top of page

Untitled


Prof Dr Resmi Osmani

UDHËTIM NË TRI KONTINENTE

(Gjithë udhët më kthejnë në shtëpi)

Vijim.

Shtator 1991, Stamboll ,Izmir.

Po bëhej viti që sistemi u ndryshua. Vendi qeverisej nga Qeveria e Stabilitetit me kryeministër Ylli Bufin.Isha pjestar i kësaj qeverie me pozicionin e Sekretarit të Shtetit per bujqësinë. Vëndi, sidomos fshati dhe bujqësia ishte në anarki të plotë. Bash në këtë kohë, më vjen një ftese nga komisioni organizator i Konferencës Mesdhetare të Ullirit që do të mbahesh në Izmir.Vura në dijeni eprorët, ma lejuan pjesmarrjen. Mora për këtë ngjarje edhe Hajri Ismailin specialist shkencor për ullirin në Institutin e Ullirit dhe Agrumeve.

Udhëtimin do ta bënim me makinë. Morëm Benzin e ministrit.

U nisëm pasdite. Fjetëm në Korçë . Të nesërmen heret, kaluam pa pengesa pikën kufitare në Kapshticë. Lemë pas Kosturin, Follorinën, troje që tok me Çamërinë më 1913 iu dhanë dhuratë Greqisë nga Fuqitë e Mëdha dhe mbi tridhjet mijë shqiptarë u shpërngulën me dhunë.Zbresim në Kozan nga nis fusha dhe rruga autostradë të shpie në Selanik. Mbrijmë pasdite.Bejmë një ndalesë.Më kujtohet e thëna e vjetër”Selanik e tatëpjetë si ka qënë do të jetë”, por, nuk ndodhi ashtu.. Autostrada kalon anës detit në Thrakë, majtas e djathtas fshatra, këtu, në Qytezë(Ibrik Tepe) ka lindur Fan Noli. Duken edhe fshatra me minoritet turk (grekët nuk i pranojne dhe njohin minoritetet), që dallohen nga minaret e xhamive. Në Aleksandropul, kalojmë kufirin grek dhe hyjmë në Turqinë Evropiane. Në Mbrëmje, kur sapo ka rënë muzgu, i afrohemi Stambollit, që llamburit nga yjësia e dritave. Para se të hyjmë në urën Ataturk që lidh bregun evropian me atë aziatik, ndalemi dhe sodisim panoramën madhështore të këtij qyteti që në lashtësi quhej Bizant. Rast i rrallë, të ndodhesh midis dy kontinenteve, për disa qindra metra, kalojmë nga Europa në Azi. Një kalim sa real po edhe aq virtual. Dikur,kur stambolli ishte metropol i perandorisë, thoshin: ”kush s’ ka parë Stambollin, s’ka parë dynja me sy!”Kalojmë në qytetin aziatik dhe nisemi për në ambasadën tonë. Pasi zemë vend në hotel, dalim në qytet. Më pushtojnë emocionet. Ky qytet ruan gjurmët, punën, jetën dhe gjenialitetin edhe të shqiptarëve.Këtu kalldrëmet quhen të shqiptarëve, ka një lagje që i thonë Arnaut Koi,(lagjia shqiptare) në këtë qytet, rilindasi ynë i madh Hoxha Tahsini, qe rektori i parë i Universitetit të parë të Stambollit,Stambolli qe burgu-syrgjin i vëllezërve Frashëri, aty u shkri si qiriri poeti ynë i madh Naimi, të vëllezërit Samiu dhe Avdyli ,u ngjiz alfabeti i stambollit, shkëlqyen mendje të ndritura të rilindjes,Samiu i dha kultures turke të parën enciklopedi…..Xhamija Sulejmanie,konstruktuar nga arkitekt Sinani, pallatet e Topkapisë, Dollma Bahçeja,nga ku sulltanët e turqisë kanë shtrirë tentakulat e helmuara, intrigat dhe pabesitë edhe mbi vendin tonë. Prej aty dolën fermanet për shtypjen e përgjakshme të kryengritjeve shqiptare, ndalimit të shkrimit dhe abetares të gjuhës shqipe….Kjo është historia, që s’ka si të harrohet. Na thonë që në Stamboll jetojnë dy million qytëtarë me prejardhje shqiptare!

