VARGJET E BARDHA TË NJË DASHURIE TË NGROHTË JUGU



Shënime mbi librin e ri poetik “Dashuri Jugu” të shkrimtarit të mirrënjohur Fatmir Terziu.


Nga Timo Mërkuri


Hyrje


Jemi njohur me poezinë e Fatmir Terziut nëpërmjet publikimeve të tij, kryesisht te portali “Fjala e Lirë” aq të shpeshta, saqë po të rastisë ndonjë ditë pa një poezi të tijën, ndjejmë një si mungesë brenda vetes. Si shumë miq, edhe unë mendoja se kjo “ndjenjë mungese” e kishte burimin pikërisht te ambientimi me ritmin e publikimeve të poezive të tij që i ngjante “rënies së pikave të shiut”. Por u desh të lexoja pikërisht një poezi të tij me titull “Retë mbi Himarë” në vëllimin e tij të ri poetik “Dashuri Jugu” që të konstatoja se tjetër është arsyejae ndjesisë së mungesës .


Lirizmi poetik


I-Është pikërisht lirizmi i tij poetik, arsyeja që na e bën të kërkueshme dhe të pëlqyeshme poezinë e tij, një lirizëm tipik që formaton stilin e tij poetik. Është pikërisht ky lirizimë që na krijon një ndjesi hapësire, përkundër disa tipe vargjesh që “zvarriten” nëpër portale. Vargjet e tij të lira, që krijojnë “dritare” të gjëra shikimi nëpërr ‘to në diferencën e gjatësisë mes tyre, drita dhe ajri që depërtojnë nëpër këto “dritare” ta ëmbëlsojnë poezinë dhe e dritësojnë leximin, duke të treguar njëkohësisht se ky lirizëm është elementi më i dukshëm i stilit të tij poetik. Në poezitë e tij edhe kur flitet për mot të vrenjtur, mbi vargje ndrin një dritë që dhe kur nuk duket, ndjehet:

Edhe nëse bie shi,

retë mbajnë peng vetveten mbi Himarë

dhe një tufë pulëbardhash,

si një ogur i mbarë,

mbeten mysafirë në sytë e mi,

ndërsa shkruaj vargjet e bardha

për këtë poezi.

“Retë mbi Himarë” fq 49-50

Ose kur shkruan te poezia “Guri i Qafës së Muzinës” (fq 51):

...Ai tregon përrallat e shiut

nën çatinë e vjetër të shtëpisë...nuk ndjen kurfarë “lagështie ajrore” nëpër vargje e jo më të

ndjesh pikat e shiut të të “lagin”.


Ritmi i brendshëm


II-Vargu i tij poetik ka një ritëm të brendshëm, që i ngjan ecjes së lehtë të vajzave të

dashuruara si në majë të gishtave, si duke “fluturuar” mbi gurë e lule. Nuk ka “pesha të rënda” metaforike sepse nuk mban “çanta zbori”. Më së shumti, zhurma e ritmit të poezisë së Fatmir Terziut është si një e qeshur të rinjsh të zhurmshëm apo si thirrjet drejtuar njeri-tjetrit:

Dil o Yll i mëngjesit dil,

si atëherë mbi Eksamil!

Ksamil fq 43


Pikasja poetike


III-Në poezitë e këtij vëllimi të Fatmir Terziut shumë tema janë nga viset e mia joniane ku poeti ka qënë vizitor i shpeshtë, kryesisht nëpër aktivitetet tona poetike. Ka ardhur si poet, ka vrojtuar njerëzit dhe natyrën si poet dhe ka marë gjithçka që marin poetët për ta shndruar në vargje poetike. Ky fakt të krijon përshtypjen se është arsyeja që në poezitë e tij ka shumë kaltërsi , qoftë kaltërsi e një qielli të pastër, qoftë kaltërsi e Jonit, ndërsa foljet, si mushkëri njeriu janë mbushur me oksigjen dhe jod:

...u pikturua

Dea e madhërishme në qiell

dhe në atë mëngjes shumëngjyrësh

vargjet e mia fjetën në një shtrat

me mjaltin e dashurisë.

“Liqeni i Butrintit” fq 39 ndërsa te poezia “Qeparo” fq 37 ku shkruan: