top of page

Vasil Klironomi: KUSH E MORI DORUNTINËN

  • 14 hours ago
  • 3 min read

Doruntina as ditën e dytë nuk u kthye në shtëpi dhe për këtë, u shqetësua gjithë fisi; menduan për shumë të këqija. Ku të ishte tani Venusi me lëkurë të lehtë? Atë vajzë sikur nuk e kish lindur nëna, por shkuma e detit që vinte nga përplasja e dallgëve me bregun. Fillimisht e kërkuan brigjeve; nga mënyra se si thërrisnin, mendoje se vajza do të ishte kthyer në Gorgonë për hir të detarit që iku e nuk u kthye. “Kam frikë se ka ikur me ndonjë nga turistët që vijnë me ato varkat luksoze!” u shpreh me zë e motra. “Doruntina ka dobësi për lukset!” Dobësia e Doruntinës për lukset ishte e vërtetë dhe këtë, e kish shprehur dhe te shoqet e saj: “Në qoftë se një ditë do të ndaloj pranë këmbëve të mia ndonjë veturë, mos më prisni!” u kish thënë mikeshave me të qeshur. “Vetëm ajo të mos ketë ndodhur!” mërmëriti dhimbshëm i ati. “Nuk mund ta pranoj që Doruntina të më iki larg!” Atë mëngjes, fshatarët të mbledhur nën ullirin shumëshekullor në qendër të fshatit, i jepnin kurajë të atit të Doruntinës: “Pa shiko atë të gjorën!” e ngushëlloi Arqile Fenaqi dhe tregoi me gisht Niqin e Miligjajve, që rruante mbiemrin nga një mal i lartë i Tavjetos dhe trupin e bukur, nga sllavët që u vendosën në fshatrat rreth atij mali. Flokët e saj të zbardhura ndihmonin të ngjante me një majë të mbuluar nga bora e përhershme.  “Një ditë me siguri do ta nxjerrin nga shtëpia!” vazhdoi “ngushëllimin” Arqilea. “I biri kërkon të marr ullishtat e humbura, po që t’ i marr, duhen avokat dhe avokatët kërkojnë para; i biri iu drejtua bankës duke hipotekuar për llogari të sajë shtëpinë e vetme që ka trashëguar nga i ati. E shikon që ka dhe më keq?” Niqi edhe pse e fyer nuk reagoi; ndërsa i biri, kaloi gishtat sipër kokës sikur të krihte flokët që i mungonin. I biri, ose qerosi siç e thërrisnin, ishte vërtet i zgjuar si qerosi i përrallave; ai i ndizte sheret në fshat, ai i shuante. Për të dytën e donin pleqtë, ndërsa për të parën, e urrenin vajzat. “Do t’i marr!” iu drejtua ai Arqiles. “Me parat që më dha banka, do t’ i marr o demon i mallkuar dhe mirë bëra që s’ kërkova ndihmën e parave të tua! Unë jam qeros dhe për një qeros të zgjuar, veç shtegut për te ty, ka dhe shtigje të tjerë për të marr para hua!” Dhe për tu dhënë më shumë emfazë fjalëve u kthye nga bashkëfshatarët. Krehja e flokëve që i mungonin, pauzat midis fjalive, ngritja e zërit në fjalët “para” dhe “i mallkuar”, në veshët e fshatarëve u dëgjuan më shumë se një akuzë për Arqilen. Oksitonët dhe paroksitonët që përdorte qerosi, tërhoqën vëmendje e fshatarëve dhe qëllimi që u mblodhën do të kishte marr drejtim tjetër sikur në bisedë të mos ndërhynte Stillo gënjeshtari; njëri prej dy vëllezërve me trup të pakët që për hir të Doruntinës, do të gënjente dhe vet Zeusin. Ndoshta për herë të parë thoshte të vërtetën: “E pash! Hyri në një veturë që kish ngjyrën e një reje të argjendtë; i rrash pas me biçikletë, por nuk e arrita!”  “Mos e pe atë ditë kur ty dhe tët vëlla, ju zuri Rakua tek i vidhnit fenerin e kamionit; që ju ngriti për këmbësh në krahë dhe kokat tuaja përplaseshin bythëve të tij?” E pyeti Arqilea dhe i gëzuar që biseda mori drejtim tjetër, u dha fjalëve një dozë ironie, por Sillua nuk ia kish ngenë t’ i përgjigjej; humbi Doruntinën. “Unë jetoja me Doruntinën; flija netëve me Doruntinën; do të bëja shumë fëmijë me Doruntinën!” vazhdoi Stillua me gjysmë zëri. “Dhe fshati do të mbushej me gënjeshtarë!” u hodh qerosi dhe si çoi celularin te veshi, përsëriti një për një të gjitha fjalët e Stillos. Nga ana tjetër, u dëgjua një e qeshur, që të gjithë fshatarët e njohën.


Tregim nga  libri

DJAJTË E QYTETIT TË SHENJTË

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page