Fatmir Terziu: Vdekje për arsye të tjera
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 3 min read

Letërsia shqiptare nuk vdiq nga mungesa e talenteve, as nga varfëria e gjuhës, as nga shterpësia e imagjinatës. Ajo vdiq, ose më saktë, u la të bjerë në një gjendje kome të zgjatur, sepse u shkatërruan kushtet që e bënin të mundur ekzistencën e saj si komunikim i gjallë. Vdekja e saj nuk erdhi si akt dramatik, por si një shuarje e ngadaltë, e padukshme, e mbuluar nga zhurma e medias, nga ritmi i tregut dhe nga iluzioni se mjafton prania e autorëve për të pasur letërsi. Në thelb, letërsia nuk është një grumbull librash në raft, as një listë emrash, as një arkiv kombëtar për krenari simbolike. Letërsia është një marrëdhënie, një komunikim i strukturuar mes autorit dhe një audiencë që di të dëgjojë, të lexojë dhe të përgjigjet. Ajo ekziston vetëm aty ku ka një masë kritike njerëzish që besojnë në të, që e konsiderojnë të rëndësishme dhe që janë të gatshëm t’i kushtojnë kohë, vëmendje dhe përqendrim. Kur kjo masë zhduket, letërsia mbetet një skelet institucional, një relike që vazhdon të quhet letërsi nga inercia e gjuhës.
Pas vitit 1990, Shqipëria hyri në një rend të ri, ku arti dhe letërsia humbën statusin e tyre si gjuhë e privilegjuar e përfaqësimit shoqëror. Në vend të tyre u vendos media masive, e shkruar dhe elektronike, më e shpejtë, më fleksibile, më e aftë për të prodhuar imazhe të përkohshme dhe për t’u përshtatur me fantazitë e çastit. Në këtë mjedis, letërsia u bë e ngadaltë, e papërshtatshme, tepër kërkuese për një shoqëri që e përjeton kohën si para dhe jetën si konsum të pandërprerë. Ritmi i videoklipit e zëvendësoi ritmin e leximit, bota reale, e fragmentuar dhe e ndriçuar artificialisht, u duk më interesante se ajo fiktive. Tregu e vulosi këtë proces. Kërkesa për libra shqiptarë u tkurr, ashtu si edhe oferta. Libraritë u zhdukën ose u shndërruan në tezga minimale, ku mbijetojnë vetëm titujt “e lëngshëm”, bestsellerë të përkthyer, manuale vetëndihme, libra ezoterikë, sensacione dhe konspiracione.
Letërsia artistike, sidomos ajo shqiptare, u bë ekonomikisht e padurueshme. Lexuesi, i varfëruar dhe i lodhur nga lufta për mbijetesë, nuk kishte më as mundësi financiare, as kohë mendore për një lexim të përkushtuar. Në këtë shkretim të publicitetit letrar, ajo që mbeti u fragmentua në ishuj të vegjël. Qarqe poetësh dhe shkrimtarësh vazhdojnë të ekzistojnë, por pa një hapësirë të përbashkët ku të kristalizohen kritere, debate, polemika dhe hierarki kuptimplota. Publiciteti letrar, si vend real dhe imagjinar ku negociohet shija dhe vlera, u tkurr deri në zhdukje. Nuk ka më procese, nuk ka valë, nuk ka periudha, sepse këto nocione kërkojnë një “det” ku ishujt të komunikojnë mes tyre.
Në këtë boshllëk lindën edhe monopole të vogla simbolike. Poetë post-folkloristë, të mbështetur te leximi publik dhe prania fizike, monopolizojnë një formë primitive të komunikimit letrar, efektin e menjëhershëm, njohjen e çastit, duartrokitjen. Ata nuk kanë nevojë për transcendencë, sepse audienca e tyre është aty, konkrete, e ngushtë dhe e mjaftueshme për vetëbesimin e tyre. Ata mund të mos lexohen, por dëgjohen; dhe kjo mjafton për të prodhuar iluzionin e ndikimit. Letërsia, në këtë formë, reduktohet në performancë dhe ritual, jo në tekst që jeton në kohë.
Edhe kanoni nuk shpëtoi. Veprat e mëdha të traditës shqiptare u shndërruan në monumente të ngrira, të përdorshme si simbole mediatike, por jo si tekste të hapura për lexim, debat dhe riinterpretim. Ato ekzistojnë si emblema kombëtare, jo si përvoja estetike. Një monument i tillë nuk ushqen letërsi; përkundrazi, e paralizon atë. Paradoksi është se talentet vazhdojnë të shfaqen. Ka ende njerëz të talentuar, ende tekste të mira. Por pa mjedisin që i lidh në një sistem komunikimi, ato mbeten episode të izoluara, zëra që humbasin në ajër. Letërsia nuk vdes kur mungojnë autorët, ajo vdes kur mungon besimi në lexim, kur zhduket audienca implicite që çdo vepër ndërton brenda vetes.
Kështu, vdekja e letërsisë shqiptare nuk është pasojë e një ndalimi brutal, si në komunizëm, por rezultat i një shpërbërjeje të heshtur në kushtet e kapitalizmit mediatik. Ajo nuk u vra, u braktis. Dhe pikërisht për këtë arsye, kjo vdekje është më e vështirë për t’u parë, më pak dramatike, por ndoshta edhe më përfundimtare, edhe pse qindra libra botohen, edhe pse Panairet trumbetohen, edhe pse konkurset dhe juritë shtohen... edhe pse..., edhe pse....









Comments