VDEKJA DHE NGALLJA E E KOLONELIT
-Tregim satiro-humoristik-
Nga Shkëlqim HAJNO
Deri atë ditë, Ndriçim Varikoj, një kolonel në pension bënte një jetë të qetë. Me një algoritëm ditor pothuaj rutinor, Koloneli siç i thërrisnin të gjithë, ndiqte pothuaj një program: takim me shokët dhe ish kolegët, një kafe jo rrallë të shoqëruar edhe me raki tek bar kafe“Pllakatoi”, dhe, biseda tipike shqiptare për politikën e ditës me boshtin ‘Tirana, kërthiza e botës’, “faktor stabiliteti” dhe kësisoj, tematikash të ngjashme.
I gjatë, simpatik, me sqimë dhe interesant e me kulturë të përgjithshme të spikatur, përveç asaj ushtarake në një shkallë sipërore, Koleneli ishte për publikun e qytetit imponues me bashkëbiseduesit të cilët e respektonin ose e adhuronin sipas rastit.
Kur ende ishte me uniformë, nja njëzet vite më parë, atij i kishte ndihur fati të shkonte për disa muaj edhe në një mision ndërkombëtar me paqeruajtës të NATOS në nje vend të Lindjes së Mesme dhe kjo, sa herë e sillte biseda në provincën turistike, i bënte edhe më tërheqëse bisedat me të.
Shoqëritë te bar kafe “Pllakatoi”, në mbi gjashtëdhjet përqind, ishin grupe me individë pensionistë por sipas profileve të dikurshme. Rreth dhjetë-dymbëdhjet persona vinin nga ish zona naftë e gazmbajtëse Matomarë-Qafa e Gjinit. Këta, me humor të tjerët i cilësonin si “Grupi i naftës” për analogji dhe humor të hidhur me të famshmin “Grupi armiqësor i naftës” cilësuar sipas tablove të famshme sinoptike të ish udhëheqësit komunist të vendit.
***
Por në kohërat e sotme dixhitale, nuk thonë kot se atë që ta bën facebook-u nuk ta bën as qeveria.
Koloneli pati hedhur në prag të ditëlindjes, në fb një portertet të tij me kravatë ku dukej se, megjithe thinjat, ishte mjaft i kuruar dhe, ku e ku, më i ri se mosha reale që e dëftente pasaporta. Ishin ditët e fundit të janarit 2024. Dhe siç ndodh rëndom në kësi rastesh, pas postimit rishtar të tij në fb, vërshoi lumi i urimeve nga miqtë, kushërinjtë dhe kushërirat brenda dhe jashte Shqiperisë deri në Amerikë dhe Australi. Nuk muguan as shokët e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe as të lartës ushtarake që dikur mbante emrin e komandantit të përgjithshëm.
Deri këtu mirë. Emocione. Mall. Përgëzime, urime. Koloneli u emocionua si nga urimet e ish kolegëve oficerë dhe, ca më tepër nga ish ushtarët e togës së dikurshme të tij që komandonte kur ende djalë i ri, nuk kishte vënë brisk në faqe. Njeri prej tyre me origjinë nga Mirdita, tani menaxhonte një biznes në Masacuset të Amerikës.
U përlot nga emocioni, se Koloneli vërtet ka qenë i zoti sa të drejtonte në kohë lufte një front tërë në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë, por zemrën e ka të djeshme dhe preket edhe nga një gushkuq që dridhet nën dëborë.
Mirëpo nuk thonë kot që, kur ne bëjmë plane edhe festa, Ai Lart buzëqesh!
***
Dhe në këtë klimë gëzimi qëlloi vetëm një postim, diku në një fb që, liqeni i kristaltë blu me gëzime dhe emocione, t’ia linte vendin hidhërimit dhe trishtimit pa fund, për Kolonelin.
