top of page

Trajtimi i gruas neper epoka



Trajtimi i gruas neper epoka


Eleonora Koka

Eleonora Koka


Qysh në lashtësi e deri më sot vazhdon të diskutohet për gruan. Në përgjithësi, ajo, a është bërë vallë e barabartë me burrin nga Krijuesi? Truri a është i njëjtë, aftësia mendore, gjykimi, vizioni, parashikimi, përshtatja në rrethana të reja, reagimi si organizëm ose si rrjedhim i veprimit të trurit për rreziqet ose kushtet jo të përshtatshme për jetën, a janë te gruaja të njejat si edhe te burri? Po në shoqëri, në familje, në shtet a i ka të drejtat të barabarta? Zakoni, ligji ç’thonë dhe si realizohen ato të drejta nëse kanë diçka pozitive?

Në lashtësinë e hershme, matriarkati njihet, ka ekzistuar. Nëna ishte prindi, familja, shtëpia, ligji. Por nuk do të flasim shumë për lashtësinë, se në të vërtetë gruaja e ndjen mungesën e drejtësisë, ndihet e ofenduar, me fillimin e civilizimit, me krijimin e jetës shoqërore në fis, qytet ose shtet.

Civilizimi evropian dhe amerikan i ka bazat në civilizimin Heleno-Romak dhe në kristianizëm. Bibla e Hebrenjve dhe Bibla e Re shprehen negativisht për rolin e gruas, sepse janë bazuar në filozofinë e Aristotelit.

Paganizmi ka Perëndi dhe Përendesha. Panteoni Olimpik ka 6 Perëndi dhe 6 Përendesha. “Krejtësisht nga natyra burrit i janë dhënë cilësi aktive, me karakteristika të formuara në mënyrë perfekte, ndërsa gruaja është krijuar pasive, e deprivuar disi, prandaj dëshiron burrin në mënyrë që të bëhet e kompletuar” [1](1).

Burri identifikohet nga fortësia, gjykimi, guximi dhe qëndrueshmëria, kurse gruaja nga të kundërtat, mungesë arsyetimi, frika, dobësia. Aristoteli besonte se “burri krijon formën e jetës së re, njeriut të ri, ndërsa gruaja kontribuon vetëm me material ndihmës”.

Vazhduesit e Aristotelit thonë se roli i burrit në human generation është aktiv dhe më me rendësi. Sipas pikëpamjes së Aristotelit, burri prej natyre ka detyrën për të riprodhuar veten. Krijimi i femrës është një gabim, krijesë jo në formë të përsosur për të riprodhuar veten. Çdo femër e lindur, sipas terminologjisë së Aristotelit, është një deformim i natyrës.

Psikologjia helene u ndikua nga Aristoteli. Teorikisht thuhej: “Femra është e butë, e dobët dhe e prirur për dekurajime, ankime dhe mashtrime. Duke mos qenë e kompletuar, dëshiron të plotësohet nga lidhjet me burrin. Kurse burri është intelektual, aktiv dhe e kontrollon pasionin” (2)

Organi kryesor i femrës është mitra. Ajo në greqishten e vjetër quhet hyshtër.

( histeri ). Mitra krijon pasionet që e bën shpeshherë femrën me epsh, mashtruese, llafazane, të paarsyeshme dhe ndonjëherë histerike. Nga kjo femra humbet energji, vetëkontrollin, bëhet kapriçioze, mund të dobësohet ose sëmuret.

Doktorët Henry Maudsley dhe S. Weir Mitchell, shpjegojnë se “menstruacionet, barra dhe dhënia gji fëmijës, e kthejnë femrën në shëndet të plotë, i heqin çdo simptomë neurastenike”(3). Biologjia e Aristotelit pati pasoja sociale dhe politike. Në shtëpi dhe në shtet burri është kryesori, gruaja është ndihmëse, e varur. Por mësuesi i Aristotelit, Platoni thotë se burri dhe gruaja kanë të njëjtat virtyte: për të mbajtur shtëpinë dhe pronën, në qoftë se gruaja është e edukuar, mund ta kryej njëlloj si burri.

Me lindjen e kristianizmit nga viti 325 pas Krishtit deri më 1300, bota u fut në errësirë. Në rilindjen evropiane 1300-1700, pati ndikim filozofia helene; - primar është roli i burrit, sekondar, i varur është roli i gruas, por femra krijon familjen. Një grua është fillimi dhe mbarimi i familjes së saj.

Në ligjet romake zot i shtëpisë dhe i pronës ishte burri. Femra nuk posedonte asgjë si tek babai, ashtu edhe tek burri. Autoriteti i babait dhe i burrit ishte me ligj. Gruaja kishte ekzistencë private, jo personalitet publik (shoqëror).

Sipas Biblës fillimisht Perëndia krijoi burrin, Adamin, në shembullin e tij, pastaj krijoi femrën, Evën. Testamenti i Ri bën me faj vetëm gruan për gjynahun fillestar. “Eva u krijua e dyta dhe me pjesë të Adamit, d.m.th se nuk është në një rang me Adamin”, - thonë interpretuesit. Eva u gënjye nga shejtani që iu paraqit si gjarpër dhe Adami u gënjye nga Eva. Por filozofët teologë, që nga Tertullion deri tek Thoma Aquini, bëjnë përgjegjës vetëm Evën.

Ajo nxiti veprimin, ajo gënjeu burrin e saj, ajo solli dënimin e madh. Mosbindja e saj detyroi Krishtin të vdiste në kryq. Dy dijetarët më të mëdhenj, Shenjt Augustini e Shenjt Thomas Aquini, besojnë që gratë janë fizikisht dhe shpirtërisht inferiore ndaj burrit.

Jacques de Vitry deklaron: “Midis Adamit dhe Zotit ishte vetëm një femër, që dënoi të shoqin në kopsht dhe e çoi Krishtin drejt kryqit”. Burri dhe gruaja janë të barabartë sipas Palit (4). Koka, udhëheqja e çdo burri është Krishti, udhëheqësi i çdo gruaje është burri i saj dhe koka e Krishtit është Perëndia (5)

Tortellion në librin “On the Apparel of Women”, St. Jerome në librin “Against Jovinian” dhe Augustin në librin “The Literal Meaning of Genesis”, transmetuan gjithçka negative për gruan në kulturën mesjetare kishtare6. Libër famëkeq ka qenë “Malleus Maleficarum” (Çekiçi i Fantazmave, 1486).

