top of page

Nexhbedin Basha: Dashuri që mbeti në hije…


-Tregim-

 

Pranvera sapo kishte trokitur. Noelit iu ofrua një punë në një fshat buzë një liqeni natyror, që vetë ai e emërtoi me ngjyrime poetike “Liqeni i mjelmave”; një emër që, për çudi, ua zbehte shkëlqimin pallateve dhe vilave shumëkatëshe në të dy anët e liqenit.

Ndalesa e parë qe një bar-kafe i thjeshtë, i quajtur “Flladi i Tuneleve”, ku njerëzit ndaleshin më shumë për të harruar sesa për të kujtuar. Aty pa një vajzë syshkruar që i hyri menjëherë në zemër. Quhej Lela, e re, sapo kishte përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, modeste dhe e çiltër.

Shkëmbyen disa fjali të thjeshta: për familjen, për rrugën, për punën. Një përshëndetje. Një buzëqeshje pa premtim. Një heshtje që nuk kërkonte shpjegim. Në çastin e parë, teksa po largohej, Noeli mori me vete respektin, mirësjelljen dhe një ndjenjë të brendshme më shumë miqësore, e cila, me kalimin e ditëve dhe afrimin e etikës mes tyre, nisi të rritej e të thellohej.

Ditët pasonin njëra-tjetrën. Rruga drejt kafesë u bë ritual i përditshëm. Nisën të lindnin disa shkëndija që, dita-ditës, po i afronin më shumë me njëri-tjetrin. Shkëmbyen numrat e telefonit, u bënë “friends” në rrjetet sociale Facebook e Instagram dhe, jo rrallë, shkëmbenin ndonjë fitbek apo i dërgonin sms njëri-tjetrit.

Ai shkruante; ajo rrinte.

Ai fliste me metafora; ajo përgjigjej shkurt.

Ai, në Messenger e WhatsApp, e përkëdhelte duke e etiketuar: princeshë, dritë, jasemin, sy gazele…

Ajo ruante gjithçka pa emër, si një gur të çmuar në shpirtin e saj të pastër, pa u dukur.

- Mos shkruaj, i thoshte ajo.

Jo nga ftohtësia, por nga mbrojtja. Fjala ishte frymëmarrje për të; heshtja nuk i mjaftonte.

Ditët kalonin si motet. Shiu mbështillte fshatin me aromë të lagësht, duke larë rrugicat dhe kujtimet e vogla të përditshmërisë. Buzëmbrëmjet në atë kafe nuk ishin më të zakonshme; çdo gjë kishte marrë një dritë të veçantë. “Flladi i Tuneleve” kishte shndërruar hapësirën e lagjes: ngjyrat e ylberit ndriçonin çdo cep dhe atmosfera ishte e ngrohtë e mikpritëse.

Flladi që vinte nga mali i Dajtit mbushte ajrin me freski dhe aromë lulesh, duke i dhënë çdo gjëje një gjallëri të natyrshme, edhe pse lulet e dekorit ishin artificiale. Dukej sikur edhe ato flisnin, si të kishin shpirtin e tyre.

Noeli rrinte i ulur në qoshen e kafesë, pinte një kafe të lehtë dhe shkruante vargje të vogla për veten e tij. Fjalët i dilnin të qeta, pa ngut, duke shijuar çdo detaj të këtij vendi të ri që sapo ishte hapur. “Flladi i Tuneleve” nuk ishte thjesht një kafe; ishte një copë atdheu që i jepte lagjes ngjyrë dhe shije të veçantë. Kur dielli lindte, dritat e kafesë krijonin një pamje magjike, dhe reklama me ngjyra ylberi të ftonte të shijoje kafenë e përgatitur nga duart e arta të Lizës, rrëfen Noeli.

Një mikpritje që të bënte të ndiheshe pjesë e diçkaje të gjallë. Edhe hëna kishte pjesën e saj, duke ndriçuar mbrëmjeve dhe duke shtuar bukurinë e këtij oazi të sapolindur. Nga lindja në perëndim, flladi dhe ngjyrat e shoqëronin Noelin ndërsa shkruante, duke bërë që çdo varg të ishte pa ankth e pa pendim.

Ky vend ishte një kantatë gjelbërimi dhe freskie, ku bukuria e dekorit bashkëjetonte me shijet e këndshme të kuzhinës. Çdo gjë ishte një përvojë e plotë: shija e kafesë, pamja dhe qetësia që mbizotëronte. Në mëngjeset kur dielli ngrihej mbi malin e Dajtit, rrezet binin mbi tavolinat e kafenesë dhe, herë pas here, e detyronin Noelin të ndërronte vend nga bezdia e dritës. Kur bora shfaqej në kreshtat e maleve dhe rrallë zbriste deri te fshati, gëzimi i banorëve ishte i pamasë.

Në mbrëmje, “Flladi” merrte tjetër frymë. Të rinjtë mblidheshin për të parë ndeshje futbolli: brohoritje, thirrje, batuta dhe emra VIP-ash fluturonin në ajër si era mes tavolinave. Por Noeli dhe Liza mbeteshin një qetësi më vete;  dy figura të heshtura, duke folur me sy, në një botë që zhurmonte.

Në tryezat anash diskutohej edhe për Big Brother Albania e Kosova, për Luizin dhe Kiarën; modele të dashurisë njerëzore.

- Luizi bën lojë, thoshin të tjerët.

- Ka lojë, po ka edhe kimi, mendonte Noeli.

Dhe, në fakt, ndodhi çudia. Sot ata mbajnë në krah princeshën e tyre, Lunën, lindur nga fruti i dashurisë së tyre në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother Albania”, në Top Channel.

Por jo gjithnjë ajo që ndjen bëhet realitet. Një pasdite, ndërsa breshëri i lehtë tundte xhamat e kafenesë, teksa po bisedonin, Noeli i tha:

-  Liza, a nuk të duket sikur natyra po përpiqet të flasë për ne?

Ajo buzëqeshi. Nuk foli. Por sytë e saj i dhanë përgjigje.

Pesë vjet respekt, vlerësim dhe kujdes i heshtur nuk munguan kurrë. Por vija nuk u kalua. Sepse ajo kishte botën e saj. Sepse ai kuptoi se disa ndjenja lindin vetëm për të mos u realizuar, por për të të mësuar diçka.

Në fund nuk pati dramë. Nuk pati konflikt. Vetëm një lodhje e butë dhe një tërheqje e heshtur. Ai tha “ndjesë”, edhe pse askush nuk ia kërkoi. Ajo vazhdoi jetën, siç bënte gjithmonë. Disa dyer hapen për t’u kuptuar, jo për t’u kaluar. Disa ndjenja lindin vetëm për t’u respektuar.

Shiu vazhdoi të mbështillte fshatin, dielli nxirrte hijet e veta, era thërriste borën. Natyra, heshtja dhe kafeja e mbrëmjes u bënë reflektim i një dashurie që nuk u bë çift, por ruajti dinjitetin dhe bukurinë e vet.

Jo të gjitha dashuritë bëhen çift.

Disa zgjedhin të mbeten miqësi, respekt dhe njerëzillëk dhe pikërisht për këtë mbeten të pastra.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page