Të nësërmen lemë Stambollin dhe udhëtojmë në rrafshnaltën anatolike drejt perëndimit për në Izmir. Rrugës hasim Bursën, kryeqyteti i parë i Sulltan Osmanit që krijoi perandorinë Otomane.Në mesditë mbrrijmë në Izmir, qytet i madh në bregdet.Paraqitemi në sekretarinë e kongresit dhe regjistrohemi. Takojmë shkencëtarë të njohur, nga Spanja, Tunizia, Italia…shkëmbejmë mendime dhe njoftime shkencore. Janë të interesuar dhe duan të dinë për ndryshimet demokratike në vendin tonë dhe na urojnë.

Kongresi, me organizim shembullor, vijoi tri dit. Ne depozituam në sekretarinë e kongresit,si dokument, një ekspoze për ullishtarinë në Shqipëri, por nuk referuam.

Në njerën nga pasditet, përfitova nga rasti për t’u bërë një vizitë djemve të dajëve të mi, të emigruar nga Çamëria që në vitin 1934,në qytezën e Selçukut, rreth një orë larg Izmirit, pranë qytetit të lashtë të Efesit, i vizituar masivisht nga turistë të huaj. Banorët e Selçukut, thuajse janë të gjithë nga Çamëria.

E ndalëm makinën në sheshin e vogël të qytezës, përballë një çajtoreje.Kur panë targën e makinës sonë, disa u ngritën dhe na u afruan, floën shqip në dialektin çam.U përshëndetëm, na përqafuan si të na kishin vëllezër.Na ftuan për çaj, por ne u tham se për ku ishim nisur. Njeri prej tyre na përcolli, qëndroi nën ballkonin e një shtëpie dhe i thirri kushëririt tim ” Ahmet, del se të kanë ardhur musafirë”.Ahmeti sapo doli, më njohu nga fotografia që e kish parë më parë, më përshëndeti tërë gëzim, mirseardhi dhe zbriti me shpejtësi. Një takim i paharruar me njerëzit e një gjaku.

Selçuku, është një qytezë pothuajse e banuar vetëm nga shqiptarë të Çamërisë.Ata u vendosën atje që ta kishin përballë tokën e dashur të mëmëdheut. Në mbrëmje, pasi u shmallëm dhe biseduam gjerë e gjat,pas një darke modeste(me ato që ju ndodhën), Ahmeti thirri kushërinj , dhëndurrë, të motrat, krushqinë, të afërm e të njohur, oda e pritjes u mbush plot sa një pjesë u ulën shesh.Të dy palët ishim të mallëngjyer. Pyesnin, donin të dinin, nëse “kishim hyrë në rrugën e zotit”, atë të demokracisë, nëse Shqipëria ishte hapur dhe ata mund të vinin te njerzit e gjakut të tyre.Brezi i dytë, i lindur në Turqi nga prindër shqiptarë, fliste shqip. Brezi i tretë, që në atë kohë ishin në moshë adoleshence dhe rinie, nuk flisnin shqipen. U flisja shqip, fëmijëve të Ahmetit, ata kuptonin, por nuk përgjigjeshin, luanin kokën dhe thoshnin “Evet”.Ky është fati i hidhur i mërgimtarëve, pasi humbin atdheun, humbin edhe gjuhën. Sidoqoftë, ishte takim i paharruar. Na përcollën me një “Gyle, gyle”,(mirupafshim) që në gojën e vajzave tingëllonte si muzikë.

Në Efes, vizituam qytetin e lashtë, buzë detit Egje, monumentet dhe një kishë të vjetër, që thuhej se ishte ngritur për nderim të Maria Magdalenës, që turqit I thonë”Hazreti Merjem”. Guidat turistikë, ishin shqiptarë nga Selçuku, me ta na njohu Ahmeti, që shërbente si kryerojtar me uniformë, i objekteve arkeologjike.