Gruaja në literaturën mesjetare.

Çdo gjë pagane, që e trajton me dinjitet femrën është shkruar në greqisht, qoftë edhe nga filozofët romakë. Çdo shkrim në gjuhën latine, u bë nga shkrues të krishterë. E gjithë literatura latine, histori, poema, epika, e portretizon femrën negativisht si mashtruese, e çmojnë si shtëpiake, ndonjë rast besnike si virgjëresha Mari, shenjtore (si Nënë Tereza), ose martire si Zhanë D’Arka. Në literaturën angleze imazhi i gruas ka qenë jo i mirë, përfshirë këtu edhe Shekspirin. Filozofi i shekullit të trembëdhjetë, Tertulliani thotë për femrën: ‘’Ajo është një tempull i ndërtuar mbi kanalin e ujërave të zeza”(7)

Kultura e krishterë ku është mbështetur kultura e civilizimit perëndimor është me moton: ‘’Baba dhe Biri,’’ ndërsa nuk përmendet ndonjëherë “Nëna dhe Bija”. Pozitivisht në këtë periudhë kemi vetëm ndikimin e ‘’Virgjëreshës Mari’’ ose ‘’Nënës së Bekuar’’. Megjithatë virgjëria e Maries krijoi kultin e “Virgjërisë”. Figura e Mari Magdalenës është shumë e goditur, që në përgjithësi merr nën mbrojtje të gjitha femrat.

Jean Jacques Rousseau, filozofi francez, megjithëse përparimtar, pati ndikime negative për figurën e femrës. Në “Emile” edukimin e femrës e merr komplet në marrë­dhënie me burrin: “... t’i lutet atij, të jetë e përshtat­shme për të, ta bëjë veten të dashur që të nderohet nga ai, të edukojë ata kur janë të rinj, të kujdeset për ta derisa të rriten, të këshillohet me ta, t’i mbështesë ata dhe t’jua bëjë jetën të ëmbël e të këndshme, këto janë detyrat e femrës gjithë kohën ... ‘’(8).

Në shekullin e 19-të në Angli lindi kulti Viktorian, ku Nina Auerbach për herë të parë i quan femrat “Engjëjt në shtëpi”, ku botoi edhe një libër me këtë titull. Pra modeli i femrës ishin Engjëjt dhe Mbretëreshat. Këto engjëllushe e kanë vendin e “Paqes në Shtëpi” - thote Luiza May Alkott në librin e saj “Little Women” (1689), dhe më tej shton se “Mbretëria e lumturisë së femrës është shtëpia”(9)

Në Amerikë dhe Angli, Engjëllushja vetëmohuese ose Mbretëresha e qetë (femrat), janë delikate, të brishta, qiellore, krijesa të dobëta. Një femër e mirë nuk duhet ta ketë mesin më të madh se 50 cm.

Më 1235 në epokën e ‘’Romancave të Trëndafilave”, poetët francezë Guillaume de Lorris dhe Jean de Meun e quajnë gruan në poemat e tyre, të bukura dhe me epshe lakmitare, manipuluese, martesën - mizerje dhe thonë se mund të gjesh virgjëri, aq sa gjen mjellmë të zezë.

Më 1355 Giovani Bokaçio shkruan ‘“Il Gorbaccio” një manifest antifemër, megjithëse ishte mendimtari i parë i Rilindjes.

Roli i gruas në familje

Tradita evropiane e shoqërisë e pozicionon femrën tek roli i dytë, -në shtëpi, në kishë dhe në shoqëri. Në familje, për Evropën kristiane dhe vëndet e civilizimit perëndimor, kryesori është burri.

Burri është lord në shtëpi, tregtar në qytet, qytetar që voton, që paguan taksa, që merr pjesë në jetën publike. Gruaja mund të jetë ose jo zëvendësuese. Burri është pronari në pronat e familjes. Një grua kurrë nuk i takon plotësisht familjes së burrit, as e plote s’ka qenë tek shtëpia e babait.

Një grua e martuar është e okupuar nga cikli i shtatzënisë, rritja e fëmijëve e kështu për vite me radhë. Fëmijët duhet t’i rrisë deri në moshën 6-7 vjeçare, sa të marrin veten. Gruaja mban vajzën dhe i mëson punët e shtëpisë, ndërsa djalin e merr i ati jashtë për t’i mësuar detyrimet e tij. Gruaja duhet të punojë në shtëpi, në bujqësi, në zejtari.

Femra nuk bëhet priftëreshë ose të martohet me prift (katolik), ajo pranohej në konventat, në manastire, në seminare, organizata bamirësie, por jo në hierarkinë fetare. Konventa lejonte disa gra të merrnin shkollim për t’u bërë artiste, po edhe ato në muzikë, pikturë etj. Gjatë Rilindjes nuk pati femra të shkolluara. Kisha emërtoi “Gra të shenjta, shenjtore, mashtruese dhe heretike’’. Më 1520 ishin protestantët që lejuan të martohej një klerik me një grua.

Më 1873, Mark Twain vitet e arta për imazhin e femrës i quan ‘’vitet e lyera me ar’’(10) d.m.th, që nuk janë në të vërtetë të arta. Femra nuk ka pasur vite të arta në asnjë epokë.

Pothuajse të gjithë burrat janë të një mendjeje: “vendi i gruas është shtëpia, që ajo të jete e mirë duhet të jetë bashkëshorte e denjë, nëne e mirë dhe të mos tregojë pothuajse asnjë interes për të tjerët jashtë shtëpisë”11.

Kohët e reja e gjetën imazhin e femrës në korniza negative. Ishin disa lëvizje humane që kërkonin evoluimin e gjendjes. Humanistët italianë e francezë hapën dyert për t’u shfaqur natyra dhe kapaciteti i femrës.

