top of page

VARGJET E BARDHA TË NJË DASHURIE TË NGROHTË JUGU



Shënime mbi librin e ri poetik “Dashuri Jugu” të shkrimtarit të mirrënjohur Fatmir Terziu.


Nga Timo Mërkuri


Hyrje


Jemi njohur me poezinë e Fatmir Terziut nëpërmjet publikimeve të tij, kryesisht te portali “Fjala e Lirë” aq të shpeshta, saqë po të rastisë ndonjë ditë pa një poezi të tijën, ndjejmë një si mungesë brenda vetes. Si shumë miq, edhe unë mendoja se kjo “ndjenjë mungese” e kishte burimin pikërisht te ambientimi me ritmin e publikimeve të poezive të tij që i ngjante “rënies së pikave të shiut”. Por u desh të lexoja pikërisht një poezi të tij me titull “Retë mbi Himarë” në vëllimin e tij të ri poetik “Dashuri Jugu” që të konstatoja se tjetër është arsyejae ndjesisë së mungesës .


Lirizmi poetik


I-Është pikërisht lirizmi i tij poetik, arsyeja që na e bën të kërkueshme dhe të pëlqyeshme poezinë e tij, një lirizëm tipik që formaton stilin e tij poetik. Është pikërisht ky lirizimë që na krijon një ndjesi hapësire, përkundër disa tipe vargjesh që “zvarriten” nëpër portale. Vargjet e tij të lira, që krijojnë “dritare” të gjëra shikimi nëpërr ‘to në diferencën e gjatësisë mes tyre, drita dhe ajri që depërtojnë nëpër këto “dritare” ta ëmbëlsojnë poezinë dhe e dritësojnë leximin, duke të treguar njëkohësisht se ky lirizëm është elementi më i dukshëm i stilit të tij poetik. Në poezitë e tij edhe kur flitet për mot të vrenjtur, mbi vargje ndrin një dritë që dhe kur nuk duket, ndjehet:

Edhe nëse bie shi,

retë mbajnë peng vetveten mbi Himarë

dhe një tufë pulëbardhash,

si një ogur i mbarë,

mbeten mysafirë në sytë e mi,

ndërsa shkruaj vargjet e bardha

për këtë poezi.

“Retë mbi Himarë” fq 49-50

Ose kur shkruan te poezia “Guri i Qafës së Muzinës” (fq 51):

...Ai tregon përrallat e shiut

nën çatinë e vjetër të shtëpisë...nuk ndjen kurfarë “lagështie ajrore” nëpër vargje e jo më të

ndjesh pikat e shiut të të “lagin”.


Ritmi i brendshëm


II-Vargu i tij poetik ka një ritëm të brendshëm, që i ngjan ecjes së lehtë të vajzave të

dashuruara si në majë të gishtave, si duke “fluturuar” mbi gurë e lule. Nuk ka “pesha të rënda” metaforike sepse nuk mban “çanta zbori”. Më së shumti, zhurma e ritmit të poezisë së Fatmir Terziut është si një e qeshur të rinjsh të zhurmshëm apo si thirrjet drejtuar njeri-tjetrit:

Dil o Yll i mëngjesit dil,

si atëherë mbi Eksamil!

Ksamil fq 43


Pikasja poetike


III-Në poezitë e këtij vëllimi të Fatmir Terziut shumë tema janë nga viset e mia joniane ku poeti ka qënë vizitor i shpeshtë, kryesisht nëpër aktivitetet tona poetike. Ka ardhur si poet, ka vrojtuar njerëzit dhe natyrën si poet dhe ka marë gjithçka që marin poetët për ta shndruar në vargje poetike. Ky fakt të krijon përshtypjen se është arsyeja që në poezitë e tij ka shumë kaltërsi , qoftë kaltërsi e një qielli të pastër, qoftë kaltërsi e Jonit, ndërsa foljet, si mushkëri njeriu janë mbushur me oksigjen dhe jod:

...u pikturua

Dea e madhërishme në qiell

dhe në atë mëngjes shumëngjyrësh

vargjet e mia fjetën në një shtrat

me mjaltin e dashurisë.

