top of page

Bujar Qesja: Na le në hidhërim Fatos Hyka!

ree

 

 

Inmemoriam

 

Na le në hidhërim Fatos Hyka!

 

BUJAR QESJA

 

E ndjeva shumë ikjen tënde Fatos Hyka. Kjo për shumë arsyje. Ti ishe i përditëshmi i mëngjeseve të mia. Durrsakët tanë po rrallohen dhe shyqyr që po i shoqërojmë me një tekst të tillë. Ti Fatos i shtrenjtë, më sillje të gjalla kujtimet për qytetin e përbashkët të vendlindjes, Durrësin tonë të përmallshëm dhe ta pandrrueshëm. Ti ishe nga ato durrsakë që puthje çdo gur, përqafoje çdo pemë, përshëndetje çdo durrsak dhe rroje me kujtime. Por më dhe edhe mua një suport të tillë, që kisha mall për çdo gjë që i takon këtij qyteti të bukur dhe shumë të dashur për ne.

 

Pasi merrje gazetën çdo mëngjes më thoje:

 

-Po iki shpejt Bujar, se më pret Skënder Rexha. Shyqyr që e kemi mirë me shendet. Del deri tek vendi, ku dikur kanë qenë banjot publike, përballë gjykatës dhe ulet dhe më pret. Ajo kafe më ngjit shumë, pasi e konsumoj me durrsakët e mij të hershëm, miq e kalu miqve. Pastaj kryej disa detyra që më ka lënë Sanija, gruaja me të cilën ndaj të vetëm këtë finale të jetës. Djalin e kam në Tiranë dhe vajzën në Francë.

 

ree

Pas këtyre fjalëve, kapitulli kryesor i bisedave me Fatosin ishin dy nipërit, që ishin vendosur shumë thellë zemrës së tij. Nuk ndahej prej tyre. Lajmi më erdhi krejt papritur. Djali i Met Kadiut, Gentjani që është në një banesë me Fatosin në këtë mëngjes të 8 nëntorit 2025, vjen e më thotë.

Jam shumë i trishtuar. Sapo u nda nga jeta një komshi i mirë, durrsak i vjetër.

-Cili është?

-Fatos Hyka.

Nuk i besova vetes. I përditshmi i mëngjeseve të mia, iu ndal jeta. Nuk mund ta besoja se ky lajm  do të më vinte kështu, si çekan mbi krye. Merakun më shumë e kishte me zonjën e tij Sanijen. Në këtë moshë të gjithë jemi me halle, të cilat po shtohen. Fatosi siç më erdhën njoftimet, është ngritur në mëngjes si zakonisht. Sanija në rutinën e shtëpisë. Me sa kuptohet një goditje në zemër të merr kështu. Dhe zoti e mori pa vuajtje, të cilat Fatosi hera herës ma kujtonte:

 

 -Ishalla miku im, të iki pa mundime dhe pa smunllik.

 

Dhe ashtu ndodhi vërtet. Fatos Hyka i vetmi që jetonte nga dy vëllezërit Ismaili dhe Fehmiu. Hykat janë fis i njohur në Durrës, veçanërisht fëmijët e Arif Hykës. Fatosi ka luajtur basketboll dhe së bashku me Fehmiun, krijuan dinastinë Hyka në sportin e topkoshit. Lojtarë klasi, shumë simpatik në fizik, por akoma më shijues në lojë. Cilësia e çoi edhe në rradhët e “Partizanit” të mirnjohur dhe e mbylli tek dashuria e tij e parë dhe e vjetër: Durrësi.

Fatos Hyka punoi tërë kohën në Fllotën Tregtare Detare, në specialitetin e elektriçistit. Edhe pasi la basketbollin nw fund tw viteve 70-tw, e ndiqte këtë lojë të dashur për durrsakët. Gëzohej për çdo arritje dhe e priste me padurim ditën e 29-të qershorit, ku nipi i Dhimitraq Gogës Igli, ka krijuar festën e basketbollit durrsak. Aty kënaqej me miqtë e tij të vjetër Nysret Rekën, Gjon Lulin, Xhoxh Nushin, pasi shumica e bashkmoshatarëve e kanë lënë jetën.

Kam bërë disa shkrime për Fatosin, së pari si besimtar, së dyti si marinar dhe së treti si durrsak, si nostalgjik. Fatosi më tregonte kohën, për maistrën, për shirokun, për detin bunac, për motin që tradicionalisht është i prirët Durrësi kundrejt pozicionit gjeografik.

Ishte shumë i dhënë pas Durrësit. Mezi priste të konsumonte kafetë e mëngjesit me Demir Kokomanin, Lut Bagoin, Gjon Lulin, Jovan Laçin dhe sidomos me mikun e hershëm si vëlla Skënder Rexhën.

Fatosi e donte jetën, por donte shumë edhe Durrësin dhe akoma më shumë durrsakët. Dhe për më tepër familjen e tij. Respektonte gruan Sanijen, e cila sigurisht në këto çaste është e mbushur me lot. Mezi priste të takonte Anilën, e cila i ka qendruar shumë afër ndonëse jeton në Francë. Përmendte djalin Altinin dhe sidomos më të ëmbëlit e jetës së tij dy nipërit, që mezi priste ti shikonte pasi banojnë në Tiranë.

Të vjen keq për çdo njeri që ikën nga bota e frymorëve, por akoma më keq për ata miq që të ka lidhur përditshmëria. Kështu ishte për mua Fatos Hyka, durrsaku 32 karat. Isha mësuar për ta parë për ditë, për të folur për ditë, për të kujtuar durrsakët tanë që po na lënë pak nga pak. Çmalleshim dhe dridheshim paksa nga sentimentet që kalonin bisedat tona.

Eh Fatos Hyka, si na le kështu! Le Sanijen në vetmi. Do ti mungosh vajzës, pika e dobët e jotja, djalit, nipërve. Do tu mungosh të gjithëve nga pak, sidomos ne shokëve dhe miqve të vjetër, që ndanim kujtimet aq të bukura dhe aq tërheqëse për durrsakët.

Vjeshta e tretë, filloi me dhimbje. Nuk ndjehem i qetë për çdo bashkqyetarin tonë që ndal jetën. Por më shumë nuk ndjehem i qetë nga ato njerëz, nga ata shokë, nga ata miq që jeta më ofroi ja kështu si me ty.

Le në pikëllim familjen. Jo i qetë ndjehet edhe komuniteti i basketbollit të qytetit. Me trishtim janë edhe besimtarët, me të cilët ndanin predikimet humane. Me dhimbje ndjehen të gjithë ato që të njohën dhe panë tek ty humanzimin, qytetarinë, dashurinë për familjen dhe për qytetin ku u linde.

Dhimbje, shumë dhimbje i nderuar mik! Prehu në paqe i miri ynë, durrsaku flori, njeriu me zemër të madhe Fatos Hyka!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page