Kristin de Pizan,1365-1431, u ngrit e para e revoltuar dhe shkroi librin ‘’Book of the City of Ladies’’ më 1405, në mbrojtje të dinjitetit të femrës. Më 1365 një humanist i kundërvihet Bokaçios duke nxjerrë një libër me përshkrimin e 106 femrave, 98 prej tyre ishin pagane(12), 7 ishin të kohës së tij dhe një nga Bibla, Eva.

Bokaçio ishte i pari pas Aristotelit që virtytin e femrës e kërkon në virgjëri, në heshtje, në bindje. Femrat aktive në publik, udhëheqëse, luftëtare, i përshkruante si të etura për dashuri dhe i dënonte se ishin futur në sferën e burrave.

“Virtyti tek femra është gjë e veçantë”, - thotë Bokaçio. Në një pamflet Kristin de Pizon i përgjigjet se virtyti është karakteristikë tek femra dhe e përshkruan atë si universale.

Vepra e Bokçios, frymëzoi shumë seri katalogësh me femra biblike, klasike, kristiane. Ju dhanë publikut pamje femrash mahnitëse. Katalogu i Pietro Peolo de Ribera me titull ‘“Imortal Triumf and Heroic Enterprises of 845 Women”, kishte 845 femra.

Debate per figuren e Gruas

Me Rilindjen, civilizimin, qytetërimin, prapë ngelën pyetje. A ka mundësi se si një grua të jetë virtuoze.? A mund të bëhet e rëndësishme, a është si burri? Këto pyetje për 4 shekuj janë diskutuar në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë e Angli, nga autorë femra e burra, katolikë, protestantë e hebrej.

Kristina de Pizon kritikon e para librin “The Romance of Rose” duke ju shkruar letër dy sekretarëve të mbretit. Ato u publikuan dhe për 300 vjet debati vazhdoi. Më 1438 Juan Rodrigez tek “Triumf of Women” e nxjerr femrën superiore. Sot libri “Pyetjet rreth femrës” përbëjnë 4 volume të shtypura. Përfundimisht: Femra – inferiore. Fitimi është se ajo sjell në jetë fëmijë.

Mendimi është se femra nga ana shpirtërore, mendore (kapa­citeti), dituria, mençuria, veprimtaria është njëlloj si burri. Shpirti i gruas dhe cilësia mendore e saj janë kusht për krijimin e familjes. Më 1487 u shkrua një libër “In Praise of Women” nga Bartolemeo Coggio, i cili ngeli në heshtje deri më sot. Autori shpreh se në esencë burri dhe gruaja janë njëlloj, por gruaja është superiore.

Megjithatë burrave në shkrimet e tyre u shkon përshtat ta ulin pak dinjitetin e gruas, prandaj ne gratë duhet të bëjmë të kundërtën për t’u barazuar në materialet e ngelura, natyrisht të studiuara thellë nga Biologjia dhe Natyra.

Femrat deri në kohët e vona nuk dinin të shkruanin, nuk kishin edukim, as ndonjë autoritet social në shoqëri. Ajo e kalonte kohën në shtëpi, në fermë. Në kohën e Elisabetës I shkruanin vetëm Juliana Norwich (1370), Megerit Kempe (1590) dhe Amelia Lanier, në Angli. Shekspiri, sipas tij jetoi në kohën e ‘’Dark Lady’’. Juliana dhe Margarita ishin të parat femra qe filluan të shkruajnë në anglisht në shekullin e XVI, sepse deri atëherë shkruhej në latinisht, në gjuhën e fesë.

Të gjitha shoqëritë në të kaluarën kanë qenë të organizuar për luftë, që nga Sparta me ligjet e saj të përsosura, deri në fillimin e sistemit demokratik në Evropë. Kjo mënyrë organizimi patjetër do vinte forcën, burrin në vend të parë. Ky status u rrënjos në konceptin e jetës dhe njerëzimi jetoi me këtë psikologji për mijëra vjet.

Në Angli, më 1592 shkon për vizitë Duka i Wirtembergut, Frederiku ku deklaroi: “Anglia është një parajsë për femrat, ferr për shërbëtorët dhe purgator për kuajt”.

Kur Anglia kishte Mbretëreshën Elisabetë, Skocia ka pasur dy gra mbretëresha, Mery Tudor e Mery Stuart.

Femrat e quajtura në literaturë si engjëj, mbretëresha etj, në jetë kanë pasur shumë pak të drejta. Në mbarë botën e civilizuar femrat përjashtoheshin nga pasuria. Këta engjëj në praktikë, shtatzënitë e shpeshta e të shumta i kthejnë në një ‘’kafshë të varfër ”, thotë Jane Austen (13)

Gjendja më e keqe e femrës është për gratë punëtore dhe gratë që janë në emigracion, ku u humbet krejtësisht personaliteti. Femra tek Bajroni është guximtare, aktive dhe kërkuese e së resë, e së drejtës. Në Angli, vepra e Lord Bajronit ishte njëlloj revolucioni për femrën.

Thuajse në gjithë librat apo katalogët rolin e fantazmave e bëjnë personazhet femra. Armiq të femrave u bënë dy inkuizitorë më 1486, kur botuan manualin “The Hammer of Witches”, Heincik Kramer dhe Jakov Sprenger. Këtu çdo gjë është ekzagjeruar. Atje femrat bëjnë seks me shejtanin dhe marrin fuqi jo shenjtore.

Gjermani Ulrich Molitur, francezi Nikolla Remy dhe italiani Stefano Guazzo informojnë publikun për koncertet e mesnatës së femrave me shejtanët. Juristi francez, historiani dhe filozofi politik, Jan Bodin e argumenton këtë fakt me qenien e femrës të prirur për diabolizëm. Djalli mashtron gratë e vjetra budallaqe, të brengosura nga melankolia duke i bërë të besojnë se kanë fuqi magjike.