“Liqeni i Butrintit” fq 39 ndërsa te poezia “Qeparo” fq 37 ku shkruan:

...Ndërsa dëgjova rrëfimin e Dukeshës Camilla

fjalët e saj të bukura u pagëzuan nga kopshtet,

me një aromë të lashtë lirie,

duke mbjellë historinë e Bregut me lule

për vargjet e kësaj poezie...


Duke lexuar vargjet e këtij vëllimi poetik, ndjen më shumë se sa kupton që Fatmir Terziu shkruan me dashuri për Jugun, për vendet dhe njerëzit e tij. Çdo poezi e tij ka nëpër vargje një pëshpërimë djaloshi të ndrojtur që e di se “për dashuritë nuk duhet më Gramatikë“ (fq 122)

Lexojini vargjet e poetit: „E pitë dhe Jonin. E gëthtitët“ (Jugës fq 125) dhe më tejë:

„Joni është strukur,

në sytë e tu që hepojnë,

një gotë në Sarandë është një galeri,

ku yjet artin e tyre ekspozojnë“.

“Një gotë në Sarandë” (fq 129) për të parë dashurinë e tij të ngrohtë për Jugun, të cilën poeti e gjen atë dhe aty ku nuk e kërkon askush tjetër :

“Në këtë tokë të shkelur duhet kuptuar diçka,

nuk duhet hartë,

dashuria shfaqet: gjithnjë sikur drita mes syve,

një farë drite ka lindur nga ajo baltë”.

“Arkeologjia e kohës” (fq 46)

Është pikërisht kjo dashuri e jugut që troket në shpirtin e poetit dhe ngre në fluturim tufa

vargjesh e poezish, si pata të egra që ngrihen rrëmbimthi në fluturim, në pranverë gjatë kthimit nga shtegëtimi. Drejt nesh shtegëtojnë këto poezi, të bardha, si ëndra dashurie, ndonëse shpesh herë edhe si dhimbje: '' Bregu është një dënesje. Kuis si një pëllumb i plagosur.

Dregëllin një thirrje e dhimbshme,

“Pashaliman” (fq 131)

Eh, s’ke ç’i bën, dashuria është dhimbje, por një dhimbje që të lumturon.


Tipologjia poetike


IV- Tipike e stilit poetik të Fatmir Terziut është ngrohtësia shpirtërore që vargjet mbartin në vetvete e përçojnë te lexuesi. Gjatë leximit kupton dhe ndjen se poeti e ka kaltërsinë e natyrës dhe çiltërsinë e shpirtit pjesë të artit të tij poetik. Këto përbëjnë atë dhimshuri dhe ngrohtësi që i bën të dashura për lexuesin vargjet e tij. Ai shkruan me dashuri për njerëzit, ai jep dashurinë e tij në poezi si në jetë, sepse duke dhënë dashuri njeriu ndjehet mirë, poeti ndjehet i plotë. Duke dhënë dashuri bëhesh pjesë e vetë dashurisë.

“Para një nëne të moshuar

përkulem,

i jap një lule të freskët me duar

Ajo: pëshpërit me vete,

një fjalë të huaj,

„Efkharistó polý“

Unë: e mbaj fort në sy.


një njeri që nuk ka dashuri të vërtetë

nuk mund të dhuroj një lule vëllazërimi,

në jetë.


Ka lule në shpirt, pa shpirt s'ka dashuri!

S'ka poezi”.

“Në Finiq” fq 40.

E lexova këtë poezi dhe u krenova me mikun tim Fatmir Terziu, ndërsa u ndjeva ngushtë që shumë bashkë krijues nga viset e mia nuk kanë mundur të shohin bukurinë njerëzore te një plakë minoritare e rrudhur nga hallet e jetës, veshur me roba të zeza, por me sy që përcillnin dritën e një zemre të bardhë. Fatmir Terziu ariti ta shohë këtë dritë shpirti në sytë e saj, mori nga ajo dritë dritësimin, ashtu siç marim në kishë dritën e Pashkës së Madhe për ta shpurë në shtëpitë tona, për ta dritësuar jetën tonë. Fatmir Terziu e mori këtë dritë për të dritësuar poezinë e tij. Prandaj gjithmon sheh vetëm më të bukurën dhe më të mirën te ditët dhe te njerëzit, prandaj dhe në vargjet e tij është një bukuri njerëzore që të zbukuron ditët me leximin e tyre dhe vetë vargjet të duket se janë si vajza bukuroshe që bëjnë sfilata në konkursin Mis Albania:

...Valët e kristalta dallgëzohen

përmes zmaltit që melos syrin e lagur.


