top of page

SFIDA E DIMENSIONIT VETIAK


Vangjush Saro

SFIDA E DIMENSIONIT VETIAK

(Shënime rreth krijimtarisë poetike të Fatmir Terziut)


Nga Vangjush Saro



Hyrje

Poezia është një nga pasionet e Fatmir Terziut, shkrimtar që ra në sy në këto dy dekada të fundit. Krahas prozës e kritikës letrare, ajo duket se reflekton shumë nga jeta e tij, nga mendimet, përvojat, pikëpyetjet, ndjesitë e shumanshme, mëritë, dashuritë, gjithë sa ai mban brenda shpirtit, për ta lartësuar mandej në art. Poezia e sotme, ashtu si është dhe ashtu si ajo “sulmohet” nga letrarë të panumërt, ofron pamje që vështirë të ndriçohen dhe të vizatohen me njëlloj bindjeje shteruese.

Sigurisht, motivet për të thënë fjalën në këtë këtë terr të ndriçuar (gënjeshtërisht) janë disa. Sepse, siç shprehet edhe F. Terziu, “presja ka humbur rrugën. Fjalitë/ i hapën portat e arratisë,/bashkë me lakuriqët e errësirës/ fjala shkundi marrëveshjen me të,/ për hir të bubullimave të ditës,/ vetë rregulli u bë veç një gdhë,/ varr semantik mbuluar me gëzof politike,/ imituar nga (për)thyerja e një pasqyre.” (PRESJA)

Çfarë ndryshe thotë poeti

Por nëse është kështu, çfarë ndryshe thotë poeti? Cilat janë (së paku disa nga) karakteristikat e vjershërimit të tij? Më së pari, kam bindjen se jemi në një hapësirë që ai do ta zotërojë përherë e më mirë. “Ja udha, ja udha,/ mes saj je Ti, jam unë e s’jam unë,/ është vetmia,/ frymëmarja e thellë, përhumbja./ Ja udha, ja rruga,/ e gjatë sa nuk dihet një natë,/ brenda njeriut që ikën e ikën ngadalë,/ brenda meje, është ajo që është brenda saj,/ një ditë e bardhë,/ shkel syrin andej nga larg,/ ulet në prag.” (E SHTUNA) Ndërsa kemi zbuluar njëfarësoj disa nga rrugët a qiejt ku po shtegton poeti, ndalemi për një hop në portretin e tij, në jetën e tij. “Përditë gjej shenja të përfjetura të fëmijërisë/ në trupin tim. Brishtësia e lodhur nga vitet,/ shqepet nën arnat e pantallonave të shkurtra,/ që m’i arnonte nëna ime e lodhur/ kur kthehej nga puna,/ teksa pas çdo ngulje të gjilpërës mallkonte/ topin e vogël prej llastiku/ me të cilin përhumbja orët e lira me shokët.” (DASHURIA IME)

Pasi edhe ti, si lexues, mërmërit vetëmevete vargje të tilla, ku gjen diçka apo shumëçka nga jeta jote, pasi ndesh përkushtime këso, kujtime që në të vërtetë bëjnë thuajse gjysmën tënde, bëhen më të lehta pyetjet që u shtruan në radhët e para të këtij shënimi. Sikundër kam nënvizuar në një tjetër shkrim për poetin e spikatur lirik V. Ziko, fëminia zbulon e para pasionin, krijuesin, letrarin e ardhshëm. Dhe është një burim i pasosur përjetimesh që ndihmojnë veprën. Edhe te I. Kadare, ajo solli një nga veprat më të mira të tij e të letërsisë shqiptare, “Kronikë në gur”. Pastaj, edhe pse rritesh dhe madje ke emër të njohur, përjetimet e hershme nuk se ndryshojnë ndonjë gjë të madhe. Ato thjesht janë rritur me ty dhe kanë ngarkuar veten me më shumë estetikë e filozofi, përvojë jetësore po se po. “E mira nënoke,/ kërkoj ndjesë që të prisha gjumin,/ me trokthin e lotit tim hutaq,/ më lësho një ledhatim fryme,/ si atëherë kur më mbaje për dore/ rrugicës së vjetër, të paqtë,/ ku Kisha pozonte vetveten në qiell,/ ku Konstandini digjej me abetare në diell...” (ME TROKTHIN E LOTIT TIM HUTAQ) Poeti rrëfen me dashuri e ndjenjë për atë vend, ku është mëkuar me këtë pasion, që po e bën të vuajë largësinë e të përcjellë përbotshëm zërat që andej vijnë; siç e ndjejmë në këtë dallgëzim përshtypjesh e malli, që shkon te lexuesi aq bindshëm mbi krahët e një numeracioni të gjetur: “Ç’është me detet tona! I lag dhe të lagin/ dhe s’i lëshon nga sytë e trupi. Dallgët dhe rëra,/ baticat dhe zbaticat, kripa dhe jodi,/ stuhitë dhe drita e diellit,/ shkrihen në një… bëhen pika loti.”(ASIMETRI)

