top of page

Truku i Bellavodas


Uji i Bardhë "Bellavoda"

Truku i Bellavodas

Prof. Dr. Fatmir Terziu

E kush nuk e mban mend Fushën e Klenjës. Emrin e madh në tërë Shqipëri për prodhimin e patates, llojit dhe farës, që thuhej se ishte shekullor. Emri që shkoi në të gjitha qytetet e Shqipërisë, patatja që u shtrua në të gjitha tryezat shqiptare e më gjerë, kur ajo u përcoll për eksport. Po vetëm patatja? Jo vetëm ajo që u ushqye nga toka pjellore dhe nga klima si ajo e Zvicrës, jo vetëm ajo, por dhe Uji i Bardhë që i dha jetë asaj e që ishte ngjizur si Bellavoda. Ky emër, ky toponim, ndoshta sot ka pushtuar botën me tjetër kuptim, deri në SHBA, kur një lloj uji i pishëm shtrohet në tavolinë, por edhe nga toponimitë e tjera në tërë zonën ku shkeli pushtuesi sllav dhe i ngjizi në fillim si një zë, një fjalë…

***

I sistemuar, Uji i Bardhë "Bellavoda"

Kohërat lanë pas vetëm zëra dhe fjalë. Zërat oshëtinë veshëve dhe luginave ku njeriu udhëtoi në ekzistencën e tij identitare, për aq sa mundi ta mbajë atë, dhe në luftën e tij të mbijetesës. Hera-herës zërat e kësaj ekzistence u bënë bashkë, u bënë një zë që lidhi mes fjalës tërë atë gjeografi ku emërzimi i vendeve krijoi formën e re të njohjes me vendin ku zëri kryente funksionin e tij të dialogut. Ndërsa dihet se një “zë”, si koncepti qendror në teorinë e vetë dialogut, nuk është vendosur as në “person” as “në kulturë”, por fillon të jetë si një lidhje midis personit dhe kulturës, ai sidoqoftë mbetet një shembull konceptual gjykimi në një nivel fenimenologjik. Një shembull i gjerë i jetës së përditshme është paraqitur në një nivel fenomenologjik që ilustron formimin e një zëri të veçantë në mjaft hapësira të kësaj zone, sikurse si shembull mund të merret “Bellavoda” (Uji i Bardhë). Është një vend në Fushë të Klenjës, ku jo aq sa nga uji që rrjedh e ka marë emrin, por nga legjenda që është transmetuar dhe ka ngjizur këtë toponim në rrjedhat e jetës.


Ky ka qenë qëllimi kryesor i këtij toponimi për të analizuar këtë shembull në terminologjinë e shëndoshë teorike, që lidhet me fatin dhe faktin e emrave të vendeve gjografike, të cilat kanë ndryshuar në vetë këto rrjedha ekzistence. Mes kësaj strukture toponimike ka vepruar edhe psikologjia kulturore dhe ajo ndër-kulturore. Si psikologjia kulturore ashtu edhe psikologjia ndër-kulturore janë nëndisiplina që merren me kulturën në përgjithësi, dhe marrëdhëniet midis kulturës dhe individit në veçanti. Diskutimi i përqendrimeve të ndryshme të të dy disiplinave çon në përfundimin se vetëm një kornizë psikologjike kulturore lejon një përpunim të konceptit të zërit që emeton dhe emërton toponimin. Më konkretisht, qasjet teorike të kësaj forme janë marë në konsideratë dhe janë prezantuar për të aplikuar në analizën konceptuale të shembullit. Toponimi “Bellavoda” (Uji i Bardhë) nuk është thjesht një emërtesë, por është një “zë kulturor” pasi i referohet një kolektiviteti kulturor, i cili prodhoi këtë si një faktor të ardhur nga legjenda, vetë ajo legjendë që u pasua si faktor i kushteve ekonomike të kohës që e solli në aspektin kulturor të kësaj treve. Në këtë toponim të lindur nga këto zëra natyrisht do të kuptojmë se si zërat kulturorë shfaqen dhe bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Një rezultat i kësaj analize është se nocioni thjeshtist i të pasurit vetëm një arsye, një shkak, një zë, personalisht ndjen identitetin, që mund të kundërshtohet.


Ndryshe nuk mund të ndodhte “ndryshe”. Koha ka qenë kur serbët kishin pushtuar zonën dhe kishin vendosur ushtritë e tyre në disa pika nevralgjike. Në këtë pikë ku ndodhej “Bellavoda” njerëzit takoheshin, komunikonin me veten dhe sillnin në mendje arsyet e jetës, problemet, mangësitë dhe përditësitë, sepse që aty niste dita dhe puna në fushën që mbetej pjellore për pataten dhe i vetmi burim i jetës së tyre. Por patatja donte kripën, dhe kështu një nga këto mangësi ishte edhe kripa, pasi rrugët ishin zënë nga pushtuesi. Dhe një ditë …, mendimi i një zëri ishte të zgjidhnin një herë e mirë këtë problem. Të mbillnin kripë në këtë pellg të madh të “Bellavodës”, ku zëri thoshte se ajo do të zgjidhte një herë e përgjithmonë fatin e tyre. Dhe ashtu bënë. Hollën kripë me thasë. Dhe rezultati?! Dihet ishte dhe mbeti zero. Kripë mësohet se ishte hedhur edhe në vende të tjera dhe kjo puna e kripës nuk ishte thjesht një “zë” kulturor, por një britmë që vinte nga dhimbjet e shumta të kohërave me halle e shqetësime tek njerëzit. Kur ky zë u kthye ndryshe, ishte vetë pushtuesi që e hodhi alarmin. Kuajt e pushtuesit që ishin vendosur në atë periferi nuk kishin ku të pinin ujë. Dhe kështu filluan të turfullonin e armiku të vihej në vështirësi. Kujtuan se ishte mallkim dhe ia mbathën natën për gjithë natën nga ai vend. Ditës tjetër zëri shkoi vesh më vesh. Dhe kështu ai vend u bë toponimi që alarmoi gjuhën e pushtuesit, me britmën se “Bellavoda”[1] ishte mallkimi i tyre. “Bellavoda” mbeti jo thjesht një emër, një toponim por më pas dhe një trashëgimi kulturore, që foli e foli gjatë me gjuhën që iu ngjiz.