Kthimi anës bregdetit. Përshkojmë krahinat e Izmitit dhe Edremitit, fusha pa fund të mbjella me ullinj. Kur po afroheshim përballë Çanak Kalasë, ku do të merrnim tragetin për tu hedhur në bregun tjetër, në horizont na u shfaq si sfinks i zi me përmasa të mëdha, Kali i drunjtë i Trojës, aty ku në lashtësi ishte Troja, qyteti i Priamit, ploja greke që e polli dinakëria nga barku i atij kali dhe mu kujtua e thëna :”Mos u beso grekëve edhe kur të falin një dhuratë”.

Jemi në Çanakkala. Përseri përball dy kontinenteve dhe dy deteve: Marmara dhe Egje. Marmaraj lag bregun aziatik, Egjeu atë evropian. Presim tragetin për të kaptuar ngushticën e për t’u hedhur në siujdhesën e Galipolit, që turqit e quajnë Gelibolu, në Trakë. Në Çanakkala, ngrihet madhështor monumenti i martirëve, të rënë në luftën e Galipolit në vitet 1915-16. Shohim që ka shumë vizitorë dhe tufa me lule. Trageti, kapton ngushticën e Dardaneleve dhe zbresim në siujdhesën që tashmë ka hyrë në histori për plojën e saj të përgjakshme në luftëne Parë Botrore, midis ushtrive të Antantës dhe Turqisë. Thuhet se nga të dy palët ndërluftuese ka patur 280 mijë të vrarë e të plagosur. Humbjet më të mëdha i pësuan trupat australiane dhe neozelandeze me mbi 11 mijë të vrarë. Edhe në Galipoli, gjenden varrezat e ushtarëve dhe monumente e perkujtimore. Në këtë vend, çdo pëllëmbë toke ka një histori të shkruar me gjak. Vend qe te ngjall trishtim dhe zemrim e urrejtje për luftërat që edhe sot s’po i ndahen njerëzimit.

Lemë pas Galipolin hyjmë në Trakë dhe marrim udhën që do të na sjellë në shtëpi. E gjatë dhe e lodhshme rruga, por kur mendojmë se do të kthehemi në shtëpi, lodhja na ikën si me magji.

Nentor 1991. Te arbëreshët në Molize.

Lundrojmë me target për në bari të Italisë.Shkrimtari Vath Koreshi, kishte një ftesë nga komuna arbëreshe e Porto-Kanones në Molize. Jemi pesë persona. Veç meje, Vathit dhe Fahri Dahrit , në grup janë edhe ing. Maksim Begeja dhe një inxhinier tjetër, djalë i ri që tani s’më kujtohet emri, nga stacioni i mekanizimit të Bujqësisë në Tiranë. Deti ishte i qetë dhe lundrimi shkoj mirë. Në Bari, na priste me një mikrobuz përfaqësuesi i komunës së Porto Kanones. Udhëtojmë nëpër fushëtirën bareze ta mbushur me ullinj e vreshta.

Zemë vend në një bujtinë të vogël që quhet ”Rif”. Pronari, që e thërrasin Mareshall, simpatik dhe i gjindshëm na prêt miqësisht. Në Molize ka disa komuna arbëreshe ku janë ngulimet e “gjakut tonë të shprishur”.Qëndër administrative është qyteti i vogël por i bukur i Termolit, buzë detit me një plazh rërëbardhë.

Është emocionuese. Gjithandej na flasin shqip, në arbërishten e tyre të trashëguar që pesqind vjet, që nuk është bjerrur. Ka midis tyre që flasin shqipen e përmirësuar, por mua më pëlqen ti dëgjoj në arbërisht, sepse gjej në të shumë ngjashmëri me dialektin tim të çamërishtes. Në darkën e pritjes, krijohet atmosphere gazmore e festive, rrëfehen ngjarje, ngrihen dolli dhe pastaj muzikë me këngë: Lule lule maca maca, Moj e bukura more, që u kënduan në grup dhe këngë të tjera arbëresha të kënnduara nga e njohura, Silvana Likursi. Ndjehemi aq mirë, si mdis vëllezërve të një gjaku.Njw nga mikpritwsit, i ri nw moshw, nwpunws i kadastrws nw komunw,me njw arbwrishte tw bukur, e plot humor, rrwfen ngjarje gazmore. Nga ne, shpirti i mbrëmjes është Vathi. I qetë, i qeshur, i mënçur, me bisedë të shtruar, shpesh kripur me anekdota dhe fjalë të urta. Që pas këtij udhëtimi u bëm miq dhe më dhuroi disa nga librat e tij me autograf, që në bibliotekën time, pas ikjes së tij nga jeta, ruhen si relike të çmuara

