Fatmir Terziu: Në fund të fundit, ai është jo thjesht Gjergj Fishta
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 3 min read

Pyetja pse ende nuk kemi një vlerësim të plotë dhe dinjitoz shtetëror për poetin Gjergj Fishta nuk është thjesht një pyetje. Ajo ka shumë pika për ta komentuar. Fishta nuk është vetëm një emër i madh i letërsisë. Ai mbetet një figurë themelore e identitetit kombëtar. Ishte dhe mbeti një poet, mendimtar, klerik dhe përfaqësues i Shqipërisë në momentet më vendimtare të saj në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, pavarësisht rivlerësimeve akademike dhe rehabilitimit moral pas rënies së diktaturës, shteti shqiptar vazhdon të mbetet i cunguar në aktin e njohjes së tij zyrtare. Duket, sikur hija e ndëshkimit ideologjik të së shkuarës të mos jetë shpërbërë ende plotësisht.
Arkivat flasin më qartë se çdo debat i brendshëm. Në arkivat britanike, emri i Gjergj Fishtës shoqërohet me përcaktimin “highly gifted poet”, një vlerësim që nuk u jepet lehtë poetëve të kombeve të vogla. “The Times” e 22 prillit 1919 e vendos Fishtën mes figurave më përfaqësuese të vlerave kombëtare shqiptare në Paris, përkrah Monsinjor Bumçit, në një kohë kur Shqipëria luftonte për mbijetesë diplomatike. Ky vlerësim nuk ishte sentimental, por rezultat i një vepre të fuqishme artistike dhe një autoriteti intelektual që kapërcente kufijtë kombëtarë. Fishta ishte poet në kuptimin e plotë të fjalës, por edhe një mendje e kthjellët që e kuptonte fjalën si akt përgjegjësie historike. Paradoksi nis pikërisht këtu. Ndërsa bota e qytetëruar e vlerësonte Fishtën si një nga shtyllat e letërsisë moderne shqiptare, në Shqipëri ai u shndërrua në objekt ndëshkimi ideologjik. Vepra e tij u shpall e padëshirueshme, u hoq nga bibliotekat, u dëbua nga shkollat dhe u anathemua si “antipopullore”. Shembulli i Iskra Thomës në librin “Individualitete dhe Vepra Letrare” është ilustrues për mënyrën se si kritika e instrumentalizuar politike i vuri “faturë” një gjeniu. Pohimi se “Lahuta e Malcisë” nuk kishte vlera kombëtare sepse nuk i shërbente interesave të popullit nuk është thjesht një gabim kritik, por një akt dhune intelektuale, që sot lexohet qartazi si produkt i diktatit ideologjik.
Ndërkohë, jashtë kufijve të Shqipërisë, e vërteta për Fishtën ruhej dhe thellohej. Që në vitin 1955, Assembly of Captive European Nations dëshmonte se veprat e poetit kombëtar të Shqipërisë ishin ndaluar pikërisht sepse kishin ndezur ndjenjat kombëtare, ndjenja që regjimi i kohës i konsideronte të rrezikshme. Studiues si John Irvin Beggs McCulloch e rreshtonin Fishtën përkrah Anton Harapit si një nga dy poetët më të shquar të Shqipërisë moderne, ndërsa George Melville Bolling dhe Bernard Bloch e cilësonin “Lahutën e Malësisë” si prodhimin më të rëndësishëm letrar në gjuhën shqipe, për shkak të aftësisë së saj për të riprodhuar tonin dhe stilin e baladave të vjetra shqiptare. Ernst Erich Noth e përkufizon letërsinë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX si të dominuar nga gjeniu i At Gjergj Fishtës, duke e parë atë jo vetëm si poet, por si figurë shumëdimensionale me ndikim akademik, arsimor dhe moral. Ky vlerësim ndërkombëtar i qëndrueshëm e bën edhe më të pakuptueshme hezitimin institucional shqiptar për ta kurorëzuar Fishtën me një nderim shtetëror të plotë dhe të pakontestueshëm. “Lahuta e Malësisë”, me tridhjetë këngët dhe rreth shtatëmbëdhjetë mijë vargjet e saj, është quajtur me të drejtë “Iliada shqiptare”, epos kombëtar dhe ballkanik njëherazi, një vepër që mbart shekuj historie, mentaliteti dhe etike në një strukturë poetike madhore.
Arsyeja pse ende mungon një vlerësim shtetëror i denjë për Fishtën lidhet me trashëgiminë e pashëruar të mendësisë moniste, me frikën institucionale për t’u përballur hapur me të shkuarën dhe me mungesën e një politike kulturore që të ketë kurajën e së vërtetës historike. Rivlerësimi akademik pa aktin shtetëror mbetet i cunguar, sepse nderimi institucional nuk është vetëm simbolik, por një deklaratë morale se shteti shqiptar pranon gabimet e së shkuarës dhe vendos drejtësi kulturore. Gjergj Fishta sot ndriçon gjithnjë e më shumë në arkivat botërore, në studimet serioze dhe në vetëdijen e lexuesve të rinj. Ai nuk është thjesht një poet i madh i së shkuarës, por një themel mbi të cilin ndërtohet vetëdija kombëtare moderne. Prandaj pyetja nuk është pse Fishta meriton vlerësim shtetëror, por pse shteti shqiptar ende vonon ta bëjë këtë akt elementar drejtësie. Sepse, në fund të fundit, ai është jo thjesht Gjergj Fishta.









Comments