Bukenvilet shpotisin mes vetes

shpërndajnë majanë e bojës

ndërsa pëshpëritjet e kohës,

mbledhin rima,

vargje të bardha si stërkala.


Çdo poezi ka sfilatën e saj.

“Qafa e Gjashtës” fq 38

Është pikërisht kjo ndjenjë që që krijon vargje të rubinta: “Zëri është si një vajzë e lindur nga valët e tretura” , “Zëri është e gjitha. Bukuritë/të gjitha hijeshojnë kopshtin e bekuar/ me lulet e tyre shumë ngjyrëshe të dashurisë” “Gumenicë” fq 44 dhe që e shtyn poetin të shkruajë:

''Mbi këtë udhë vërtet u përhumba

e u zgjova nga gjumi si këta pëllumba“(fq 117)


Bukuria joniane

V- Le t’i rikthehemi poezisë “Shi në Llogara” (fq 35-36) te disa vargje që të mbeten në mëndje:

“Dhe ti zbret. Dhe zbret

.......................................

ndërsa mendimet prekin atë që lënë pas sytë”...

për të kuptuar arsyen pse Fatmir Terziu pas një periudhe prej disa vitesh na sjell një cikël të bukur jonian. Realisht Fatmir Terziu ka qënë i lidhur me Jugun qysh në rininë e herëshme të tij, por kontaktet i shtoi dhe shpeshtoi me ekrijuesit e Klubit “Krijuesit e Artit Jonian” të Sarandës, duke u bërë pjesë aktive e Manifestimeve tona poetike të përvitëshme. Ai gjithnjë ka shkruar për Sarandën, por mua më tërhoqi vëmëndjen për arsye se ka disa vjet që për arsye objektive ka munguar pranë nesh. Këtë mungesë ai e plotësoi bukur e mirë me ciklin poetik që përbën pjesën më të madhe të poezive të këtij libri. Këtu më lindi hamendësimi se”takimin” me objektin poetik Fatmir Terziu e ka patur para disa vjetësh ndërkohë që poezinë e krijon kohët e fundit, duke medituar për një kohë të gjatë mbi objektet, vizionet, ngjarjet, njerëzit për të zbërthyer te ato esencialen, tipiken e tyre dhe për ta vendosur në poezi. Ai “Brenda mozaikut lexoj ndoshta atë që hesht” “Sinagoda në Sarandë“ (fq 87), ka “pastruar” “hedhurinat e kohës” për të gjetur më të bukurën e qytetit, historinë e ngurtësuar në rrënojat arkeologjike, si te poezia “Nën themelet e një hoteli në Sarandë”:

U flas syve.

Gjuha flet me heshtjen e tyre

.........................................

Në themelet e një hoteli.

heshtja qëndron te burimi,

përsëri ngërç në rrënjët tona.


Në themelet e një hoteli,

nën beton,

shfletoj mes heshtjes historinë e dhimbshme

të racës sonë.


Konkluzion


Është e dhimbshme të pohojmë dhe pranojmë se historia e qytetit tim e ngurtësuar në vlera arkeologjike ndodhet nën betonet e hoteleve dhe pallateve të tij. Një ose dy raste ka konstatuar rastësisht poeti dhe më pas u ka rënë “kambanave” poetike, për të dëgjuar ata që kanë veshë.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për emrat e kolegëve të mi, të çelur mes vargjeve, që edhe pse pas një studimi disa vjeçar të krijimtarisë së tyre, portreti krijues u është me pak vargje, si një vijëzim i hollë pikture. Me gjithë atë kanë rezultuar me portret të plotë dhe mua më duken më të ndritshëm, më të mirë, më të bukur, madje me një brerore poezie mbi krye.

Të mos e fsheh, është ndër librat poetikë që të mbush me dritë e ngrohtësi kur e lexon.


Sarandë, Prill 2021

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page