Vepra e femrave

Shumë femra të huaja kanë shkruar për të mbrojtur dinjitetin e tyre. Në Shqipëri besoj se jam e para që vendosa të shkruaj për femrën. Shumë femra s’kanë shkruar, por kanë sponsorizuar për të shkruar, këto janë mbretëresha, princesha, dukesha etj, të pasura dhe të edukuara.... Katër janë problemet kryesore që vazhdojnë debatet: virgjëria, pushteti, të folurit dhe kultura.

1. Në traditat e kulturës evropiane, si në lashtësi, kudo në mbarë botën, virgjëria është parë si esenciale për femrën, në kundërshtim me kurajën, bujarinë, arsyen (logjikën) dhe aftësinë për të drejtuar, cilësi që karakterizojnë një burrë.

Kundërshtarët e femrave thonë se ato janë të pangopura për seks. Vetë gratë thonë se teoria e virgjërisë e vendos femrën vetëm në shtëpi, të izoluar, të heshtur dhe injorante. Përse në shoqërinë e burrave virgjëria nuk kërkohet dhe te gratë e kërkojnë?

Virgjëria është pasojë e qenies së burrit si kreu i shtëpisë. Në qoftë se gruaja e një burri nuk është e virgjër (e ndershme) (14) më vonë ai nuk është i sigurt për trashëgimtarët, për atë që do të marrë pasurinë dhe shtëpinë. Kur një vajzë nuk është e virgjër, ajo s’duhet të martohet dhe të bëhet udhëheqëse e shtëpisë (15)

Sistemi i mbajtjes së trashëgimisë të shtëpisë bazohet në virgjërinë (qëndrimin e saj më pas) e femrës, sidomos për pronarët. Për të varfrit që s’kanë trashëgimi nuk ka rëndësi virgjëria.

Feja e krishterë e shpjegon me moralin, mëkati i parë kryesor ose gjynahu i parë i njeriut lidhet me aktin seksual. Virgjëria është virtyt. Kultura kristiane në mesjetë (Monasticizmi) kërkonte që burri të ishte i virgjër, ndërsa gruaja, që nuk ishte e virgjër, krahasohej me djallin, ose Evën që solli mëkatin.

2. Femrat ishin të përjashtuara nga pushteti. Në qytetërimin helen, në zgjedhjet, votimet për asamblenë demokratike, femra nuk kishte të drejtë vote. Qytetarë quheshin vetëm burrat, ata mund të mbanin armë, burri mund të bëhej udhëheqës, lord ose mbret. Raste të veçanta, por jo me ligj, kishte kur gruaja ose nëna, zinte vendin e të birit derisa ai të arrinte moshën madhore. Ky rast quhej anomaly (16)

Në përgjithësi femrat që kanë qenë në pushtet janë sjellë si Amazonat. Ato dihet, janë femra me një gji për të mbë­shtetur harkun e shigjetës në lashtësi. Në boten antike Ama­zonat nuk i pranonin burrat, djemtë e tyre i vrisnin dhe lejo­nin vetëm foshnjat femrat të rriteshin. Ato nuk bënin seks, kishin “virtyte burrërie”. Në katalogë Amazonat para­qiten të veshura me armatim druri deri në dhëmbë, njëlloj si burrat. Një grua në pushtet gjithmonë është e shkëlqyer, por burrat pushtetin e kanë mbajtur historikisht për vete.

3. E drejta e fjalës i ka munguar femrës në të gjitha sistemet shoqërore. “Një grua e mirë flet pak’’ thuhet. “Fjalët e shumta thonë se janë tregues i mosqenies e virgjër. Femra i josh burrat me fjalë. Eva e futi në gjynah Adamin me fjalë. Akuzojnë se fantazma bëhen ato femra që kanë folur shumë”(17)

Francesko Arbaro thotë se, kur gruaja nuk flet, tregon se është në unanimitet me burrin e saj dhe është me virtyt (18). Një humanist tjetër, Leonardo Bruni thotë se ‘’femra nuk duhet të flasë në publik, kjo gjë është për burrat. Prioriteti i tyre është të tërheqin vëmendjen e ndonjë burri. Ajo që nuk ja arrin, përdor kozmetiken, veshjen, gjë që nuk shikohen me sy të mirë’’(19).

4. Edukimi i femrës gjithmonë ka qenë i vogël, i cunguar ose nuk është lejuar fare. Një femër e edukuar nëpër shkolla e humbet lehtë virgjërinë. Vajza e virgjër behej shtëpiake e mirë, prandaj s’kishte nevojë për edukim. Por ato që u arsimuan dhe mësuan si t’i trajtojnë burrat, u bënë si burrat në punë dhe të afta të mbrojnë të drejtat e tyre.

Ekzistojnë edhe zëra të tjerë në botime të çdo lloj gjuhe, në formën e dialogëve, teatrit, poemës, letra, pamflete dhe ditarë, ku natyrën e gruas e nxjerrin të barabartë ose superi­ore nga ana morale, shpirtërore dhe intelektuale. Femra shkollohet njëlloj, në pushtet drejtojnë njëlloj duke pasur ndikim në publik, flasin dhe shkruajnë. “Kërkesa që gruaja të jetë shtëpiake dhe virtyti i saj të jetë virgjëria, ekziston akoma në shoqërinë primitive ose në fise e klane,” (20) ku mbi­zotëron psikologjia e tribalizmit si në Malësi dhe në Veri, në përgjithësi dhe sa më larg detit, aq më e theksuar është kjo.

Gratë sot në kohët moderne trajtohen shumë keq nga media. Lejimi i pornos, i homoseksualitetit, si dhe lesbiket e kanë ndryshuar mendimin për femrën. Trupi i saj është feti­shizuar. Pjesë të femrës, si gjinjtë, të pasmet dhe kofshët përbëjnë një grua ideale. Femra sot nuk shihet më si shtëpi­ake, por si objekt seksi, objekt i plotësimit të dëshirave të bu­rrave, objekt çlodhës, por jashtë shtëpisë, se në shtëpi ka fjalë, tensione, dhembje koke. Femra është një ëndërr botërore (21)

Gruaja duhet të shihet nga karakteri i saj, nga urtësia. Burri duhet të sillet fisnik, me edukatë. Gruaja nuk duhet të kritikohet ose korrigjohet në sy të të tjerëve, veçse në mënyrë private.22 Bukuria s’duhet vlerësuar shumë se ikën, as pasuria, as prindërit, ajo që mbetet thelbësore është karakteri. Gruaja e mirë është dhuratë nga zoti (23).