Çfarë kuptohet me “trashëgiminë kulturore”, dhe çfarë e bën një emër gjeografik një objekt të trashëgimisë kulturore? “Trashëgimia kulturore” është trashëgimia e atributeve të një grupi ose shoqërie që janë të trashëguara nga gjeneratat e kaluara, të mirëmbajtura në të tashmen dhe të dhuruara për përfitimet e brezave të ardhshëm. Trashëgimia kulturore përfshin edhe kulturën e prekshme e të paprekshme (siç është folklori, traditat, gjuha dhe njohuritë), dhe trashëgimia natyrore (përfshirë peizazhet me rëndësi kulturore, dhe biodiversitetin). Nën-grupi “kulturë e paprekshme” gjithashtu përfshin emrat gjeografikë, pasi emrat janë pjesë e gjuhës (ave) të një kombi. Sidoqoftë, aspektet jo-materiale të trashëgimisë kulturore kanë tërhequr shumë më pak vëmendje sesa objektet e prekshme. Edhe pse traditat gojore, gjuhët lokale dhe emrat janë parë si të denjë për mbrojtje dhe ruajtje, ato nuk kanë pasur të njëjtin status juridik si për shembull ndërtesat dhe monumentet. Një fakt është banesa “Marku” në fshatin Vërnicë, e shpallur që në vitin 1970-të si një “Monument Kulture”, që mbrohej nga shtetit, pasi mendohej se ishte një model autokton tipologjik i banesave të vjetra që përcaktonin qartë identitetin e asaj zone. Kjo banesë ishte një zë kulturor i trashëgimisë kulturore materiale, që kishte në trupin e saj tre zjarre “dushmani”, disa plagë tërmetesh, dhe një mbijetesë mjaft të gjatë. Emrat e tillë janë në fakt një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore ma teriale dhe jo-materiale. Së pari të gjitha, duhet të nënvizohet se shumica e emrave gjeografikë u krijuan në pikën ku janë përdorur, nëse kanë kaluar në harresë. Kështu, ato janë kujtime për vendin si dhe për njerëzit që ngjizën emrat.

Kështu, emrat gjeografikë zakonisht përmbajnë elemente gjuhësore të cilat kanë lidhje semantike me skenën e emërtimit, me atë skemë që sjell sot debatin e origjinës, gjuhës, identitetit dhe kulturës identitare. Kjo do të thotë se ata tregojnë diçka për vendin dhe rrethanat në kohën e krijimit të emrit, por jo për të gjithë format semantike, gjuhësore dhe logjike të qasjes së tyre me banorët dhe identitetin e tyre. Duke ditur se materiali gjuhësor që përmbahet në emrat gjeografikë është një burim i vlefshëm për studimin e historisë së gjuhës, natyrshëm kuptojmë se mjaft toponime të ardhura dhe të krijuara nga lidhje dhe transmetime kulturore, mund të konsiderohen si një dritare e së kaluarës. Kjo është për periudhën e kohës kur emri erdhi në jetë, dhe jo si një dëshmi autentike e besueshme për gjuhën që e prodhoi. Shumë emra gjeografikë janë huazuar dhe ripërdorur në vende të tjera ku nuk i përkisnin fillimisht, asaj zone gjeografike. Sidoqoftë, emra të tillë janë gjithashtu dokumente historike, pasi ato përcjellin informacione mbi prejardhjen e emrave që japin, për shembull, inspirimin e tyre origjinal dhe lidhjet emocionale prej nga kanë ardhur.

Çdo pjesë e madhe ose më e vogël e sipërfaqes së zonës, ka një numër emrash gjeografikë që së bashku përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe kulturës së Gollobordës. Kjo është një çështje që prek pothuajse çdo lloj veprimtarie njerëzore, si dhe rrethana natyrore.

STUDIMI: “TOPONIMIA E GOLLOBORDËS: DISKURSI I DYGJUHËSISË DHE DERIVATI I ORIGJINËS”.

[1] Kuvendi krahinor në Fushë të Klenjës te Uji i Bardhë (Bellavoda). Shkruar nga Arif Shutina në gazetën “Dibra”: “Në mbarim të vitit 1909 me kthimin e patriotit të shquar Hoxhë Muglica prej kongresit të Manastirit në Fushë të Klenjës, te Uji i Bardhë (Bellavoda) u mbajt një kuvend krahinor. Në këtë kuvend Hoxhë Muglica mblodhi popullsinë e Gollobordës dhe mbasi u shpjegoi gjërë e gjatë vendimet e kongresit të Manastirit u foli dhe për rëndësinë dhe mundësinë e shkollës normale të Elbasanit dhe përfundoi fjalën e tij duke kërkuar që nga çdo derë e pasur e Gollobordës të dërgohej një djalë në këtë shkollë.”

53 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page