Programi është i ngjeshur. Takime në këshillin komunal,vizita në objektet ekonomike të kooperativave të vreshtarëve e ullishtarëve , kantinën e verës, fabrikën e makaronave, vizitë në qytetin e Kampobasos kryeqëndër e Abruceve, Në Izernia, Termoli dhe Peskara. Vizitë dhe darkë në një familje arbëreshe. Kudo zbatohet protokolli.Mua më trajtojnë dhe më bëjnë nderimet e një antari të qeverisë. Bashkë me Vathin dhe kolegët, përgatitëm një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve demokratike në vendin tonë dhe qëllimeve të vizitës sonë. Në Kampobasso, na pritën në këshillin rajonal.Salla në formë amfiteatri ishte mbushur plot. Pas fjalës së mirseardhjes, unë mbajta një fjalë të shkurtër. Na dëgjuan me interes dhe bënë pyetje. Takimi u dha nga mediat vizive dhe u pasqyrua në shtypin vendor i shoqëruar me fotografi. Më së shumti ishte një njohje e ndërsjelltë. Në Izernia pam një fosil gjigand të një dinozauri.

Mbresat janë të shumta, por do të shënoj dy prej tyre:

Në mëngjes, hym për kafe në lokalin në qëndër të qytezës.E përshëndeta dhe e pyeta:Gjaku inë i shprishur? Buzëqeshi dhe mu përgjigj arbërisht: jo, jam Italian, pork am mësuar arbërisht, sepse komuniteti i këtushëm ruan me fanatizëm gjuhën arbëreshe, dhe po të mos e flasësh atë, komuna nuk jep lejë për aktivitet tregtar! Prova e mësimit të arbërishtes është e thjeshtë: duhet të thuash “qiqër” po e shqiptove “çiçer”, kuptohet që s’je arbëresh.

Marrim një ftesë nga ipeshkvi i Molizes për të vizituar axiendën (Fermën, ekonominë) e tij që ishte një pemëtore e madhe peëëmbëdhjetë hektar. Dita ishte e kthiellët dhe me diell. Hirësia interesohet për rikthimin e besimit dhe institucioneve fetare. E qetësojmë dhe ja heqim merakun. Pastaj,hirësia e tij, monsinjori, na tregon pemishten që është pronë e familjes së tij. Veçse klerik, ai thotë se është agrikultor i pasionuar. Ky është objekt i profesionit tim . Pasi shëtitim dhe shqyrtojmë pemëtoren, ai më bëri një ftesë, dëshironte që të bëhesha administrator dhe drejtues teknik i kësaj axiende. Shko në Shqipëri, më tha, merr familjen dhe eja. Të siguroj banesë dhe një pagë të mirë! U gjenda i paprtitur, por në çast e falnderova dhe i thashë se kishim shumë punë për të bërë në vendin tonë.

Mu kujtua e thëna: bukë e hi e në shtëpi! Edhe pse ngjarjet që rrodhën më pas, nuk ishin ato që prisja, nuk u pendova që se pranova atë ftesë.

Erdhën lajme se në Tiranë, Partia Demokratike, Sali berisha, kishte kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së Stabilitetit. Telefonova ne shtëpi. Ime shoqe ma konfirmoi lajmin. E ndërprem vizitën dhe morëm tragetin për Durrës.

Na prisnin zhvillimet politike të fundvitit 1991.

Vijon.

30 views1 comment

1 comentário


sotir.mimi
sotir.mimi
19 de mar. de 2020

Xingografia:

Shkruar shumë bukur. Detajet si në Stamboll edhe te arbëreshët, përveç që janë shumë të sakta, kanë ngarkesë emocionale dhe . . ., shqiptari. Urime, miku im!

Xingografia.

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page