Rrëfimi duke medituar

Fatmir Terziu rrëfen duke medituar, në të shkuarën dhe të sotmen e tij; si hero lirik, si njeri i shqetësuar, që rreh të hedhë krahëve të tokës së zhveshur një kuvertë a disa këngë, që të mund ta mbajnë atë ngrohtë e zgjuar. Kjo është ndërpoetëse.Ndoshta edhe këto i kishte parasysh E. Jevtushenko, kur thoshte: “Biografia e një poeti, është poezia e tij. Të gjitha të tjera janë poshtëshënime”. Ja sërish diçka nga rrëfimet “biografike” të poetit: “Myzyrin e dëgjoj në përthyerjen e këngës/ violina e tij mbars mijëra fyej/ më sjell pranë refrenin që ngas/ për të lehurat e qenit langua/ që shurroi murrin e Kalasë,/ veshur me kostumin e huaj... (ME TROKTHIN E LOTIT TIM HUTAQ) Me shumë dashuri e ndjenjë, poeti ngre në vargje emrat e njerëzve dhe të vendeve më të dashura; historia, kultura, religjioni, toponimia, të gjitha këto bëhen personazhe të këtij rrëfimi. Ato i shërbejnë poetit. Poeti i lartëson ato. Kështu, vijnë e trazojnë kujtimet e mijëra lexuesve: Kalaja, Bezistani, Krasta, Myzyri, Skampa, që për ne janë të njohura si simbole të qytetit të Elbasanit, një nga mitet e atij vendi, një nga vlerat e shqiptarisë, që nga gjuha e muzika, te toleranca dhe shpirtmadhësia.

Është një poemë më vete, shumë e rëndësishme, ky “ekranizim” plot metafora i biografisë së autorit; në të, vizatohet kurba e një jete plot ngjarje, ëndrra, derte, realizime dhe imazhe të tjera, ende në eter. Por ndërkaq, ai i përket një bote që i ka zgjeruar kufijtë dhe duhet përballur, sepse ajo është sfiduese, me shumë e shumë emra, pikëpyetje e vlera, në thellësi të historisë njerëzore dhe në sipërfaqe të të gjithave; për çka Hegel thoshte: “Nuk ka gjë më të qartë, sesa ajo që duket në sipërfaqe.” Dhe… si vjen, në këto vargje, ajo çka u tha më lart? Me droje? E sforcuar? Apo krejt natyrshëm? Gjithë sa pyesim e përpiqemi të kuptojmë, nuk është në qiellin e shtatë; më së pari është thjesht një frymë e re, pa psherëtima, përgjime e përsëritje stilistike, por duke medituar, rrëfyer e nënkuptuar gjithnjë më shumë; duke përsiatur në mënyrë poetike bindëse… “Që nga Sër Humphry Davyt deri te Thomas Edisoni,/ përpjekjet për të zbuluar dritën u bënë të thella,/ se nata ishte bërë mbretëreshë/ që nga shpella./ Të tjerë, si De la Rue, De Moleyns, Suan/ u lodhën në të njëjtin rrugëtim,/ që t’ia shkulnin errësirës mbretërimin,/ për t’ia falur dritës./ Atje ku ndodh ndryshe, errësira dhe drita bëjnë rrokadë,/ ndërrojnë vetëm krahët.” (RROKADË)