Shoqëri perfekte ose bashkëshortë perfektë, me të cilët mund të shkosh mirë, përcaktohen nga karakteri (24). Martesa s’duhet bazuar në dashurinë plot pasion, se pasioni shuhet shpejt, ashtu siç bie shpejt në dashuri, po aq shpejt të braktis dashuria. E përhershme është dashuria e bazuar në karakterin e mirë, virtytin (25) veçse merr kohë dhe kërkon shoqëri intime.

Kur Marcia, vajza e vogël e Katos (senator dhe filozof romak), u pyet se pse nuk martohej përsëri, pasi humbi burrin e parë, ajo u përgjigj se s’po gjen një burrë që ta dojë atë dhe jo ato se çfarë ajo zotëron (pasuri, prona) (26).

Ai që martohet me femër të afruar nga Zoti, gjen virtyt. Ai që martohet me femër të afruar nga djalli, as fëmijë s’bën. Veprimet e femrës i aprovon Zoti kur ka harmoni, vëllazëri, miqësi në gjitoni dhe marrëveshje me burrin.(27)

Mos i fol bashkëshortit në sy të të tjerëve se e detyron që edhe ai/ajo të të korrigjojë. Një burrë zotni duhet të tolerojë, gabimet t’i shpërfillë. Kur nuk ia shikon gabimet bëhesh më i/e dashur, kur tregohesh tolerant bëhesh edhe më mirë për vete.(28)

Njëra u nda nga burri i parë. Sulpicius Gallus i bërtiti dhe publikisht e ndau gruan Valeria, se kishte dalë me fytyrë të zbuluar. Burri i dytë S. Sephus, e ndau sepse ajo donte të dëgjonte, të shikonte jashtë në publik. Burri i tretë Metenius e vrau, sepse e gjeti në një klub duke pirë verë. St. Job i kritikon që të tre këta, sepse ishin në rrugë jo të drejtë. Ai mendon se gruas duhet t’i flasësh në mënyrë private, qetësisht dhe të tregohesh i duruar.

Sot poeteshat quhen Perëndeshat e Bardha, sipas librit me këtë titull të Robert Graves, dikush i quan ‘’Muzat’’, që janë vendosur midis Perëndisë dhe njerëzimit.(29)

Nuk ishte Valeria budallaqe, po që të tre burrat u sollën si budallenj (30). Gruaja duhet të dojë plotësisht burrin. “Burrë duaje gruan tënde, ashtu si Krishti do Kishën!”’31 Burri duhet ta dojë gruan, ashtu siç do trupin e tij.

Duaje gruan si veten tënde. Gruaja s’duhet të jetë kundër me çdo gjë që bën burri.

Burri me kujdes duhet ta trajtojë, masterojë, gruan, se ajo mund të rrëshqasë në imoralitet dhe pastaj ‘’s’ka asgjë më të ligë se një grua e ligë”.32

Në mesjetë gruan e krahasonin me një gjarpër, luan, apo edhe dragua. “Është më vdekjeprurëse se gjarpri, është më e këndshme të rrish me një luan ose me një dragua, sesa të jetosh me një grua të ligë”.33 Ja sesi vepruan disa gra që i donin shumë burrat e tyre. Mbretëresha e Mithridates, shkurtoi flokët, u vesh si luftëtare dhe preferoi të jetojë nëpër kampet e luftës përgjithmonë me të shoqin.34

Lakonia kapi disa ushtarë spartanë dhe i mbylli në burg. Gratë spartane vendosën të shkojnë të jetojnë në burg me burrat e tyre. Kur panë këtë veprim, këtë gjest, spartanët u liruan.35 Kur vdes një burrë indian, gruaja duhet të vdesë me të, jo shumë si e detyruar, sesa nga dashuria.36

Një grua e mirë e bën burrin të lumtur.37 Loisa Bogans thotë se një grua poeteshë është me të vërtetë një Muzë, është gjithashtu një altar. Silvia Plath në “Arielin” e saj (1965) thotë: “Poeteshat janë heroinat klasike më të mëdha’”. Gjatë periudhës së luftës së ftohtë nuk ka pasur ndonjë vepër të rëndësishme të shkruar nga femrat. Në këtë mënyrë burrat me shkrimet e tyre e dehumanizuan, e seksualizuan figurën e gruas.

Sot në praktikë e në Amerikë gruaja merr 59 cent për çdo dollar që merr burri, ndërsa në Angli mesatarisht gruaja merr 60 cent për çdo dollar që merr një burrë. Të detyruara që të përballojnë nivelin e lartë të kostos së jetës në Amerike, 40 % e grave mbi 60 vjeçe sot punojnë.

Gjendje jo të përshtatshme kanë në përgjithësi gratë punëtore. Femra më të ngritura që në fushën e tyre kanë qenë më lart se burrat, në këtë kohë në Amerikë ka qenë filozofja Hannah Arand, kritikja Suzana Sontag, teoricienia politike Angela Davis, biologia Barbara McClintock. Në Angli, kristalografia Rosalinda Franklin, filozofja Iris Murdoch, kritikja Helen Gardiner dhe Muriel Bradbrook, ndërsa nga shqiptaret janë dalluar: Vaçe Zela, Meliha Doda, Viloleta Manushi ose ‘’Ollga’’, Inva Mula, Diana Çuli, Safo Marko, Elena Kadare, Zhozefina Topalli, Arta Dade, Zhuliana Jorganxhiu dhe shume te tjera qe nuk i njoh sepse nuk bejne jete aktive, ose zeri i tyre nuk mbrin deri ketu ne Amerike qe jetojme ne.

Revistat “Playboy” dhe “Penthouse” e kanë kthyer figurën e femrës në një mall luksi konsumi, por duhet ditur se me një liberalizim seksual nuk do të thotë se femrat u bënë liberale.

