top of page

Fatmir Terziu: Artisti që pikturon... muzikë

  • 20 minutes ago
  • 3 min read

Artisti që pikturon... muzikë

 

Nga Fatmir Terziu


E kam takuar për herë të parë në ambientet e Televizionit “Dardan” në Elbasan, në një ditë që dukej si gjithë të tjerat, por që më pas do të mbetej e veçantë në kujtesën time. Kishte ardhur nga Librazhdi, me një mision kulturor që nuk kishte nevojë për zhurmë, sepse e mbante në vete si një ritëm të brendshëm. Ishte i qetë, me një përulësi të natyrshme, dhe në sytë e tij dukej sikur kalonin tinguj që nuk dëgjoheshin, por ndiheshin. Kështu emërmadhi, Naim Gjoshi, mbeti një kujtim në sytë e mi, por tashmë me një largësi kohe dhe gjeografie. Sidoqoftë edhe me pak kohë kuptova se ai nuk ishte thjesht një kompozitor. Ai ishte një rrugëtim i gjatë midis qyteteve dhe ndjesive, nga Belshi ku lindi, në Elbasan e Librazhd ku u formësua, dhe më tej në një hapësirë më të gjerë, ku muzika bëhet kujtesë dhe kujtesa shndërrohet në art. Mbi 45 vite krijimtari nuk janë vetëm një shifër. Ato janë një jetë e shndërruar në tinguj, një përkushtim i heshtur që rrallë e gjen të barabartë.

Në bisedë ai mbetet i thjeshtë, por kur flet për muzikën, hapet një univers tjetër. Sepse për të muzika nuk është vetëm për t’u dëgjuar. Ajo është për t’u parë. Në këtë mënyrë, ai i afrohet intuitës së Lucien Lévy-Dhurmer dhe dialogon në heshtje me madhështinë e Ludwig van Beethoven, por ndryshe nga ata, ai nuk përkthen, ai krijon njëkohësisht tingullin dhe tablonë, duke i bërë të dyja një.

Ai ka qenë pjesëmarrës në më shumë se njëzet Festivale të Këngës në Radio Televizion, duke lënë gjurmë të qarta në skenën muzikore shqiptare. Ka bashkëpunuar me zëra të njohur si Selami Kolonja, Ilir Shaqiri, Hatixhe Lushi dhe Mergita Kola, duke ndërtuar koncerte dhe cikle artistike që mbeten në kujtesën e publikut. Këngë si “Jam Evropë”, “Poçari”, “Udhët e mia” apo “Male o male” janë më shumë se krijime, janë rrëfime të një shpirti që kërkon të lidhë vendin me botën, të shkuarën me të ardhmen. Por mbi të gjitha, është një këngë që e përmbledh thelbin e tij artistik: “Mora fjalë”. Një këngë që nuk është thjesht muzikë, por një akt kujtese dhe nderimi për Adem Jashari. Ajo lindi nga një përjetim i drejtpërdrejtë, nga një vizitë në Prekaz, në kullat e familjes Jashari, ku historia nuk rrëfehet, por ndihet. E kënduar nga Shkurte Fejza, ajo u bë një himn i shpirtit shqiptar, një këngë që këndohet jo vetëm me zë, por me ndjenjë, kudo ku ka shqiptarë.

Dhe ndërsa këto vepra rriteshin dhe përhapeshin, vlerësimet nuk munguan. Ai u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri”, u nderua me titullin “Mjeshtër i Merituar” dhe u shpall “Qytetar Nderi” në qytete që e njohën dhe e deshën. Por asnjë nga këto nuk e ndryshoi natyrën e tij të qetë. Sepse ai nuk krijon për dekorata. Ai krijon sepse nuk mund të mos krijojë. Në atë studio të vogël televizive, në takimin tonë të parë, më dukej sikur ai nuk kishte ardhur për të folur, por për të dëgjuar, për të kapur një ritëm që vetëm ai mund ta kthente në art. Dhe sot, kur e mendoj, e kuptoj më mirë se çfarë e bën të veçantë. Sepse ka kompozitorë që shkruajnë muzikë për t’u dëgjuar. Por Naim Gjoshi e krijon muzikën për t’u parë. Ai ndërton tablo që nuk varen në mure, por jetojnë në tingull, në kujtesë, në shpirt, si një galeri e padukshme ku historia, dashuria dhe identiteti shqiptar marrin formë dhe mbeten përgjithmonë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page