top of page

Tregim nga Fatmir Terziu: Je suis Portret

Updated: Apr 22


Je suis Portret

Tregim nga Fatmir Terziu

 

 

Ai kishte veshur një triko të zezë me mëngë të shkurtra dhe sytë e tij e ndiqnin kudo në dhomë. Sy të rreptë! Ama, të rreptë, dhe të mprehtë. Në përgjithësi, gjithçka rreth tij dukej strikte. Dukej ama, dhe e mbledhur. Në figurën asketike të ngrirë në ikonën e vogël në mur, dukej sikur të ishte mbledhur gjithë Rendi i Botës. Jam unë, apo s'jam unë?! Qenkam bërë…, qenkam bërë edhe Shenjtor?! O Zot!

Në mbrëmje, kur po kthehej nga festa, Portreti u gjunjëzua mu para figurinës së tij të dhuruar në art. Dhe, ai me triko të zezë me mëngë të shkurtra, mistershëm dukej i djersitur. Dukej, edhe i ashpër. Më i ashpër kur ndiqte hijen e dhuratëbërëses. Ajo, e qetë, e pashme, si dorovitëse në këtë rast, e ndiqte dypozën e reales dhe të ireales. Ngulej e shkulej para ikonës artistike si në pasqyrë. Më në fund edhe ajo u pozicionua disi midis grumbujve të hedhjeve lëndore të pista dhe të pastra nga bojërat, rrëshqiti pëllëmbën e saj nën kaosin e të lëngshmes së tyre, që ishte duke u avulluar, shkundi këpucët e saj në tryezë dhe iu dorëzua vështrimit të tij prerës.

-Po tani? Ai ishte një slob dhe dhoma e tij ndihej midis zbrazëtisë dhe ekzistencës. Po përkuleshin disa vafla nën kapakët e syve të tij të palosur dhe fijet e sexhadesë së shqyer nga molat dhe kohërat histerikisht dilnin e dukej se grindeshin midis tyre.

Ata panë njëri-tjetrin për të paktën gjysmë ore. Ose të paktën, derisa u errësua plotësisht. Tashmë kishte ndodhur, ajo që nuk duhej të ndodhte…

Portreti jetonte ashtu midis jetës dhe vdekjes, në katin e parë të Bllokut të Madh e të përfolur, ashtu sikurse mund të jetoj një ngjizje në art dhe ndaj iku shpejt, se po errësohej po aq shumë shpejt. Ajo lëvizte në mënyrë të pazakonshme kudo dhe si një huti mbi gjithçka linte gishtat, për të mos lënë shenjat.

Portreti i përkiste tashmë errësirrës. Thuajse ishte i mbështjellë në një errësirë ​​të ashpër, të përsëritur, që me këmbëngulje të shurdhër i shtypte shqisat deri në depersonalizim. Një furi e pështirë, në mes të së cilës dolën sytë e mprehtë të Shenjtorit dhe e humbën atë, të heshtur në çrregullim koloriti. Portreti kishte mësuar të vdiste nga pak çdo ditë me kënaqësi në ato pak minuta heshtje të lumtura, barazuese. Heshtja ishte ndjenja më e mrekullueshme, sepse në të, Portreti, u tret derisa u zhduk. Por, më pas jeta u kthye brutalisht dhe filloi ta tërhiqte shpirtin e tij lart në dyshemetë e Bllokut të shumëpërfolur.

Së pari, ai u befasua nga klithmat belbëzuese të kafshës së vogël, të butë e mjaft bukuroshe, që duke tërhequr zvarrë këmbët e saj, padashje u pa me bar të lidhur gërshetë mbi kokë e me vithe të bëra grusht:

- Idiotësi! Po i dridhen cicat! E pastaj, ia pështyni salçiçen dhe po e hidhni ju në …, ju ore ju, ju prania atje!

Pasoi një trazirë e ndrojtur, dhe zëri fajtor i bashkëjetueses së tij, tërhoqi vëmendjen duke qeshur me lotë, e duke e mbajtur njërën dorë fort në kordonin e kërthizës, sikur të kërkonte një kuptim për ekzistencën e saj:

- Në asnjë mënyrë! Mos bëj kështu, Portret! Nuk është kafsha jonë. Janë… Fëmijët e komshiut po bënin bukë me salçiçe për në shkollë, meqë ra fjala!