E veçanta e Terziut

Iu kthehemi sërish pyetjeve të shtruara që në krye të këtyre radhëve. Çfarë është këtu e veçantë? E vetja. Që ndërton stilin dhe rrugëtimin e tij poetik? Ishte rrëfimi ndryshe, por gjithnjë me shumë ndjenjë e vërtetësi, i biografisë së tij? Është kultura e gjerë, prej nga djali i vogël befas shfaqet tjetër, sadoqë me po atë shpirt? Është përjetimi i paprerë i ditëve, i stinëve, i ndërrimeve vendore e globale dhe të gjitha dukurive në jetë? “Mbi një pllajë të madhe, të mbushur me re,/ ndërtonin foletë e tyre rrufetë;/ dhe pastaj mbillnin farën e tyre të sertë,/ në djerrina të pluguara thellë,/ të tjerat bënin krushqi me vetëtimat, që çanin si grifsha midis nesh.” (DASHURIA IME) Duke mos i lënë pas dore për asnjë çast pyetjet, rrekemi të veçojmë ku ndahen këtu peizazhi nga kujtimi dhe, pastaj, nga ngjërimi filozofik. Dhe nuk është e lehtë ta vendojmë; sepse ato, të gjitha, janë të tretura në një dashuri të madhe e në një re fjalësh, ku rrëfimi poetik arrin përsosmërinë.“Të shprehesh me përpikmëri, kjo është nisja dhe mbarimi i çdo arti.” (J. V. Gëte)

Poeti, pak edhe nga pak, merr përsipër të rrëfejë më shumë, të na bëjë për vete me sharmin poetik dhe nënkuptimet e dhimbshme e të lodhshme, kur ai thotë, tregon, deklamon, shpjegon përmes një similitude të fshehur: “çajmë rrugë përmes reve (duke qarë)/ pa u habitur nga mimikat e tyre të pashprehje,/ është si të mos e ndjesh shpimin tejpërtej,/ të një gjilpëre të nxehur.” (GJILPËRË) Dhe mandej, “shuplaka” e fundit poetike: “Shpesh, dhimbja e të kuptuarit na ka tretur.” (Po aty) Por… si ishte kjo? Shpesh, dhimbja e të kuptuarit na ka tretur… “Herë-herë është e pamundur ta mbash brenda vetes rrjedhën e jetës.” (P. Coelho)

Nxitoj për një hop të kuptoj ndonjë gjë të kësaj tematike edhe në vjershën “Labirinth”. Por një tjetër rivjen dhe flet qartë e më qartë: “Errësira ulet ngadalë dhe tregon përrallat e mbrëmjes/ se si ia ka zënë vendin dritës,/ atje ku peshku është në det e tigani mbeti në zjarr,/ drita nxitohet tinës dhe nis pazar.” (RROKADË) Për çfarë bëhet fjalë? Për hallet e Shqipërisë? Të shqiptarisë në përgjithësi? Të Ballkanit? Të Botës? Të një lagjeje të humbur, ku sfidat janë bërë grotesk? Në këtë meditim të pafund, F. Terziu, sikundër poetë e shkrimtarë të tjerë që e përdorin fjalën me hir, ndërton atë që s’e ndërtojnë dot shumë ente, duke shtyrë tutje, me forcën e metaforave, marrëdhëniet e vështira, konfliktet që shkojnë kundër interesave njerëzore. “Edhe gjethet nuk qenkan të lira në këtë Botë/ kur bien nga pema poshtë në tokë,/ në degë të deformuara të një peme/ kërcurët zgjaten t’u ndalojnë lirinë/ e rënies së tyre.”(LIRI GJETHORE)

