Toni Zepaj: Kur heshtja mbulon edhe varret

Ka pamje që të lëndojnë më shumë se çdo fjalë. Një e tillë vjen sot nga Qarku i Dibrës, nga zona e Gollobordës, në fshatin Trebisht-Muçinë, ku gjendja e varrezave ka arritur në një pikë që nuk mund të quhet më thjesht neglizhencë, por një mungesë e thellë respekti ndaj kujtesës dhe dinjitetit njerëzor.
Bari ka arritur mbi një metër lartësi. Familjarët e kanë pothuajse të pamundur të hyjnë brenda për të vizituar varret e të afërmve të tyre. Një vend që duhet të jetë i pastër, i qetë dhe i denjë për kujtimin e atyre që nuk jetojnë më, sot paraqitet në një gjendje që trishton çdo banor të Gollobordës.
Askush nuk e poston me dëshirë një pamje të tillë. Përkundrazi, është dhimbje ta bësh publike. Por kur institucionet heshtin, qytetari ndjen detyrimin moral të ngrejë zërin.
Më shqetëson edhe më shumë fakti se, sipas banorëve, për mirëmbajtjen e këtyre varrezave ekziston një përgjegjësi dhe paguhet një person. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë lind pyetja e natyrshme: kush e ka kryer detyrën dhe kush mban përgjegjësi për këtë gjendje?
Ky nuk është një sulm personal ndaj askujt. Nuk kam asnjë konflikt me askënd. Është thjesht një thirrje qytetare drejtuar institucioneve vendore dhe drejtuesve përgjegjës, që të shohin nga afër realitetin dhe të ndërhyjnë sa më parë.
Në veçanti, i drejtohem administratorit të zonës, z. Fitim Balla, i cili prej vitesh ka shërbyer në këtë detyrë. Me respekt, por edhe me përgjegjësinë që kërkon funksioni publik, besoj se është momenti të merret seriozisht me këtë problem. Varrezat nuk janë thjesht një hapësirë publike; ato janë vendi ku prehen prindërit, gjyshërit dhe të afërmit tanë. Respekti për ta është një tregues i qytetërimit tonë.
Nëse për çfarëdo arsye mungojnë mjetet ose mundësitë për mirëmbajtje, jam i bindur se familjet e Trebisht-Muçinës nuk do të qëndrojnë duarkryq. Edhe unë do të jem ndër të parët që do të kontribuoj, qoftë me punë vullnetare, qoftë me ndihmë financiare, së bashku me vëllezërit, fisin dhe bashkëfshatarët, që ky vend të pastrohet dhe të marrë pamjen që meriton.
Varret janë kujtesa jonë. Kush nuk respekton kujtesën, humbet edhe respektin për të ardhmen.
Me respekt,
Familja Zepaj
Trebisht, Gollobordë
30 korrik 2026








I nderuar zoti Toni,
Po ju shkruaj lidhur me diskutimet e fundit dhe letrën e drejtuar administratorit tonë, z. Fitim Balla, rreth gjendjes së varrezave në Trebisht.
Më duhet të shpreh keqardhjen time për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje, pasi po përdoren standarde të dyfishta. Është e vërtetë që mirëmbajtja e varrezave është një temë mjaft e ndjeshme për secilin prej nesh, dhe unë personalisht kam paguar nga mjetet e mia financiare një person për t'i pastruar ato, në mënyrë që vendprehja e të afërmve tanë të jetë e pastër. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se përgjegjësia duhet t'i vishet vetëm administratës aktuale.
Ajo që më bën përshtypje dhe kërkon një reflektim objektiv është pyetja: pse pikërisht…
I nderuar Toni,
Duke të falënderuar për shqetësimin shumë të drejtë për të pasur varrezat e të parëve tanë sa më të pastra, ne po punojmë çdo ditë dhe jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka në të mirën e komunitetit.
Por kjo varet edhe nga kontributi i banorëve tanë, qofshin ata që banojnë aktualisht në fshatin tonë, qofshin ata që janë larguar.
Dhe po të jap një shembull brenda Njësisë: duke i falënderuar pa masë banorët e fshatit Çelebi, si ata që banojnë në fshat, ashtu edhe ata që kontribuojnë nga jashtë, për përkushtimin e tyre në pastrimin e varrezave çdo muaj.