Përmbysja nisi nga dita kur një lajm i zi qarkulloi në median on line dhe pikërisht në një faqe fb të titulluar fb respektpërju. Kjo faqe në nëntëdhjet e nëntë për qind të postimeve, ua kushton njoftimeve mortore. Shërbim utilitar. Pjesa më e madhe e miletit, sa shikon njoftimet mortore ose njoftimet e përkujtimore këtu, nis ngushëllimet sipas rastit. Në fund të fundit, ky është gjenialiteti i botës dixhitale. Njerëzit, shprehin dhimbjen e tyre ose ngushëllimin me fjalët që ua thotë zemra,që nga katundi, qyteti, kryeqytetit dhe çdo cep i globit.
Por nuk dihet qartë sesi, administratori i faqes së kobshme fb respektpërju, një djalosh pasionant që nuk i ka kapur ende të njëzet e pesat, kishte parë foton e bukur të Kolonelit dhe pasi i kishte bërë gjith qejf një copy, e kishte postuar me urimin .”Respekt për Kolonelin!”. Dhe djaloshi, karamelen e pati ngrënë kështu, pa u menduar fare, me gjithë letër.
Kaq u desh!
Dhe, si të binte gongu në një kobndeshje, nisën postimet ne faqen e mësipërme poshtë urimit “Respekt për Ju!” me një lumë pa fund ngushëllimesh për ndarjen e parakohshme nga jeta të Kolonelit”!
“Dhimbje e madhe! T’i rojne fëmijet, mbesat dhe familja”-postonte dikush nga të parët. Por gara ishte me ritme galopante.
Plot 850 postime me komentet që rriteshin nga minuta në minutë. Nga: “T’ju ketë lënë uratën!” dhe “ Ngushlllime familjes!” deri tek statuse në formatin e esseve prekëse dhe sifjalimeve mortore.
Hata e madhe! Dhe Koloneli ynë nuk dinte gjë prej gjëje! Pse, kot thonë: I zoti e merr vesh i fundit!?
***
Koloneli ngriti celularin dhe kuptoi se, porosia e tortës për ditëlindje kishte mbërritur! Duhet të zbriste ta merrte vetë tortën e porositur, një tortë e madhe e sjellë taze nga një motoçiklist i ëmbëltores së njohur “Dezdemona”.
Sapo e falënderoi, i la si bakshish një 200 lekëshe në dorë motoçiklistit dhe po bëhej gati të kalonte nga trotuari në hyrje ne pallatit, kur, ndeshi me shokun e fëmijërisë, Miltiadhin.
-A je mirë? Për hair !-tha Milto, i trembur po edhe i lehtësuar kur hodhi sytë nga torta në celefonin transparent.
-Faleminderit Milto! Jam dhe jemi shumë mirë!Po ju?
-Çfar po thua, mor burrë? Nuk me besohet që je mirë!...
-Pse nuk të besohet? Jam mirë me zë edhe me figurë, siç po më sheh!
Pasoi një heshtje e shkurtër dhe Milto ende nuk e kish marrë veten nga befasia...
-Përse pyet?
-Jo. Jo, jo , hiç!, -bëri tjetri.
-Ja më thuaj! -ngulmoi Koloneli
-E ç’të them? Gomarllëqet e fb? -dhe i shpjegoi keqkuptimin me postimin e fotografisë së Kolonelit për ditëlindje.
-Ouu! Kaq idiotë dhe rripa të jenë, more Milto?! Tani po kuptoj gjithçka. Foton time për ditëlindje dhe pa koment e kanë hedhur si pa të keq. Por njerëzia janë të ndjeshëm...
Pas telefonatës me adminstratorin e faqes, Koloneli kuptoi se ishte vërtet nje keqkuptim.
Dhe pas këtij çasti, Koloneli sapo u ngjit ne shtëpi, me vrap te kompjuteri I madh mbi tavolinë dhe shkroi nje falenderim për të gjithë miqtë qe e kishin uruar për ditëlindjen.
La pakëz hapësirë mes reshtave.
Shtoi edhe këtë fjali, por, pas pak sekondash, e fshiu: “Nga thellësia e zemrës ju falenderoj edhe për ngushllimet që më niset me rastin e ndarjes sime nga kjo jetë, deri pak minuta më parë!”
Dhe, në vend të saj, shtoi: “Ju uroj të gjithëve përzemërsisht: PAÇI VETËM GËZIME E FESTA NË VATRAT TUAJA!” ///
---o0o---
Comments