Dhe unë, përsëri kërkoj ndër fjalë e ndër meditime. Çfarë ka kjo poezi të veçantë? Në çfarë dallohet apo spikat ndër poezitë e tjera (të panumërta) që publikohen gjithkund?… Ka vjersha që mund t’i quaj të zakonshme (“Atdheu”, “Apoteozë pipëzës”, “Luleshtrydhe”) që nuk ngrihen dot në lartësinë e pjesës më të mirë të krijimtarisë së tij poetike; dhe sigurisht, kjo është një përshtypje individuale.Por në brendësinë e kësaj vatre prush, digjet një zjarr që do të mbajë gjatë. “Thuprat e qiellit u lëshuan vrull/ zagushi në kacekun e ajrit,/ perla diamanti/ hedh dielli trupit tënd,/ ku godet një topuz i zjarrtë,/ që lëkund me tërë forcën e tij,/ sinjalet që lëshohen nga lart,/ në sytë e tu të kristaltë”.(VALLJA RRI ZGJUAR) Në momente të tilla “dalldie” poetike, metaforat derdhen llavë, pothuaj në një betejë, për dashurinë dhe jetën. “Ndihem sikur lagem deri në tru/ çdo herë që i shikoj sytë e tu.” (SYTË E TU) Por ani; prapë duhet nënvizuar e vlerësuar se poeti asnjëherë nuk rreh të na habisë. Ai flet me zërin e zemrës dhe me logjikën e mendjes. Frymëzimi, për të, nuk është njëlloj shtirjeje. Në ndryshim nga shumë vargëzonjës, ai nuk përsërit poezi e modele të dëgjuara dhe as frymë të përjetuara në aq emra; ai i beson më tepër mendimit të strukturuar poetikisht, logjikës artistike që e ribën jetën, edhe përjetimet e tij; pamja poetike përgjithësisht është e paparë më herët. Edhe pse, nëpër të, ndihen e lëvizin re, mjegulla dhe zëra të kulturës dhe poetikës anglo-saksone.

Terziu, një mjeshtër i meditimit poetik

F. Terziu është gjithashtu një punëtor i fjalës dhe i vargut, një mjeshtër i meditimit poetik; në poezitë e tij, ndihet leksiku i të gjitha trevave dhe kohëve, ndërkohë që episodet jetësore ndërtohen me thjeshtësi, por duke mos u pajtuar për asnjë çast me të rëndomtën.“Kërkova një puthje nga brumi i puthjeve,/ këtë mëngjes mbeta peng i buzëve,/ një grimë energjie shendi, pjesa ovale u tkurr.” Dhe pas këtij etydi të çuditshëm, një finale që të vë në mendime: “Himeni i mendimit përtac,/ tentoi të ndizte flakë/ durimin tonë.” (DURIMI)Përcjellja e realitetit në një vështrim ndryshe dhe përmes grintës artistike, zhveshja e dhimbjes nga çdolloj rëndomtësie, ja çfarë është vëzhgimi figurativ i tij mbi jetën dhe ndaj të vërtetave që - kështu i takon poetit - duhen thënë me hir. “I shikoj tangot e strehës,/ i ndjej sikur këngët,/ nuk bëhem dot me ta kavalier. Muzika/ është e ftohtë,/ nuk ka dirigjent në këtë rrjedhë të lëngët,/ nuk mund të luaj me lotë.” (LOT)

Duke lexuar poezitë që kam marrë në shqyrtim, me modesti - dhe këtë e them sepse shënimi letrar nuk është pasioni dhe puna ime më e parë - kërkoj edhe në termat më “besnike” të mjeshtërisë letrare. Dhe vë re se, bie fjala, rima apo asonanca nuk janë një preferencë për F. Terziun; edhe pse në shumë poezi, ato e ndërtojnë emocionin mjeshtërisht. Ka momente poetike, kur këtë leksion rreth stilistikës ai e aplikon natyrshëm, me një frymë: “Grimcat e ajrit shtyjnë njëra-tjetrën,/ dekolte të tejdukshme në mish,/ pështillen ato në shpirt të erës,/ mbi kurrizin e kithët të lumit Tamiz.” (ANARKI) Por shpesh e më shpesh, poeti i beson rrëfimit meditativ, mendimin e bluan dhe e vendos mbi vargje që derdhen tutje si re në shtegtim; e nuk lodhen për të gjetur një bukuri të jashtme, nuk iu përgjigjen pyetjeve klasike rreth formës. Ato vargje-re, ai i ngre me mund e përzgjedhje, duke i shkuar meditimit të tij gjer në fund, si një zë i shtruar, i qetë, por këmbëngulës - a thua druan se ndoshta edhe s’e kuptojnë - në pamje të parë gjithnjë pa ndonjë përkujdesje të dukshme ritmike; por troku i kalërimit të atyre reve, është më shumë se ritëm e rimë, sidomos për një vesh të mësuar me poezi e muzikë. “Sedefin e dritës në të ikur të saj,/ ma flashtën turistët që grimonin. Grinuiç,/ ke mprehur shpatën të ndash,/ kasketën bezhë me një pelerinë,/ siç ndahet dita me natën,/ duart ia zgjat tutje në majë (pa)anësisë,/ së grimuar më dysh,/ unë shoh veç Meridian,/ një mesë të hollë mes fletëve,/ ku krihet gështenja e lashtë e vetëmbirë,/mbi një truall të shkundur nga çizmet e historisë.” (MERIDIAN)