- Hesht, - bërtiti burri i tërbuar, - po ju ndjek të gjithëve, po ju shoh të gjithëve edhe në mes të ditës, po ju shoh atje të më bëni sehir, të më silleni ashtu! E unë, Portreti i dhjetëra kohërave dhe zyrave, të përfundoj në këtë rrëmujëhane? Këtu në këtë…

Pati një pauzë. Aq sa u dëgjua një kërcitje në dyshemenë lart. Ai mendoi më të keqen. Portreti kishte kohë që flinte në ëndrrat e tij me atë delikatesë. Dhe në atë moment mendoi se diçka agresive, dridhej në veshin e tij me dridhjet më të padurueshme. Por jo, zërat mavijoseshin si sy të rrahur në temperatura të ngrirje-shkrirjes:

- O topçe, oooh poohoo, ohhh po, po, aaaah - hendeku i çbendur i brunes së porsamartuar nga apartamenti përballë, po bërtiste me miratim jehonjës, një rikoshetë për përpjekjet e të shoqit në shtrat - je një hamshor, je ... bizon . .. oh ... dragua! Ju jeni një kafshë, oh, një kafshë!

- Ishte më i zbutur, - dhëndri lirik - po m'i shkul flokët. Nuk dua të bëhem tullac herët. Unë nuk dua ... oh ... dhe tani ai po më hedh në flakë ...zjarr…, oh zjarr…

- Uauuuuu - zëri i foshnjës nga kati i tretë u ngrit në decibel dhe më pas gjëmonte gjithë dhimbjen e njerëzimit - uaaaaa, uaaaaa, uaaaaaaaaaaaaaaaa…..

Eh, ku jetokan këta mizerje? Eh…, isha mirë atje në majë, isha mirë atje…

Një gjyshe në ekstazë po përpiqej të rivendoste rendin e qetësisë me një përqafim me përvojë dhe të butë.

- Do të doja ta shihja – foli me vete, se si gjyshja, po e përqafonte, e puthte, të mos qante! Por vetëm kaq zëri i saj fshikulloi momentin e tij.

-Bir, sill një pelenë të pastër dhe eja hap dritaren...

Pikërisht atëherë Portreti e kuptoi se ku jetonte tashmë për herë të parë pas tridhjetë vitesh dhe filloi të skuqte vezët e tij të preferuara. Jeta në apartament e bëri të mendonte për veten. Ai ndjeu një uri të fortë dhe madje tejet gërryerëse. Asgjë tjetër. Vetëm uria që e detyroi të mbijetonte.

Jashtë, qielli po mbushej me telajon e lulëzimit të bardhë. Si atëherë, në atë oborr, lart në mal, ku koha gërshetoi petkun e saj në majën e shtrembër përballë dhe vezullonte me yje të zbehtë mbi flokët e lagur pafund të dashurisë së tij të parë. Ishte fillimi i prillit dhe aguliçet e egra anemike mezi po lulëzonin në tokën me gunga. Pemët luftuan për të lulëzuar. Shtëpia po shkatërrohej.

E dashura e tij e parë i tha se sa shumë i pëlqenin lulet e vogla. Sytë e saj qeshën mes flokëve të lagur, perla të vërteta gri të ngatërruara në alga deti të errëta.

Ajo po lante flokët në oborr. Ai po ngrohte ujin në një kovë të gërvishtur. Të dy mbanin çizme gome.

- Më ujit - pëshpëriti E dashura e tij e parë - më pëlqen shumë të më vaditësh. Kur i laj flokët në këtë lartësi, më duket se po bëjmë një rrugë ujore të përbashkët dhe mendimet tona janë të ndërthurura në tokë përgjithmonë. Duhet të ketë diçka përgjithmonë, apo jo? Jo çdo gjë mund të jetë e përkohshme. Thjesht nuk mundet!

Nuk kishte si t'i lante flokët në atë lartësi. Vetëm një shtrat shpirtrash të padukshëm peshonte brenda, dhe Portretit i dukej se pa të, maja më e lartë do të fluturonte e do të firosej nga sytë mjaft lart, në hiç, nga ku do t'i shikonin vetëm shpirtrat e të vdekurve, ama ata shpirtra të mëshirshëm.