Gra si Evita Peroni, Indira Gandhi, Margaret Thatcher etj. e kanë ngritur imazhin e femrës në një nivel më të lartë se të çdo burri. Një punë kolosale krahas shumë të tjerave kane bërë për të nxjerr sa më lart figurën e femrës, Profesoresha e Universitetit të Princetonit, Sandra M. Gilbert dhe Profesoresha e Universitetit Indiana, ku kanë përmbledhur me koment të shkëlqyer të gjithë veprat e grave anglisht shkrojtëse, në një volum prej 2458 faqesh.

Dhuna ndaj grave

“Njeriu që në lashtësi ka përdorur forcën ndaj njëri-tjetrit, duke e zhdukur më të dobëtin ose duke e kthyer në skllav, sidomos femrat. Në asnjë sistem nuk ka munguar përdorimi i forcës. 100 vitet e fundit ajo është rritur shumë”.38

Pothuajse në çdo shtet përdorimi i forcës ekziston në kulturën e zakonit. The World Heelth Organization (WHO), Study on Woman, 2005, në studimin e bërë në 10 shtete, konstatuan se për burrat është e pranueshme që të rrihen gratë kur ato nuk u binden, refuzojnë seksin, nuk bëjnë punët e shtëpisë në kohë, ose për pabesi.

Nuk ka asnjë të dhënë se në lashtësi gruaja rrihej nga burri. Ka ekzistuar kanibal Neandertali, por ai është njëlloj majmuni dhe gabimisht është thënë se është paraardhësi ynë.39 Në lashtësi paqja prishej nga përdorimi i forcës. Në çdo sistem social, deri në ditët tona është përdorur forca. Prehistorikët, lashtësia e pa civilizuar dhe civilizimi greko-romak, kane pasur shumë pak për të mos thënë fare dhunë në familje.

Indigjenët amerikanë dhe astekët meksikanë u futën me forcë në botën moderne, po ashtu edhe fetë janë përqafuar me detyrim, me forcë. Në Testamentin e Vjetër (Hebrenjtë), në Testamentin e Ri (Kristianët) dhe në Kuran i përshkon linja se: Duke përdorur dhunë vjen e Mira e Madhe.40

Protestantët u ndanë me dhunë, apo edhe kur u bënë reformat u përdor dhuna. Edukimi me forcë është predikuar në çdo kohë. “Me tolerancë vijnë deformime, shmangie, anarshi”, - thotë John Locke më 1689 dhe Jefersoni më 1780.41

Krug, evidenton se çdo koleg, partner, shok, profesor, e shikon femrën me shpresë se do të vijë momenti që do të bëjnë seks.42 Janë intervistuar 24 000 femra 15-49 vjeçe. Sipas vendeve, 35 deri 70 % e tyre kanë provuar seks me forcë dhe partneri ka qenë jashtë shtëpie, në shkollë ose në punë, nga shok i njohur, student, ose profesor.

Burri është simbol i moralit negativ, me shpirt hierarkie,43 ndërsa gruaja është simboli i moralit pozitiv, i së mirës, shpirtit paqësor. Pitagora thotë se burri dhe qeni kanë shpirt të keq, e kanë vendin jashtë, kurse gruaja dhe macja e kanë shpirtin e mirë, ndaj e kanë vendin brenda.

Vendi më i industrializuar në botë, USA ka përqindjet më të mëdha të përdhunimeve.44 Përdorimi i forcës nga mashkulli mbështetet tek mitet e krijuara kohë më parë dhe janë të rrënjosura si zakone të këqija në psikologji:

Të gjitha femrat kanë qejf t’i kapësh me forcë, në të kundërt s’u bën dot gjë.45

Prandaj ma dha Krijuesi forcën.46

Burri mendon se, në qoftë se femra e lejon të paguajë për të, ajo jo vetëm interesohet të bëjë seks, por do pranojë edhe kapjen me forcë.47

Në qoftë se femra pranon të pijë alkool tregon se është e interesuar për seks.

Po qe se pi alkool një femër, fundi do jetë patjetër seksi.

Po qe se shikon pornografi bashkë me një femër, më pas femra do të provojë të njëjtën gjë.

Islamistët thonë se duhet të kesh 7 gra, ose, kur ke një grua, je i lejuar të provokosh një femër deri në 7 herë, por jo me forcë. Targ, në studimin e tij më 1995 thotë se, në Amerike kushdo që ka afër të njëjtën femër, me kalimin e kohës përpiqet ta kandisë atë të bëjnë seks.

Me civilizimin e shoqërisë, edhe gruaja emancipohet. Në jetën reale, puna jashtë shtëpisë bën që gruaja të ketë të drejta të barabarta me burrin, ndërsa në shtëpi ajo është nën presionin e përhershëm të burrit, apo të prindit. Psikologjia e burrave nuk ka ndryshuar me kalimin e shekujve. Në Amerike vijnë familje patriarkale48 nga vendet e Amerikës Latine. Në studimin e bërë nga Varda Mulilbauer49 vendi me familje patriarkale më të theksuar është Izraeli, madje atje dhuna ndaj femrës është më e vogël se në çdo shtet tjetër perëndimor,50 por vërehet fenomeni i rritjes nga viti në vit.

Gratë, vajza ose të rritura, që kanë provuar violencë në shtëpi variojnë nga 52 % në USA, 50 % në Portugali, 68 % në Belgjike, 51 % në Kanada dhe mbi tre të katërtat në Shqipëri. Në Suedi, çdo 20 minuta një femër bëhet viktimë e dhunës së burrit, në Itali 45 % e burrave që godasin gratë e tyre kanë gradë shkencore universitare. 30 % -75 % e grave në USA kanë provuar dhunë, madje në këtë të fundit është e theksuar dhuna seksuale.

Violenca ndaj femrës po bëhet problem botëror. Më të pafata janë femrat në familjet e pashkolluara, ose me nivel të dobët shkollimi e me gjendje ekonomike të dobët. Një femër pa të ardhura personale, pa portofol, ka risk më të madh që të bëhet viktimë e burrave të tyre.

Xhelozia e burrave me kalimin e shekujve rritet. 25-30 % e grave të rrahura kanë humbur punën për xhelozi, ose partnerin në punë, me rritjen e koefidencës dhe shoqërisë, mendon se është e arsyeshme të përfundojë në seks.

Masa mbrojtëse nuk ka. Në çdo sistem femra nuk ka qenë më mirë në shtëpi. Edukimi, ligji, pasuria, statusi në emigrim nuk ndikojnë shumë në instinktet e burrit. Njeriu, në ushqim, seks, apo në marrëdhënie me femrën ndikohet jo nga karakteri, por nga pjesa qendrore e trurit, që quhet truri reptilin. Pikërisht kjo pjesë e trurit komandon ushqimin, seksin, vetëmbrojtjen dhe s’ka ndryshuar që me shfaqjen e njeriut në tokë.

Profesori i Universitetit të Wikonsit, J.K.Rice mendon se femra kërkon barazi. Këtë e fiton me ligj në jetë, në punë e në edukim. Madje ka edhe nga ato që e kanë mendjen më të zhvilluar se të burrave, por burrin në shtëpi për sa i përket sjelljes, sillet si primari. Kjo është tipike për çdo racë njerëzore dhe për çdo vend. Mos vallë kjo do të jetë nga natyra? Pse burri nga natyra është më i fortë? Për të siguruar ushqimin, apo për të garantuar vazhdueshmërinë në prodhim.

Duke u bazuar në këto fakte mund të ndodhë që gjatë jetës mund të ushtrojë edhe dhunën për të bërë seks. Në këtë rast themi se përqindja e grave që e kanë provuar forcën në seks qoftë edhe një herë arrin në 75 %, prandaj përfundon Profesori51, nuk ka zgjidhje, shmangie, eliminim të plotë të forcës në shtëpi. Më 1919, në Amendamentin 19-të në Amerikë gruaja fitoi të drejtën për të votuar.

Në Budizëm gratë e gjejnë veten më rehat në shtëpi, përqindjet e dhunës në familje janë raste të veçanta.52

Në Amerikë, komuniteti model është ai kinez, pa asnjë problem dhe ankim nga gratë e tyre.53 Pjesëmarrja e grave në çdo sferë të jetës ka sjellë edhe rritjen e ngacmimeve seksuale.54 Në USA ngacmimi seksual në vendin e punës dënohet me ligj. Sa më i madh të jetë qyteti, aq me e madhe është violenca. Më të rrezikuarat janë femrat që s’kanë të ardhura, s’kanë liri.

Gruaja në demokraci.

Le të shohim gjendjen e grave në demokraci. Distanca midis babait dhe vajzës ngushtohet, autoriteti i prindit në qoftë se nuk shkatërrohet, bëhet më pak i rëndësishëm. Familja në kuptimin aristokratik Heleno-Romak s’ekziston. Femra bëhet e zonja e mendimit të saj, e zonja në drejtimin që zgjedh. Adoleshenca nuk njihet, ndërsa pavarësia është e drejta e tyre e pamohueshme, sidomos në Amerikë.

Në Shqipëri ekziston familja e tipit aristokrat, e cila drejtohet nga një kryefamiljar. Babai, shoqëria, (shteti me ligj) e udhëheq atë, ai udhëheq familjen. Babai ka jo vetëm të drejtë natyrale, por edhe të drejtë politike t’i udhëheqë, është autor dhe suportues, por edhe drejtues i sanksionuar.

Në demokraci ligji i përgjithshëm i shoqërisë e shndërron babain në një anëtar të thjeshtë të komunitetit, po kështu bëhen edhe fëmijët. Të dyja palët në shoqëri sillen në të njëjtin nivel.55 Në Shqipëri prindi nuk është vetëm koka e familjes, por edhe organ i përcjelljes së traditës dhe zakoneve, arbitër i sjelljeve të moralit. Respekti ndaj kryefamiljarit shpesh mund të imponohet edhe nga frika.

Në sistemin demokratik babai gjykimet t’i bëjë për vete, sepse ai nuk udhëheq as në besim, as në pushtet. Demokracia sjell edhe ndryshimin e marrëdhënieve midis babait dhe fëmijëve. Kur jetojnë në të njëjtën çati ose kanë biznes të përbashkët, respekti është reciprok.

Në Demokraci mbizotëron barazia, ndërkohë që autoriteti prindëror bie, venitet. Fëmijët nuk u binden më urdhrave të babait, ndërkohë që këshillat ia dëgjojnë. Autoriteti venitet, çka bën që të respektohet vetëm si prind. Në demokraci në krahasim me sistemin e parë, gjuha e fëmijëve shpengohet, bëhet më e lirë, herë-herë i kapërcen kufijtë. Në marrëdhëniet familjare ndodh revolucion, privilegji i prindit në shoqëri bie. Çdo rang, moshë, seks, në demokraci venitet. Vëllai i madh është i barabartë me vëllezërit e tjerë, nuk gëzon të drejtën e përfitimit të pjesës më të madhe të pasurisë, pra nuk bëhet mostër për vëllezërit e tjerë.

Në demokraci me ikjen e privilegjit dhe autoritetit të vëllait të madh ikën edhe harmonia. Vëllezërit, djem e vajza gëzojnë të drejta të barabarta. Humbasin lidhjet sociale, në çdo komunitet të lirë ka moral, morali i gruas. Në Amerikë femra që në moshë të re fillon të bëhet e zonja e vetes. Ajo pa u martuar ka lirinë e mendimit, të vetes dhe rrugën e hapur nga kontrolli i prindërve dhe i shoqërisë. Liria e saj mbështetet në opinion, ajo e ndjen veten zonjë të vetes, njeh zbavitjet, por njëkohësisht njeh dhe rreziqet, nuk kërkon as drejtim e as shoqërues.

Pavarësia personale kërkon kontroll të vetes. Në Amerikë populli është fetar dhe edukimi fetar ndikon në arsyetimin për vetëkontroll. Jeta jashtë shtëpisë është në rrezik, por megjithatë jeta brenda shtëpisë gjithmonë bëhet më pak tërheqëse për femrën amerikane.

