
TRIORA
ese
-Çfarë ke në mendje, - më pyet kompjuteri.
-Triorën, - përgjigjem.
-Çfarë është triora?
-Triora është shoshë-makineri që përdoret për ndarjen e të lashtave në fraksione, por jo për tërshërën.
-Pse jo për tërshërën?
-Tërshëra nuk ka nevojë të shoshet e as të ndahet në fraksione...Zakonisht përdoret tagji për njëthundrakët...Çuditë e tërshërës janë:
kokra e saj, e vogël a e madhe, mund të qëndrojë nën tokë njëqind vjet, e nuk kalbet, por mbin kur nuk ta pret mendja...Çudia e dytë: me një kilogram tërshërë i mbledh tërë minjtë e qytetit ose të fshatit...
-Intreresante...vazhdo.
-Triora i ndan kokrat sipas cilësisë: në govatën e parë bien kokrat e cilësisë së parë. Këto kokra përdoren për farë, për bakllava, për panine, ose për meshë. Në govatën e dytë e të tretë mblidhen kokrat e cilësisë së dytë e të cilësisë së tretë. Nga këto dy govata prodhohen dy lloj buke: e bardhë dhe e zezë. Mirëpo, nga këto dy govatat nxirret edhe birrë e vodkë... Në govatën e katërt, që vendoset në fund të shoshës triorë, mblidhen kokrat e mpira e të vyshkurat, pra, jashtë standartit. Ato përzjehen me farëra grashine, gjëmbaçësh, tërshërë të egër, e të bimëve të tjera, edhe ato të egra, por edhe guriçka e kokra rëre... Të mbledhurat në këtë govatë, (të katërtën, de!,) përdoren ushqim për pulat, rosat, rosakët, edhe për gjelat e tokës e të detit, sepse shpendët kanë stomakun e fortë...
-Jepi, vazhdo, interesante, - më nxit kompjuteri.
-Nuk vazhdoj më tej; - përgjigjem.
-Pse?
-Sepse, këtë esenë me TRIORË, kam hall se do ta marin për ters, sikur e kam sajuar enkas për të "shoshur" artin e realizmit socialist...
-Aman, ç' ka për të ndodhur po qe se triorohet arti realizmit socialist? - pyet kompjuteri.
-Në govatën e parë nuk do bjerë asnjë kokër. Kështu, fatmirësisht, do humbasë fara... Në të dytën e të tretën fare pak, sa për të shuar urinë nostalgjike brezi i moshës së dytë e të tretë. Kurse govata e katërt do mbushet e do zbrazet, do mbushet e do zbrazet, aman, pirgje me...e .më mirë mos e them.
-Pse? Nga se ke frikë?
-Nuk dua të irritohen e të më pakësohen miqtë e mikeshat në fb. Tani e kam kuptuar se shumicës së fansave u pëlqen të përtypin ato që mblidhen në govatën e katërt...
-Hmmmm, - hungëriu kompjuteri, - Gjersa të shoshet arti socrealist, do marë e ca kohë...
-Edhe sa, - u bëra kureshtar.
-Kur brezi yt, - shtoi me ironi e saktësi, - mos marë më frymë mbi dhe. Kurse, brezat që do vijnë mbas jush nuk do dinë çfarë ka qenë realizmi socialist dhe as do pyesin se ç'është tërshëra...
Shtator, 2016