Ata u thyen nga gjithçka. Nga qyteti dhe njerëzit. Nga nevoja e mallkuar që u kafshonte takat e tyre nën asfalt, të ngrënë nga zilia për dashurinë e tyre të pangopur, të pangopur për kohën e tyre të çmuar, që mbaron në mjerim të heshtur universal, edhe pse kishin kursyer aq shumë nga xhepat e tyre. Ja pse ikën! Ata zgjodhën vetëm mjerimin e tyre, të lumtur - me një kopsht të egër dhe një mal me gunga, një jorgan të modës së vjetër dhe netë të shijshme. Ata e kishin prishur qenien dhe kohën. Ata ishin bashkë në parajsën e tyre „varfëri“. Ata ishin… Dhe u zgjua. Kush po e besonte?! Po, pse o budallenj, po pse o Shenjtor, unë do të bëhem i atillë? Unë Portreti i mureve më të larta do të bëhem…

Vezët u fërguan, e u fërgëlluan, madje edhe vezët e rrahur iu duk se në mënyrë të pakuptueshme prodhonin thashetheme në tiganin e zi, zërat e tyre të yndyrshëm të qelbur në këtë histori. Portreti u zemërua. Ai nuk donte që ajo errësirë ​​e hidhur ta godiste përsëri dhe përsëri në një natë tjetër të vetmuar. I kishte premtuar vetes që të mos mendonte për Dashurinë e tij të parë, të shuhej si faz nën kthetrat e ekzistencës së shurdhër dhe të zhdukej përgjithmonë. Kjo është ajo që dëshironte, të kishte diçka përgjithmonë! Zhdukja me siguri do t'i jepte atij përjetësi. Shëtitja në katin përdhes ishte vetëm e përkohshme. Vetëm pak më shumë, nuk jam i sigurt se sa, por ishte e përkohshme. Sigurisht që ishte e përkohshme. Në fund të shishes kishte vodka. U mendua një moment… E kisha për një aperitiv. Pastaj i hodhi vezët në plehra:

- Sa shumë i urrej vezët e skuqura - i tha Portreti, Shenjtorit - e shoh që as ti nuk i miraton. Mënyra se si më shikove, unë me të vërtetë po kërkoja një duartrokitje.

Ai shkuli një fije floku nga koka e tij dhe disi si i zënë me faj shtoi:

- Çfarë duhet të bëj? Edhe unë duhet të lëviz!

Ai u ul disi duke çaluar në grumbullin e rrobave dhe ndezi një cigare. Këmba e majtë i ishte mbushur me mornica. Pushteti i saj ishte tashmë si një mbretëri milingonash të pamëshirshme. Një mjegull e ashpër mbuloi bebëzat e tij. Asgjë. Në këtë mënyrë ata sytë e ashpër nga muri e prenë paksa. Shenjtori kishte heshtur në mur. U shkund dhe rikujtoi. Dashuria e parë ia kishte dhuruar atë ikonë.

- Mund ta kesh si një dhuratë, si një fat në majat e tua – i kishte thënë ajo  - të të mbrojë. Ai është portret si ju, apo jo? Edhe ai nga hiçi i ka ngjitur të gjithë muret. Edhe pse keni emra të ndryshëm në Gjëndjen Civile, këtu në këtë bllok të apartamenteve pis dhe llum, e keni një emër të përbashkët. Fundja tashmë jeni të lirë në këtë llumë. Llumi emra të njëjtë pllaqit. Fundja … përkohësisht. Adashët duhet të mbështesin njëri-tjetrin.

U zgjua dhe nuk e besonte se para tij qëndronte Da Vinçi me një skeleturë të ngjashme e të gatshme për të rikthyer portretin e tij të mbuluar me Hijet e Hirit. Heshti. Pastaj nënqeshi. Mendja i sorrollatej tek Virgjëresha e shkëmbinjve dhe shënimet e Leonardo da Vinçit mbi Paragone. Foli me vete. Sa të ngjashme qenkan historitë e tilla. Foli pastaj me zë e figurë, aq sa deshi vetë. Por vetëm kaq u kuptua në të vërtetë: Je suis Portret!

22 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page