top of page

Vaso papaj: Në rrugën e rinisë



Rrugën e rinisë prap’ e kisha gjetur.

Kioska shtrembaluqe aty kishte mbetur.

Në bangot e drurit ca fytyra të reja.

Një gotë më ofruan, s’kisha ku të veja.


Ja, në ato bango, dikur ishim ulur.

Kafe kishim pirë, me orë rrinim ngulur.

Gishta kapërthyer, shiheshim në sy,

“Përgjithmon të dua” thonim që të dy.


Po nuk shkoi gjatë, ti maturën more.

S’ndriti më n’asfalt qeshja engjëllore.

Ditët numeroja, vitet rrodhën lumë.

Unë portretin tënd gdhendja dhe në gjumë.


Prandaj jam këtu, erdha përsëri.

Kërkoj të të gjej, e nuk shoh njeri.

Me një gotë në dorë, në buzë një cigar’,

Fort më godet zemra, përgjysmë e ndarë.


Ulur jam, me veten, vetminë shoqëroj.

Them se më do fort, s’do të më lëshojë.

Edhe nëse nesër, të gjithë marrin dhenë,

Unë do t’jem këtu, të pres, ndoshta vjen…


Po në atë bango, ulur dy të rinj.

Edhe pse të dehur, s’i vështron njeri.

Puthen gjat’ e gjatë dhe seç pëshpërisin.

Ndoshta dashurinë mezi e vërtisin…


Dhe unë jam këtu, këtu përsëri.

Rrotull tё kёrkoj, po nuk shoh njeri.

Me një got’ në dorë, në buzë një cigar’,

Qiell i zemrës sime në dy pjesë i ndarë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page