Pasuria e fjalës

Pyetjet riformulohen. Është pasuria e fjalës, kërkimi i pareshtur në këtë rafsh, një nga veçoritë e tij, sidomos të poezisë së tij? Sigurisht. Por ndërkaq, F. Terziu nuk bën akrobaci me fjalën, nuk e ka përzgjedhjen qëllim në vetvete, si shumëkush, që për të rënë në sy, “Këndon fjalët që s’duhen...”, siç do të shprehej Xh. Xhois. Në rrëfim e sipër, i gjendur përherë duke medituar, për t’i dhënë lexuesit a dëgjuesit pamjen më të përsosur, ai e mbjell fjalën sikur të ishte i bindur se shpejt do të çelin kuptime, situata, të vërteta. “E unë bëj art,/ kollomoq i shkërmoqur me fjalë/ përmes imagjinatës këtu në Londër,/ duke ‘nakatosur’ përditë e ngadalë lëmin,/ ku mblodhëm bashkë/ përtej hallit grurin dhe fjalën e rallë…” (LETËR NËNËS)

Shumë nga ne, kur shkruajnë për dikë, përdorin terma të forta dhe fjalë të mëdha. Dihet që ato nuk ndërtojnë asgjë dhe i rrinë përqark figurës së krijuesit si stoli të vogla pa shumë vlerë. Të përpiqemi të shohim profilin letrar përtej zbukurimeve të jashtme, të gjejmë çfarë ka të veçantë ai dhe krijimtaria e tij, kjo është e rëndësishme dhe profesionale; është edhe jetëgjatë. Në këtë vështrim, F. Terziu vjen si një poet që ka biografinë e tij, zërin e tij të veçantë, ku spikat timbri human, shpirti i papajtuar me episode të vrazhda të jetës dhe pamje gri të realitetit, ndaj të cilave është gjithnjë kërkues dhe në skalitje të vazhdueshme, herë hermetike, herë të kthjellëta sikur një qiell i hapur. “E kam hasur vellon ngjeshur në çdo legjendë,/ era është velloja e vetme,/ që kurrë nuk u vesh.” (ERA) Deri në fund, poetit nuk i ndahet dyzimi, pyetjet dhe druajtja nga çfarë ende ndoshta s’e ka kuptuar apo nuk do ta kuptojë dhe kështu as t’ua përcjellë të tjerëve. “Padashje i lashë fjalët e gëzuara në shi,/ ajo që kishte mbetur mbi një tel rrobash,/ ishte zbrazëtia.” (FJALË E GËZUAR)

Jo thjesht si konkluzion

Nuk është e lehtë të krijosh në mënyrë serioze dhe profesionale dhe mandej të botosh vlera, përtej mundit dhe detyrimeve të shumta për jetën. Po ashtu, nuk është e lehtë të krijosh dhe të ndjekësh indentitetin tënd, stilin, mëvetësinë artistike. Gjithaq e vështirë është sot, të kesh realisht vëmendjen e publikut, aksesin e tregut dhe vlerësimin e institucionit të kritikës letrare; ca më keq, atë të qarqeve akademike dhe klaneve “kult-urore” mbarëshqiptare. “Nuk është e lehtë. U ngjirëm. Atdheu im u ngjire./ Ngjirja u bë plaga prototipe/ e Gjuhës së bukur shqipe.” (ATDHEU IM I NGJIRUR)

Por mendoj se edhe në këto kushte, krijuesit profesionistë dinë t’ia dalin, anipse me përpjekje të paçmuara ndonjëherë. Në këtë udhë, mendoj se është detyra e çdo shkrimtari në karrierë, të thotë fjalën e vet edhe në këtë lëmë, të kritikës dhe të shënimit letrar, lëmë ku rrethanat teknologjike të kohës, por edhe mungesa e institucioneve zyrtare dhe atyre profesionale - përfshi kritikën letrare, antologjizmin serioz, gjithashtu - ka krijuar një kakofoni të papranueshme. Sadoqë, ndërgjegja dhe ndjesia letrare, me to edhe vizionet e duhura, janë të afirmuara.


21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page