? Në se don m'i hudhë poshtë bindjet tuja të zeza, prej reaksionari e me shpla vedin, nji k'tu e kena ene lumin e Matit e t'Fanit bashkë, n'Zadrimë t'Lezhës...Biles n'afri t'Shën Kollit! Institucion veç për ju, qi sapo i ka çil dyert për ju anmiqt e betuem t'partisë e t'Qeverisë! Osht shansi i funit çi t'nepet Zoti Martiko,-përfundoi ai duke bërë me dorë që të largohej e të vinte tjetri që rinte pas dere....

3

Gjatë një jave të tërë Dinua nuk pranoi te delte në apelin e mëngjesit dhe as në atë të