Institucionet demokratike, por edhe edukimi duhen të bëhen përgjegjës për rreziqet që u paraqiten grave në sistemin demokratik. Në martesë femra humbet lirinë e saj. Kësaj të fundit i bie detyra të mbajë mirëmbajtjen e shtëpisë. Amerika është komb puritan dhe komercial. Burrat kërkojnë sipas traditës fetare shumë nga gratë. Ata kërkojnë qe gruaja të jetë sa më pranë rrethit shtëpiak

Në Shqipëri femra martohet, pastaj mëson se çdo të thotë shtëpiake, ndërsa në Amerikë ndodh krejt e kundërta. Femrat pa u bindur se si do jetë gjendja pas martesës, nuk martohen. Ato janë të parapërgatitura për çdo befasi, si dhe ruajnë me fanatizëm nivelin e barazisë dhe pavarësisë. Vajzat e dinë se duhet të dëfrejnë, pasi lumturia nuk vjen siç thonë në shtëpi të burrit. Ajo që e di këtë, nuk kthehet pas, nuk shikon pas. Ato ecin me vetëdije në kushtet e reja, edhe pse pasiguria e fatit të gruas në demokraci është tepër e madhe. Gratë emigrante në demokraci nxirren nga burrat e tyre të kërkojnë fatin, prosperitetin dhe të bëhen pjesë edhe për të tjerët.56 Vendi i tyre ndryshoi, kushtet ndryshuan, po jo karakteri.

Morali

Morali i femrës është i ndryshëm sipas kushteve të shoqërisë dhe institucioneve. Në demokraci këto kushte nuk janë aq të rrepta sa në regjimet e tjera. Në Shqipëri brishtësia e femrës është goditur në mënyrë konstante. Madje ka dijetarë dhe pushtetarë që thonë se morali nuk është shumë i rreptë. Në të vërtetë, femra në veprat letrare trajtohet e pastër dhe asnjërit s’i shkon ndërmend t’i kundërshtojë, kjo vjen nga niveli i barazisë. Më parë të dy sekset trajtoheshin të diferencuar.

Barazia midis burrit dhe gruas ka zhdukur të gjitha barrierat që i ndanin. Asnjë femër nuk merr për bashkëshort një person që ka paragjykime morali. Ato janë plotësisht të lira të vendosin ta marrin apo jo atë që ato dashurojnë.

Në Amerike femra është e lirë të zgjedhë,t a provojë zgjedhjen që ka bërë dhe ka edukim të tillë që është në gjendje ta bëjë pa asnjë ndikim nga opinioni. Ku ka barazi burrë-grua, nuk e bën burrin të pastër, por e bën më pak të rrezikshëm në shkeljen e moralit nga femra. Për një gjykatës është më pak e frikshme një prostitutë se ai i një intriguese.

Në demokraci ku ka barazi, burri e ndjen që zbehet pasioni dashamirës dhe gjithmonë mendon për kontakte sekrete. Principi i barazimit, meqenëse nuk është natyral, ul nivelin e dashurisë. Morali i popullit bëhet më i lëshuar.

Atje ku përzihet e drejta dhe e padrejta, e vërteta dhe gënjeshtra, virtyti publik është i dyshimtë, morali lëkundet. Në demokraci morali shoqëror bie, se nuk ka një shoqëri të mirëfilltë, madje humbet interesi shoqëror, si dhe sjellja e tjetrit.

Barazia

Demokracia barazon të dy sekset. Po a ka bazë natyrale? Si burrin dhe gruan i vendos në një funksion, në një detyrë, me të drejta të barabarta si okupim, dëshirë, ashtu edhe në besim. Por, në realitet kjo ka çuar në degra­dimin e dy sekseve: burrin e ka bërë të dobët dhe gruan të pabindur.57 (E ka bërë burrin pule dhe pulën e bën laraskë).

Amerika e kupton se nuk është stabilizuar si duhet barazimi, sepse natyra ka nxjerrë ndryshime të thella fizike dhe morale. Natyra nuk bëri të njëjtën gjë siç kërkon t’i bëjë demokracia. Gruaja nuk është për të ndjekur punët jashtë shtëpisë, biznesin, politikën apo punët e rënda, qoftë edhe kur ka zemër dhe mendje burri.

Çdo bashkim shoqëror duhet të ketë një kokë që të udhëheqë dhe ky ka qenë burrë. Demokracia nuk e legalizon fuqinë e burrit, udhëheqjen e tij në familje. Drejtimin e bu­rrit në familje gruaja nuk e quan si marrje të së drejtës së saj. Burri sado bujar që të jete, ai kurrë nuk mendon sinqerisht për barazi. Ku s’ka barazi, burri e trajton gruan si të dobët, delikate dhe kujdeset për të. Ku ka barazi burri i neglizhon këto veti të gruas dhe nuk kujdeset më për të. Në demokracinë amerikane shoqëria moderne nuk sjell njerëz të tjerë në shoqëri të madhe, por krijohen shoqëri shumë të vogla.

Në çdo qenie të gjallë, mashkulli ka forcë dhe me këtë force duhet :

- Të mbrojë veten dhe femrën nga çdo rrezik.

- Të sigurojë ushqim, të punojë tokën për vete, gruan dhe fëmijët.

- Të sigurojë vazhdueshmërinë, qoftë edhe me forcë (seks).

Pra, femra është për në shtëpi, të rritë fëmijët, jo për luftë, as për të siguruar ushqim duke përdorur forcën, si rrjedhim për burrat ajo është thjesht vartëse.

Bibla, Kisha, Kurani e ul gruan në rang të dytë. Nëse nuk është e vërtetë, d.m.th ato gënjejnë dhe kjo shkallë e gënjeshtrës duhet të përshkojë të gjithë doktrinat e tyre. Në Shqipëri Perëndia është në gjininë femërore. Kjo tregon se të parët tanë në lashtësi e kishin femrën të parë dhe burrin vartës.

[1] Te gjithe numrat, ne liber kane referimet e tyre perkatese, citime, ose burimet nga ku jane mare.


493 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page